Albspirit

Media/News/Publishing

“Oficeri” i fjalëve, njihuni me librashitësin Dalan Tola

I lindur në Shtëpëz të Gjirokastrës, për t’u zhvendosur në qytetin bregdetar të Vlorës, Dalan Tola do të ndiqej gjithnjë nga dashuria për librin. Prej vitesh e deklaron haptazi këtë romancë, duke ushtruar profesionin e librashitësit

Alessia Selimi

Të rreshtuar dhe të hapërdarë, të tillë janë miqtë më të ngushtë të Dalan Tolës. Mëse e kuptueshme, flitet për libra, aroma trallitëse e të cilave është e pamundur të mos ndihet. “Fjala” ndodhet në një librari të kryeqytetit, në sheshin “Wilson”. Pikërisht aty ku fjalët gjenden lehtësisht, edhe në sajë të pasionit që Dalani ka përkundrejt tyre. “Hajdutja e Librave”, “Të Mjerët”, “Grabjani rrëzë kodrave”, këto janë titujt që mbulojnë portretin e një njeriu të lexuar.Një burrë në të 60-tat e tij diç po kërkon; në duar mban “Shën Pali, themelimi i Universalizmit”, të shkruar nga filozofi francez Alain Badiou. Dalani qendron në heshtje, i stepur përballë një flirti të porsalindur. Me shumë gjasa, i vetëdijshëm për këtë moment intim. “Dashuria mëkohet vetvetiu”-shprehet Dalani, si të ish një lexues mendimesh.

Kaq mjafton për të zhvilluar një bashkëbisedim të ngrohtë, në strehëzën e tij të akullt, kaotike. “Nuk kam qenë gjithnjë një librashitës, por pa frikë mund të them se kam qenë një libradashës, këmbëngulës për t’i patur pranë vetes. Dikur gëzoja gradën e oficerit”-tregon ky burrë i fisshëm, i thinjur. “Ndonëse rrethohesha nga një grumbull i madh trupash, e ndjeja të nevojshme të përtypja histori, të dhëna dhe fakte”-vijon Dalani, për t’u ndalur në atë shkëndijë që e shtyu në pasjen e një librarie të vogël. “Unë kam lindur në një fshat të Gjirokastrës, ku shkolla tetë-vjeçare u ngrit pasi mësoja në atë të fshatit ngjitur. Asokohe, mësuesi i letërsisë më merr për të rregulluar bibliotekën e saj, duke më ngarkuar thasë të tërë librash, të cilat përfunduan për shumë pak ditë në ambientet e shtëpisë sime. Për të parën herë, u ndjeva i pasur, me një shtëpi të mbushur plot. Kur i rikthehem këtij momenti, por edhe marrjes së librit të parë nga Biblioteka Kombëtare, “Iluzionet e Humbura”, bindem se këtu flitet për pikënisjen e kësaj romance jetëgjatë”-shprehet Dalani, me një zë të qetë, i përhumbur paksa në të shkuarën. “Kur dola nga ushtria, më duhej të merresha patjetër me diçka. Kështu, vendosa të hapja një biznes timin, një biçim restoranti në Vlorë. Edhe në këtë periudhë, s’reshta  së lexuari. I turresha vrullshëm kamionçinës së librarive të qytetit, si e si për të patur në dorë revistën periodike. Përsa i takon veprave që kishin të bënin kryesisht me artin, librashitësit m’i ruanin veçmas, pasi i kisha bërë miq të mirë”-thotë Dalani, duke shtuar se gëzon ende një pjesë të mirë të botimeve të revistës “Nëntori”.

Pohon se nismën për të hapur një librari, e mori në Tiranë, për një sërë arsyesh, midis të cilave edhe ajo  e të paturit një ekonomi më të mirë familjare. “Është interesante, por librarinë e parë e kam hapur pikërisht këtu, në sheshin “Wilson”. Kur e mendoj, janë bërë 12 vite tashmë si librashitës”-shprehet ai. Për të patur një strehëz të tillë, nuk është aspak e lehtë, sidomos përgjatë viteve të fundit. Dalani na shpjegon përse. “Libri ka filluar të shitet në të tjera forma, online. Për një pjesë të mirë lexuesish, kjo mënyrë është mjaft e volitshmeKrahas këtij fakti, libradashësit janë tkurrur në numër, edhe për shkak të zallamahive të jetës. Për të mos u ndalur  tek qeratë e ambienteve, të cilat po rriten dita ditës”-thotë Dalani.

Ndjen trishtim për zvenitjen e lexuesve, ndonëse  përpiqet fort për t’i mbajtur pranë e më pranë. “Ka nga ata të rinj, djem dhe vajza, të cilëve u kam rekomanduar një libër dhe më pas janë lidhur ngushtësisht me mua, madje, duke mos i kursyer aspak falenderimet. Mundohem gjithmonë që të jem një lexues i mirë jo vetëm i librave, por edhe i karaktereve njerëzore. Sepse një person e reflekton atë çfarë kërkon dhe ka përbrenda”-shprehet Dalani. “Personalisht, flirtimit të shëndetshëm me librin, do i bashkangjisja si kënaqësi shpirtërore edhe një bisedë, sado të shkurtër, të  zhvilluar aty për aty me librashitësin”- shton ai, me një buzëqeshje të çiltër.  Pyetjes së fundit, se përsa kohë e sheh veten në një biznes të tillë, përmes së cilës nuk jetohet në komoditet, Dalani, babai i dy vajzave të rritura, i përgjigjet në një mënyrë mjaft interesante. “Edhe nëse do të më vinte mundësia për të bërë diçka tjetër, pa marrë në konsideratë moshën, që s’e njeh fatkeqësisht kompromisin, e kam të qartë si kristali që do më mungonte prania e librit. Është një ndër ato pakte që ka marrë jetë vetvetiu. Këtë pyetje ia kam shtruar shumë herë vetes dhe gjithmonë dal në përfundimin se i jam nënshtruar librit, dashurisë për të”./fjala.al/

Please follow and like us: