Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Koka: Realiteti shqipar dhe ‘banaliteti i së keqes’

Image result for mimoza koka 

Mimoza Koka

 

 

 

Duke lexuar librin “Disidentët e Rremë” të autorit Sadik Bejko më tërhoqi  vëmëndjen problemi që ai ngre në kapitullin e pestë. Këtu, autori pasqyron shërbimin që i kanë bërë diktaturës rrugaçëria shqiptare duke theksuar se në te gjitha vëndet e lindjes është tepër i njohur fenomeni i vënies në shërbim të diktaturës, të kontigjentiti të madh të rrugaçëve dhe huliganëve për të thyer moralisht  intelektualët. Për këtë dukuri kanë shkruar shkrimtarë dhe filozofë si Solzhenicini, Zaharovi, Havel, Zinovievi, Kravcenko, Mishnik etj.

Autori përmënd faktin që ky fenomen gati ishte i ligjëruar. Në librin e oficerit të KGB-së, Makarengo, “Poema Pedagogjike”, i cili studiohej në të gjitha vëndet e lindjes, himnizoheshin pikërisht veprimtaritë e huliganëve.

Rast tipik është situata e Kadaresë në vitin 1982.

Shkrimtari i famshëm, vepra e të cilit ishte i vetmi produkt europian gjatë periudhës së diktaturës dhe që e bëri të njohur në botë Shqiperinë, këtë vënd të vogël, të izoluar dhe të varfër, u vu në presion të rëndë pikërisht prej kësaj kategorie.

Më vjen ndërmend viti 1982, dhe pikërisht thashethemnaja dhe mjegulla që u përhap në lidhje me familjen tij. Një grua me emrin Janulla si dhe një grup huliganësh qëllonin me gurë dritaren e shtëpisë së tij. Pas vitit 90, ka pasur shumë përpjekje për ta paraqitur këtë grua si viktimë, por askush nuk përmënd faktin që kjo ‘viktimë’, kishte marrë pjesë si dëshmitare kyçe, në proçeset e dënimit nga shteti të shumë grave të huaja, kryesisht  ruse.

Kadare në librin e tij “Pesha e Kryqit”, kur tregon mbi këtë fenomen shprehet se ishte i habitur për faktin se Tirana ishte e mbushur “rrënga me një kategori të tillë”. Shteti ata i përdorte ndaj intelektualeve, pa e ditur se në 1990, ata do t’i ktheheshin kundra vetë shtetit.

At Zef Pllumi në librin “Rrno për me tregue” dëshmon se si një vagabond goditi me levë klerikun në sytë e policit. Vetë At Zef Pllumi është shprehur kështu: “Gjithmonë jam habitun se si një popull kaq i vogël si Shqipëria ka mujn me nxjerrë kaq shumë rrugaça”. Mbase shprehja e At Zef Pllumit është pak e rëndë, por duhet të kemi parasysh kontekstin kur është shkruar dhe faktin se çfarë i kanë parë sytë atij në ferrin e gjatë të burgjeve komuniste.

Maks Velo tregon për faktin se si një syresh pa pikë mëshire e kishte hedhur mes vagonave me qymyr për t’i marrë jetën dhe vetëm prej një rasti fatlum kishte shpëtuar.

Por edhe pas 1990 ka ndodhur ky fenomen. Po përmend vitin e mbrapshtë 1997, kur njerëz krejt anonimë dhe të panjohur rrëmbyen armët, kushedi se për çfarë mllefi të jetës së tyre iu drejtuan qiellit me breshëri dhe në jo pak raste edhe njerëzve. Rezultati tashmë dihet; janë afro 4000 njerëz të vrarë, për të cilët askush nuk mbajti përgjegjësi.

Preç Zogaj, në një nga librat e tij ku analizon ngjarjet e këtij viti tregon për rastin e një komshiu të tij, i cili deri në atë moment e përshëndeste me përunjësi dhe gati me servilizëm. Sapo mori një armë në duar, jo vetëm që nuk e përshëndeste më, por u bë krejt ‘kokoroç’ dhe gati i kanosej.

Natyrisht ky fenomen nuk është shqiptar. Një bashkëpunim masiv i pothuaj krejt shoqërisë gjermane me të keqen, u duk në rastin e nazizmit. Dhe në këtë bashkëpunim, kjo kategori, ka qënë më e veçanta. Këmishëzinjtë e rrugëve përbëheshin pikërisht nga këta. Vetë Hitleri është shprehur shprehur se në retorikën e fjalimeve të tij duhej të ulte gjithnjë e më shumë nivelin, për t’ju drejtuar dhe për të bërë për vete kategorinë e huliganëve të shoqërisë.

Dihet tashmë se deri në vitin 1965 në Gjermani lidhur me nazizmin pati një heshtje të plotë. Këtë heshtje e theu një prokuror i ri i cili organizoi një gjyq në vitin 1965 mbi krimet e kryera në kampin e Auschwitz-Birkenaut. Ajo çka është tipar kryesor i këtij gjyqi, është fakti se në akuzë u vu jo më elita naziste, por kjo kategori anonime, e cila nuk kishte ngurruar të kryente krime të përbindshme në këtë kamp. Kështu, një mekanik, një pastiçier, një mësues fiskulture, sapo ndryshuan rrethanat, pra sapo erdhi në fuqi nazizmi nuk ngurruan të rekrutoheshin menjëherë dhe të vrisnin dhe fëmijën në krah të nënës. Dhe sapo rrethanat ndryshuan, pra sapo nazizmi ra, ata u kthyen në profesionet e tyre, pa asnjë vrarje ndergjegjeje për çfarë kishin kryer.

Image result for hannah arendt

Hannah Arendt

Këtë fenomen e ka analizuar Hannah Arendt, filozofja më me influencë në shekullin e 20-të. Bashkëpunimin e kësaj kategorie me diktaturën e çdo lloji ajo e ka përcaktuar me termin ‘banalitet i së keqes’, termi ndoshta më intelektual dhe dominant i shekullit të njëzetë.

Ky perceptim është shumë i dukshëm në shkrimet e saj mbi gjyqin e nazistit famëkeq Adolf Eichmann në vitin 1960 në Izrael. Ky nazist ishte në krye të operacionit përfundimtar të zhdukjes së hebrejve. Ajo e ndoqi këtë gjyq si reportere duke vënë në dukje se një pjesë e akuzave për të cilin ai u dënua, ishin akuza për të gjithë shoqërinë dhe jo vetëm për të. Sipas saj, ai zbatoi ligjet që kishte vënë gjithë shoqëria me tepër entuziazëm. Kur një nga miqtë e saj, i tha se njeriu është në gjëndje të dallojë se nuk duhet të vrasë, dhe vetëm një i ҫmendur nuk e bën këtë dallim, ajo u përgjigj: “Sipas këtij arsyetimi e tërë Europa u ҫmend brënda një nate, duke përfshirë së pari miqtë tanë, të cilët sapo morën sinjalin se duhet të na braktisnin e bënë këtë menjëherë”. Deri atëherë morali i shoqërisë ishte: ‘mos vrisni’, pas kësaj morali i shoqërisë u shndërrua në: ‘vrisni’. Shkrimet e saj mbi këtë gjyq shkaktuan shumë polemika. Ajo u kërcënua dhe nga vetë hebrenjtë dhe shumë miq iu distancuan.

Me konceptin “banalitet i së keqes” Arendt kishte parasysh pikërisht njeriun e rëndomtë, i cili kishte dorëzuar dhe hequr dorë nga gjëja e vetme dhe e fundit që e dallon thelbin e një qënie humane, që është pikërisht të menduarit më vete. Ajo tregoi se e keqja demoniake është kryer nga “askushi, pa ndonjë motiv e pa ndonjë qëllim”. Ata nuk janë përbindsha ngulmonte Arendt, por ‘askushër’’, të cilët shoqëria nuk duhet t’i lejojë të jenë në krye dhe duhet t’u heqë prizën në kohë.

Kthehemi prapë tek realiteti shqiptar. Është diçka mjerane dhe e dëmshme për prosperitetin e vendit që në krye të punëve të jenë njerëz me precedentë penalë apo ‘askushër’ të tjerë.

Shoqëria ekziston dhe vepron në mënyrë të strukturuar, dhe të shtresëzuar, dhe në këtë strukturim jane elitat ato që e drejtojnë dhe e orientojnë shoqërinë në ecjen përpara. Në këtë moment shoqëria shqiptare ka nevojë ugjente që të krijojë elitën e saj reale në shkencë, kulturë, art, letërsi, etj, dhe ka po kaq nevojë që ta mbrojë atë pikërisht nga ‘banaliteti i së keqes’.

Please follow and like us: