Albspirit

Media/News/Publishing

Azem Vllasi: Kleronacionalizmi serb, i njëjtë sikur para 30 vjetëve

Image result for azem vllasi"

Ngjarjet në Mal të Zi gjatë javës së fundvitit që shkoi na përkujtojnë kohën e para 30 vjetëve, kur kleronacionalizmi serbomadh në formë vulgare dhe kërcënuese vërshoi hapësirat ku jetonin serbët. Turmat nëpër rrugë ku bëhej politika e re, për ikonografi kishin simbole të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) të gërshetuara me parulla nacionaliste dhe mitin kosovar, me kërcënime ndaj atyre që i konsideronin si kundërshtarë dhe me glorifikimin e Slobodan Milosheviqit si lider gjithëserb. Të njëjta apo të ngjashme skena shohim tani, 30 vjet pas nëpër Mal të Zi. Veçse tani nuk është lider e inspirues Slobodan Milosheviqi, por kryepeshkopi i KOS për Mal të Zi Amfillohije Radoviq. Target i asaj lëvizjeje kleronacionaliste ishte Jugosllavia çfarë ishte sot është Mali i Zi si shtet.

Nga ajo lëvizje rrugaçe para 30 vjetësh doli elita e re politike serbe e frymëzuar me dogmat dhe idetë e Kishës Ortodokse Serbe dhe idetë e “Memorandumit” të Akademisë të Shkencave dhe Arteve. Në krye të kësaj lëvizjeje kleronacionaliste në Mal të Zi bashkë me peshkopin Artemie sot është opozita proserbe e proruse që veten e quan Fronti Demokratik. Atëherë Kisha O.S. organizoi ritualin e bartjes së eshtrave të Shën Saves gjithandej ku jetonin serbët, me synim që atje të shtrihen kufijtë e “Serbisë së madhe”. Tani kjo lëvizje kleronacionaliste serbomadhe malazezëve u kërcënohen me eshtrat e Shën Vasiliut të Ostrogut.

Ata që erdhën në pushtet në Mal të Zi në valët e ngjarjeve para 30 vjetësh regjimi i Milosheviqit dhe Kisha Ortodokse i konsideronte si aleatë të natyrshëm.

Ajo lëvizje arriti ta shkatërrojë Jugosllavinë. Shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët u ndeshën me këtë lloj nacionalizmi dhe fashizmi edhe në fushëbetejë. Synimi për një “Serbi të madhe” dështoi. Të gjithë u këndellën dhe me Serbi më nuk do askush në shtet të përbashkët. Madje as malazezët e as maqedonasit.

Shumë prej atyre që u ngritën si liderë nga ajo lëvizje përfunduan në Tribunalin e Hagës si kriminel lufte dhe disa nuk janë më gjallë. Ama ëndrra dhe dëshira mbeti e gjallë. Në skenën politike serbe mbetën vazhduesit e së njëjtës ide dhe politikë. Idenë e mban të gjallë para së gjithash Kisha O.S. politikën e asaj kohe, të atyre që përfunduan si kriminel lufte, ndonëse në rrethana të ndryshuara e vazhdojnë njerëz të rinj. Në Bosnjë e ka emrin Millorad Dodik, në Serbi pasuesi i Vojisllav Sheshelit quhet Aleksandar Vuçiq me dy ndihmës kryesorë, nxënësin e Milosheviqit, Ivica Daçiq, dhe atë të gruas së tij, Mirjana Markoviq, me emër Aleksandar Vulin. Eminenca gri dhe mësuesi i tyre, krimineli i luftës i dënuar nga Gjykata e Hagës Vojisllav Sheshel rri në rendin e parë në Parlamentin e Serbisë dhe i vëzhgon.

Kleronacionalizmi serb Jugosllavinë e shkatërroi, por nuk u realizua synimi për “Serbinë e madhe”. Në vitin 1999 edhe Kosova iku. Si ngushëllim Serbisë i mbeti pranë Vojvodina dhe Mali i Zi. Megjithatë, Mali Zi me status të njësisë federale pas disa vitesh (2006) iku nga Serbia. Gjatë gjithë kësaj kohe propaganda serbe trumbetonte se malazezët dhe Mali Zi në fakt nuk ekzistojnë. Janë një degë e popullit dhe shtetit serb. Ushqenin shpresën se Mali i Zi përkohësisht ka shtetësi dhe një ditë, sikur në vitin 1918, Serbia do ta gëlltisë. Shpresat e mëdha nacionalistët serbë i mbështesnin te Kisha Ortodokse Serbe. Peshkopi Amfillohije Radoviq, si kryepeshkop i kësaj Kishe në Mal të Zi, përndryshe si ultranacionalist serb, ka një mision të posaçëm. Në Beograd gëzon tretman të lartë. Politika serbe ndaj Malit të Zi, po ashtu, ka një përkrahje të parezervë të Rusisë.

Lidershipi malazias i vetëdijshëm nga rreziku i përsëritjes së hidhur të historisë është i përqendruar në forcimin e identitetit shtetëror të Malit të Zi dhe identitetit etnik malazias. Nga kjo del orientimi i fuqishëm malazias drejt NATO-s dhe BE-së. Shqetësimet e para serioze te qarqet ruso-serbe i shkaktoi anëtarësimi i Malit të Zi në NATO. Dhe nuk nguruan që të tentojnë ta marrin pushtetin me dhunë në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016.

Së fundi, lidershipi i Malit të Zi ka prekur në pikën më të ndjeshme ku mbështeten shpresat e fundit të forcave proserbe e proruse, si dhe vetë Serbisë e Rusisë. Ka prekur në Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Do të thotë ka prekur në vetë infrastrukturën e nacionalizmit serbomadh në këtë shtet. Beteja e fundit e madhe me kleronacionalizmin dhe klerofashizmin serbomadh sot po zhvillohet në Mal të Zi dhe për Malin e Zi. Mali i Zi po tregohet shtet serioz. Ka nxjerrë Ligj mbi liritë fetare, me të cilin i barazon të gjitha bashkësitë fetare, e i neutralizon privilegjet e pajustifikueshme të Kishës Ortodokse Serbe.

Po ashtu, krijon kushte për ripërtëritjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Malazeze, e cila u shua bashkë me shtetin në vitin 1918.

Besimtarëve ortodoksë u mbetet e drejta që të luten në cilëndo kishë që do. Mali Zi me të drejtë synon që të krijojë kushte për ripërtëritjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Malazeze pasi që ajo është shuar bashkë me shtetin. Është ripërtërirë shtetësia, ka të drejtë të ripërtërihet statusi i kishës që u shua me shtetësi 1918. Punë e vullnetit dhe besimit të secilit besimtarë është se në cilën prej tyre do të lutet.

Opozita proserbe e proruse është tejet e shqetësuar. Deputetët e saj në Kuvend të Malit të Zi tentuan që dhunshëm të pengojnë aprovimin e këtij ligji të vetëdijshëm se po e humbin një bazë të fortë e që është Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Mbetet të shpresohet se shteti i Malit të Zi edhe këtë sfidë do ta përballojë.

Nuk është keq që edhe Kosova lidhur me këtë temë të nxjerrë mësim nga Mali i Zi. Pa i kontestuar statusin, pronat dhe objektet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, duke i respektuar besimtarët e kësaj kishe dhe pa i prekur ndjenjat e tyre fetare, është mirë që manastiret me vlerë të posaçme nga lista e Planit Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit, posaçërisht Manastiri i Graçanicës, Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës dhe disa të tjera, me ligj të posaçëm të shpallen si vlerë e trashëgimisë kulturore e historike të Kosovës. Shteti kështu do të marrë obligim shtesë për mbrojtjen e tyre./koha.net/

Please follow and like us: