Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Fedhon Meksi: BUSHATLLINJTË E SHKODRËS (3)

Dr. Fedhon Meksi

 

 

KREU I PARË

PASHALLËKU I SHKODRËS NËN SUNDIMIN E BUSHATLLINJVE

  1. DINASTIA BUSHATI

“Shkodra e Bushatllijëve kishte një dinasti e cila thuhej se ishte para turke, princënore, e ardhun nga trashëgimtarë të kthyer në islamizëm dhe që gjithmonë kishte juridiksionin legjitim të qytetit Shkodër dhe rrethinave, autoritet i padiskutueshëm së paku moral e shpirtnor. Origjina fisnike e Bushatllijëve, pasuria e përhershme, përgatitja ushtarake dhe kulturore, i bante t’aftë për të qenë sundimtarë me tolerancë të madhe karshi të gjitha besimeve dhe të gjitha shtresave të popullsisë. Ata mendonin për zhvillimin sa më të madh të tregtisë, të komunikacionit e të ndërtesave të kultit. Njerëzit më të shquar të kësaj dinastie lindën, jetuan e vdiqën në kohën e mbretnive më të mëdhaja t’Europës, para Revolucionit Francez, kur idetë e pavarësisë së popujve ende nuk ishin zhvillue. E po në atë epokë, në të cilën marrëdhëniet politike me jashtë ishin tepër të vështira, Bushatllijtë u përpoqën për vendosjen e këtyre marrëdhënieve dhe për pavarësinë e vet. Ata qenë të parakohshëm si për vendin e vet ashtu edhe për vendet e tjerë.1

Në studimin Kara Mahmud Pasha, studiuesi shkodran Hamdi Bushati jep edhe pemën gjenealogjike të Bushatllijëve që fillon me Mehmet Pashën dhe vazhdon me Ymer Beun, Sulejman Pashën, Abdulla Pashën dhe Mehmet Pashë plakun, i ati i Mustafait, Mahmudit, Ahmetit dhe Ibrahimit, që të katërt me gradën Pasha. 2

Historiani turk Ahmet Xhevdet Pasha (1822-1895), në faqen 95, vol. IV, ka shkruar se “Shtëpia e Bushatllijëve, që në kohëra të vjetra ka sunduar Shkodrën dhe më vonë kur venedikasit e pushtuan këtë vend, i nderuan dhe i dhanë disa privilegje”. Por, edhe kjo dëshmi e historianit turk nuk na sqaron për gjendjen sociale të familjes përpara se të parët e tyre të kthehen në myslimanë. Kur Sulltan Fahti Mehmeti (1432-1481) ose pushtuesi, që pushtoi Kostandinopojën duke sjellë fundin e Perandorisë Bizantine, “…mbasi pushtoi Shkodrën thirri parinë e qytetit në mes të të cilëve ishin edhe prej Shtëpisë së Bushatllijëve, të cilët Sulltani i nderoi tue u lanë gjithnjë në dorë sundimin e qytetit me qenë se kjo shtëpi kishte pranuar besimin mysliman. Ç‘në atë kohë, brez pas brezi deri vonë, zgjati sundimi I Bushatllijëve mbi shumë qytete të Shqipnisë”.3

Sipas Elena Gjikës (Dora d’Istria), “Bushatllijtë qenë një dinasti sovranësh kombëtarë, vasalë të sulltanit, por jo shtetas të bindur të tij”.4

Kurse sipas Vaso Pashës: “Katolikët e Shkodrës, qytetarë e malsorë, shkojshin një jetë jo të keqe, prandaj kishin interesë të mbrojshin me armë postin e vezirit Bushatlli edhe pse të huajt nuk gjejshin rast të ndërhyjshin e të intrigojshin me anën e katolikëve”. 5

Tajar Zavalani ka shkruar: “Në Shqipërinë e Veriut u krijua një dinasti sundimtarësh vendas, të cilët qeverisën gati një shekull ato krahina tue qenë gati krejt të pamvarun nga pushteti i Sulltanit”. 6

Për S. Naçin: “Pashallëku i Shkodrës u bë bërthama e shtetit të ardhshëm shqiptar”. 7

 

 

  1. MEHMET PASHË BUSHATI (? – 1775)

Sanxhaku i Shkodrës, një nga njësitë administrative osmane më të  mëdha në Ballkan, përbëhej nga pesë kaza që përfshinin vise shqiptare dhe një kaza tjetër që shtrihej në territoret e Malit të Zi. Që në fillim të shek. XVIII Sanxhaku i Shkodrës filloi të ecë në një rrugë administrimi të pavarur nga qendra. Por edhe bejlerët e Lezhës, Podgoricës dhe Ulqinit aty pranë, gjithnjë e më tepër po i shkëputnin lidhjet me valiun turk të Shkodrës dhe po hynin në rrugën e krijimit të pashallëqeve të tyre. Veçse, në këtë periudhë filluan të shfaqen mosmarrëveshje midis bejlerëve vendës edhe në vetë kazanë e Shkodrës. Konflikti në mes familjeve të mëdha, Çaushollajve dhe Begollajve, tërhoqi pas vetes jo vetëm kooperativat esnafore të qytetit, por edhe fiset malësore përqark Shkodrës, duke u shndërruar kështu në një konflikt të hapur civil. Ky konflikt, i cili mendohet të ketë filluar aty nga vitet ‘30 të shek. XVIII, shkaktoi një amulli të vërtetë në qytetin e Shkodrës. Anarkia në të cilën ra Shkodra si dhe pamundësia e pushtetit qendror osman për të rivendosur qetësinë në qytet, ishte një rast i mirë i familjes Bushati për të rivendosur kontrollin e saj të plotë.

Kreu i familjes Bushati në ato kohë, Mehmet bej Bushati (?-1775), fillimisht u përpoq për të fituar mbështetjen e shtresës së pronarëve të mëdhenj të tokave dhe më pas u zgjodh kryetar i njërit prej esnafeve më të fuqishme të qytetit, esnafit të lëkurëve. Duke shfrytëzuar edhe këto poste, ai arriti t’i japë fund amullisë që mbizotëronte prej kohësh në Shkodër, veçanërisht gjatë konflikteve të familjeve Çaushollaj dhe Begollaj.

Mehmet bej Bushati, tashmë i përkrahur nga dy tarafet esnafore dhe nga malësorët rreth Shkodrës, ishte sundimtar i vërtetë i vendit (1757). Në këto kushte, Porta e Lartë e njohu atë si mytesarif të sanxhakut, duke i dhënë edhe titullin pashë. Nga kjo kohë e deri në vitin 1831 familja Bushati mbajti pa ndërprerje këtë pushtet duke e trashëguar brez pas brezi.

“Mehmet pashë Bushati kishte ide të avancuara për kohën. Ai vuri në jetë ato parime mbi të cilat vite më vonë u mbështet Revolucioni Francez, veçse pa dhunë e terror e shumë sakrifica. Kur mori sundimin e Shkodrës në dorë, aty mbretëronte një anarki e plotë dhe varfëria kishte arritur kulmin. Mehmet Pashë plaku gjatë sundimit të vet e shndroi Shkodrën në një qytet tregtar të pasur dhe të zhvilluar”.8

Mehmet pashë Bushati ndoqi një politikë të brendshme që u përshtatej interesave kryesorë të vendit. Synimi i kësaj politike ishte që të vendoste rregullin e qetësinë e dëshiruar si nga fshatarësia, ashtu edhe nga qytetarët e dëmtuar rëndë gjatë periudhës së anarkisë. Mehmet pashë Bushati i kushtoi vëmendje mbështetjes së pushtetit për të gjithë të krishterët dhe nuk pengoi në asnjë rast veprimtarinë e klerit katolik. Ai mbronte tregtarët e krishterë, bashkëpunonte me ta dhe shtoi pjesëmarrjen e malësorëve katolikë në ushtrinë e tij me pagesë. Mehmet Pasha u njohu privilegje dhe vetëqeverisje krahinave malore dhe mori në shërbim ushtarë të shumtë malësorë. Për qeverisjen e sanxhakut ai zgjodhi njerëz të ditur, me përvojë dhe veçanërisht me emër të mirë në qytet e kudo. Frytet e një politike të tillë të brendshme që vendosi rregullin e qetësinë, u panë qysh në dhjetë vitet e para të sundimit të Mehmet Pashës, sidomos në fushën e prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave. E vendosur në brigjet e një liqeni të madh që lidhej me detin nëpërmjet lumit të lundrueshëm të Bunës, e rrethuar me fusha pjellore që ishin të përshkuara nga rrugë të shumta tregtare, Shkodra u rrit njëherësh si  qendër e rëndësishme administrative, por, para së gjithash, si qendër zejtare e tregtare, me rreth 30-35 mijë banorë.

Duke pasur portin e Ulqinit pranë, që kishte një flotë tregtare prej afro 250 anijesh, që ndërtoheshin dhe meremetoheshin në kantieret e qytetit-port, u lidhën marrëdhënie tregtare me Venedikun, Ankonën dhe Triesten. Tregtarët shkodranë, duke qenë pjesëtarë në investimet e flotës ulqinake, patën te kjo flotë një mjet të rëndësishëm për tregtinë e mallrave. Ata, si shumë tregtarë të tjerë shqiptarë, e lidhën veprimtarinë e tyre qysh në fillim të shek. XVIII, jo vetëm me skelat veriore të vendit, por edhe me skelën me rëndësi ndërballkanike të Durrësit, ku ishin vendosur konsujt e Venedikut, Raguzës, Francës, Britanisë së Madhe, Austrisë dhe Holandës.

Hov më të madh tregtia shkodrane mori sidomos në dhjetë vitet e para të sundimit të Mehmet pashë Bushatit. Krahas zhdukjes së piraterisë dhe vendosjes së marrëdhënieve normale me venedikasit, rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të Shkodrës luajti rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral në treg. Ndërkohë çifligarët filluan të mbillnin ato kultura që kërkonte më shumë tregu.

Një nga këta çifligarë ishte vetë Mehmet Pasha, i cili mbolli sipërfaqe të mëdha me oriz dhe pambuk dhe u bë pjesëtar në tregti dhe në lundrim duke investuar këtu shuma të konsiderueshme. Në këtë periudhë tregtia  shkodrane u gjallërua edhe për shkak se ajo filloi të përdorë gjerësisht kreditin. Në këtë mënyrë, pjesa më e madhe e tregtisë shqiptare ishte në duart e tregtarëve shkodranë.

Ndërkohë, kapitali tregtar shkodran ishte bërë ndërlidhësi kryesor i krahinave të ndryshme të Gegërisë me Shkodrën. Lidhjet ekonomike të krijuara qysh nga gjysma e parë e shek. XVIII u përforcuan edhe më tepër gjatë kohës së sundimit të Mehmet pashë Bushatit dhe morën trajtën e një tregu të madh ndërkrahinor. Ky treg ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara drejt formimit të tregut të brendshëm kombëtar. “Gjatë sundimit të tij u realizuan vepra të mëdha publike monumentale si ura prej guri mbi lumin Drin, Ura e Mesit mbi lumin Kir, Xhamia e Plumbit, Medreseja në Qafë, Kisha e Fretërve përtej Bunës e sa e sa vepra të tjera më të vogla”.9

Image result for Ura e Vezirit mbi Drinin e bashkuar

 

Ura e Vezirit mbi Drinin e bashkuar

 

Pasi mori pjesë në luftën kundër Malit të Zi, Mehmet Pasha dërgoi nën komandën e djalit të madh, Mustafa Beut, një repart luftëtarësh në frontin rus në vitin 1769, ndërsa një repart tjetër, nën komandën e djalit të dytë, Mahmud Beut, mori pjesë në shtypjen e një kryengritjeje në More më 1770. Në këtë mënyrë Mehmet Pasha mundi të fitonte besimin e Vezirit të Madh osman, i cili i dha Mehmet Pashës edhe qeverisjen e sanxhakut të Dukagjinit. Duke marrë zemër, Mehmet Pasha u vërsul kundër krerëve kundërshtarë të Lezhës, të cilët i vari dhe mori në zotërim Zadrimën e begatë. Në të njëjtën kohë ai ndërhyri në Tiranë, duke bërë hapin e parë drejt vendosjes së pushtetit të vet edhe mbi këtë krahinë, që bënte pjesë në tregun ndërkrahinor të Shkodrës.

Në vitin 1771 Mehmet Pasha bëri hapin tjetër, që do të shpinte në formimin e Pashallëkut të madh të Shkodrës. Porta e Lartë nxori dekretin për emërimin e tij si vezir dhe për djalin e tij, Mahmud Beun (1749-1796), të cilit do t’i jepej sanxhaku i Shkodrës. Kurse Mustafait, djalit të madh, iu dha sanxhaku i Elbasanit. Grada e vezirit për Mehmet Pashën u shoqërua edhe me shtrirjen e kontrollit në sanxhakun e Ohrit. Në këtë mënyrë, qysh nga viti 1771 u krijua një formacion politik i bashkuar në duart e një pashai të fuqishëm shqiptar, Pashallëku i madh i Shkodrës, që përbëhej nga sanxhakët e Shkodrës, Dukagjinit, Elbasanit dhe Ohrit. Duke vazhduar në këtë drejtim, Mehmet Pasha bëri për vete Alltunët nga Kavaja dhe u detyrua që të pajtohej edhe me Toptanët e Krujës.

Rrugët tregtare u hapën edhe më tej, atëherë kur zona e skelës dhe e qytetit të Durrësit u përfshi nën ndikimin e pashait të Shkodrës.

Image result for Ura e Mesit mbi lumin Kir

Ura e Mesit mbi lumin Kir

Pas këtyre “peshqesheve” do ta kishin radhën kërkesat. Dhe ato nuk  vonuan që të vinin. Porta e Lartë kërkoi nga veziri i sapoemëruar të dërgonte në frontin turko-rus një “…flotë detare dhe një ushtri tokësore”. Por veziri shkodran përgatiti vetëm një të tretën e kërkesave të sulltanit dhe, për më tepër, të pajisura me armatime të pamjaftueshme. Ai gjithashtu vonoi nisjen e trupave për në front, të cilat arritën në shtator të vitit 1772, kur midis palëve tashmë ishte vendosur armëpushimi. Meqenëse veziri shkodran, që po bëhej mjaft i fuqishëm dhe i rrezikshëm, shkeli edhe urdhrat perandorakë, Porta e Lartë zgjodhi riaktivizimin e armiqësive të tij të vjetra me oxhaqet më të fuqishme kundërshtare si mjetin më të sigurt për të neutralizuar Mehmet pashë Bushatin.

Prandaj Porta e Lartë, jo vetëm nuk i dha vezirit të Shkodrës sipërmarrjen e pronave të Sulltanit në Myzeqe, edhe pse ai dha ofertën më të madhe, po i hoqi edhe sipërmarrjen e Maliqenesë së Durrësit (Maliqane ose mukatanë – feud që i ofrohej një personi të vetëm për të vjelë taksat gjatë gjithë jetës së tij), të cilën ia dha vezirit të Beratit. Me këtë veprim qeveria e Stambollit ndezi konfliktin midis dy vezirëve më të fuqishëm të Shqipërisë dhe tërthorazi konfliktin e vet me oxhakun e Bushatllijëve. Më 14 korrik 1775 vdiq veziri plak i Shkodrës, sipas Ippen, konsulli i përgjithshëm i Austrisë, i helmuar ose ndoshta i therur nga roja e tij i urdhëruar nga Stambolli.10

Porta e Lartë emëroi menjëherë në vendin e tij një besnik të saj, vezirin Mehmet pashë Kystendili. Ky vendim nuk përputhej me interesat e Bushatllijëve dhe të ajanëve (paria), aleatë të tyre. Nuk pajtohej edhe me interesat e tregtarëve shkodranë, të lundërtarëve ulqinakë dhe tregtarëve të tjerë të veriut të Shqipërisë, që do të humbisnin monopolin e tregtisë në Shqipërinë e Veriut. Për më tepër, emërimi i një veziri të huaj si vezir në Shkodër ngjalli reagimin e gjithë popullsisë lokale. “Por Mustafa Pasha, djali i parë i Mehmetit, që synonte të zinte vendin e t’atit, nuk ia lëshoi postin vezirit që kishte dërguar Sulltani në Shkodër, por as nuk gjeti ndonjë mënyrë për ta larguar dhe kështu ndenjën të dy bashkë në kala. Ndërkaq, pashai i Beratit kishte blerë nga sulltani të gjitha limanet e bregut shqiptar. I shtyrë edhe nga tregtarët shkodranë, pa e zgjatur, Mustafa pashë Bushati me ajanët shkodranë dhe miqtë e tyre të grumbulluar në Shkodër, në kundërshtim me pushtetin qendror, vendosën të ndalonin me luftë hyrjen e trupave të Ahmet Kurt Pashës në Durrës. Ata zgjodhën Mustafa pashë Bushatin për komandant të ushtrisë shkodrane. Kjo ushtri prej 14,000 vetash u ndesh në afërsi të Peqinit me forcat e Ahmet Kurt Pashës më 12 shtator 1775, por u thye keqas dhe vetë Mustafa Pasha iku me nxitim për të shpëtuar jetën e vet.11

Në këto kushte, Porta e Lartë vendosi t’i shfaroste Bushatllijtë, tashmë jo aq të fuqishëm, dhe përkrahësit e tyre. “Stambolli, duke pasur frikë se mos ngrinte kryet edhe Mustafa pashë Bushati si i ati, i çoi si dhuratë dy robina të cilat i dhanë helmin. Ishte viti 1779. 12

Ndërkohë Stambolli organizoi dy ekspedita ndëshkimore. Ndërsa ekspedita e parë pësoi disfatë, e dyta nuk u realizua gjer në fund, sepse paria shkodrane u mbeti besnike Bushatllijëve. Porta e Lartë, që sapo kishte shpallur luftë me Persinë, pranoi t’i falte rebelët shkodranë që ishin ende gjallë, veçse duke e kufizuar pushtetin e tyre vetëm në Sanxhakun e Shkodrës, i cili u gjymtua rëndë, por vetëm përkohësisht. Pak kohë më pas, detyra si i pari i Shkodrës do t’i jepej Mahmud pashë Bushatit. Me këtë hap Sulltani iu shmang shpërthimit të një kryengritjeje të mundshme në këtë rajon të Ballkanit. Ndërkaq mbetën për t’u zgjidhur problemet ekonomike e shoqërore, që kërkonin një pushtet vendor të fortë e të përqendruar.

 

  1. At Zef Pllumi: Histori kurrë e shkrueme, 55, Tiranë, 2006, f.12.
  2. Bushati, H.:Kara Mahmud Pasha, Dituria, Shkodër, 2003, f. 377-386.
  3. Bushati, Hamdi: Kara Mahmud Pasha, Dituria, nr. 12, Shkodër, 2003, f, 378.
  4. Elena Gjika: Gli Albanesi, musulmami, Scutari e i Bushatli.
  5. Vaso Pasha: E vërteta mbi Shqypninë e shqyptarët, 1879, f. 75.
  6. Historia e Shqipnisë, II, 1998, f. 162.
  7. Naçi, S.: Pashallëku i Shkodrës…, Tiranë, 1986, f. 196.
  8. At Zef Pllumi: Histori kurrë e shkrueme, 55, Tiranë, 2006, f.106.
  9. At Zef Pllumi, po aty, f. 107.
  10. Ippen, Th.: Albania II, 1927, f. 58; cituar nga Bushati, H.: Kara Mahmud Pasha, Dituria, 12, Shkodër, 2003, f. 373.
  11. At Zef Pllumi: po aty, f. 57.
  12. Bushati, H.: po aty, f. 379.

 

Please follow and like us: