Albspirit

Media/News/Publishing

Nderi i Kombit i munguar për profesor Xhevat Lloshin!

Image result for xhevat lloshi

Deri më tani profesori është nderuar nga Presidenca e Shqipërisë vetëm me “Mjeshtër i madh”, vlerësim që e kanë marrë shumë emra episodikë, ndërkohë që mund të vlerësohej me “Nderi i Kombit” apo edhe me tituj më të lartë.

 

Në 28 janar 2020 profesori i njohur jo vetëm në hapësirat shqiptare, pra Xhevat Lloshi mbush plot 82 vjeç duke qenë sërish në krye të një punë voluminoze dhe të heshtur që përfshijnë leksikografinë, historinë, letërsinë, përkthimin, etj. Në këtë përvjetor do të ishte mëse e natyrshme dhe një lloj detyrimi shtetëror që Tirana, Prishtina dhe Shkupi zyrtar, që ai të merrte vlerësimin e duhur.

Prof. Xhevat Lloshi, pas diplomimit në 1958 në gjuhën shqipe dhe ruse, në 1961 filloi punën si leksikograf në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke qenë njëherësh edhe mësimdhënës në Fakultetin e Histori-Filologjisë, lektor i lëndës “Gjuha dhe stili në media” në Fakultetin e Filozofisë, i lëndëve “Stilistikë” dhe “Analizë teksti”, pedagog i retorikës dhe i shkrimit akademik në Shkollën e Lartë të Edukimit.

Në karrierën e profesor Lloshit është edhe përvoja si kryeredaktor i revisës letrare “Drita” në periudhën 1980-1983 dhe ajo e përgjegjësit të “Fjalorit enciklopedik shqiptar”.

Prof. Xh. Lloshi ka një veprimtari të gjerë botuese në shtypin e asokohshëm, mes të cilave në revistat “Arësimi popullor”, “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Gjuha jonë”, “Ylli”, “Nëntori”, “Tribuna e gazetarit”, etj, veprimtari që e konsolidoi më tej edhe pas viteve nëntëdhjetë në gazetat kryesore vendase dhe të huaja.

Në leksokografi shquhet për bashkëautorësi në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980), për “Fjalorin e emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht dhe latinisht-shqip” (2010) dhe për “Fjalori i emrave të bimëve dhe të kafshëve anglisht-shqip dhe shqip-latinisht-anglisht” (2014).  Vepra të autorit janë gjithashtu “Gjuha, stili dhe redaktimi në shtyp” (1977), përshtatja nga anglishtja “Si të shkruajmë shqip” (2010), “Kristoforidhi përmes dokumentimit” (2005), “Rreth alfabetit të shqipes” (2008), “Konstandin Kristoforidhi, Bibla (në gegërisht). Kriesa, Të Dalëtë (1872)” (2009), “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit, 1819-1827” (2012), “Kostandin Kristoforidhi. Psalmet gegërisht dhe toskërisht” (2015) dhe katër libra të botuara brenda vitit 2017: “Thesaret për gjuhën shqipe të Shoqërisë Biblike. I. 1815-1883”, “Konstandin Kristoforidhi. Pesë libra të Dhiatës së Vjetër në versionin toskërisht, 1882-1884”, “Konstandin Kristoforidhi. Shkrime dhe përkthime: Historia e Shkrimit të Shenjtë (1870 e 1872). Katër katekizma (1867 e 1872)”, “Konstandin Kristoforidhi. Dhiata e re gegërisht, 1872”.

Veprimtaria e gjerë e profesor Xhevat Lloshi e shndërron atë jo thjesht një personalitet i spikatur, por një institucion me vete, që turpëron dhjetra institucione të tjera shtetërore dhe joshtetërore.

Deri më tani profesori është nderuar nga Presidenca e Shqipërisë vetëm me “Mjeshtër i madh”, vlerësim që e kanë marrë shumë emra episodikë, ndërkohë që mund të vlerësohej me “Nderi i Kombit” apo edhe me tituj më të lartë.

Please follow and like us: