Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Sami REPISHTI: Letër Skënder Sherifit, mbi librin e tij ‘Festivali i pasioneve’

SAMI REPISHTI/ Gazeta Dielli

I dashtuni mik i imi, i ri, poeti i dalluem Skender Sherifi,

Mesazhi yt telefonik, më erdhi dy herë, i papritun, emocionalisht dhe kulturalisht, si djali i bashkvuejtesit, i ndjeri Shpend Sherifi dhe si poet me vlera të konfirmueme nga qarqet letrare të botes frankofone dhe shqiptare. Të falenderoj përzemërsishjt, sepse u gëzova shumë!

Emocionalisht, me ktheu 70 vjet mbrapa, në periudhen, kur baba i yt, i ndjeri Shpend Sherifi, kalonte vitet e gjata e të mundimshme, si i burgosun (pa asnjë faj) në burgun politik të Shkodres dhe bashkë me mue. Më kujtoj dhomen numër 9, që na zinte frymen, nga mungesa e ajrit të pastër. Edhe sot, une e kujtoj me admirim, një djalë tropojan, i gjatë, i shkathet, shumë simpatik dhe kundershtar i vendosun i diktatures komuniste, në vendin tonë të përbashkët.

Gjithashtu, si shumë tropojanë të tjerë, ‘armiq të rregjimit’, me kujtohen vuejtjet e tyre dhe të ndjerit Shpend, nga uria dhe mungesa e kujdesit familjar, për arsye të largësisë dhe komunikimit njiherë-mujor. Aty, kam pa stoicizmin e vërtetë të tropojanëve antikomunistë dhe vendosmërinë e tyre, me mbrojtë idealin e tyne, një Jetë të Lirë, në Trojet stërgjyshore dhe në demokraci. Fati e deshi, që shumica e tyre e lanë këtë Jetë, pa e pa atë Ditë…!

Prandaj, nuk më çuditi inisiativa e të ndjerit Shpend Sherifi me hapë ‘Oda Malësore’ në qendër të Evropës, në Bruksel, me e mbajtë të gjallë ndjenjën e Shqiptarizmit dhe dashurinë për Nanen Shqipëri!

Pra ngjarje, njerëz dhe akte që nuk do harrohen shpejt!

Si kunorëzim i nji qendrimi të këtill, ka qenë ‘shqiptarizmi i plotë’ i djalit të tij, Skender Sherifi, vepra e të cilit, na ban kryenaltë si shqiptare, kudo që jemi, me rezultatet e shkëlqyeshme që ka arritur. Miku im i ri, me punën tande, nderon baben, veten, boten frankofone dhe pasuron me një kapital të pazëvendsueshëm, letërsinë e vorfen shqipe.

Për këtë arsye të përgjithshme, shenon një fitore të pamohueshme!

Ti, ke të drejtë me deklamue se “Skender Sherifi me nji arsim të plotë, paraqet një seri krijimesh rreth natyres njerëzore, me një forcë të tillë, sa që vargu i tij mbizotëron përkrah shkrimtarëve të tjerë, më mbresëlënes të botës”. Kjo, ju ban të denjë, për titullin POET!…me autenticitet artistik dhe formim frankofon, i pjekun nga eksperience personale, sidomos gjatë vitëve revolucionare evropiane 1968 dhe përtej në SHBA. Pra, një formin që e ban atë origjinal, dhe ia siguron lirinë e mendimit krijues. “Tek Sherifi, shkruhet në biografinë e tij, flet instinkti primar, subkoshienca dhe organizohet pastaj në një mënyrë krejt tjetër, për të na pru një sens, i cili ka një logjikë të qartë”.

I zbuluem nga lexues të vëmendshëm, ai gjen përkrahjen e figurave kryesore të botës frankofone. Në fillim, të ndjerin Pierre Seghers – editor, por edhe poet, për të cilin, na duhet  të njohim meriten e tij, në mbrojtjen e poezisë, në koleksione të shumta, që ai botoi, për më shumë se 25 vjet, shkruen Bruno Vercier. Pra ai e adoptoj Sherifin shpirtërisht dhe e zbuloi këtë fenomen që, ashtu si Piktura në art, la mbasdore ‘objektin’ dhe iu kushtue, ‘krijimit të së  resë’!

Luksi dhe privilegjet e Parisit, Provancës dhe Brukselit, nuk e paksuan dëshirën e tij, që “ta ruajë dhe ta pasurojë shqitparizmin e tij”. Fati e deshi që të njihet dhe miqësohet  me Dr. Ibrahim Rugovën, letrar dhe lider politik i Kosovës, në Prishtinë (me të cilin, unë kam bashkëpunue ngushtësisht SR ). Aty, ai boton të përkthyem shqip nga Rugova, dy vellime poezie dhe një libër “Poezi» në 2008. Pra, është Rugova, ai që e «vendos këtë autor të ri, brenda normave letrare shqiptare …» autor, që njikohësisht e pasuron letersinë shqipe, me nji eksperiencë të re njerëzore dhe artistike. Kjo eksperiencë e vendos poetin Sherifi, në ‘Familjen e letërsisë shqiptare’ në Kosovë.

Në vendin e të parëve, Skender Sherifi shkon vetëm në vitin 1990, mbas shkërmosjes së diktaturës 45 vjeçare të rregjimit komunist, në atë vend. Që nga takimet e para, poezia e tij,  u cilësue si ‘një Kullë Babeli’ nga një intelektual i mirëfilltë Jusuf Vrioni (ish bashkëvuejtës  i imi SR). “Jam tepër i gëzuar, deklaroi i ndjeri Vrioni, që kam njohur një autor të këtill, i cili ka krijuar e konceptuar, me siguri, poezinë që do shkruehet më vonë, në shekullin 21”.

Në vitin 2003, poeti Sherifi përfshihet në listën e Letërsisë Botënore, nga Fjalori Enciklopedik ‘Larousse’ Paris – Francë dhe numërohet si njeni nga 26 autorët më të randësishëm të Letërsisë Shqipe, që nga ‘Formula e Pagëzimit’ e Gjon Buzukut.

Në paraqitjen e tij, ‘Larousse’ shkruen: “… ai shprehet me një lirizëm vezullues, të jashtëzakonshëm dhe na hedh fjalët e tij, sikur Diejt mbi Detin e trazuar, duke i perzier me një lumturi të rallë, stilet gjuhësore tepër  të rafinuara, me ato më popullore, argotike dhe zhargonore. Autori na tërheq me Muzikën e Kohës, në bordin e Anijes së tij kozmike… Përkthyes, gazetar, i pasionuar për Letërsinë, Filmin, Teatrin, Muziken dhe Pikturen, është një shqiptar i vërtetë frankofon, një kozmopolit, një njeri unik i të vërtetave, i miqësive, i besnikërive dhe i dhembshurive që xixëllojnë dhe kumbojnë”. (Fjalori enciklopedik francez Larousse) faqe 815-816 – Paris, në 2003.

Në këtë moment, poeti Skender Sherifi vendosi të dhurojë kombit të tij, Shqipërisë, si TESTAMENT SHPIRTËROR dhe LETRAR, gjithë veprën e tij…

Me Krijimtarinë e tij, ai plotëson misionin e vet… si Njeri, si Humanist universal dhe si një atdhetar shqiptar, deri në fund!

Ka krijues letrarë, që të nxitun nga shpejtësia e marshit të ‘Historisë’, kanë prirje me provokue, në letërsi dhe në art, një revolucion të përhereshëm. Kështu krijohet nji atmosferë fekonde, në mes të traditës dhe revolucionit, ose nji individualizëm disa herë i ashpër, e që kërkon ‘nji Kishe’!

Për Poetin Sherifi, nuk ka vend për ‘Kishen’ grumullim i atyre që mendojnë njilloj.

Ai, Sherifi, mendon ndryshe, dhe refuzon me u antarsue në çfardo lloj ideologjie…

I kënaqur me shërbimin e tij ndaj Njeriut, me frymën e tij të humanizmit universal, ku terminologjia e poezisë së tij, nuk mund të jetë ajo e përhershme, kështu që ai zgjedh “ruajtjen e origjinalitetit të imazheve dhe metaforeve, të gjuhës së lirë poetike, por edhe provokuese, romantike, sentimentale, por edhe ‘surrealiste’, pop e rock dhe shpeshherë e papritun…”. Me nji fjalë ultra klasike, shpjegon ai në ‘L’Odyssée de l’Amour’ (2015), aty ku çfaqet Dashuria për të gjithë dhe për të gjitha, Poeti Sherifi e përqafon me vrull botën bashkëkohore, i ndërgjegjshëm për tmerret që përmbysin konceptimet tona inkurajuese për njeriun.

Ambicioz në punën e tij krijuese, me e njohur botën ashtu si ashtë dhe me themelue nji realitet që e paqëson, ai zbulon një aspekt të tragjedisë sonë moderne. Të mëdhejtë Paul Valéry e Claudel, kanë vdekë ose kanë heqë dorë nga poezia dhe i janë kushtuar romanit.

Por, poezia ashtë ‘themeli i qenies sonë, i ndërtuar me fjalë’, simbas Heideggerit.

Njëna ndër meritat e poetit Sherifi ashtë edhe pervehtësimi i kësaj thanje dhe forcimi i saj, me metoda jo të zakonshme, në ‘krijimin e së resë’! Sepse, nuk kemi sot, çfarë të shpjegojmë? Kampet e përqendrimit janë përshkrue në mënyra të ndryshme nga viktimat.

Tani, shumë kanë vdekë, e të tjerë vdesin Vdekjen e ngadalëshme, të këputun nga shpresa e një jete të maparshme, me një pleqnim të ‘forcës së fshehët’, të terrorit gjysëm të fikun.

Shumë prej tyne, përpiqen me gjetë një rrugë, përmes kampit të pa-arrijtshem, i cili i rrethon, i mbështjellë dhe i keqdrejton – (Jean Clair ‘Lazare, parmi nous’).

Poeti Sherifi përgjigjet me vullnet të fortë, në kërkim të panjohunes, me nji shkrim seizmologjik, nji shkrim natyral e jo ma ‘tekstual’, nji shkrim në atmosfere paniku, që i regjistron dhe lëkundjet më të vogla, të nji sensibiliteti të hapun, si ofertë për gjithë trazimet  e botës. Pra, poezia, ngarkohet me misionin e reformimit të letërsisë, në vendin e privilegjum ku të gjithë, i dedikohemi reflektimit mbi Njeriun.

POEZIA duhet të dedikohet… kërkimit, zbulimit të ‘Njeriut-Viktimë’, kudo që ai  dermohet nga shtypja. Kjo ashtë dëshira e nji Viktime të terrorit të kaluem!

Me përshëndetjet ma të mira.

Profesor SAMI REPISHTI, 29 dhjetor 2019, Ridgefield, CT. – U.S.A.

Please follow and like us: