Albspirit

Media/News/Publishing

Rudolf Marku: Lasgush Poradeci, zëri i fundit

 

Është një ditë e butë tetori, me  një diell që të mbështjellë me rrezet e tij vjeshtore. Gjethet janë mbuluar me atë përskuqje, që i ndihmon aq shumë poetët e rinj për të gjetur pa ndonjë zor të madh metaforat e para të poezive të tyre. Takoj në shkallët e Godinës së Lidhjes Natasha Lakon.

– Pse të mos i bëjmë një vizitë Lasgushit në shtëpi?, – më thotë ajo, me atë shkujdesjen e saj karakteristike gjithë përkujdesje.

– Po si ? ,– e pyes i çuditur, – A nuk jeton Lasgushi në Pogradec?
-Jo, më siguron Natasha, është në shtëpinë e tij, këtu, në Tiranë. E di me afërsi se ku jeton. Le të vemi të dy që ta takojmë. Që t’ia shprehim admirimin tonë për poezinë e tij. Fundja  a nuk  është dhe Tetori Muaji i Poezisë ?- shton, me një vështrim sarkastik!
Ideja e Natashës me entuziazmoi. Lasgush Poradeci ishte një poet aq i vetë-mërguar dhe aq i izoluar zyrtarisht, sa shumë kush nuk ish i sigurt nëse jetonte prapë, a kishte ndërruar jetë shumë e shumë vite më parë. Kishte kohë që jetonte më tepër si një Mit se sa si një njeri real. Edhe gjatë viteve studentore, ne, studentët e letërsisë, dëgjonin me kureshtje historitë mitike  që qarkullonin rreth tij.

Atë historinë me një shef të fuqishëm të kritikës dhe të studimeve zyrtare të letërsisë, i cili, për fatin e tij të keq, çalonte keqas. Dhe ja një ditë Lasgushi ndodhet përballë tij. Nuk e kishte parë ndonjëherë dhe as nuk e njihte. Shefi i kritikës, duke çaluar, i afrohet Lasgushit dhe i thotë se kush  është. Pret reagimin e Poetit. I thotë Lasgushi:- Aha, tani po e marr vesh për herë të parë  përse kritika shqiptare çalon!..

Apo dhe takimin tjetër  të tij me një shkrimtar ndër më të njohurit zyrtarisht të asaj kohe, i cili i flet Lasgushit që nga trotuari (Lasgushi qe poshtë, në nivelin e rrugës):- Dëgjo, Lasgush. Do të bëj një vërejtje. Ti shkruan- Drini e nis udhën  ” … nga Shën Naumi,  mespërmes Shqipërisë…”. Një lajthitje gjeografike. Si qenka Shën Naumi mesi i Shqipërisë? Ju poetët nuk jeni dhe aq të fortë në gjeografi!,
Ja kthen Lasgushi, duke e arritur ta kap nga jaka e xhaketës:- Që të flasim së bashku, duhesh të jesh  në një nivel me mua!- Dhe, për t’i dhënë iluzionin se nuk e kishte fjalën për nivelet e personaliteteve, e tërheq në nivelin e rrugës ku po qëndronte ai vetë. Dhe vazhdon:- Ti më akuzon se poetët nuk dinë gjeografi, kurse ju prozatorët e shquar nuk dini histori. Me vërejtjen tënde  harron se Shqipëria nuk  është veç ky 28 mijë kilometra katrorë që ke ti në atë kokën tënde bosh!

Letërsia zyrtare kishte menduar te hakmerrej me poetin hyjnor të yjeve. Lidhja e Shkrimtareve ia kishte mohuar deri dhe te drejtën e Pensionit! E kishte braktisur për turpin e vet. Dhe vete koleget ia kishin kthyer shpinën. Një poet i njohur pat botuar një pseudo- studim për poezinë lasgushiane, në të cilin ai shpjegonte mangësitë e poezisë se tij me ane të origjinës se Poetit – një zhdanovizëm i artikuluar si akademizëm fratern!

Po i kujtonim të gjitha këto, e plot historira të tjera të Lasgushit, tek ecnim në drejtimin e Rrugës “Bardhyl” , pranë Ministrisë së Jashtme, atje ku afërsisht,  Natasha mendonte se e kishte shtëpinë Lasgushi. U futëm pas Ministrisë së Jashtme, në një labirint rrugicash dhe shtëpish përdhese, shpërndarë në  kaosin  urbanistik të periferive të Tiranës. Natasha u dorëzua:- Duhet të pyesin njerëzit përreth se ku  është shtëpia e Lasgushit-. Ramë dakort të dy. Por ajo që na u duk më e lehta (‘ e kush nuk e di se ku jeton Lasgushi, Liriku më i madh i gjuhës shqipe,  na pëshpëriste  ana optimiste jona!), shumë shpejt u bë e qartë se qenkësh dhe pjesa më e vështirë. Nuk e di. Nuk e kam dëgjuar. Ku di unë, mor v’lla, shko pyet shitësen e bukës!
Sugjerimi i fundit na u duk me vend. Shkuam me të shpejt te dyqani i bukës. Por dhe shitësja e bukës tha se nuk e njihte Lasgush Poradecin. Na kapi një dëshpërim i thellë!. Tek po i  humbnim të gjitha shpresat se do ta gjenim shtëpinë e poetit,  papritur na afrohet një fëmijë nja dymbëdhjetë vjeç, me dhëmbë të rënë a të thyer, me rroba gjithë pluhur dhe me një palë llastiqe të vënë si tejqyrës në qafë. Figura e vagabondit të Lagjes, Gavroshi i rrugicave, ai që me siguri i linte pa gjumë veteranët e nderuar dhe mësuesit e respektuar…Erdhi pranë nesh dhe tha:- Atë plakun që shkruan libra? Për atë po pyesni?  Ja ku është shtëpia e tij!.. dhe na udhëhoqi drejt një shtëpie përdhese, fare pranë. Natasha dhe unë mbetëm të mahnitur. Ai, rrugaçi i Lagjes, me dhëmbë të rënë dhe me kërrabë llastiqesh në qafë, ishte i vetmi që dinte atë që asnjëri nga  intelektualët  e nderuar , asnjë nga veteranët a profesorët a diplomatët e shquar (sepse ishim fare pranë Ministrisë së Jashtme) -duke përfshirë dhe shitësen e dyqanit të bukës- që kishim pyetur, nuk e kishin ditur: që shtëpia e Lasgushit kishte qenë  fare pranë tyre. Kureshtar, e pyes- Po si e di shtëpinë e tij!…Sytë e tij shkëlqyen nga një djallëzi fëminore- Ai m’i ka thyer një herë llastiqet, kur pata vrarë një zog! Më tha:- Mos vrit zogj, dhe nuk t’i thyej kurrë llastiqet! Dritaret nuk quhen! Dhe as dhe ndonjë  kokë e goditur pa dashje! – kështu më ka thënë. Dhe  nga ajo ditë nuk kam vra më zogj!

Ngjitëm shkallët e pakta të verandës dhe trokitëm në derë. Asnjë përgjigje. Duhet të trokasim më fort, më thotë Natasha. Trokitëm prapë. E ndërpremë duke menduar se kishim qenë pa fat, sepse  në shtëpi dukesh se nuk kishte njeri. Papritur dëgjuam ca hapa përtej derës, nga ana e brendshme. U afruam.- Kush ështëëëëë!- Një zë i thellë, si një zë fantazme, një zë misterioz, që dukej se vinte nga larg, shumë e shumë larg (dhe kjo largësi nuk ishte gjeografike) vazhdonte të thosh- Kuuush ëëëështëëë! U afruam edhe më dhe Natasha tha- Zoti Lasgush. Jemi dy admirues tuaj. Kemi ardhur veç t’ju përshëndesim!  Ju lutemi,  a mund të na hapni derën!

Për një çast asnjë përgjigje. Dukej se Lasgushi po mblidhte forcat që të fliste. Më së fundi tha:- Nuk mund ta hap. Nuk kam çelës. Çelësin e shtëpisë ma ka marrë Nafia!  Po, po, ajo ma ka marrë. Ka harruar dhe e ka marrë me vete!
Pashë nga Natasha. I pëshpëris- Kush është Nafia? Më thotë nën zë- E shoqja. Ka pak ditë që ka vdekur!

Që prapa derës, dëgjuam hapat e lehtë që largoheshin deri në zhdukje. E kuptuam se Lasgushi kishte filluar të vdiste nga pak(‘shkoi të vdiste pak,- thotë Soresku për Shekspirin në poezinë  e vet të famshme). Kishte filluar atë fazën, kur njeriu, sapo ndjen vdekjen, fillon te apeloje  te vdekurit me të afërm të vet, që t’i dalin përpara në rrugën e vështirë të përjetësisë. Dhe Lasgushi, poeti i Yjeve, kishte filluar të komunikonte me të vdekurit, me gruan e vet, me Homerin, Eskilin, me Getën, Emineskun, La Martinin, Pushkinin, Asdrenin dhe Naimin, me Fishten dhe mikun e vet, Mitrush Kutelin…Natasha Lako dhe unë, për një koincidence fatlume, kishim qenë  dy njerëzit e fundit që kishim dëgjuar zërin e Lasgushit për se gjalli.

U larguam. Dy ditë më vonë Aurel Plasari, me lot në sy, më thotë i tronditur se sapo ka dëgjuar  lajmin e trishtë të vdekjes së Lasgush Poradecit!

Letërkëmbime dhe ditare të Lasgushit

D-lui Dimitrie Pasco
Poradec, 29 Mars 1930
I dashur Dhimitraq,
Sapo i ardhur në Shqipëri në dherin e famshëm të lindjes dhe të vdekjes, më harriu pa pritur dhe fleta jote e fundit, letra jote e shtrenjtë e 6 Marsit. Them pa pritur, sepse në këtë vënd të dhëmshur dhe fatkeq, kúsh ka patur, kúsh do kishte ndonjëherë gazin e parrëfyer të shijojë një fjalim aq plot bukuri, dashuri, poezi, – si atë që më sjellin rradhët e tua të dashura?
Këtu i shtrenjtë shok, një frymë e rëndë varfërie shpirtërore zotëron jetën e çdokujt, mbyt zërin lajmëronjës të një shprese më gazmore, të një ideali me më tepër Dritë… Sa keq ka harrirë ky popull i ngrat! Ku janë Lironjësit fatmëdhenj! Cilët janë Dërgimtarët e duruar! Ç’u bënë Burrat prometikë që nxjerrin nga zemra Zjarr, nga zjarri, Dritë, dhe nga drita, Përjetësi! Ku janë Shpëtimtarët me shpirt të vizionuar!!
Dhimitraq! Në letrën t’ënde të fundit, ti më sjell, si përherë, buçitjen e një zemre djaloshare! Djellë dhe dritë, parëverë dhe zëplotë.
Burbuqe, këngë dhe harmoni: ç’m’i kujton gjithnjë, me kaq qëndrim, ato ëndra të bukura të jetës s’ime. Pse më shtrëngon të të them se kam rojtur, gjer më sot, 80 vjet?
Shok! Një Hije e Zezë po kuxon të planojë reth e përqark kryet t’ona: është Mëkata e Paturpshme e Motit; Gabimi Fatal i këtij populli në vetvrasje e sipër, që u mat qenërisht të mbyti Gjeniun e Vet; që po përtall dita me ditë, sulmin e perëndishmë të Djalërisë. Po ti, shok i dashuruar, eja! Nxito-i çapat e tua! Vendos në vetësi e në heshtje, vendimin kuximtar: Eja të nisim, plot me heroizmë, veprën t’onë gazmore: të mbushur ndaj këtij populli, Vallen e Zotit. T’i themi, në këtë fillim përtëritjeje të gjithësisë, se Parëvera, është Djalëri e motit, se Djalëria është Parëver’e jetës, se jeta është Djalëri e Përjetësië. Dhimiraq, eja të punojmë, të tretemi, të shuhemi: për të krijuar në mes të vdekjes, një jetë të re. Eja të ngrehim planin t’onë.
Të pret me padurim, mun ne pragu i portës Llazari (që të do, sepse të ka dashur).

Tiranë, 10 Maj 1937

Odhise Paskali, ka nj’a dy javë që më ftoj në atelierin e tij, këtë herë i vajta (sepse më kish thënë dhe herë të tjera), … Kish pregatitur humbën e butë, më vuri më një fron të lartë dhe zuri të punojë, të modelojë, prej orës 5 gjer u ngrys. Me t’u ndarë, mbeti që te vete “nesër” më ora 4 ½ (që të punojë më shumë). “Nesër” unë nuk vajta, s’vajta as të pasnesërmen, kur u poqmë pastaj mbudhë pas do një jave… humba qe tharë, qe bërë e fortë ashtu gjysmë e modeluar. M’u zemërua, më tha që nuk zemërohet që s’vajta, po që tashi u forcua humba e s’mund të punohet më. Unë e solla në gas, me fjalët: Ler-e Paskal ashtu me konture të shuara, është më mirë ashtu, sepse është hija ime. Do gëzohen kur të vizitojnë shokët atelierin t’ënd, sikur t’a shihnin paksëpaku hijen sepse të vërtetin nuk mund t’a shohin: nuk i le materja e jetës, dheri, humba – aq më keq kur kjo ësht’ e “thatë”… Paskali qeshi me pa hir.

Lasgush. P

… Në Poradec, çerdhe e dëgjuar e çetave të Lirisë, vënd me nam ku pat rënë Zalo Prodani me kolonjarët, ku e ka varrin e shentëruar me flamur kuq e zi përsipër tumbës, Gani Butka, mbanë atij liqeri ku pat fjetur Skënderbeu, në të cilin na kanë mbytur Telemak Gërmenjin dhe përmes të cilit valon përjetë “Drini plak e i përrallshëm që mburon prej Shëndaumi” dyke kujtuar me mallëngjim të shkuarën, dyke qarë me zemër të thyer jetën e tanishme po të thyer prap-së-prapi dyke hedhur vështrimin depërtimtar të mëndjes me një mburrje të lartër mi kohërat e arta që kanë për të ardhur, – të buçasë shpirti përnjëherësh që të dyve bashkë ashtu sikundër një herë j-a pat buçitur muza jote e inspiruar me flakën e një atdhedashurije të pavdekurshme.

“Sa të dua, – o Shqipëri!
Sa mall kam e sa dëshirë,
Për ty zjarr e dashuri
Mu në zemër më pat mbirë …”

Lasgush Poradeci

(Fragment nga nje leter derguar Asdrenit me 24 mars 1926)

NGA DITARI I LASGUSHIT
Tiranë 5/5/80:
Më ardhi në shtëpi Muzafer Xhaxhi-u, tha se më kërkon në klubin e Lidhjes Prof. Hasan Mekuli, i ardhur prej Kosove. I thashë s’mund të vete se më prishet syri (i operuar) nga e ftohta, le të urdhërojë në shtëpi. Tha: “nuk vijnë në shtëpi” (më dha të kuptoj se nuk lejohen në shtëpi). Tha Xhaxhiu se: “H. Mekuli ju ka sjellë prej Kosove dhe një send…; të vijë prof Mekuli me kosovarët këtu afër shtëpisë Tuaj në ish-hotelin e kinezëve, ja ku është hoteli 100 hapa afër”. Unë; “Afër, pò, po e sheh si filloj era e fortë? mua prej erës së ftohtë më prishet syri sipas urdhrit të doktorëve. Tashi është ftohtë, po bëhet mbrëmje. Po le të vijnë këtu në hotel nesër, si nga ora 11-12 kur do të jetë dita e ngrohur prej djellit, në pastë djellë. Sidoqoftë, ata (kosovarët) le të vijnë, unë do të vi”. Xhaxhiu: “ata nesër në mëngjes shkojnë në Kosovë, i lajmëruan të shkojnë, se vdiq Titua”. Pra, s’u takova dot me Kosovën vullkaneshë. Pse? Sepse “nuk lejohet takim privat”. në Vëndin TIM (Shqipëri), të mos takohem me Vëndin TIM (Kosovë). Pastaj “privat” jam unë – unë Lasgushi i Kombit? Sà më dhemb! dhe sa më dëshpëron!/Gazeta Liberale

Please follow and like us: