Albspirit

Media/News/Publishing

ÇMIMI LETRAR IBRAHIM RUGOVA

 

Në mesditën e 14 shtatorit, në qendrën e Komunës së Istogut, në mjediset e lokalit “Freskia”, nga Klubi Letrar “Podguri”, u mbajt ceremonia e mbylljes së konkursit letrar ndërkombëtar të përvitshëm dhe shpallja e çmimit “Ibrahim Rugova”.
Pata nderin të jem i ftuar si kryetar i jurisë së këtij konkursi letrar, të jem në juri së bashku me kolegët e mi vendas Sadik Bicaj dhe Leonora Bruçaj.
Shijova bukuritë e klimës dhe të natyrës së krahinës së Podgurit, të fushës së begatë të Rrafshit të Dukagjinit, e cila në Istog papritmas thyhet nga masivi i malit të Moknës që lartohet gati thikë përpjetë. Hurdhat nga ujërat e Gurrës së famëshme të Vrellës prodhonin troftën në një mjedis që pasurohej nga hotele dhe lokale në mes të ujërave, të luleve, të gjelbërimit.
Kryesia e Klubit letrar “Podguri” me kryetar Sadik Bicaj dhe me sekretarin ekzekutiv Nuradin Imeraj ishin kujdesur që ky manifestim letrar, i pesti në radhë, të merrte peshën e përmasën e një ngjarjeje të shënuar. Ishin përzgjedhur njëzet poezitë mëtuese për çmimin “Ibrahim Rugova”. Ishin ftuar dhe ishin të pranishëm poetët konkurues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, diaspora dhe tri poete nga Italia. Mernin pjesë dhe të ftuar nderi, autoritetet e komunës, veprimtarë që kishin ndihmuar në mbajtjen në nivel të mirë të këtij manifestimi, poetë, shkrimtarë, kritikë arti, muzikantë, këngëtarë, valltarë. Në krah të Sadik Bicajt dhe të organizatorit të drejtpërdrejtë të aktivitetit, të Nuradin Imerajt, ishin dhe mësimdhënësi e poeti Maxhun Osmanaj, dhe Artesa Osmanaj Mavraj e cila monitoroi takimin.
Kjo festë e fjalës së bukur nisi në mënyrë solemne me tingujt e këngës “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, këngë e propozuar si himn shtetëror nga Presidenti Ibrahim Rugova.
Si vendlindje e Ibrahim Rugovës, Istogu atë ditë i bëri homazh birit të saj më të shquar. Folën veprimtarë e familjarë. Më dhanë fjalën dhe pata nderin të sjell kujtime nga dy takimet e mia me Ibrahim Rugovën. I quajturi Gandi i Ballkanit, Ibrahim Rugova në përfytyrimin tim mbetet një rilindas, brishtësia ishte forca e tij. Ai ishte ringjallja e trupëzimi në kohët moderne i një figure si ajo e Abdyl Frashërit, një figurë e rilindjes kombëtare shqiptare. Me ndryshimin se ai ia arriti të jetë presidenti i parë i zgjedhur i Kosovës së lirë.
U shpërblyen me mirënjohje shumë nga të ftuarit e nderit për kontributin e tyre si veprimtarë dhe artistë.
U promovua libri “Vështrime gjuhësore dhe letrare” i prof Sadik Bicaj. Folën për librin redaktori Skënder Hoxha dhe recenzentët Valdet Hysenaj dhe Mazhun Osmanaj. Prof Sadik Bicaj është një punëtor i palodhur dhe i vyer i arsimit dhe i librit. Librat e tij nderojnë jo vetëm komunën e Istogut.
U lexuan poezitë nga poetët konkurues. Kjo, ora letrare, ishte pjesa qëndrore dhe më emocionuesja e këtij takimi. Një poet erdhi nga Selaniku me një poezi mbi emigrimin. Mbresë të veçantë lanë recitimet e tri poeteve nga Italia, njëra ishte dhe doktore në letërsi. Paraqitjen e tyre shqip e solli Valbona Jakova.
Si juri së bashku me kolegët Sadik Bicaj e Leonora Brruçaj ndoqëm recitimet e autorëve. Në tekstet e poezive për jurinë nuk ishin emrat e autorëve, por një kod i shifruar. Në një mbledhje të fundit juria ra në ujdi që vendin e parë, çmimin “Ibrahim Rugova”, me poezinë “Ëngjëll i urtësisë” ta marrë poeti Ramë Oraca. Në vendin e dytë u rendit Nurimsha Demaliaj dhe çmimin e tretë e mori poetja italiane Danila Dante.
Në fjalën time si kryetar jurie vura re se kishte shumë poezi me nivel të mirë artistik, kryesisht nga poetët e rinj. Poetët në moshë rrahin temat historike, poezi për ngjarje dhe figura të shquara. Të rinjtë me përtëritje të mjeteve shprehëse, me freski gjuhësore jepen pas temave ekzistenciale.
Më tej u vazhdua me muzikë, humor, koreografi. Ishte një organizim i menduar mirë dhe që u realizua me mençuri dhe energji nga drejtuesit e klubit “Podguri”.
Si gjithandej në komunat e Kosovës, edhe në Istog vlerësohet fjala e bukur poetike dhe mbahen festivale të poezisë, si një traditë që duhet kultivuar më tej.

Please follow and like us: