Albspirit

Media/News/Publishing

PLANETI ULËRIN PËR GJIGANDË QË MUND TË SJELLIN PAQËN NDËRSHTETËRORE, PAQËN SOCIALE DHE PAQËN ME NATYRËN

Dr. Astrit Gjunkshi

 

Në 80 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore

 

 

 

Data 3 shtator shënon 80 vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, ngjarja më e përgjakshme në historinë e luftrave në historinë e njerëzimit. Pa përfshirë dëmet kolosale ekonomike, afro 55 milionë jetë njerëzish u shuan si rezultat i drejtpërdrejtë i luftimeve. Ky numër arrin në mbi 80 milion duke përfshirë viktimat nga sëmundjet dhe uria që shkaktoi lufta. Paqa që pasoi përfundimin saj solli periudhën e rindërtimit të shkatërrimeve, prezantimin e demokracisë e cila çliroi energjive krijuese që u konkretizuan dekadë pas dekade me hovin sasior e cilësor të ekonomisë, kulturës, arsimit dhe shkencës në ato vende. Demokracitë perëndimore që lulëzuan u bënë shtysë e fuqishme që i ndryshuan fytyrën botës. Mori fund epoka e kolonializmit dhe bota hyri në një epokë emancipimi.

Por, siç duket, ligjet e përgjithëshme të zhvillimit të kapitalizmit, përplasja midis ideologjisë komuniste dhe asaj kapitaliste, interesat e parcelizuara kombëtare dhe, në mjaft raste, mentaliteti i pangopur i disa njerëzve të fuqishëm për t’u pasuruar, bënë që paqa të mos zgjasë shumë. Shekulli i njëzetë njohu shumë luftra lokale, ndëkohë që lufta mori një formë të re: nisi Lufta e Ftohtë, me garën e egër të armatimit dhe në gjithë fushat e tjera midis dy superfuqive të kohës. Kjo i kushtoi njerëzimit pakësim të investimit për të përballuar çështjet më emergjente të mbijetesës, reduktimit të varfërisë, uljes së shkallës së vdekjeve nga sëmundjet, uli investimet për shkencën, arsimin masiv cilësor etj, etj.

Përfundimi i Luftës së Ftohtë, si rezultat i vizionit të burrave të shquar të shtetit, Gorbaçov e Regan, solli një periudhë të frutshme bashkëpunimi ndërkombëtar, shpërbërjen e perandorsië komuniste të BRSS, lindjen e demokracive të reja në Europën Qendrore e Lindore dhe një klimë më të favorshme për progres të gjithanshëm. Rezultatet mund të shihen gjithandej, përfshirë edhe ndryshimet kolosale që solli liria e mendimit edhe në Shqipëri. Por, në këtë shkrim nuk do të flas vetëm për Shqipërinë. Është një shqetësim me përmasa të mëdha, pjesë e përballimit të të cilit jemi edhe ne.

Fenomene të reja u shfaqën në fund të shekullit të 20-të, të cilat janë përkeqësuar në këto dy dekada të shekullit të 21-të. Prona private, dëshira për pasurim të shpejtë, solli padrejtësi të mëdha sociale në demokracitë e reja, përfshirë edhe Rusinë që trashëgoi shumicën e pasurive të ish Bashkimit Sovjetik. Klasa e re kapitaliste në këto vende u ingranua shpejt në garën për të forcuar ekonomitë kombëtare, shpesh në dëm të vendeve të tjera. U thellua pabarazia dhe lindën oligarkë të rinj, të cilët sundimi me dorë të fortë dhe me korrupsion galopant brenda vendit, në funksion edhe të pasurimit të shpejtë personal, i orientoi pashmangshmërisht edhe në ashpërsimin e qëndrimeve me konkurentët për tregjet botërore. Rusia u ndje e kërcënuar nga zgjerimi i NATO-s dhe konsolidimi i BE-së dhe përqafoi kursin e saj të garës së ashpër. Mori fund kështu paqa e pas Luftës së Ftohtë, duke u shndërruar në një paqë të ftohtë. Ndërkohë, si rezultat i një shartimi origjinal të pushtetit politik të centralizuar me lirinë e konkurencës ekonomike, Kina u shfaq si një fuqi në rritje, që po i bën gjithnjë e më tepër karshillëk SHBA-ve.

Tashmë, po zgjeroj këndvështrimin. Deri tani fola për njerëzimin që rron në këtë planet, që nuk është veçse një avion që fluturon për s’dihet se ku, në hapësirën e pafund, në Gjithësi. Dhe jemi të gjithë në të njëjtin bord! Prandaj duhen shqyrtuar të gjithë kërcënimet që ai ndesh sot. Planeti Tokë po ekspozohet gjithnjë e më tepër nga sfida që kërcënojnë jetën, deri ekzistencën e saj.

Së pari, ekzistojnë aktualisht vatra lufrash si në Siri dhe kriza të tjera që kanë një farë intensiteti, por që mund të shndërrohen në kriza të mëdha e luftra si në Iran, Liban, Kore e Veriut, konflikte poteciale për pronësinë e burimeve dhe të rrugëve të reja të komunikimit në Arktik, etj, etj. Por, ajo që është bërë më shqetësuese janë hapat prapa që janë shënuar në marrëveshjet që kufizojnë garën e armatimit bërthamor dhe zhvillimin e tyre, siç janë dalja e SHBA nga NPT apo anullimi i marrëveshjes së arritur me aq mundim me Iranin, të dyja të argumentuara me moszbatimin e kushteve të tyre nga partnerë si Rusia apo Irani. Kjo do të thotë se është hapur rruga për rritjen e arsenalit të armëve bërthëmore dhe të përdhapjes e përdorimi të tyre. Ky zhvillim përbën kërcënim jetik për njerëzimin. Një kërcënim në rritje është edhe acarimi aktual i marrëdhënieve në lidhje me Kashmirin midis Indisë dhe Pakistanit, dy shtete që disponojnë armë bërthamore. Gara e armatimeve midis shteteve kryesore është rritur shumë, bashkë me shpenzimet e ethshme për prodhimin e tyre, përfshirë dimensionin aq shumë të kushtueshëm si përgatitja për zhvillimin e teknologjisë për luftën në hapësirë.

Në kontrast me këto shpenzime është rritja e varfërisë, që shfaqet edhe në vijimin e valës së anijeve mbushur me emigrantë, që ikin nga vendet e varfra drejt Europës. Ndërkaq, si për të dobësuar luftën për uljen e varfërisë, mjaft burime financiare të qeverive shkojnë për përfitime personale të qeveritarëve si rezultat i korrupsionit. Kësaj i shtohen edhe shpenzimet e mëdha për përballimin e luftës kundër trafikut të drogës, fenomen që po bëhet gjithnjë e më i mprehtë. Kjo shton kapitalin dhe fuqinë ekonomike e politike të aktorëve të tretë dhe shton shanset për luftra asimetrike.

Së dyti, është rritur veçanërisht kërcënimi nga ndryshimet drastike të klimës. Zjarre masive shpërthejnë gjthandej, ditët e fundit edhe në pyjet e Amazonës, që janë mushkëria e Botës. Temperaturat në pjesë të tëra të Europës shënuan vlera rekord, më të lartat në 140 vitet e fundit, ndërsa Oqeani Atlantik ka shtuar intensitetin dhe forcën e cikloneve që lind çdo vit. Akujt në Arktik dhe në Antarktidë po shkrihen me shpejtësi të madhe dhe po rritet niveli i oqeaneve që, relativisht shpejt, do të kërkojë spostimin e qindra miliona njerëzve larg zonave afër bregdetetit. Shkaku duhet kërkuar te ndikimi i njeriut për të dëmtuar qëllimisht pyjet si dhe rritja e emetimit industrial të gazeve, që shtojnë efektin serrë, pavarësisht përpjekjeve për zgjerimin e përdorimit të energjisë së rinovueshme. Të gjitha këto diktojnë edhe rritjen e burimeve financiare për përballimin e tyre. Por, në vend të kësaj, fuqitë e mëdha po shtojnë garën dhe shpenzimet për të kapur burimet e reja që përftohen nga shkrirja e akujve, për interesat e tyre kombëtare.

Së treti, është gjithnjë prezent kërcënimi prej asteroidëve që i afrohen Tokës. Mjafton që trajektorja e tyre të ndryshojë paksa dhe jeta në Tokë e deri ekzistenca e planetit do të vihej në pikëpyetje, në varësi të masës së asteroidit. Dhe as SHBA, shteti më I fuqishëm i planetit, nuk I zotëron ende mjetet për ta ndaluar. Kuptohet, ky është kërcënimi më i madh për njerëzimin. Fizikani i madh britanik Stefan Hawking ka paralajmëruar para shumë vitesh se njerëzimi duhet ta lërë sa më shpejt planetin Tokë dhe të kërkojë planete të tjerë për të jetuar. Kjo gjë kërkon rritjen e shpenzimeve për kërkimeve hapsinore, për zhvillimin e teknologjisë për udhëtime në hapësirë dhe krijimin e kushteve për jetesë atje.

Siç duket qartë, ekziston një kontradiktë e madhe në shkallë botërore midis nevojës për të rritur shpenzimet në funksion të mirëqenies së njerëzve, krijimit të kushteve më të favorshme që zbusin efektin e klimës apo mbijetesën e jetës në Tokë dhe të vetë planetit, me realitetin e egër që rrit shpenzimet për luftë dhe për interesa kombëtare. Një gjë e tillë do të përshpejtojë atë rrugë pa krye që ka nisur njerëzimi prej kohësh drejt vetëasgjësimit.

Përballë këtij realiteti, nuk mungojnë thirrjet e qeverive demokratike dhe të organizatave botërore për të ndryshuar gjendjen. Dhe as kontributet konkrete nga idealistë bemires si Bill Gates. Ekzistojnë strategji, projekte, plane e programe që ndikojnë në zbutjen e shkaqeve për ngadalësimin e progresit drejt një fundi të zymtë të njerëzimit. Por, siç ka thënë dikur Ajnshtajni: Kur makina që po nget po shkon drejt humnerës, nuk mjafton që të ulësh marshin, sepse thjesht mund të vonosh paksa rënien në humnerë! Ajo që duhet bërë është të ndryshosh tërësisht duke futur marshin in dietro!

Është urgjente që politika më e lartë botërore të mendojë më shumë se kurrë për të ardhmen e njerëzimit se sa për të ardhmen e kombeve! Duhet kuptuar qartë: çfarë të ardhme do të kishte një komb që jeton më i lumtur se kombet e tjerë, kur avioni- tokë mbi të cilin edhe ai udhëton po shkon drejt eksplodimit?  Prandaj është koha për të vendosur e punuar seriozisht për të lançuar menjëherë një proces paqeje të gjithanëshme, në shkallë botërore. Ky proces paqeje duhet të synojë përfshijë tre drejtime themelore:

Së pari, arritja e paqës ndërshtetërore, duke filluar me shembullin e shteteve më të fuqishme dhe ndikimin e menjëhershëm e me transparencë të plotë të tyre në ndërprerjen e konflikteve të tjera rajonale apo lokale. Kjo duhet filluar me ndërprerjen e menjëhershme të garës së armatimeve. Arritja më e shpejtë e kësaj paqeje do të ishte kursimi i vlerave të pallogaritshme monetare.

Së dyti, forcimi i paqës sociale në çdo vend, përmes lançimit të një procesi të Partneritetit për Qeverisje të Mirë (i ngjashëm me Partneritetin për Paqë- PfP), nën udhëheqjen e një koalicioni të shteteve më të mëdha. Ky proces duhet të synojë uljen drastike të korrupsionit përmes reformës së thellë të sistemeve gjyqësore dhe rinovimin e menjëhershëm të elitave të vjetra politike me elita të reja të përbëra nga intelektualë idealistë e profesionistë të përkushtuar. Kjo do të sillte dhe uljen e krimit të organizuar, i cili jeton në simbiozë me korrupsionin. Për rrjedhojë, burimet financiare kombëtare do të përdoreshin me eficiencë për rritjen e mirëqenies dhe në fusha të tjera të zhvillimit.

Së treti, arritja e shpejtë e paqës me natyrën dhe rritja e sigurisë së planetit për ekzistencën e tij. Sërish nën drejtimin dhe shembullin e shteteve më të mëdha. Nuk mungojnë strategjitë për këtë por, ajo që kërkohet, është zbatimi rigoroz dhe pa justifikime i programeve, planeve e projekteve konkrete. Burimet financiare kolosale që kërkohen për këtë dimension të paqës dhe të sigurisë do të fuqizoheshin shumë nga suksesi i dy proceseve të paqës që trajtuam më sipër. Do të krijoheshin kështu edhe burime të konsiderueshme që mund të fokusoheshin në kërkime hapsinore, në krijimin e teknologjive të reja të udhëtimit ndërplanetar dhe të popullimit të hapësirës përtej Tokës, në kërkimet për arritjen e zbulimeve të mëdha për shërimin e sëmundjeve të pakurusheme deri tani, në parandalimin e epidemive, në përmirësimin e shpejtë të kushteve të jetesës.

Jam i ndërgjegjshëm që, në disa aspekte, kam kaluar në domenin e qeverisjes globale të artikuluar që në periudhën e Iluminizmit Europian. Por, theksoj se planeti është në një periudhë të tillë emergjece saqë duhet menduar se mund dhe duhet të arrijmë edhe atë që na është dukur si utopi deri tani. Sa për krahasim: e kush e mendonte fundin e Luftës së Ftohtë në vitet ’70-të? Por ajo u arrit në fund të viteve 80-të, falë angazhimit të njerëzve dhe burrave të tillë të mëdhenj të shtetit si Regan e Gorbaçov.

Ndërsa, për të lançuar dhe arritur sukses në këto procese paqeje, udhëheqësit botërorë që njohim sot do të bënin histori nëse do të mund të tejkalonin mentalitetin e interesave të ngushtë nacionalë dhe të mendojnë “big”, pra të mendojnë për njerëzimin dhe për planetin, pjesë e të cilit janë kombet e tyre. Ka ardhur koha që, e ardhmja e çdo kombi, të shihet e lidhur pazgjidhshmërist me të ardhmen e planetit. Natyrisht, për të bërë këtë, ata duhet të ishin gjigandë. Por ata duhen shtyrë e duhen ndihmuar me angazhimin energjik të intelektualëve të mëdhenj botëror, të shkencëtarëve të shquar dhe të manjatëve të mëdhenj miliarderë. Duhen shtyrë edhe nga miliardat e njerëzve të thjeshtë, të cilët duhet të ndryshojnë mentalitetin dhe bashkëpunimin e mbështetjen reciproke, duke e parë botën më gjërë se sa oborri i shtëpisë së tyre me interesa të ngushta personale!

 

Tiranë, më 03 shtator 2019

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban Master Sc për Sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, është autor librash, shkrimtar, publicist dhe përkthyes. Ka shërbyer si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.

 

 

Please follow and like us: