Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Buzë Senës…

Image may contain: one or more people, sky, night and outdoor

Tregim

 

Si guxove të më prisje aty, në përqafimin e përkohshëm, t’i bëje karshillëk përjetësisë?

Para se agu të shpërhapte dritën dhe butësisht të përkëdhelte majat e maleve, të cilat indiferente ndaj dritës së tij, nuk i jepnin kurrë asnjë përshëndetje apo falenderim për paraqitjen e madhështisë së tyre, unë po fërgëlloja në ëndërr…

Goja ime e hapur nuk merrte ajër, mushkëritë po mblidheshin nga mungesa e tij, ndërsa unë sonambul, zbathur dhe gjysmë lakuriq, vrapoja në rrugën për tek vendi ku më prisje…

E kisha dëgjuar apo e kisha ëndërruar një natë më parë, që ti më prisje tek këmbët e kullës, në mesin e katër këmbëve të saj të hekurta?

Ecja shpejt, duke shkelur në gjurmët e hapave të mi, të një dite më parë, kur e adhuruar e kisha parë për herë të parë në jetën time atë kullë. Në mesin e saj, mes katër këmbëve të hapura me madhështinë e hekurt, unë kërkoja qendrën e botës. Ti qeshe si fëmijë, me shpirt.

Përse qesh?

Ti je gjysmë lakuriq!

Po unë po flija. Ti më prishe gjumin, gjumin e pafajshëm! Unë i urrej Makbethët! Ti i urren me dashje, se pa dashje vret njësoj.

Duke qeshur si në ëndërr, vrapova në mes të kullës, hoqa çarçafin dhe e vara në këmbët e saj.

Po ti bëre diçka me të thjeshtë, më kape për krahu dhe më drejtove pa fjalë buzë Senës. Shiu pikonte mbi supet tona, por askush nuk e ndjen shiun afër lumit. Është njësoj sikur të ndjesh vdekjen pranë dashurisë. Njëra shmang tjetrën në mënyrë absolute, jo relative. Ti përsëri qeshe.

Të pëlqen relativiteti?

E adhuroj!

Dostojevski, shkrimtari që jetoi gjysmë i vdekur e gjysmë i gjallë, në mes një krize epilepsie dhe shkrimit më pas të një kryevepre, shpesh shprehej, se qëkur Anjshtajni shpiku relativitetin, njerëzit u bënë më relativë, më pak paragjykues dhe falin më shpesh, duke kuptuar tashme dobësitë njerëzore.

Më pe në sy, unë u laga, shiu më qulli deri në palcë. Toka nuk më ndihte më dhe i isha afruar më shumë Senës.

Përse duhet puthur dikush që fle? Që të mund të ëndërrojë gjatë? Apo që në gjendjen e turbullt të zgjimit t’i shpëtonin ato fjalë: “Erdha për ty, mes erës dhe shiut”.

Ti më shtrëngove pas vetes, duke më pëshpëritur në vesh, se tashmë e dimë që do ta gjejmë qëndrën e botës…por kurrë nuk do harrojmë që nuk u puthëm te qendra e saj.

Pikat e shiut trokitën inatçorë në dritare dhe freskia e agimit më zgjoi. U ngrita vrap duke shtyrë tutje buzët imagjinare: “Mos e ler ëndrrën të të bëjë të besosh se është natë, kur dita tashmë ka dalë”.

Zgjuar apo në gjume fola pa dashje me zë: “Të ndoqa mes shiut”!

Ëndrrat, sipas babait të psikanalistikës, na shpëtojnë dhe ashtu si librat, apo takimi me të panjohurit, që shpejt mbarojnë, na pasurojnë jetën dhe na i bëjnë ditën më të durueshme…

Please follow and like us: