Albspirit

Media/News/Publishing

Roland Tasho: Parisi dhe…unë

Ishte një lloj çlirimi për mua kur në mëngjes herët në lajme dëgjova që zjarrfikësit kishin arritur të shpëtonin katedralen e Notre-Dame dhe kryeministri i Francës deklaronte që menjëherë do të fillonte puna për mbledhjen e fondeve per rindërtimin e saj. Imazhi i katedrales së Notre-Dame përmes dritares së studios ku banoja ka shoqëruar ditët e mia për 5 muaj në Paris kur isha artist rezident në ‘Cite International des Arts’ në vitin 1997 dhe 2011. Djegja e saj u bë një moment reflektimi mbi atë çfarë përfaqësonte Notre Dame në jetën dhe karrierën time si fotograf, por jo vetëm katedralja por dhe Parisi me historinë e tij. Kryeqyteti i Francës ku është i përzjerë arti i vjetër dhe ai modern ka ndikuar në vete zhvillimin e fotografisë botërore. Dhe këtu nis edhe kjo histori e imja me Francën dhe katedralen e saj të famshme…

Shkuarja në Paris
Në vitin 1996 isha pjesë e një ekspozite kolektive gjatë një turneu të kulturës shqiptare në Francë. Puna ime u vu re nga përfaqësues të Bashkisë së Parisit të cilët propozuan një bursë përmes Ambasadës shqiptare në Paris. Bursa në fjalë nuk mu akordua nga përfaqësuesja e kulturës në ambasadë me arsyen absurde se nuk kishte kontaktet e mia në Tiranë?! Por historia ishte e destinuar të përmbushej: në festën e 28 Nëntorit, në një takim të organizuar në Ambasadën tonë në Paris një zonjë nga Bashkia e Parisit, Antonia Bacchetti, e cila mbulonte programet e artit për Lindjen vjen drejt meje dhe më flet në italisht: – “Po ti pse nuk vjen në Paris”? Ngrita supet dhe i thashë që do kisha shumë dëshirë… duke besuar se kjo bisedë do të ngelej aty. Por Franca nuk është një vend i zakonshëm, aty çdo gjë që ka lidhje me artin dhe kulturën merret seriozisht.
Më në fund, në fillim të vitit 1997 me insistimin e Bashkisë së Parisit, vjen zyrtarisht bursa ime për rezidencën e artit në ‘Cite International des Arts’.

Mund t’ju them edhe një kuriozitet tjetër, së bashku me studentin shqiptar në atë kohë Altin Lazaj i cili më ndihmoi ditët e para, pas marrjes së studios dhe kontributit të parë financiar, shkova për të ‘dhënë’ llogari në zyrat e Bashkisë. Atje takova sërish Znj. Bacchetti e cila pas pyetjeve të mia naive rreth detyrimeve që do të kisha drejt tyre për bursën time duke qeshur më tha: – “Jeto Parisin, inspirohu, mëso, eksperimento, këto janë të vetmet detyrime qe ke”.


E gjithë kjo histori erdhi në sytë e mi kur flakët përpinë çatinë e Notre-Dame dhe një reflektim lindi brenda meje duke kuptuar tashmë fare qartë sesi Franca investimin që kishte bërë tek unë, t’ia shpërbleja tani. Gjatë qëndrimit tim në Paris, katedralja ishte gjithnjë e pranishme si një dëshmi e së kaluarës historike të Francës.
Të gjithë ne që kemi rilindur nga ana artistike, falë këtij qyteti jemi disi pariziane dhe ndjejmë detyrimin t’i bëjmë një tribut kryeqytetit të artit botëror. Kështu më lindi ideja e ekspozimit të disa prej mijëra fotografive të bëra gjatë qëndrimit tim në ‘Cite International des Arts’ që në fakt nuk janë aspak fotografi turistike edhe pse kujtdo që ka qenë turist në Paris do i rikthejnë nostalgjinë e magjisë së këtij qyteti. Në të vërtetë ato janë pjesë e rrugës time drejt transformimit në një fotograf që mendon dhe jeton për fotografinë si një art i cili jo thjesht tregon gjërat reale por më shumë akoma sugjeron vizione të reja.
‘Cite des Arts’, qëndrimi im atje ka qenë mbi të gjitha përvojë intelektuale dhe një lloj verifikimi i vetvetes në raport me një tjetër sistem vlerash.
Kështu pra, këto fotografi përbëjnë projektin tim të fundit i cili në të vërtetë duket sikur është i pari, ashtu sikur dhe çatia e re e cila do te ndërtohet mbi Notre-Dame do ta bëjë katedralen të rishfaqë madhështinë e saj. Paralelisht ky projekt është esenca e të qenurit fotograf për mua.

Please follow and like us: