Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti i Francës, Zhak Shirak i përgjigjet Kadaresë për Kosovën

Image result for kadare-zhak shirak

Paris, 9 shtator 1998

I dashur Mjeshtër,

Ju falenderoj per letrën tuaj të datës 26 gusht, të cilën e lexova me një vëmendje të madhe.

Koncepti juaj, lidhur për detyrimet e Francës, përputhet me imazhin që unë kam për atdheun tim. Idetë e lirisë dhe të tolerancës, që frymëzojnë këtë vend, i japin zërit të tij një jehonë universale në mbarë botën. Janë këto ide që përbëjnë forcën e mesazhit të tij. Eshtë kjo, kërkesë morale, që drejton aksionin e tij diplomatik, në mënyrë të veçantë, kur ky aksion vihet përballë me të tilla kriza, që ne kemi njohur e vazhdojmë të shohim ende sot në ish-Jugosllavi.

Më 1995, situata në Bosnjë më është dukur si një cënim i parimeve demokratike të Europës, parimë ne jemi përpjekur t’i ruajmë, qysh prej pesëdhjetë vitesh e këtej. Unë kam marrë iniciativën që t’i nis përsëri bisedimet diplomatike dhe, meqenëse kjo ishte e nevojshme, të vinim në veprim forcën ushtarake, gjë që i dha aksionit tonë besueshmërinë e duhur. Kjo vendosmëri, bashkë me atë të Shteteve të Bashkuara, bënë të mundur të arrihet marrëveshja e Paqes, e nënshkruar në Elizé më 14 dhjetor 1995.

Para së njéjtës sfidë jemi sot, ndaj Kosovës. Ju ma përshkruani me fjalë, ndaj të cilave unë jam shumë i ndjeshëm, këtë dramë njerëzore të përjetuar nga qindra e mijëra viktima të pafajshme: gra, fëmijë, të këtij populli paqedashës.

Unë e kuptoj plotësisht fatin, që luhet në këtë krizë për ruajtjen e vlerave që ne ndajmë bashkarisht, në ruajtje të drejtpeshimit të këtij rajoni, në qendër të kontinentit tonë. Është kjo arsyeja që, qysh në fillim të kësaj krize, unë kam mobilizuar të gjitha mjetet e aksionit francez. Në planin diplomatik, në radhë të parë, sepse nuk mund të ketë zgjidhje globale e të vijueshme, pa një marrëveshje politike. Këtu është fjala për të përcaktuar një status të një autonomie shumë të gjerë, duke respektuar kufijtë ndërkombëtarë. Duhet që Grupi i Kontaktit, që bashkon fuqitë kryesore të interesuara, të shënojë gjurmët e tipareve të këtij statusi e, të bëjë të mundur, marrëveshjen e angazhimit për të.

Por, nëse zëri i arsyes nuk arrin të bëjë atë që duhet, atëherë do të duhet përdorimi i armëve, për ti bërë armët të heshtin. Atëherë, Franca do t’i kërkonte Këshillit të sigurimit t’i jepte të drejtë NATO-s, për të ndërhyrë me të gjitha mjetet e nevojshme.

Çdo ditë është e çmuar ngaqë dimri po afron, luftimet po vazhdojnë dhe gjendja e refugjatëve sa vjen e po bëhet më e dhimbshme. Unë, personalisht, jam angazhuar për të mobilizuar Komunitetin ndërkombëtar. Për këtë, i kam telefonuar partnerëve tanë të Grupit të Kontaktit, Presidentit Clinton, Presidentit Jelcin, Kancelarit Kohl, Kryeministrave Blair e Prodi. Neve na duhet të bëjmë gjithë përpjekjet, për të shmangur një ndërlikim, që më vonë do të bëhej i pamundur të vihej nën kontroll. Jam i ndërgjegjshëm, që na mbetet pak kohë për ta kryer. Të jeni i sigurt që kjo, për mua, mbetet nga prioritetet më të domosdoshme.

Ju lutem, të pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me gjithë përzemërsinë time,

JACQUES CHIRAC

Paris, 9 shtator 1998.

Lexo këtu letrën e Kadaresë për presidentin Shirak.

26 gusht 1998/Letra e Ismail Kadaresë për Presidentin e Francës Zhak Shirak, në kohën e konfliktit në Kosovë

Please follow and like us: