Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Isuf Musliu: NDIKIMET DIALEKTORE E NDËRDIALEKTORE NË KULTURËN GJUHËSORE TË SHQIPTARËVE TË ZVICRËS (II)

 

 

PJESA E DYTË


Atë që vumë në dukje më lartë ishte historiku i shkurtër i formimit të gjuhës letrare kombëtare, që me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) u kurorëzua dhe u zbatua anembanë rruzullit tokësor, pra edhe në diasporën e shqiptarëve të Zvicrës ashtu si edhe në diasporat e tjera shqiptare.

Mirëpo, shkalla e përvetësimit të normës së gjuhës letrare te popullata shqiptare, varet jo vetëm nga shkalla e kulturës së tyre gjuhësore dhe struktura e tyre kualifikuese, nga njëra anë, por këtu luan rol të rëndësishëm edhe përkatësia dialektore e tyre, që kanë zanafillë nga treva të ndryshme të Kosovës e viseve të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, si dhe të vendeve të tjera të kolonive të diasporave shqiptare, nga ana tjetër.

Përveç kësaj varet edhe nga mosha e arsimimit parashkollorë të fëmijëve në familje, në shkollë të ndikuar nga gjuha e shkruar në tekste shkollore dhe ligjërimi i mësuesit në shkollë, në klube e shoqata, në mjete të informimit gojor (radio e televizion) e shkrimor (në revista e gazeta) si dhe në administratë.

Prandaj, ne në punimin tonë do të përpiqemi t’i vëmë spikamë, duke u mbështetur në studimet dialektologjike të dialektologëve tanë, në radhë të parë kosovarë, tiparet të së folmeve dialektore që i ndeshim te mërgimtarët shqiptarë të Zvicrës, duke filluar nga e folura e familjes, e nxënësit, e mësuesit dhe intelektualëve e punëtorëve tanë që jetojnë, punojnë e veprojnë, por që edhe e kultivojnë gjuhën dhe kulturën gjuhësore në Zvicër.

Ndërkaq, shikuar nga aspekti i ndikimeve ndërdialektore, të popullatës shqiptare në Zvicër, që varet nga koncentrimi i tyre në shtrirje të ndryshme gjeografike në Zvicër, do të vërejmë një përzierje gjuhësore ndërdialektore në kontakt, të popullatës të viseve të ndryshme, por njëkohësisht këtu do të ballafaqohemi edhe nga ndikimi i bilinguizmit e trilinguizmit me gjuhët e popujve të Zvicrës në kontakt si: gjermanishtja, frëngjishtja, apo italishtja ose retroromanishtja. Pra, studimin tonë do të shtrojmë dhe trajtojmë në tri aspekte-tri drejtime:

  1. Ndikimet dialektore.
  2. Ndikimet ndërdialektore
  3. Ndikimet ndërgjuhësore të gjuhëve të popujve të ndryshëm në kontakt.

Ruajtja e veçorive dialektore krahinore në ligjërimin e shqiptarëve të Zvicrës
Kuptohet se shqiptarët e Zvicrës, nuk janë banorë autoktonë, por ata janë mërgimtarë, që i përkasin diasporës së vonë shqiptare si komunitet. Ndërkaq, mund të ketë raste sporadike të elementit të hershëm shqiptar, që nga mesjeta e këndej, do të thotë që nga periudha historike e Skënderbeut. Mirëpo, komuniteti shqiptar në numrin e përqindjen e tij të sotme në Zvicër, i përket gjysmës së dytë të shek XX, e kryesisht çerekut të katërt të këtij shekulli.

Shqiptarët në Zvicër, nuk erdhën për mirëdashje, por ata i solli nevoja, i shtrëngoi gjendja e vështirë ekonomike, papunësia më e madhe në vendlindjen e tyre nga njëra anë, ndërsa pas vitit 1981 kur shpërthyen demonstratat studentore e mbarëpunëtore në Kosovë, që u quajt edhe PRANVERA STUDENTORE, e veçanërisht pas vitit 1989, kur Serbia ia mohoi të drejtat kushtetore Kosovës dhe pas ngjarjeve të 2 Korrikut 1990 (Deklarata Kushtetuese) dhe të 7 shtatorit 1990 (kur u shpall Republika e Kosovës në Kaçanik), shumë studentë e të rinj refuzonin të kryenin shërbimin ushtarak në Ushtrinë Jugosllave dhe shumë veprimtarë politikë, që ndiqeshin e arrestoheshin nga pushteti barbar i Serbisë, nga ana tjetër, u detyruan të mërgonin në shtetet e Evropës Perëndimore, e ndër ta bëjnë pjesë edhe mërgimtarët politikë të Kosovës në Zvicër.

Meqenëse, numri i tyre shtohej gjithnjë e më tepër, ata pas punësimit që siguruan aty, disa sollën edhe familjet e veta e fëmijët e tyre në Zvicër.

Zvicra si vend demokratik u dha mundësi dhe të drejtë shqiptarëve në Zvicër që në mënyrë të organizuar të zhvillojnë edhe kulturën e tyre gjuhësore nëpërmjet arsimimit e shkollimit në gjuhën e tyre amtare, nëpërmjet organizatave, shoqatave e klubeve, ku ata jo vetëm do të ruanin gjuhën e tyre, identitetin e tyre kombëtar, traditat e tyre të kulturave, por edhe do t’i kultivonin e avanconin krahas atyre në vendlindje e në atdheun e vet.

Në Zvicër shqiptarët formuan Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë me emrin “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut, Departamenti i Edukimit, Kulturës dhe Sportit (Kantoni i Argaut); Seksioni i Arsimit dhe Edukimit interkulturor.

Kështu shfrytëzohen të drejtat për arsimimin në mënyra e forma të ndryshme arsimore, siç janë; duke filluar që nga Kopshti i fëmijëve, Kursi i gjermanishtes, shkolla fillore, Klasa e veçantë, Klasa e Vogël, Kurset në gjuhen dhe në kulturën amtare, shkolla reale, shkolla sekondare, shkolla e rrethit (e mjedisit), shkolla për zgjedhjen e profesionit ose klasa për zgjedhjen e profesionit. Mësimi i një profesioni – zanati (zeje) dhe parapërgatitjet për mësimin e një zejeje, Shkolla e mesme profesionale, Shkolla Kontonale për arsimin profesional në ARAU; Shkolla e mesme (Gjimnazi), Shkolla tregtare dhe kurset e gjermanishtes.

Të gjitha këto kushte e forma arsimimi të shoqërisë zvicerane, u ofrojnë, mundësi të gjera shqiptarëve në Zvicër që të shkollohen e aftësohen për jetë, qoftë në gjuhën e huaj, qoftë në gjuhën e tyre amtare. Mirëpo, ne këtu e kemi fjalën për arsimimin dhe shkollimin, si dhe zhvillimin e veprimtarisë arsimore e kulturore në gjuhën amtare – shqipe.

Mirëpo, sado që shqiptarët e trevave të ndryshme të Kosovës, këtu në Zvicër u gjendën në kushte të reja të bashkëpunimit, të punësimit e të organizimit të jetës, ndonëse përpjekja e tyre e vazhdueshme dhe maksimale që të komunikonin ndërmjetveti në gjuhën e njësuar letrare kombëtare, qoftë në jetën e përditshme, qoftë në institucione arsimore e kulturore, megjithatë hetohen dukshëm veçoritë e të folmeve dialektore prej nga ata e heqin zanafillën e tyre. Madje, këto ndikime i ndeshim më parë te prindërit, pastaj te fëmijët e nxënësit, nga njëra anë, por edhe te mësuesit edukatorë të fëmijëve e nxënësve dhe te intelektualët, gazetarët e shkrimtarët, që zhvillojnë veprimtari kulturore e krijojnë letërsi shqipe në shoqata e organizata dhe në klube letrare, nga ana tjetër.

Derisa gjuha letrare funksionon në formën e saj të shkruar dhe në formën e saj të folur, ndërsa të folmet dialektore funksionojnë vetëm në variantin e tyre gojor.

“Parimi themelor i gjuhës sonë letrare, ku ndërthuret edhe parimi gramatikor, i cili kërkon të ruhet në shkrim njësia e përbërjes tingullore të fjalëve e të morfemave, dhe parimi historik me parimin tradicional, që e largojnë normën e gjuhës së shkruar nga norma e shqiptimit të sotëm. Nga të dy format e gjuhës letrare më e zbuluar dhe më e ndjeshme ndaj trysnisë së përditshme të dialekteve është forma e folur, sidomos ligjërimi bisedor. Ndryshe nga sferat e fonetikës dhe të morfologjisë, që kanë inventar dhe sistem të përcaktuar e të fiksuar, sferat e leksikut dhe të sintaksës mbeten gjithmonë më të hapura ndaj veprimit të dialekteve edhe në formën e shkruar, sepse këto dy sfera kanë më shumë shtresëzime stilistikore, që kanë nevojë për variante funksionale, kanë ndërtime dhe fjalë sinonime, që duhen pasuruar kohë pas kohe, dhe janë pothuaj, të vetmet sfera të gjuhës të ngarkuara me ndërtime e fjalë të huaja, të cilat duhen pastruar e zëvendësuar me elemente vendëse[1].”

Prandaj, folësit shqiptarë kudo që të shkojnë, e kudo që të gjenden e sado që të përpiqen ta përvetësojnë gjuhën e njësuar letrare, megjithatë ata bartin me vete veçori të së folmeve të tyre dialektore nga trevat prej nga vijnë.

Ndikimet e varianteve të të folmeve dialektore varen nga shkalla e arsimimit dhe kualifikimeve shkollore. Varësisht nga shkalla e kulturës arsimore, varet edhe shkalla e kultivimit të kulturës gjuhësore, nga njëra anë, dhe e bartjes së veçorive të të folmeve dialektore tek folësit shqiptarë, që sot gjenden, jetojnë, punojnë e veprojnë në Zvicër.

Shtrirja gjeografike e të folmeve në viset shqiptare jashtë shtetit amë – Shqipërisë, përfshin një areal gjuhësor mjaft të gjerë. Dy njësitë e saja etnografike: Rrafshin e Kosovës dhe Rrafshin e Dukagjinit, duke përfshirë këtu edhe pjesët malore të këtyre dy rrafsheve[2].

 

 

  1. Në Rrafshin e Kosovës

 

 

Në këtë hapësirë gjeografike bëjnë pjesë grupi i të folmeve të Anamoravës: E folmja e Moravës së Epërme[3], E Moravës së Poshtme[4], E folmja e Karadakut[5]. E folmja e Moravicës (Preshevë e Bujanovc)[6], E folmja e Gollakut[7], E folmja e fshatrave Mramuer e Marec[8] dhe E folmja e Zhegovcit, e që vazhdon me të folmen e Kaçanikut[9], të folmet e Kosovës, e folmja e Llapit, E folmja e Vushtrrisë[10], E folmja e Shalës së Bajgorës[11], të folmet e Drenicës: E folmja e Balincës[12], E folmja e Klinës[13], E folmja e Turiçecit[14], të folmet e Llapushës, që kapin një territor bukur të gjerë, ku përfshihen komunat: Rahovec, Malishevë, Skenderaj e Drenas, etj.

Të gjitha këto të folme bëjnë pjesë në grupin e të folmeve të Gegërishtes verilindore dhe ndonëse karakterizohen për tipare të përbashkëta e tipare afruese, megjithatë gjatë studimit tonë do të shohim me shembuj konkretë, se këto të folme karakterizohen edhe me tipare të veçanta e dalluese ndërmjet tyre sado të vogla qofshin ato, por që dialektologëve tanë u kanë rënë në sy dhe i kanë spikatur ato. Ndërkaq, në Rrafshin e Dukagjinit bëjnë pjesë Gjakova me Malësinë e saj, E folmja e Gjakovës[15], Hasi[16] e Opoja[17], Podrimja (Anadrinia)[18], Rrethi i Bjeshkës me të folmen e Kabashit të Prizrenit[19], Lugu i Baranit e Lugu i Drinit të Bardhë[20], E folmja e Deçanit[21], E folmja e Pejës dhe e Rugovës[22], E folmja e Klinës, etj.

Ndonëse të folmet e Kosovës nuk kanë dallime të mëdha ndërmjet tyre, megjithatë ato karakterizohen me disa tipare karakteristike njëra prej tjetrës.

Duke mos u thelluar në veçoritë e hollësishme të të folmeve të Kosovës, për të cilat siç pamë më   lartë ekzistojnë studime monografike, sepse do të na shpierë shumë larg temës sonë, që e kemi në shqyrtim, ne po veçojmë disa tipare e dukuri te atykëtushme të ligjërimit shqip të mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër, të cilët bartin ndikime të shumta nga të folmet e tyre dialektore prej nga kanë ardhur. Madje këto ndikime, siç do të shohim në punimin tonë i ndeshim jo vetëm te folësit e moshuar, te prindërit, por edhe te pasardhësit e tyre, te fëmijët e nxënësit, të cilët janë të ndikuar drejtpërdrejt nga e folmja e prindërve në familje, nga njëra anë, ndërsa shqipfolësit në Zvicër, përveç trashëgimisë nga e folmja dialektore e vendlindjes, do të ndeshim edhe ndërndikime të ndërsjella nga folësit e të folmeve të ndryshme dialektore, varësisht nga mjedisi, numri i të cilëve dialekt dominon në një qytet të caktuar të Zvicrës, nga ana tjetër.

Kështu për shembull nëse mbizotërojnë folësit e Rrafshit të Kosovës, atëherë në ato mjedise ndeshim ndikime të të folmeve të këtyre trevave të Kosovës. Ndërkaq, nëse në një mjedis tjetër ndeshim mërgimtarë shqiptarë nga Rrafshi i Dukagjinit, atëherë hasim ndikime të të folmeve të trevave të Rrafshit të Dukagjinit.
Disa veçori të të folmeve të Anamoravës
Anamorava[23] ndonëse trajtohet si një tërësi gjeografike, ajo nuk është një tërësi homogjene gjuhësore. Këtu kemi të bëjmë me një grup të folmesh dialektore, që bëjnë pjesë në të folmen e gegërishtes verilindore, siç janë: E folmja e Moravës së Epërme[24], E folmja e Moravës së Poshtme[25], E folmja e Karadakut[26], E folmja e Gollakut[27], E folmja e popullsisë së Preshevës dhe Bujanocit[28], E folmja e Malësisë së Zhegovcit.

 

 

Të gjitha këto të folme dialektore të zëna ngoje kanë tiparet e tyre të veçanta dhe të përbashkëta, do të thotë kanë tiparet e tyre afruese dhe dalluese. Mirëpo, meqenëse tiparet afruese ndërmjet tyre janë më të mëdha sesa ato dalluese, ndaj nga dialektologu M. Halimi janë emërtuar me një term të përbashkët: Të folmet e Anamoravës.

Duke pasur parasysh se këto të folme janë studiuar shterueshëm nga dialektologët tanë, qoftë në mënyrë monografike, qoftë në trajtë skicash dialektore, ne e shohim të nevojshme që me këtë rast, në vija të trasha të sjellim disa nga tiparet afruese dhe dalluese të këtyre të folmeve sa për të parë karakteristikat specifike të këtyre të folmeve.

  1. Tiparet e përbashkëta

– Të gjitha këto të folme, që bëjnë pjesë në trevën e gjerë të Anamoravës, të shumtën e rasteve, me përjashtime të vogla, kanë një theks të përbashkët. Në to ruhet theksi dinamik e stabil, e rrallëherë ndeshim zhvendosjen e tij;

– Fjalët me origjinë orientale, kryesisht turke, që janë oksitone, në këto të folme, shqiptohen si fjalë paraksitone: baklláva, páre, pásha, tenéqe, shilte, xhézve, káfe, xháde, táze, váde, híle, híse etj.

– Në të gjitha të folmet ruhen tri gjatësitë e zanoreve: të gjata, të mesme dhe të shkurtra, si: shyptar, bajraktar, mullar; shati, deti, mall, fyll, lis, etj.

– Tipar i përbashkët te këto të folme është edhe nazalizmi i zanoreve: zá-ni, me bá, hû-ni; Përdorimi i diftongjeve: ue-, ie, ye, dhe monoftongimi shpesh në: u, i dhe y të gjatë;

– Ruajtja e togjeve zanore ae, oe[29] (me përjashtim të Gollakut), si: pae, rae, thae; voe, droe, veneroe, oroe, etj.

– Një v epentetike e ndeshim tek emrat, që sosin me zanore të gjata: ka – kavi, shka – shkavi, vlla – vllavi; dhe – dhevi, shi – shivi, i zi – i zivi, i ri – i rivi, thi – thivi, etj.

– Tipare të përbashkëta janë edhe rrafshimet e dy palë qiellzoreve (me përjashtim të folmeve të Moravicës) në afrikate Ç, XH dhe shkrirja e grupeve bashkëtingëllore dj, tj në afrikate XH, Ç: xhalë (sh. xhem), xhath, xhe, parxhe; açe, çeter, etj.

– Përdorimi i një grupi emrash të gjymtë, që kanë vetëm trajtën e shquar, ndërsa u mungon trajta e pashquar, si: shtati, bari, kali, deti, firi, kuti, etj. Po ashtu fiç, liç i ndeshim në fizionomi të shumësit, si shumësa të singularizuar, duke u munguar njëjësi: fik, lik, që e ndeshim në të folme tjera dialektore.

  1. Tiparet dalluese

Në këto të folme, nën ndikimin e zhvendosjes së theksit, ndeshim përdorimin e fjalëve qetashti në: qetahi, tahi, që përdoret në veriperëndim të Moravës së Epërme; qéshti, në Moravën e Poshtme dhe shtí (Moravicë), duke rënë pjesa themelore e fjalës;

– Ndërmjet të folmes së Moravës së Poshtme dhe Moravës së Epërme dallohet gjatësia e zanoreve në këto fjalë: xhăth, knus, grun, cull, m’lagi, shivi m’bani (Morava e Poshtme), ndërsa xha:th, knu:s, gru:n, ç:ull, m’lagi, m’bani çu;ll (Morava e Epërme);

– E folmja e Moravicës përdor qiellzoret e prapme q,gj, ndaj ndeshim qeni, qafa, qetri; gjarpni, gjegë, gjigim, etj.

– Në këtë të folme ndeshim të përdoret edhe konjuktivi, si: le të doje, le të msoje (si të doje le t’msoje), le t’vje, etj., dukuri të cilën nuk e ndeshim në të folmet e tjera të Anamoravës, por konjuktivi shprehet me dëftoren: le t’mson, si t’don, ne t’vinë, etj.

– Në të folmen e Bujanocit mungon zanorja y, por në vend të saj përdoret i: filli, fiti (ra fiti na miti), sini, tlini, etj. Në vend të: fyelli, fyti (ra fyti, na myti), syni, thyni. Ndërsa në vend të foljes së rregullt me ndejt përdoret folja me rrjt: viti me rrijt, etj.

– Ndërkaq, E folmja e Gollakut i ruan besnikërisht togjet bashkëtingëllore tj dhe dj: tjetër, atje, djalë; djath, dje, pardje, etj.

Ndërsa në të folmen e Karadakut përdoren në mënyrë paralele trajtat tj, dj dhe ç, xh, pra përballë tjetër, atje, djalë; dje, ndeshim edhe çeter, açe (axhe), xhalë; xhe, madje shpesh tek i njëjti shqipfolës.

– Në të folmen e Karadakut togu bashkëtingëllor fsh nuk ruhet, por thjeshtohet në sh: ko:sh (kofsh) n’kofsha gjallë, rrash (rrafsh), bash hajr (bafsh hajr), etj.

– E folmja e Karadakut shquhet për një tipar dallues në shqiptimin e një y-je me timbër hundor dhe me prirje drejt ë-s, si: söni, dröni, pshtöni, përgjöst, etj.

– Ndërkaq disa fshatra të Moravës së Poshtme shquhen për përdorimin e një é-je të hapur: kérri, térri, zhgédha, mlédhje, me pjéll, me mjéll[30].

  1. folmja e Gollakut dallohet për alternimin e sh, zh, z parashtesore në ç, xh, x, siç e dëshmojnë shembujt: me çkri, me çprish, me çkrue, me çpue, me xhba, me xhbi, me xhvosh, me xhderdh, me xbardhe, me xgat, me xgidh, xgedhë[31], etj.

– Tipar dallues, të cilin nuk e ndeshim në të folme të tjera të Anamoravës, në të folmen e Gollakut ndeshim një o të shtypyr me prirje drejt ë-s: möll, shköll, ködër, bör, körr (merre drapnin hajde me korr)[32].

Në të folmen e Gollakut togjet zanore ae, oe kanë përfunduar në a dhe o, si: (ti) pa, tha la; võ, drõ, venerõ, etj.

Dallime të dukshme mund të ketë edhe në fushën e leksikut, që varet edhe sipas fushave të bujqësisë e blegtorisë, mjeteve të punës e mënyrës së përpunimit të prodhimeve bujqësore të qumështit apo mënyrës së jetesës, në përgjithësi.

Derisa në të folmen e Moravës së Epërme dhe në të folmen e Moravës së Poshtme, koha e kryer e thjeshtë përdoret në fizionomi të prezentit, si: mjella (mjolla – M.P.), mjela, pjeka, hjeka, etj., në të folmen e Gollakut aoristi përdoret drejt: molla, mola, poqa, hoqa, xgodha, ropa, tora, etj. Të folmet e Anamoravës i përkasin dialektit gegë, të cilat bëjnë pjesë në të folmet e gegërishtes verilindore me disa pika afrimi me të folmet e gegërisë së mesme kur kemi të bëjmë me palatalizmin e grupeve tj, dj në afrikatet ç, xh ose palatalizimin e ggj, si gjuri, magjari, gjruni etj., që e ndeshim në Karadakun jugperëndimor apo diftongimin e i-së në ei: meir, meik, etj. Ndërkaq, e folmja dialektore e Besianës (Podujevës) me rrethinë i përket të folmeve të Rrafshit të Kosovës, e cila është e ngjashme me, te folmet e Gollakut, Shalës së Bajgorës, të Vushtrisë e të Drenice, kurse e folmja e Klinës bënë pjesë në grupin e të folmeve të Rrafshit të Dukagjinit, ku bëjnë pjesë një grup i madh të folmesh dialektore me tipare të përbashkëta afrimi, por aty – këtu edhe me disa veçori dalluese. Në të vërtetë të folmet e këtyre dy krahinave të mëdha, duke përjashtuar të folmet e disa nëntrevave, si ajo e Lugut të Baranit, Lugut të Leshanit, Dushkajës, Podrimes, Opojës dhe të Hasit, nuk kanë dallime të mëdha ndërmjetveti. Ato mund t’i dallojë vetëm dialektologu si specialist dhe studiues i të folmeve dialektore në veçanti dhe i dialektologjisë në përgjithësi. Mirëpo, shqipja sot është bërë një gjuhë e shkrimit, një gjuhë e standardizuar letrare, e cila përdoret në shkencë, në art e në kulturë, në shkolla, në administratë dhe në media ashtu si çdo gjuhë tjetër e popujve të civilizuar të botës moderne. Ajo gjithnjë po përsoset e po pasurohet, duke u bërë e zonja të krahasohet me gjuhët më të përsosura të botës.

Gjuha letrare e standardizuar – është rezultat i të folmeve dialektore, sepse njësimi i gjuhës do të thotë edhe njësimi i kulturës, shkencës dhe njësimi i kombit në një popull që ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori të përbashkët me synime e qëllime të përbashkëta edhe për një të ardhme më të mirë. Me kalimin e kohës, të folmet dialektore do të shkrihen në gjuhën e standardizuar letrare. Mirëpo, te masat e gjera popullore, të folmet dialektore do të jetojnë e do të përdoren edhe një kohë shumë të gjatë.

Derisa disa fjalë me origjinë orientale në të folmet e Anamoravës të Podrimes e të Opojës, do të thotë në pjesën jugperëndimore të Kosovës, shqiptohen me a: të gjatë fundore, si për shembull: fukara:, bela:, hata:, dynja:, riza:, (për riza: t’zotit), rixha:, xheza:, mera:, temena:, mera, hala:, kala:, etj.

Ndërkaq, në të folmen e Gallapit e të Llapit, të Shalës, të Drenicës e të një pjese të Rrafshit të Dukagjinit, do të thotë të Kosovës lindore e veriperëndimore i ndeshim në trajtat e shqiptuara me një é të hapur, siç dëshmojnë shembujt konkretë, që po sjellim këtu më poshtë: fukaré, belé, haté dyjé (shih fjalën e urtë: Kjo dyjé si pela pa fré), rizé (për rizé t’zotit) rixhé, xhezé, mané, temené (shih vargjet nga lirika popullore e Drenicës:

“Lulja jonë vetilen si pé

Na ta dojm ni temenen”[33].

Në të folmen e Drenicës, në të folmet e muhaxhirëve, foljen e parregullt: jap në kohën e tashme unë jap, ti jep, ai jep, e ndeshim në trajtat: un ta dhă, un ja dhă, por e hasim edhe në kohën e pakryer un ja dhăjsha, kurse në të folmen e Pejës: un ja japa, ai ma japi në vend të unë ia dhashë, ai ma dha.

Ndërkaq, foljet e vetës së dytë të së kryerës së thjeshtë (aoristit) derisa në pjesën jugperëndimore të Kosovës i ndeshim në trajtat me togun e plotë ae: ti pae, dhae, lae, rae, etj. Në pjesën veriperëndimore të Kosovës i ndeshim në trajtat, ku togu ae është shkrirë në një e të hapur pra në fizionominë: ti pé, dhé, lé, ré, etj.

Tiparet më karakteristike të të folmeve të Kosovës do t’i shohim më konkretisht në temat që do t’i trajtojmë në vazhdim, të cilat si në popullatën shqiptare të Kosovës pas njësimit të gjuhës së njësuar letrare, ashtu edhe te mërgimtarët shqiptarë të diasporës shqiptare në Zvicër, ballafaqohen me të njëjtin problem në fushën e përvetësimit të drejtë të përvetësimit të normës së gjuhës letrare.

 

[1] Jorgji Gjinari – Gjovalin Shkurtaj, Dialektologjia, Tiranë, 2000, fq. 215.

[2] Mehmet Halimi, Gjendja e studimeve dialektologjike në fund të shek. XX, në vëll. Studime, nr. 4. 1997, Prishtinë, ASHAK, fq. 385.

[3] Mehemet Halimi, E folmja e Moravës së Epërme, Kërkime dialektologjike, Prishtinë, 1985, fq. 29-209.

[4] Mehmet Halimi, Vëzhgime mbi të folmen e Moravës së Poshtme, në Kërkime dialektologjike, fq. 211-279.

[5] Mehmet Halimi, tezë doktorati në dorëshkrim, 470 faqe.

[6] Idriz Ajeti, Rreth disa veçorive të të folmeve të shqiptarëve të Preshevës dhe të Bujanocit, “Gjurmime albanologjike”, nr. 2. 1968, fq. 37-60.

[7] Zijadin Munishi, Bashkëtingëlloret, grupet e bashkëtingëlloreve dhe fenomenet fonetike në të folmen e Gollakut.

[8] Mehmet Halimi, Skicë e së folmes së fshatrave Mramuer dhe Marec, Kërkime dialektologjike, Prishtinë, 1985, fq. 377-399.

[9] Fadil Raka, Areali gjuhësor i Kaçanikut, Prishtinë, 2004.

[10] Ragip Mulaku, Hulumtime dialektologjike dhe anomastike, Prishtinë, 2005, fq. 298.

[11] Latif Mulaku, E folmja e Shalës së Bajgorës, Prishtinë, 2005, fq. 226.

[12] Tafil Këlmendi, Sistemi foljor i së folmes së Balincës, SGJ, I (Dialektologji), Prishtinë, 1978.

[13] Hasan Këlmendi, E folmja e lokalitetit të Turiçevcit, GJA, SSHF, nr. VI -1976, fq. 121-140.

[14] Shaqir Berani, Tiparet fonetike të së folmes së lokalitetit të Klinës, GJA, SSHF, nr. VIII-1979, 147-181.

[15] Hilmi Agani, Fjalori i Kujunxhiçit, Prishtinë, 1982, fq. 382 dhe M. Nagavci, Të folmet e Gjakovës, Përparimi, Prishtinë, 1969, nr 11-12, fq. 198-949.

[16] Mehdi Bardhi, Disa veçori karakteristike në vokalizimin e së folmes së Hasit, Përmbledhje punimesh të SHLP, Prishtinë, 1960, fq. 80-90 e Imri Badallaj, E folmja e Hasit, Prishtinë, 2001.

[17] Naser Pajaziti, E folmja e Opojës, Prishtinë, 2005, fq. 290.

[18] Naser Pajaziti, E folmja e Anadrinisë (dorëshkrim) Prishtinë, 1998.

[19] Mehmet Halimi, E folmja e Kabashit të Prizrenit, Kërkime dialektologjike, Prishtinë, 1985, fq. 281-350.

[20] Abdullah Zyberi, Vëzhgime mbi të folmen e Lugut të Drinit të Bardhë, SGJ, II, Prishtinë, 1978.

[21] Bajram Mehmetaj, E folmja e Deçanit.

[22] Mehmet Begolli, Të folmet e Rugovës me disa veçori të veta, Përparimi 1958, 310-318; Ahmet Kelmendi e Adem Hajdaraj, E folmja e Rugovës, Prishtinë, 1996.

[23] Mehmet Halimi, Vështrime gjuhësore, Prishtinë 1994, fq. 50 (Me toponominë Anamoravë = anë +Moravë, që do të thotë trevat e Luginës së Moravës, është përdorur analog me trajtë: Anamali, Anadrini, anadeti.;

[24] M. Halimi, E folmja e Moravës së Epërme, Kërkime dialektologjike, Prishtinë 1985, fq. 29-209.

[25] M. Halimi, Vëzhgime mbi të folmen e Moravës së Poshtme, Kërkime dialektologjike, Prishtinë, 1985, fq. 221-279.

[26] Mehmet Halimi, Skicë e së folmes së fshatrave mjak dhe Tanishec, Kërkime dialektologjike, Prishtinë, 1985, fq. 351-375.

[27] Zijadin Munishi, Bashkëtingëlloret, grupet e bashkëtingëlloreve dhe fenomenet fonetike në të folmen e Gollakut të Kamenicës, “Gjurmime albanologjike seria e shkencave filologjike”, nr. X-1980, fq. 155-172.

[28] Idriz Ajeti, Rreth disa veçorive të të folmeve të shqiptarëve të rrethit të Preshevës dhe të Bujanovcit, rev. “Gjurmime albanologjike”, nr. 2, 1969, fq. 37-60 dhe R. Ismajli: “Vërejtje mbi të folmen e Preshevës – morfologji”, “Dituria”, nx. 1, 1971, fq. 11-23;

[29] M. Halimi, Togjet vokalike ae, oe në të folmet shqipe, çështje të studimeve albanologjike (simpozium shkencor mbajtur më 20- 21 dhjetor 1985), i, Prishtinë, 1987, fq. 151-156;

[30] M. Halimi, Kërkime dialektologjike, fq. 220;

[31] M. Halimi, Kërkime dialektologjike, fq. 385;

[32] M. Halimi, vep. cit. fq. 380;

[33] Halil Kajtazi, Nga lirika popullore e Drenicës, fq. 123, mere, hare, kale, etj.

Please follow and like us: