Albspirit

Media/News/Publishing

Sfidat e Shqipërisë, si korridor tranzit i refugjatëve drejt BE-së

Ndërkohë që një krizë e mundshme e refugjatëve vazhdon të jetë gjithmonë e më shumë e paparashikueshme, komplekse dhe dinamike, në Shqipëri fluksi në rritje është pritur përgjithësisht me heshtje.

Armela Xhaho

Refugjatë përgjatë rrugës ballkanike. Foto arkiv nga BETA.

Fenomeni i azilit dhe migracioni i parregullt është kthyer prej vitesh në  kryefjalën e diskutimeve brenda Bashkimit Europian, duke krijuar një hendek midis asaj që propagandohet si qasja e përbashkët në betejën për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, vlerave dhe parimeve humane dhe tensionit në interes të kohezionit politik, stabilitetit dhe ruajtjes së sovranitetit kombëtar.

Vala e madhe e refugjatëve që ka përfshirë Evropën prej fillimit të Pranverës Arabe dhe veçanërisht me përkeqësimin e luftës në Siri, nuk la të paprekur edhe vendet e Mesdheut, që kanë shërbyer si një portë hyrëse për refugjatët. Për shkak të pozicionit të favorshëm gjeopolitik, vendet e Ballkanit janë bërë tashmë një pikë e nxehtë “hotspot” për imigrantët e parregullt që kërkojnë rrugë alternative për të hyrë në vendet e BE.

Shqipëria është futur më vonë se fqinjët në këtë hartë, por flukset në rritje të refugjatëve  dhe azilkërkuesve, migrantëve, viktimave e trafikimit, të miturve të pashoqëruar si dhe personave pa shtetësi janë tashmë një realitet.

Përgjatë viteve 2015- 2018, Shqipëria u përball me numra në rritje të migrantëve të parregullt që hyjnë në vend, kryesisht përmes kufirit jugor me Greqinë, për të vijuar më tej me Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë dhe me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

Fluksi i imigrantëve të parregullt të ndaluar në Shqipëri gjatë vitit 2018 ishte rreth 5.730 shtetas të huaj, pothuajse pesë herë më i lartë se në 2017. Kjo rritje shoqërohet edhe shtim të numrit të kërkesave për azil– nga 307 kërkesa në vitin 2017 në 4,378 kërkesa në vitin 2018. Ndërkohë, edhe numri i grave dhe fëmijëve azilkërkues ka ardhur duke u rritur ndjeshëm përgjatë 2018-s.

Pjesa më e madhe e të ndaluarve në Shqipëri deklarojnë se janë nga Siria, të ndjekur nga shtetësi të tjera si Pakistani, Iraku, Algjeria, Libia, Maroku, Palestina dhe Afganistani. Sikurse vihet re nga statistikat, ka një trend të rritje të imigrantë të parregullt që zgjedhin Shqipërinë si rrugë tranzite në Ballkan, edhe pse jo si destinacionin përfundimtar.

Shumë imigrantë detyrohen t’u drejtohen kontrabandistëve dhe rrjeteve kriminale për të shmangur ndalimet përgjatë kalimit të paligjshëm të kufijve, shpesh edhe për shkak të pamundësive për të gjetur rrugë më të sigurta për migrim. Flukset masive të migrantëve të parregullt rrisin gjithashtu rrezikun që  grupet më vulnerabël të bien pre e abuzimeve të formave të ndryshme, pa përjashtuar edhe trafikimin apo shfrytëzimin seksual.

Ndërkohë që një krizë e mundshme e imigrantëve vazhdon të jetë gjithmonë e më shumë e paparashikueshme, komplekse dhe dinamike, në Shqipëri shifrat në rritje janë pritur përgjithësisht me heshtje. Gjithashtu, debati mbi krizën e refugjatëve nga vendet e Bashkimit Europian duket se nuk i trazojnë politikëbërësit dhe opinionin publik në Shqipëri, ndonëse askush nuk e ka të qartë se çfarë kapacitetesh infrastrukturore, njerëzore dhe institucionale kemi për t’u paraprirë emergjencave apo flukseve të reja masive të migrantëve të parregullt.

Duke përfituar nga asistenca e FRONTEX, Shqipëria ka marrë masa për një menaxhim më të mirë të kufijve në bashkëpunim edhe me organizata të tjera të specializuara ndërkombëtare. Megjithatë, vendi është thuajse i papërgatitur për të adresuar nevojat e grupeve vulnerabël.

Një studim i autores së këtij shkrimi, i kryer në bashkëpunim me Alma Lleshi Tandilin arriti në përfundimin se ndonëse Shqipëria ka përmirësuar kuadrin ligjor mbi azilin dhe mbrojtjen ndërkombëtare, një sfidë e madhe mbetet identifikimi në kohë i personave vulnerabël dhe referimi i tyre te agjencitë përkatëse.

Dinamikat e reja që krijohen nga flukset migratore  bëjnë që  vetë vendet e BE- së të përditësojnë vazhdimisht legjislacionin për t’iu përshtatur në kohë kërkesave të reja, ndërkohë që në Shqipëri, sistemi  i ri i azilit mund të mbipopullohet nga flukset e reja hyrëse, duke krijuar trysni në adresimin e  nevojave më prioritare të grupeve më të rriskuara.

Grafik; migrantet e regjistruar ne Shqiperi.

Studimi nënvizon domosdoshmërinë e masave për të reformuar politikat dhe kuadrin institucional në lidhje me përditësimin e procedurave për identifikimin dhe vlerësimin e duhur të  nevojave të grupeve vulnerabël në pikat kufitare,  mekanizma referues më efikasë si dhe procedura më të qarta dhe të shpejta në koordinimin institucional me njësitë e mbrojtjes sociale dhe autoritetet kufitare.

Autoritetet duhet gjithashtu të garantojnë mjedise më të përshtatshme akomodimi për fëmijët e pashoqëruar apo të ndarë në qendrat tranzitore si dhe të garantojnë shërbime më gjithëpërfshirëse ligjore, psikologjike dhe sociale për këto grupe.

Shqipëria nuk është pjesë e sistemit të përbashkët të azilit të BE-së, por sipas Konventës së Dublinit, marrja e përgjegjësive në ndihmë të mbështetjes së refugjatëve dhe grupeve më të rriskuara duhet të jetë në përputhje me parimet e mbrojtjes së të drejtave themelore dhe promovimit të mbrojtjes ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe sigurisë.  Në një kohë kur Indeksi Global mbi Skllavërinë Moderne 2018 e rendit Shqipërinë të pestën në Evropë dhe Azinë Qëndrore për prevalencën e skllavërisë moderne, padyshim që grupet vulnerabël të migrantëve të parregullt janë gjithashtu të rrezikuar për të rënë pre e rreziqeve të shtuara.

Fluksi aktual i migrantëve të parregullt, mungesa e kapaciteteve financiare, njerëzore  dhe hezitimi për një krizë në të ardhmen mund të krijojnë  një skenar të ri të paparashikueshëm, i cili kërkon një vigjilencë dhe vëmendje të veçantë nga autoritetet Shqiptare. Në të njëjtën kohë kërkohet edhe një ndërgjegjësim në shkallë më të gjerë i popullatës në lidhje me këto dinamika.

Fluksi i refugjatëve është tashmë një fenomen global dhe nuk mund të ndalohet. Megjithatë, Shqipëria duhet të jetë gati për ta menaxhuar atë në mënyrë më efektive, veçanërisht në adresimin e nevojave prioritare dhe ofrimin e ndihmës dhe shërbimeve për grupet më të rriskuara, siç janë gratë dhe fëmijët.

Armela Xhaho

Armela Xhaho është kërkuese dhe drejtuese projekti në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Xhaho është bashkëautore e studimit “Azilkërkuesit vulnerabël dhe migrantët e parregullt në Shqipëri”.

Please follow and like us: