Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Simbolika hyjnore e varrit të Skënderbeut në novelën e Ismail Kadaresë

Fotografia e ExLibris

Ndue Ukaj

 
Mbi novelën e Ismail Kadaresë “Raporti i fshehtë”

Njeriut gjithmonë i duhet e kaluara dhe një identitet mbi të cilin mund të qëndrojë, si pikënisje për të gjetur kuptimin dhe kozmogoninë e vet. Po ashtu, shkrimtarit i duhet një pikënisje për të ndërtuar veprën e vet letrare. Ismail Kadareja këtë hapësirë letrare, veç të tjerash, e ka kërkuar në histori, te simbolikat e veçanta, te heronjtë, atje ku imagjinata shtegton nëpër mundësitë dhe pamundësitë e jetës e të vdekjes dhe ku betejat janë të pamëshirshme, të ashpra, për të gjetur kuptime dhe moskuptime nëpërmes gjuhës së artit dhe mundësive të pafundme që ka ai, me ç’gjë ndikon pazëvendësueshëm në formimin e të vërtetave njerëzore.
Për Historizmin e Ri, një lëvizje letrare e viteve ’80 që analizon raportet e letërsisë me pushtetin dhe politikën në artefaktet letrare, tekstet letrare kanë një funksion specifik përbrenda rrjetit të raporteve ndërmjet letërsisë dhe historisë. Kjo lëvizje letrare ka nxitur një kthesë të rëndësishme në mendimin letrar, duke u nisur nga ideja humane se letërsia mund t’i mësojë qeniet njerëzore me leksione morale dhe sjellje civile, pohon studiuesi John Brannigan. Në përkim me këtë, historianët e rinj mendojnë se letërsia dhe historia janë të pandashme.
Prandaj në studimet letrare të viteve të fundit është rritur interesi për t’i hulumtuar mënyrat sesi letërsia reflekton, formon dhe përfaqëson historinë dhe identitetin. Një shembull tipik në letërsinë shqipe për t’i provuar këto raporte, si në planin teorik po ashtu në atë praktik, është vepra letrare e Kadaresë, e cila ka lidhje të pashkëputshme dhe organike me historinë, kombëtare dhe universale, në planin tematik dhe në atë ligjërimor e estetik. Autori ka shprehur interes për t’i kthyer temat historike në tema letrare, rrjedhimisht, për të rindërtuar filozofinë e vet për historinë, në domenin e artefakteve letrare, si dhe për të dhënë leksione morale, të dobishme në kohë dhe kontekste të tjera.
Historia dhe letërsia në veprën e Kadaresë bartin kuptime të shumëfishta, meqë aty kryqëzohen domethënie letrare e politike që lidhen edhe me semiosferën e marrëdhënieve të pushtetit me njeriun shqiptar të kohës së autorit. Këtë element e kanë vërejtur edhe njohësit e veprës së tij. Historia, si refleksion dhe dokumentaritet i provuar historik te vepra e tij, shfaqet dhe përçohet si kujtesë dhe shpalim artistik. E argumentet artistike, që janë po ashtu historike, autori i përdor si leksione morale për t’i harmanizuar sjelljet njerëzore, pra të lexuesve, dhe njëkohësisht për të treguar se ç’pëson njeriu kur i mohohet gjëja më e shtrenjtë, liria, ose kur ai vetë e mohon të kaluarën.
Identiteti i letërsisë së Kadaresë, si tematikë dhe si filozofi, është formësuar mbi themelet kombëtare dhe kulturore që i ka vënë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, ndërkaq transfigurimi dhe transmetimi i këtij identiteti në letërsi është bartur te shumë vepra të tijat, si mall dhe ideal letrar, gjë që ka bërë ta “konsakrojë Kadarenë në rolin e intepretit të thellë të qytetërimit letrar shqiptar” (Matteo Mandalà). Dhe për të pasqyruar këtë qytetërim, nuk ka një figurë më të devotshme dhe më të plotë sesa Gjergj Kastrioti.
Skënderbeu i Kadaresë përshkruhet me devocion të plotë në shumë vepra letrare, por edhe në ato eseistike, siç ka bërë te libri monumental i identitetit dhe kulturës shqiptare Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetvetes.
Skënderbeu i letërsisë së Kadaresë nuk është heroi i zakonshëm historik, ndërsa figura e tij nuk është sporadike, por e përshkon veprën e tij si frymë dhe ide, në poezi dhe në prozë, që nga krijimet e hershme deri tek ato të fundit. Nga historia, autori e ka nxjerrë heroin në hapësirat e imagjinatës, duke bërë zhvendosje kulturore, simbolike, zhvendosje këto që janë estetike dhe kështu atij i ka dhënë përmasa të jashtëzakonshme, të pakrahasueshme me ndonjë hero tjetër. Duke e njohur këtë shtrije, njohës të shumtë të veprës së Kadaresë, me të drejtë, kanë shkruar se vepra e tij është ndërgjegjja e popullit të tij, ku paraqitet identiteti shqiptar me të gjitha tiparet dhe karakteristikat që e shquajnë atë.
Kadareja në shumë tekste letrare ka rrëfyer për historinë, duke bartur në shkrimin fiktiv personazhe, ngjarje apo filozofinë e historisë. Nëpërmes këtij modeli shkrimor ai ka stigmatizuar totalitarizmin e ndonjëherë ka luftuar harresën dhe ua ka dhënë krah lexuesve të tij të topitur në rrëmuja e kriza kombëtare.
Në prozën Raporti i fshehtë, botuar më 2008, Kadareja s’e përdor alegorinë, aluzionet, për të shprehur idetë kulturore dhe politike, apo për të evokuar historinë, por në mënyrë krejt eksplicite, të sinqertë, nëpërmes simboleve, i flet lexuesit për figurën madhore të heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit, arketipin e letërsisë shqipe të cilin e paraqet si domosdoshmëri kombëtare. Në këtë prozë autori e rikthen lexuesin në kohën e Perandorisë Osmane, te kështjellat shqiptare, tek ato fortifikata shpirtërore që e shënjuan Motin e Madh, në Krujë, Lezhë, te varri i Gjergj Kastriotit, pra në Shqipërinë paskastriotiane që, në fakt, është derivim kastriotian. Autori këtë ngjarje letrare dhe historike e rindërton në bazë të imagjinatës së vet dhe jo të elementeve biografike, ndonëse rreth varrit të Skënderbeut ka tregime të shumta, popullore dhe të shkruara.
Në novelën Raporti i fshehtë artistikja dhe historikja thyhen, ndeshen, e plotësojnë njëra-tjetrën, por kurrë s’e dëmtojnë njëra-tjetrën. Kështu që figura letrare është historike dhe letrare. Gjergji është shtrirja kohore e shqiptarëve në botë, nderi dhe tempulli ku ata gjejnë prehje.
Heroi admirohet, është arketip dhe prototip për të ndërtuar narrativen kombëtare dhe kulturore, madje duke u bërë Krishti i shqiptarisë, siç del te ky tregimi i shkëlqyeshëm i Raporti i fshehtë, meqë varri i tij vihet krahas varrit të Jezu Krishtit, themeluesit të krishterimit.
Duke rrëfyer historinë e kësaj periudhe që zhvillohet në Shqipërinë Veriore, me figurë qendrore Kastriotin shembullor që është arketip i shtresuar në letërsinë shqipe që nga Barleti e këndej dhe rreth të cilit vërtiten personazhet e tjerë dhe perandoria e tërë, Kadareja e ka rikthyer fuqishëm frymën kastriotiane në art, duke e paraqitur si domosdoshmëri kombëtare.
Vepra letrare në vete ka dy botë që ndeshen, jo me armë si dikur, kur Kastrioti ishte gjallë, por me varrin dhe eshtrat e tij, pra me fantazmën dhe kujtesën e tij. Aty janë pala turke dhe ajo shqiptare që përplasen rreth varrit të tij. E para, është e pajisur me të gjitha mundësitë që ia jep pushteti: dhunën, frikën, ndëshkimin, financat; e dyta, s’i ka asnjërën nga ato, por ka diçka më të çmueshme, lavdinë historike, figurën zëmadhe të Gjergj Kastriotit, shpirtin e tij që ia prish gjumin perandorisë. E kjo palë shfaqet e përkorë, moralisht e pathyeshme e ngadhënjimtare, dhe rri stoike përballë pushtetit të Tuz efendiut që, në raport me figurën e heroit kombëtar, del i turpëruar dhe qesharak.
Lexuesi, për të kuptuar përmasën dhe dimensionin tejkohor të kësaj proze, duhet ta lexojë atë përmes një qasjeje interaktive me Biblën dhe diskursin biblik, sepse, në esencë, si filozofi shkrimi kjo prozë shpjegohet me episodet e vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, ku mbështetet filozofia e krishterimit dhe mbi ç’bazë autori e ndërton këtë rrëfim imagjinar dhe filozofinë e tekstit. Pra, autori nëpërmes simboleve letrare e ndërton tekstin dhe tejkohësinë e tij, në përkim me mësimin biblik rreth varrit të Krishtit, përkatësisht mungesës së tij, episode këto të cilat, siç tregon Bibla, lidhen me ngjalljen dhe shenjtërinë e tij, pra me qenësinë e tij hyjnore. Në këto elemente, të cilat autori i përdor vetëdijshëm, qëndron filozofia dhe esenca semantike e etike e kësaj proze.
Palën turke në këtë prozë e përfaqëson Tuz efendiu, i cili është ngarkuar me një mision të pamundur, për të gjetur varrin e Kastriotit dhe për të hartuar një raport të fshehtë rreth tij. Dhe krejt kjo bëhet meqë pala turke ka frikë nga emri i Kastriotit, prandaj do që të zhduket fantazma e tij.

Gjergj Kastrioti ose Krishti shqiptar
Në këtë prozë Kastrioti është i vdekur, por ai rikthehet si frymë tejkohore, si shpirt, dhe krejt novela lidhet me të, me përmasën dhe shtrirjen e figurës së tij nëpër fusha, kështjella, te zbrazëtia e varrit, tek ëndrrat e prishura të perandorisë, te meshtari. Pra, ai është gjithkund dhe askund, kësisoj merr trajtë metafizike, hyjnore. Për shqiptarët ai është i shenjtë, ashtu siç është Jezu Krishti për të krishterët, të cilët besojnë pikërisht te mungesa e varrit të tij. Ndërkaq për turqit është makth, fantazmë, që sjell lemeri, trishtim, frikë dhe turpërim.
Narratori i kësaj proze është një zë tjetër, narrator që nuk shfaqet në tekst si karakter, por i aftë për t’i zbuluar mendimet dhe motivet e një ose më shumë karaktereve të tjerë. Ai flet për palën turke dhe shqiptare duke treguar motivet dhe idetë që kanë të dyja për heroin tonë kombëtar.
Që në hyrje të tekstit narratori i flet lexuesit për një vërshim zyrtarësh nga kryeqyteti, në Tiranë, dhe sidomos në rrugën e Veriut që të shpie te Gjergj Kastrioti, te kështjella e tij në Krujë, ku ato ditë qe kthyer mbrapsht Sangjakbeu i Shkupit i cili kishte kërkuar të hynte në kështjellë dhe aty, në shtratin e Donikë dhe Gjergj Kastriotit, të bënte dashuri me princeshën e tij moldave dhe ku dikush ëndërronte të mbeste shtatzënë.
Ndryshe nga Sangjakbeu i Shkupit, Tuz efendiu, thotë narratori, “jo vetëm që s’ishte tunduar asnjë çast nga mendime të pafytyra, si kalimi i natës në të, pale pastaj t’i shkonte mendja në turpe të tilla, si mbetje shtatzënë grash e lemerira të tjera, por edhe kryet për ta parë kështjellën e kishte kthyer gjithë kujdes, i trembur”.
Përderisa ekspedita turke e udhëhequr nga Tuz efendiu kërkon varrin e Kastriotit, shkrimtari, ngadalë dhe mjeshtërisht, e fut atë në kurthin e enigmës, duke e ngritur në piedestalin më të lartë shenjtërinë e figurës së Kastriotit. I ballafaquar me këtë mynxyrë, Tuz efendiu që në fillim të detyrës e kupton se misioni i tij ishte shumë i vështirë dhe i pamundur. Duke kaluar nëpër bujtina dhe duke biseduar rreth Shqipërisë, ai turbullohet dhe kupton se puna e tij ishte utopike. Ndonëse përvojat e tij të mëparshme me shërbime të ndërlikuara ishin të shumta, ky me varrin ua kalonte të gjithëve, sepse “dukej që ishte fjala për një varr tepër të rëndësishëm, atë të Kastriotit”. Ai sa më shumë që merr informatat rreth varrit për të cilin duhej të hartonte raportin e fshehtë aq më shumë bëhet konfuz dhe sa më shumë që e kupton këtë punë të ndërlikuar aq më shumë turbullohet, meqë i “vdekuri paskësh qenë armiku numër një i shtetit osman”. Në krye të detyrës së rëndë, ai vërtet s’e ka të qartë pse duhet të bëhej një gjë e tillë, për më tepër, ai s’e di ç’leverdi kishte shteti nga kjo aventurë. Duke u përpëlitur para sfidave që ka përpara, ai nuk di nëse ishte mirë për shtetin të gjendeshin ata eshtra apo jo. Dhe dilema bëhet hamletiane: “Në i gjetsha, ka rrezik të më thonë: pse i gjete. E në s’i gjetsha, prapë mund të më thonë pse.” Në këtë gjendje të amullt, pa shpresë, pa vetëbesim, ai mbërrin në Lezhë, te varri i zbrazët, tek thelbi, tek enigma. Për ta shpjeguar brendinë e varrit të Kastriotit, narratori, që di gjithçka në tekst, Tuz efendiun e vë përballë një prifti, ndërkaq mes tyre është mungesa e varrit. Për turkun kjo zbrazëti është e skëterrshme, një boshllëk që i ngjallë frikë, trishtim, ndërkaq për të dytin një gjë krejt e natyrshme.
Takimi i Tuz efendiut me varrin është i makthshëm dhe ky moment përshkruhet kështu në tekst: “Sipër gropës ishin vendosur dy dërrasa, mbi të cilat mbikëqyrësit e shitmë kishin kaluar, më sa dukej, nga njëri krah në tjetrin, me shpresë se duke e parë zbrazëtinë nga kënde të ndryshme, diçka do të kuptonin. Tuz efendiu bëri të njëjtën gjë dhe u bind se sa më shumë ta vështroje atë zbrazëti, aq më e shkretë të dukej vetja.”
Përballë kësaj shkretie që i shkakton enigma e varrit, ai kujton porositë e këshilltarit të fshehtë të vezirit të madh, se e fshehta që “ndryn ai varr”, të gjithë ata që kanë shkuar te varri i ka kthyer të trullosur dhe të dështuar.
Tuz efendiu, pasi e lexon kronikën Merhum Defterin, në vend që të qartësonte misionin e tij, bëhet edhe më konfuz, më i shkretë, meqë të dhënat për varrin, vjedhja e eshtrave nga ushtarët për t’i përdorur si hajmali, marrja e turpit të tij nga princat e tjerë, nga gruaja që s’u bë mbretëreshë, ishin kontradiktore po aq sa misioni i tij dhe në këtë dramë shpirtërore, ai vetëm për një gjë është i sigurt: “E fshehta e varrit, sa vinte bëhej shqetësuese.”
Për të varri ndryn një të keqe dhe ishte pikërisht ajo e keqe që ia prishte gjumin e perandorisë, Vezirit të rendit dhe vizionit turk për ta thyer Europën, në të cilën përpjekje Gjergj Kastrioti ishte digë e pakalueshme.
Tuz efendiu duke lexuar Merhum Defteri, kupton për një varr tjetër, të gjeneralit Ballaban, jeniçer shqiptar që kishte ngulur flamurin turk në murin e Kostandinopolit. Jemi përpara një shemrim varresh dhe ai kupton se në jetën shqiptare bëhej fjala për “dyvarri” dhe pikërisht nga kjo enigmë varej gjithçka, meqë “këndej e tutje historia shqiptare do të përcaktohej, me sa dukej, nga ndeshja midis dy varreve, të zbrazëtit dhe të plotit”.
Kur lexuesi ndalet te ky paragraf, ndien peshën e rëndë historike që peshon në këtë fjali dhe thirrjen që autori i bën atij për të shmangur dyzimet fatale historike.
Të dhënat historike në tekst janë të pakta, thjesht janë evidenca sporadike që përdoren për të treguar itinerarin e mëtejmë të Tuz efendiut i cili hetim pas hetimi, mbërrin te kisha katolike, atje ku princërit shqiptarë kishin lidhur besëlidhje për të luftuar perandorinë.
Por teksti ka një kontekst të fortë, një nënshtresë filozofike, me shenja dhe simbole që lexuesit i flasin për fatin e përhershëm të kombit shqiptar dhe rrugëtimit të tij historik, nëpër batica dhe zbatica, përballjes së herëpashershme me filozofinë e “dyvarrisë”. Në këtë përplasje autori bën një prerje cezariane kulturore dhe flet qartë për transformime historike e antropologjike, për shprehjen “robt e shtëpisë” që zëvendësonte shprehjen e vjetër abrnore, “gjindja e shtëpisë”.
Në këtë tekst letrar Kadareja e rikthen historinë si domosdoshmëri, si pikënisje kulturore, ndërsa Kastriotin si gjuhë, mendim dhe vizion për të ardhmen. Ai lundron thellë në psikologjinë historike të shqiptareve dhe prek nyjat nevralgjike të cilat, për hir të një politike korrekte, ndonjëherë nga studiues dhe shkrimtarë janë trajtuar vetëm sipërfaqësisht. Kadareja s’e dëshiron këtë. Përkundrazi, ai kërkon qartësinë dhe sipas tij kjo ndërlidhet me heroin kombëtar, prandaj ai kërkon të kultivohet kujtesa historike që lexuesi i sotëm dhe i nesërm të mos fundoset në kurthet e saj. I vetëdijshëm për planet e përhershme të pushtuesve që, duke mbjellë frikë, ata një ditë duan të mbërrijnë te momenti i sikletshëm, të “…shpresonin që një ditë të shtypurit do t’i donin sunduesit. Madje të kishin mall për ta, saqë, po të vinte dita që ata të iknin, t’u thoshin: mos! Mos na lini. Ose: kthehuni prapë”.
Itinerari i Tuz efendiut kulmin e arrin kur ballafaqohet drejtpërdrejt me varrin. Një pasdite të zymtë për të ai e kalon me priftin Gjon Ndreca, me të cilin biseda vente nga s’vente e rikthente te varri i zbrazët, ai i Krishtit dhe meshtarit, zbrazëtia s’i shkaktonte ndonjë brengë, ndërkaq të parin kjo e mpinte, e trulloste dhe e trishtonte. Përmes një ligjërimi të qetë, të prajshëm, autori e përshkruan zbulimin e enigmës dhe kjo bëhet me ngulmimin e Tuz efendiut që, pavarësisht ankthit që i shkakton, i do të kuptojë enigmën e varrit të Krishtit dhe të nxjerrë analogjitë me varrin e Gjergj Kastriotit:
“Kuvendimi bënte e ç’bënte kthehej te varri i Krishtit. Donte të dinte për çdo gjë për të, e sidomos për luftën e të krishterëve që mbronin zbrazëtinë e varrit pas ngritjes së Jezusit drejt qiellit dhe të kundërshtarëve të tyre që këmbëngulin se varri s’kishte qenë kurrë bosh dhe se trupi i Krishtit ishte hequr prej ithtarëve të tij.
Ndërsa meshtari fliste, sytë e pikëllueshëm të Tuz Efendiut nuk i ndaheshin.
Më sa kuptoj unë këtë histori, del se gjithë krishterimi juaj ngrihet mbi atë varr të zbrazët, tha, më në fund. Pa të, krishterimi do të binte.
Krishterimi ngrihet mbi besimin tonë të shenjtëria e Jezusit u përgjigj meshtari.
Tuz efendiu u përpiq të buzëqeshte.
Është e njëjta gjë që do të themi të dy, tha. Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.
Fjalët që thanë pas kësaj, i harruan aty për aty, ngaqë të dy e kishin mendjen gjetkë.
Prift, unë do të bëj një pyetje, për të cilën duhet të më përgjigjesh me zemër të hapur, tha Tuz efendiu.
Nuk kam gënjyer kurrë, u përgjigj meshtari.
Vonesa e pyetjes ishte e mundimshme për të dy.
Më në fund, Tuz efendiu e hapi gojën. Pyetja ime ka prapë lidhje me një varr. Veç jo me atë të Krishtit, por të këtij këtu, dhe tregoi me gisht gropën. Të Kastriotit. Desha të dija, ky varr i zbrazët, ç’do të thotë?
Meshtari e kishte vështrimin e humbur. E po aq, në mos më shumë, Tuz efendiu.
Po ta bëj pyetjen ndryshe, tha ai. Nëse krishterimi ngrihet mbi atë mungesë që thamë, ç’rreh të ngrihet mbi zbrazëtinë e Kastriotit?
Sytë e tyre, pas shmangies së gjatë, u ndeshën më në fund.
Ç’rreh të ngrihet? tha meshtari. Ajo që ti vetë e mendon.
I lodhur si rrallëherë, Tuz efendiu u duk se nuk do të mbërrinte dot gjer në bujtinë.
Gjithë pasditen dhe një pjesë të natës u mor me hartimin e raportit. Dy herë i grisi fletët, për ta nisur nga e para. Asnjëherë përdorimi i osmanishtes nuk i ishte dukur aq i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Gjithë puna ishte te mendimi qendror i raportit, kishte thënë veziri i Rendit.”
Kadareja te kjo novelë e qëmton ekzistencën shpirtërore të kombit shqiptar dhe për të realizuar këtë, ai përdor metodën e simbolizmit dhe të analogjisë së personazheve. Gjergj Kastrioti nuk është hero historik i rëndomtë, siç mund të jenë të tjerët. Ai është një ide e thadruar në ndërgjegjen shqiptare dhe nuk mund të shqitet nga ai, për aq sa mund të shqitet Krishti nga krishterimi. Kjo analogji kaq domethënëse, njëherësh kaq e guximshme për t’u përdorur, e bën Kadarenë krejt të veçantë në trajtimin e figurës së heroit tonë kombëtar.
Kadareja, në anën tjetër, nëpërmes Tuz efendiut shpalos anën e kundërt, skajin e këtij rrëfimi, që po ashtu shtrihet në thellësi historike, siç shtrihet figura e Gjergj Kastriotit. Ai është i ngarkuar me një sfidë të rëndë nga e cila varet karriera e tij: të kthehet në Shqipëri pasi kishin rënë kështjellat e fundit, me qëllim që të hetojë varrin e Gjergj Kastriotit dhe të shkruajë një raport të fshehtë për të, në mënyrë që të zhbëjë fantazmën e tij. Por ky mision ishte i pamundur dhe si i tillë, i destinuar të dështonte, sepse “Gjergj Kastrioti s’gjendej as në njërin as në tjetrin vis”, ndërkaq antipodi i tij “Ballabani, i vrarë prej tij në betejë, i brohoritur prej osmanëve si hero e demaskuar prej shqiptarëve si rimohues, gjendej, së paku, nën tokë”. Përmes kontrastit ligjërimor, kumbojnë idetë e shkrimtarit rreth gjithçkaje që bart enigma, historia shqiptare dhe rrjedhimisht, ky rrëfim i jashtëzakonshëm.
Tuz efendiu, i mbytur në dëshpërim nga dridhmat që ia shkakton fantazma e Kastriotit, duhet të ndryjë një mister, ashtu siç varri i Kastriotit ndryn një mister, të ngjashëm me simbolikën që përfaqëson varri i Krishtit.
Në këtë prozë historike lexuesi ndeshet me elemente të njohura të letërsisë së Kadaresë. Aty ndeshet me fantazmën që të rikujton Hamletin dhe romanin fantastik Kush e solli Doruntinën; kemi eshtra dhe ekspeditë për t’i gjetur ato dhe kjo të kujton gjeneralin italian të romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur; aty kemi mosprani fizike të Gjergj Kastrioti, por prani të plotfuqishme, mbizotëruese shpirtërore, dhe kjo të kujton romanin historik Rrethimi; po ashtu, kemi përplasje mes atyre që e duan Shqipërinë dhe tradhtarëve, dhe kjo të kujton romanin Vitin e mbrapshtë. Pra, lexuesi ka një tekst të dendur që otnologjikisht përfaqëson idetë historike të shkrimtarit i cili në shumë vepra Gjergj Kastriotin e ka vendosur në qendër të kulturës dhe historisë shqiptare.
Kadareja, nëpërmes rikthimit të historisë në ligjërim letrar, nuk do të bëhet pjesëmarrës në të, siç duan historianët, por do që asaj t’i japë përmasë të tejkohshme, shpirtërore dhe njëkohësisht, historianët t’i vërë përpara ekuacioneve të pazgjidhshme. Duke shkruar për historinë, do që ajo të shërbejë si tempull përndritje, sepse historia e bartur në letërsi bëhet humane dhe i thyen caqet e ngurta të gjuhës historike dhe referencialitetit, dhe ai nuk bën dëshmi, por përmes saj bën letërsi.
Në letërsinë shqipe, prej Marin Barletit e këndej, janë shkruar një mori tekstesh letrare dhe joletrare rreth figurës së Gjergj Kastriotit, por asnjë s’e ka lartësuar deri në nivel hyjnor përmasën e heroit tonë kombëtar siç ka bërë në këtë novelë.
Siç del nga kjo novelë, Skënderbeu i Kadaresë nuk është vetëm hero i historisë, të tillë çfarë mund të ketë kudo, por është një i shenjtë, i barasvlershëm me Krishtin. Së këndejmi, bëmat e tij merren si pikënisje për të rrëfyer historinë shqiptare, duke i ndarë kohët para Gjergj Kastriotit dhe pas tij. Pra, Kastrioti i kësaj proze është një kundërpeshë ndaj gjithë atyre që e kanë helmuar ndërgjegjen me filozofinë e Ballaban pashës dhe duan ta zhbëjnë fantazmën e tij, për më tepër, Kastrioti i kësaj novele është zë i thellë i lirisë dhe një rrëfim tejkohorë për vetëdije, identitet dhe kulturë.

Please follow and like us: