Albspirit

Media/News/Publishing

Qëndresa Sadriu: Ka ardhur koha që edhe diaspora të zërë vendin e saj në parlamentin e Kosovës apo Shqipërisë

Qëndresa Sadriu është kryetarja e parë shqiptare e një asambleje komunale zvicerane. Ajo ka qenë pjesë e jetës politike në komunën e saj dhe më gjerë qysh si vajzë 19 vjeçe, kur ishte zgjedhur si këshilltare në Asamblenë e Komunës nga radhët e Partisë Socialdemokrate  (SP). Në vitin 2015 ajo kishte kandiduar edhe për deputete në Parlamentin Nacional të Zvicrës. Ndonëse nuk kishte arritur qëllimin, kishte fituar më së shumti vota në mesin e kandidatëve të tjerë shqiptarë. Kandidimi për Parlamentin Nacional, për Qëndresën ka qenë një përvojë shumë e mirë, por ajo beson që do të provojë fatin të kandidojë prapë për postin e deputetes nacionale.  Opfikon është pjesë e Qarkut të Bülach-ut, si dhe një nga 166 komunat e Kantonit të Zürichut, ndërsa ka mbi 15 mijë banorë.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?

Kam qenë e përgatitur për një fitore. Edhe punën time të përditshme e kam zvogëluar deri në 60%, që t’i kam 40% kohë për punën në parlament, në qoftë se e arrij fitoren. Gjithashtu, në fazën intensive të fushatës, kam qenë në të gjitha platformat qe ka pas mundësi, e pranishme dhe jam angazhuar intensivisht që të arrij sa më shumë vota. Un kam qenë në vendin e 4 të listës tonë dhe partia jonë, në distriktin Bülach, më herët ka pasur 2 vende. Kjo nuk do të thotë se për mua fitoren e kam të sigurt, sepse dy të parët në listë kanë qenë veç në parlament në legjislaturën e fundit dhe nëse nuk mundemi t’i arrijmë 3-4 vende, kishte me qenë shumë e vështirë për t’i parakaluar ata të dy. Unë jam angazhuar maksimalisht, mundem edhe të them që i kam dhënë më shumë se 100% në këto zgjedhje, që ta mbaj vendin e katërt apo te arrij vendin e 3 të listës. Në fund distrikti ynë, Bülach, mori 3 vende në parlamentin e Zürich dhe unë munda ta kaloj personin para meje. Kjo ka qen një çlirim personal i madh, mbas asaj fazës shumë intensive dhe ishte një fitore e madhe për mua, po gjithashtu edhe për të gjithë ata që u angazhuan aq intensivisht në fushatën tonë.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?

Mund të them se kam pasur shumë momente shënuese në jetë dhe që më kanë mësuar të qëndroj dhe të luftoj për të drejtat e mia si femër, si vajzë e dy emigrantëve dhe si person që kam luftuar kundër një sëmundjeje të rëndë. Por të gjitha këto momente më shtynë të mësoj që unë nuk jam vetë, që luftoj për drejtat e mia. Më mësuan që kanë qenë edhe shumë të tjerë para meje, me të njëjtat luftëra, breza të tjerë para meje, me të njëjtat probleme. Po ashtu, ata më mësuan që një përqindje e madhe e atyre nuk kanë mundësi që të angazhohen për një ndryshim, apo nuk e kanë mundësi ta kërkojnë me zërin e tyre dhe më motivuan që të angazhohem unë për të gjithë ata e jo vetëm për vete, në angazhimet e ndryshme të mijat, si në fondacionin për ndihmë të fëmijëve me kancer, ashtu edhe në shoqatën për ndihmë të të pastrehëve dhe të varur prej alkoolit dhe drogës, në politik dhe si asistente stomatologe.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Jo, nuk kam pasur. Mendoj që vetëm angazhimi maksimal, shkollimi dhe ngritja intelektuale mund t’ia mundësojnë secilit që të arrijë suksesin në drejtimin e tij të zgjedhur. Rruga ime ka pasur shumë pengesa dhe mund të them që as një arritje nuk ka qenë e lehtë, por u arrit me sakrifica të mëdha dhe me angazhim të madh.

Po për sukses, në përgjithësi, janë shumë aspekte që duhet të mendohen. Është situata financiare, është prejardhja, është gjinia, është drejtimi fetar, është vendi ku jeton, është politika dhe shoqëria që kë përreth, që të japin më pak apo më shumë mundësi për sukses.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?

Këtë pikë e ceka dhe më parë. Fakti që kam përballuar një sëmundje të rëndë, si fëmijë, fakti që jam femër, fakti qe jam e re dhe fakti qe jam një vajzë e dy emigrantëve, kanë qenë piket që më rritën si person dhe që më motivuan për gjithë angazhimet që po bëj sot.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?

Kjo pyetje më është bërë shumë shpesh apo pyetja që: “nëse mundesh ta kthesh kohën pas, a do kishe ndryshuar diçka, apo a do të kishe marrë një vendim tjetër?” Mund të them që këtë mendim dhe karakter që e zhvillova në këto vite të rinisë sime, ndoshta nuk do kisha lënë që të vendosin për një sistemi shkollor apo politik, se sa vlerë kam apo cilin drejtim profesional ta zgjedhja. Apo do kisha hapur gojën në çdo moment që do të trajtohesha ndryshe, vetëm për shkak të emrit apo gjinisë. Po prapëseprapë, kur e shoh se sa fitova prej gjithë këtij rrugëtimit tim, mund të them që nëse më jepet mundësia ta ktheja kohën pas, të njëjtat vendime do i kisha marrë.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset? 

Mendoj që vetëbesimin që zhvillova, vlerën time që e njoh dhe mundësia që të jap mendimin tim dhe te argumentoj pa droje apo pa frikë, kur diçka nuk më duket e drejtë, janë arritjet më të mëdha personale për mua.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme,  të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?

Për mua është vështirë të them se çka domethënë fjala “Atdhe” për mua. Unë jam lindur dhe jam rritur në Zvicër, po jam rrit dhe jam edukuar që ta respektoj dhe të ndiej gjithë prejardhjen time dhe që t’i marr të gjitha vlerat e mira prej të dy kulturave. Nuk mund të them se Zvicra është vendi im, apo Kosova, ku e kam prejardhjen time, është vendi im. I dua të dy vendet për argumente te ndryshme. po mund të them që vendi im është aty ku zemra ime ndihet rehat, aty ku jetoj dhe ku angazhohem dhe aty ku kam të dashurit e mi.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm? 

Kultura e punës dhe kultura e sinqeritetit, po gjithashtu ngritja intelektuale ku disa pikë i mora prej kulturës zvicerane, disa i mora prej kulturës shqiptare, mendoj që më mundësuan që t’i arrij qëllimet e mia.

Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?

Emigrant domethënë për mua se vjen nga një vend që, ndoshta, gjuha është ndryshe nga e jotja, kultura është ndryshe, shoqëria është më ndryshe dhe sistemi është më ndryshe dhe, nëse vendos që ta kaloj jetën në vendin ku emigroj, duhet të angazhohem maksimalisht që të integrohem në gjithë këto pika të ndryshme ndaj vendit që e lashë, duke mbajtur kulturën dhe prejardhjen me vete dhe t’i shfrytëzoj pikët pozitive të tyre, që të siguroj një jetë të mirë për vete dhe për brezat pas meje. Mund të them që ka qenë pengesë në shumë pika të jetës time, dhe që m’u desh më shumë angazhim për të shpjeguar shkakun e prejardhjes, apo emrit të ndryshëm, po mendoj që në krahasim me 15 vite të fundit për komunitetin shqiptar, ka ndryshua shumë situata. Ka prapëseprapë padrejtësi, po kur e krahasoj me faktin se mua mu deshën plot 287 aplikime për të shkuar në një shkollë profesionale dhe ne fund e gjeta një që nuk ishte ajo që mendoja dhe dëshiroja, dhe sot që motra ime vetëm me 10 aplikime që bëri, gjeti shkollën që deshi, mendoj se ka ndryshuar shumë situata. Por ky status ndryshohet apo ndoshta i përshtatet situatës momentale dhe varet edhe prej vendit nga emigrojnë personat.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?

Të gjithë duhet të kuptojmë se aty ku jetojmë, aty duhet dhe të angazhohemi për një ardhmëri më të mirë. Prindërit duhet të angazhohen maksimalisht që t’ua mundësojnë fëmijëve të tyre një shkollim të lartë, sepse vetëm shkolla dhe ngritja intelektuale na çon përpara si shoqëri, dhe vetëm nëse arrijmë sukses aty ku jetojmë, mundemi dhe të ndihmojmë vendit ku e kemi prejardhjen. Nuk janë arritjet materiale me rëndësi, po arritjet në shkollim janë ato që çojnë para një shoqëri.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Unë mendoj që sistemi politik e çon para vendin apo edhe të kundërtën. Jam zgjedhur prej shoqërisë ku jetoj në parlamentin e Zürich-ut dhe prej taksave të tyre marr rrogën.  Kjo do të thotë që unë në asnjë moment nuk duhet të punoj dhe të veproj për interesat e mia personale,  por gjithmonë për interesat e shoqërisë. Mendoj që Parlamenti është pasqyra e popullit dhe parlamenti duhet t’i tregojë popullit se si të veprohet.

Por në Kosovë, Shqipëri, duhet të luftohet korrupsioni, duhet të largohen mundësitë që të punësohen persona familjarë në vende të punës ku unë udhëheq, apo drejtoj, duhet të zgjidhen dhe të kandidojnë persona të pastër, gjenerata te reja po ashtu duhet dhe t’i jepet mundësi edhe diasporës që të futet në politikën e Kosovës, Shqipërisë, që të investojmë me dituri, e cila e çon shoqërinë shumë më përpara,  se çdo lloj investimi financiar.

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare? 

Mendoj që duhet të shikojmë në të ardhmen. Jo vetëm 2-5 vite nga sot, por 10-20 vite më larg. Kjo do të thotë qe duhet të përfitojmë prej arritjeve profesionale te diasporës dhe me pak prej investimeve financiare të tyre. Konkretisht, duhet t’i mundësohet dhe diasporës që të zërë vendin e saj, për shembull, në parlamentin e Kosovës, apo Shqipërisë, për të bërë ndryshime afatgjata në bashkëpunim më njëri- tjetrin.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen? 

Mendoj qe ndryshime profesionale, personale dhe në angazhimet e tanishme ka me pas më shumë në të ardhmen time. Po nuk mundohem të caktoj secilin hap që e hedh në jetë. Për momentin, janë ndryshime personale dhe profesionale ato që janë në fokusin tim.

“The Albanian”  tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?

Mesazhi im është që mos të kënaqemi me minimumin në jetë, që të përpiqemi gjithnjë për të arritur maksimumin dhe të shkollohemi sa me lart dhe të ngrihemi intelektualisht. Secili të ketë sukses në drejtimin e vet, të zgjedhur dhe që të punojmë për shoqërinë dhe jo vetëm për vete, si individë, sepse kjo, mendoj, që ne si shoqëri do të na ngrejë lart.

“The Albanian”

Please follow and like us: