Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Fedhon Meksi: Bushatllinjtë e Shkodrës (4)

Dr. Fedhon Meksi

 

 

KREU I DYTË

 

MAHMUD PASHË BUSHATI (1749-1796)

 

 

Falë librit të At Zef Pllumit, që titullohet Histori kurrë e shkrueme (Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2006), është mundësuar që biografia e Mahmud pashë Bushatit të nisë qysh nga fëmijëria e tij. Atë e ka shkruar Frati Erazmi nga Bolneo, françeskan, Misionar Apostolik në Shqipëri, i cili qe mësuesi dhe mjeku i Mahmud Bushatit.

“Kur isha fare i ri, dëshmon At Zef Pllumi, m’u dha mundësia e rrallë të punoj n’arkivin françeskan, i cili përfshinte një dokumentacion shumë të pasur për historinë e popullit shqiptar tue fillue që nga vjeti 1415…, ku gjeta një regjistër të vogël, të lidhun me lëkurë të butë, ngjyrë kafe të errët, me letër të ashpër. E hapa dhe në faqen e parë kishte të shkrueme në frontespic (ballinë) emërin e autorit: unë Erazmi nga Balneo”.

Në atë regjistër ishte shkruar se mbasi mbaroi studimet e larta në filozofi dhe teologji, Erazmi shkoi në Romë, në kuvendin e Araçelit, ku përgatiteshin misionarët françeskanë që do të shkonin në Shqipëri. Si lëndë mësimi kishin vetëm dy materie: gjuhën shqipe dhe mjekësinë.

Në Shkodër e angazhuan për të shërbyer pranë familjes së Mehmet pashë Bushatit kur djali i tij i dytë, Mahmudi, ishte vetëm dy-tre vjeç.

Studiuesi Stavri Naçi mbron mendimin se Mahmudi ka lindur rreth viteve 1749-1754. (Naçi, S.: Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bushatllinjëve në gjysmën e dytë të shek. XVIII, f. 126.)

Frat Erazmi kujdesej për shëndetin e djalit dhe më pas për arsimimin e tij, deri sa ka shkruar se: “Mahmudin e kam rrit unë vet”. Me Erazmin, Mahmudi i ri mësoi shumë mirë edhe gjuhën italiane. Më vonë, kur    e pyesnin se ç’i duhen Mahmud Begut gjuhët e dhenave të latinit, ai përgjigjej: “Ky sanxhak është në kufi me ta dhe jeta sjell marrëdhënie herë të mira, herë të këqia, por njohja e gjuhëve sjell vetëm të mira”1 (At Zef Pllumi, po aty, f. 86.).

Image result for mahmut pashe bushati

 

Mahmud pashë Bushati

 

Mahmudi ishte vetëm 16-17 vjeç kur Kapudan Pasha, duket një njeri i rëndësishëm në qytetin e Shkodrës dhe i lidhur me Portën e Lartë, e pyet Erazmin: “Efendi, cili të duket më i aftë ndër bijtë e Vezir Mehmetit dhe i denjë me sundu vilajetin? Thuaje pa frikë mendimin tënd”.

Erazmi i përgjigjet: “Sipas mendimit tem vetëm Mahmud beu i ka përgja babës së vet më tepër se të tjerët, si në dije e urti ashtu edhe në trimni”.

“Sipas përfytyrimeve që përcillen brez pas brezi tek familjet shkodrane, Mahmud Bushati qe një burrë i bëshëm, i hijshëm e impozant. Kishte trup të lartë e të fuqishëm, krahë muskulozë dhe një gjoks aq të gjerë e leshatak sa dy vezë mund të fshiheshin aty. Shikimi i tij ishte aq depërtues sa bashkëfolësi i rastit e ndiente veten keq në një ballafaqim me të. Mendohet se ka qenë murib i një tarikati bektashi.

Për sa i përket veshjes, Mahmudi nuk u vesh kurrë me rroba turke. Ai preferonte veshjen kombëtare të kombinuar me elementë të veçantë në përputhje me pozitën zyrtare që mbante”. (Bushati, Hamdi: Bushatllinjtë, Idromeno, Shkodër, 2003, f. 94).

Ai iku nga Shkodra për një krim të kryer që në rini. Duket se ai ka vrarë një nga shërbyesit e pallatit, të cilin e kapi duke vjedhur.

Në Stamboll, i ndihmuar nga organet shtetërore, u regjistrua në Shkollën Mbretërore, nga e cila dilnin oficerë të lartë. Rezultatat e larta të arritura në shkollë dhe aftësitë që shfaqi aty e shtynë Portën e Lartë së bashku me parinë e Shkodrës që të ndërmjetësonin pranë atit të tij, Mehmet Pashë Plakut, për falje.

“Gjatë një vizite në qytetin venecian të Raguzës (Dubrovniku), i shoqëruar nga Erazmi që kryente edhe detyrën e sekretarit privat për vendet perëndimore, Duka i qytetit i tha fratit: Kur erdhi herën e parë në këtë qytet ai djalë, të gjitha femrat e Raguzës u çmendën mbas tij, e jam i sigurt se për shumë kohë e kanë pa n’andër në shtratin e tyre”. (At Zef Pllumi, po aty, f. 91.)

 

  1. Lufta për Durrësin

 

Në periudhën 1775-1778, derisa mungonte emërimi zyrtar, Mahmud pashë Bushati ndoqi politikën e bindjes e të nënshtrimit ndaj Stambollit, si e vetmja rrugë për të siguruar dhe grumbulluar forca për realizimin e planeve të së ardhmes.

Tkurrja që pësoi Sanxhaku i Shkodrës nën vëllanë e tij të madh ishte një nga problemet më shqetësuese për Bushatin e ri. Me emërimin e tij zyrtar më 1778 si mytesarif i Shkodrës, pasi mori miratimin e parisë së Shkodrës dhe pasi pagoi një shumë të madhe të hollash në Stamboll, Mahmudi do t’i kushtohej asaj politike që patën ndjekur paraardhësit e tij: sigurimit të qetësisë dhe përforcimit të masave që sillnin zhvillimin ekonomik dhe tregtinë brenda vendit dhe veçanërisht me vendet fqinje. Problemi tjetër që duhet të zgjidhte ishte edhe rifitimi i të drejtave mbi maliqanenë e Durrësit, që ishte sipërmarrje e Kurt pashë Beratit qysh nga viti 1775, pas fitores kundër Mustafa Bushatit.

 

Marrja e Durrësit do të shënojë rifillimin e konfliktit mes dy feudalëve të mëdhenj shqiptarë, Mahmud pashë Shkodrani dhe Kurt pashë Berati. Veçse pas këtij konflikti qëndronte Porta e Lartë, e cila ndiqte politikën e përçarjes midis feudalëve shqiptarë, duke përkrahur herë njërën palë dhe herë tjetrën. Zakonisht ajo i kundërvihej më të fuqishmit, në mënyrë që të krijonte ekuilibër për ruajtjen e status-quo-së.

Kështu, pas një qetësie vetëm në dukje, më 1778 rifilloi sherri për Durrësin. Preteksti ishte arrestimi i disa tregtarëve shkodranë dhe konfiskimi i mallit të tyre nga njerëzit pranë pashës së Beratit.  Me këtë rast, Mahmud Pasha ndërmori një ekspeditë për të mbrojtur aleatët e tij në Durrës dhe Tiranë, që në të vërtetë ishin njerëzit e tij të afërt familjarë. Konsekuent në politikën e tij të ruajtjes së ekuilibrit, Stambolli i qetësoi gjakrat. Ndërkohë Mahmud Pasha, me ndihmën e qytetarëve të Shkodrës dhe malësorëve, mposhti kryengritjen që kishin organizuar feudalët rivalë të pashait shkodran në Kosovë.

Pas këtyre rrebesheve, Mahmud Pasha vendosi që me një politikë të urtë të vazhdonte fuqizimin e pushtetit të tij nga ana ekonomike, politike e administrative, duke u mbështetur në po ato shtresa shoqërore ku ishte mbështetur edhe i ati.

Veprimtaria e tregtarëve të Shqipërisë së Mesme nuk mund të zëvendësonte atë të tregtarëve shkodranë e ulqinakë, si edhe rolin e fuqishëm të kapitalit tregtar shkodran në jetën ekonomike të skelës së Durrësit dhe krahinave përreth. Prandaj Porta e Lartë nuk ngurroi të largonte beratasin nga Durrësi, duke e zëvendësuar me Mahmud pashë Bushatin (1781). Kurse, për të siguruar mbrojtjen e rrugës tregtare midis Shkodrës dhe Prizrenit, Porta e Lartë vendosi gjithashtu që Mahmud Bushatit të ri t’i jepej edhe qeverisja e sanxhakut të Dukagjinit.

Jeta ekonomike u gjallërua shumë shpejt. Mahmud Pasha e zgjeroi pjesëmarrjen e tij direkte në tregti e në lundrim dhe shtiu në dorë sipërmarrje të shumta, ndër të cilat edhe atë të serës së Selenicës në Vlorë. Ashtu si i ati, ai përkrahu tregtarët vendës kundër atyre venedikas, të cilët humbën përsëri tregtinë e vajit, të drithërave dhe të ziftit që kishin vënë në dorë gjatë viteve 1775-1780.

Në këtë mënyrë Shkodra u bë qyteti më i madh dhe më i begatë       i vendit, qendër e tregtisë tranzite ndërmjet Rumelisë dhe shteteve italiane, Republikës së Raguzës dhe Europës Perëndimore.

Më 1784 vëllai i vogël i Mahmudit, Ahmet Beu, u gradua pashë  dhe do të qeveriste sanxhakun e Ohrit, kurse kunati i vet, Sulejman pashë Vërlaci, do të qeveriste sanxhakun e Elbasanit. Në këtë mënyrë u ripërtëri Pashallëku i Shkodrës si në kohën e Mehmet Pashë Plakut, duke lidhur edhe një herë fuqizimin politik me zhvillimin ekonomik të pashallëkut.

Ndërkaq, Mahmut Pasha projektoi një shtet tjetër të lirë, të pavarur dhe të bashkuar. Ai mendoi që krahinat e lira të Malit të Zi, bashkë me disa të tjera të Bosnjës kufitare, si edhe tokat e Venedikut deri në kufi me Raguzën, të bashkohen me sanxhakun e Shkodrës. Për realizimin e këtij plani ai thirri 500 krerë nga këto krahina e male për një mbledhje të rëndësishme në Podgoricë, ku shpalosi projektin e tij për krijimin e Federatës Ilirike.

Ky shtet i lirë dhe i drejtuar prej tij do të përfshinte banorët myslimanë, katolikë e ortodoksë, të cilët do të ruanin kombësinë, fenë dhe gjuhën e tyre. Natyrisht që do të paraqiteshin edhe vështirësi, të cilat ai ishte i gatshëm t’i sheshonte me të mirë apo me të keq.

Mahmud Pasha u përpoq gjithashtu të gjente përkrahje nga armiqtë e Stambollit, prandaj dërgoi për marrëveshje shkodranin Jak Suma në Vjenë dhe në Petërsburg.

Ndërkohë Porta e Lartë kishte hartuar plane të reja dhe po përgatitej për luftë. Dy momente kulmore të kësaj lufte do të ishin viti 1787 e viti 1793, kur Mahmud pashë Bushati shpartalloi njëra pas tjetrës dy ekspedita të mëdha ndëshkimore osmane.

 

  1. Rrethimi i Parë i Shkodrës (1787)

 

Qysh nga viti 1782, Mahmud Pasha filloi të vepronte me vullnetin e vet, duke mos përfillur fermanët e Portës së Lartë. Në vitin 1785 largoi komandantin turk të kështjellës së Shpuzës dhe po atë vit nënshtroi Malin e Zi. Fill më pas ai u nis në drejtim të Elbasanit dhe Beratit, mbasi Pashai i Beratit kishte bërë për vete Pashain e Elbasanit, i cili u kishte mbyllur limanet ulqinakëve. Po atë vit, Mahmud Pasha dhe i vëllai i tij Ahmet Pasha nënshtruan sundimtarin e Elbasanit dhe shpartalluan më në fund ushtrinë e Kurt Pashës së Beratit.

Image result for kalaja e shkodres

Kalaja e Shkodrës

 

Këto fushata ngritën lart autoritetin e Bushatllijëve, veçse shkaktuan zemërimin e Portës së Lartë dhe të Senatit të Venedikut, por, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen e Austro–Hungarisë që filloi ta inkurajonte Bushatin për të kryer veprime më të ashpra kundër varësisë ndaj Stambollit.

Në këto kushte, Sulltani i shpalli të dy vëllezërit Bushati si kryengritës dhe në vjeshtën e vitit 1785 filloi përgatitjet për një ekspeditë të madhe ndëshkimore kundër Shkodrës, e cila dështoi pa filluar për shkak se Perandoria Osmane ishte në prag të luftës me Rusinë dhe Austrinë.

Këtë situatë e shfrytëzoi Mahmud Pasha që shpalosi zyrtarisht flamurin e kryengritjes kundër osmanëve. Ishte prilli i vitit 1786. Ndërkohë, Mahmud Pasha kishte krijuar një ushtri të rregullt, e cila dy-trefishohej me luftëtarët e ajanëve aleatë dhe me ata që vinin nga malësitë. Forcat e ushtrisë kryengritëse gjetën shumë shpejt përkrahje në të gjithë Kosovën. Më tej kryengritja u shtri edhe në Shqipërinë e Jugut. Ahmet Kurt Pasha i Beratit këtë radhë ndoqi shembullin e Bushatllijëve, u pajtua me ta dhe u ngrit edhe ai kundër Stambollit. Kështu forcat luftarake kryengritëse të dy feudalëve më të fuqishëm shqiptarë të kohës u shtrinë në të gjithë Shqipërinë, madje edhe në Maqedoni.

Nga muaji prill i vitit 1786 e gjer në mars të vitit 1787 kryengritja nuk ndeshi në ndonjë qëndresë serioze si nga forcat kundërshtare në Shqipëri, ashtu edhe nga forcat ushtarake të vezirëve të Rumelisë dhe të Bosnjës, që urdhëroheshin nga Porta e Lartë. Në këto kushte, Mahmud pashë Bushati, me anë të njerëzve të vet, mori në dorë qeverisjen e të gjitha viseve të pushtuara gjatë kohëve të fundit.

Trimëria dhe guximi i veçantë, si edhe fitoret kundër pashallarëve rivalë, bënë që pashai shkodran të mbiquhej Kara* Mahmud Pasha (Kara – këmbëngulës, kokëkrisur).

Mirëpo, kur Porta e Lartë u bind se shqiptarët ishin të vendosur për të vazhduar kryengritjen, mori masa për të përçarë forcat e tyre si edhe filloi përgatitjet për një ekspeditë të madhe kundër Shkodrës.

Sulltani e kishte të qartë se tentativat e pashallarëve shqiptarë për t’u bashkuar kundër Portës së Lartë nën udhëheqjen e Mahmud Pashës përbënin një kërcënim të madh për Stambollin, aq më tepër kur e informuan se pashai i Shkodrës kishte nisur bisedimet me Austrinë dhe me disa kombësi ballkanike.

Porta e Lartë e deklaroi fermanli Mahmud pashë  Bushatin,  me fjalë të tjera, e dënoi me vdekje për tradhti të lartë dhe në vendin e     tij emëroi Mehmet pashë Çaushollin. Për të ekzekutuar vendimin e dhënë, Stambolli nisi një ekspeditë ushtarake prej 20,000 vetash, nën komandën e tre vezirëve dhe të shumë pashallarëve.

Për të fuqizuar kryengritjen, nga ana tjetër, Kara Mahmudi mobilizoi shumë njerëz nga shtresat e gjera popullore, të cilëve u premtoi se do t’u falte taksat për 20 vjet. Ai shfrytëzoi edhe emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe e shpalli veten pasardhës të tij. Por pas disa fitoreve ushtarake në afërsitë e Prishtinës, Shkupit dhe në kufijtë e sanxhakut të Shkodrës, u arrit vetëm që të vonohet për disa muaj përparimi i fuqive të shumta ushtarake osmane drejt Shkodrës. Në muajin gusht u dorëzuan njëri pas tjetrit qytetet e Tivarit dhe Ulqinit.

Më në fund do ta kishte radhën edhe qyteti i Shkodrës.

“Atëherë Mahmudi me të vëllanë, Ibrahimin, thirën krerët e maleve dhe të fushave dhe zgjodhën djelmtë ma trima, rreth 300 vetë si edhe 50 kalorës shkodranë me kuajt e tyre dhe vendosën që bashkë me ta me u ndry në kala.

-Aty kam me dekë, u tha luftëtarëve të tij, por kurrë nuk do t’i  dorëzohem i gjallë armikut të popullit shqiptar. Sot nuk na mbetet tjetër veç o të dorëzohemi, o të desim si burrat. Çka thoni ju?…Unë për vedi kam zgjedh deken. Jeta në robni nuk vlen asgja. Po ashtu edhe ju të gjithë e keni gëzue këtë liri që në kohën e babës sim. Doni ta humbni a por ta mbroni?… Bani si të doni, por ju kallxoj se kalaja e Shkodrës për 300 ditë nuk dorëzohet. Ndigjoni, burra shqiptarë, shpërndanju e kthenju ndër shtëpitë tuaja, por për së largu kqyrnje çdo natë kalanë e Shkodrës. Në kjoftë se shifni një dritë, ta dini se un jam gjallë dhe i papërkulun. Në kjoftë se keni me pa shumë drita për tri net rresht, atëherë kërkoj ndihmën tuaj. Juve ju takon me e shpëtue kalanë e Shkodrës dhe lirinë tuaj. Asht punë për ju nëse më ndihmoni ose jo. Un ju dorzohem ju që jeni të mijët, por jo kurrë armiqve të mij dhe të lirisë suaj dhe të gjithë shqipëtarëve.

–           Çka do të bani ju?

–           Edhe na desim për liri!… përgjigjen malet nji zani.

–           Burra, rnoshi e kthenju ndër shpiat tuaja e thonju fëmijve tuej se kalaja Shkodrës asht kalaja e lirisë!”) At Zef Pllumi, po aty, f. 97).

Më 26 gusht 1787, pas vrasjes së vëllait të tij, Ahmet pashë Bushatit, në një pusi, Kara Mahmudi bashkë me 250-300 veta nga më besnikët u mbyll në kështjellën e Shkodrës.

Ndërsa Mahmudi ishte i rrethuar, otomanët, pas sulmeve që bënë, duke parë se nuk mund të merrej kështjella me forcë, nisën me plaçkitje dyqanesh, bastisje shtëpish, përdhunime dhe diskriminim fetar në Shkodër dhe fshatrat përreth. Këto barbarizma shkaktuan pakënaqësinë e qytetarëve dhe të fshatarëve dhe përgatitën një terren të favorshëm për realizimin e planit të Mahmud pashë Bushatit.

J. Hecquardi, i mbështetur në të dhënat popullore, ka shkruar: “Ndër pashallarët që kishin rrethuar kalanë ishte edhe Ali pashë Tepelena, i cili, duke mos dashur rënien e Mahmut Pashës në dorë të turqve, ishte marrë vesh me të fshehurazi dhe i dërgonte ushqime po fshehurazi, duke e njoftuar edhe për planet e Zeqir Pashës, komandanti i reparteve osmane rrethuese”. (Cituar nga Bushati, H., po aty, f.104)

Rrethimi i Rozafës zgjati 80 ditë, deri më datën 25 nëntor 1787 edhe pse artileria e osmanëve, që ishte vendosur në Tepe e në Tarabosh, bashkë me murtajën që ishte vendosur aty ku bashkohet Drini me Bunën, qëllonin mbi kështjellën disa herë në ditë.

Ndërsa jashtë kështjellës qytetarët e Shkodrës, fshatarët rreth saj, malësorët e Hotit, të Shalës, të Postribës etj., rreth 8000 veta gjithsej, në bashkëveprim me luftëtarët që ndodheshin brenda kështjellës, u vërsulën mbi rrethuesit dhe i shpartalluan plotësisht duke vrarë më shumë se 6000 prej tyre, përveç robërve të shumtë.

“Beteja më e madhe u bë në sheshin para Xhamisë së Kuqe që ndodhet në lagjen Perash. Ajo xhami quhet e kuqe edhe sot, në kuptimin e gjakut që u derdh aty. Ndër të vrarët ishte edhe Mehmet pashë Çausholli”. (Bushati, H, po aty, f. 107).

Kurse Pukëvili e plotëson situatën luftarake kur shkruan edhe se: “Mahmud pashë Bushati urdhëroi të përgatiteshin 50 trapa të ngarkuar me dru. Pasi iu vu zjarri, i drejtuan në grykë të Bunës ku ndodhej   flota turke e ardhur për të bllokuar Shkodrën. Porsa u pa se po vihej  në veprim kjo taktikë e Pashait shkodran, flota ngriti spirancat dhe u drejtua për në Kotorr”. (Cituar nga Bushati, H., po aty, f.109).

Të ngelur në mes të dy zjarreve, turqit të shpartalluar ikën në drejtime të ndryshme. Komandanti i përgjithshëm i osmanllijëve Kara Zeqiu, bashkë me pashallarët e tjerë, u plaçkit rrugës nga fshatarët. Në fund të luftimeve shkodranët morën plaçkë të madhe lufte bashkë me 16 topa. Një disfatë të tillë trupat osmane nuk e kishin pësuar prej shumë vitesh në Shqipëri. Ngjarjet e Shkodrës tërhoqën vëmendjen e Fuqive të Mëdha dhe veçanërisht të diplomacisë ruse dhe austriake, sidomos pas hyrjes në luftë të Perandorisë Austriake kundër Portës së Lartë, në janar të vitit 1788.

Gazeta franceze Courrier d’Europe shkruante në numrin e saj të datës 25 dhjetor 1787: “Pashai i pabindur i Shkodrës, i famshmi Mahmud, mori në dorë pashallëkun e vet dhe e theu plotësisht Çaushollin, të cilin Oborri e kishte emëruar pasardhës të tij në qeverisjen e Shqipërisë”. (Historia e Shqipërisë, viti 1959, f. 441).

Qeveritë e Vjenës dhe të Petërsburgut ngarkuan diplomatët e tyre që t’i premtonin Mahmud pashë Bushatit përkrahje ekonomike e ushtarake për të vazhduar kryengritjen kundër Stambollit, madje për të marrë pjesë në këtë luftë edhe ata vetë, në mbështetje direkte të veprimeve luftarake të pashait shkodran.

Ndërkohë Porta e Lartë u kërkoi shkodranëve kokën e Mahmud pashë Bushatit, në të kundërt Shkodra do të shkatërrohej nga një ekspeditë e dytë e ushtrive osmane dhe banorët e saj do të trajtoheshin si robër për pesë vjet rresht. (HPSh, I, 2002, f. 626)

Pas fitores që korri, Mahmud Pasha u mor me gjendjen e brendshme dhe u orvat të vendoste qetësinë si edhe të siguronte forca të reja për të përballuar sulmet e mundshme që nuk do të vononin të vinin

Ndërkaq, Porta, e zënë me luftën kundër Rusisë, i ndërpreu përkohësisht veprimet ushtarake kundër Shkodrës, kështu që Mahmud Pasha mund të rimerrte veten nga dëmet që pësoi gjatë rrethimit të vitit 1787.

Në shkurt të vitit 1788 filluan të lëviznin pashallarët e Sarajevës e të Beratit, si edhe komandantët e garnizoneve që bashkëpunonin me krerët kundërshtarë të Mahmud Bushatit. Edhe në këto kushte jo të favorshme për të, Mahmud Pasha me ushtrinë e tij arriti të nënshtronte përsëri krahinat e Veriut, të ndëshkonte krerët e tyre kundërshtarë dhe ata të qytetit të Shkodrës që ishin lidhur me ta, madje edhe të dëbonte nga qyteti disa familje të dyshimta për bashkëpunim me pushtuesin.

 

Image result for pashalleku i shkodres

  1. Lëvizjet diplomatike të Mahmud Pashës

 

Rusia dhe Austria kishin filluar prej kohësh të nxisnin lëvizjet antiosmane në Mal të Zi dhe Shqipëri. Këto lëvizje bëheshin edhe më të dendura veçanërisht në prag ose gjatë luftërave të dy perandorive me Turqinë. Në këto kushte, Mahmud Pasha, nëpërmjet ambasadorit rus në Venedik, i drejtohet në vitin 1787 Oborrit të Shën Petërsburgut për të qenë nën mbrojtjen e Carit. Por rusët iu përgjigjen se “…do ta kishin përkrahur vetëm në qoftë se hiqte dorë nga lidhjet me Austrinë”.

Nga ana e tyre austriakët pretendonin se Mahmud pashë Bushati i kishte bërë emisarët austriakë të besonin se ai do të përqafonte fenë kristiane në qoftë se i premtohej principata e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë u bë e njohur se austriakët ia ofronin kurorën e Shqipërisë Mbretit të Napolit, i cili premtonte se me 30,000 veta do të bashkëpunonte me Austrinë për të larguar turqit nga Europa.

Sidoqoftë, e vërteta është se qeveria e Vjenës kishte filluar t’i mbante të hapura disa kanale komunikimi me Mahmud Pashën. Këtë rol në fillim e luante ipeshkvi katolik i Shkodrës. Më pas negociatat direkte me pashain i qenë besuar një misioni ushtarak që qeveria austriake kish dërguar që në fillim të vitit 1788 pranë ipeshkvit të Malit të Zi. Ky mision, që në përbërjen e tij kishte edhe shumë oficerë me origjinë malazeze, i referonte qendrës se shkodrani është i pabesueshëm. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme austriake kishte vendosur të vazhdonte negociatat me Shkodrën. Nëpërmjet të gjitha këtyre kanaleve Mahmud Pasha kërkonte vetëm argjend e municione dhe premtonte se do të luftonte përkrah Austrisë.

Më datën 14 qershor fisniku De Bronjar, i dërguar nga Ministria e Jashtme e Austrisë, arriti në Cetinë. Meqenëse qëllimi i tij ishte takimi me pashain e Shkodrës, ai vazhdoi rrugën për në Shkodër edhe pse malazeztë i përsërisnin pa pushim se shkodrani nuk e mbante fjalën e dhënë.

Mahmud Pasha i priti të dërguarit nga Vjena në një ishull të liqenit, ku ishte përgatitur një festë madhështore për ta. Më pas ata këmbyen dhuratat që solli misioni De Bronjar. Mahmudi kishte përgatitur për perandorin Jozef II të Austrisë një pushkë të gjatë dhe një palë kobure të ngrira në argjend.

Nga bisedimet sekrete që u zhvilluan në kala nuk dolën konkluzione, mbasi austriakët, që e njihnin dhe e mbështesnin Konfederatën Ilirike të shpallur nga Mahmud Pasha, këmbëngulnin që shkodrani të ishte vasal i mbretit të Napolit, aleat i Austrisë. Kurse Mahmud pashë Bushati synonte të njihej si mbret i lirë dhe jo si vasal, se në pashallëkun e vet ishte mbret dhe vasal i sulltanit që në të vërtetë sundonte gjysmën e botës.

Ndërkaq në qytetin e Shkodrës kishte turq dhe filoosmanë të shumtë, që me britma dhe ulërima kërcënuese, që dëgjoheshin deri në kala, vazhduan protestat deri natën vonë, për të kundërshtuar shkëputjen e mundshme nga Porta e Lartë dhe krijimin e një shteti të ri që do të ishte aleat me shtetet katolike perëndimore.

Bisedimet përfunduan keq dhe, për më tepër, nuk u caktua as edhe një datë tjetër për t’i rifilluar ato.

Dihet se në datën 21 qershor 1788 fisniku De Bronjar, me shoqëruesit e tij, lë Shkodrën dhe i ngarkuar në një lundër niset për të arritur në bregun tjetër të liqenit, ku nuk arriti dot. Fakti është se të deleguarit austriakë me fisnikun De Bronjar në krye u vranë kur ata po lundronin në liqenin e Shkodrës. Arsyet e vrasjes nuk janë sqaruar ende, veçse kuptohet që kjo vrasje, që çuditërisht ishte paralajmëruar nga malazeztë kohë më parë, ishte e organizuar deri në detaje për të nxjerrë si autor të saj Mahmud Pashën.

Veçse janë të shumtë ata që mendojnë se Mahmud Pasha duhet përjashtuar nga kjo akuzë, mbasi prishja e pritshme e marrëdhënieve me Austrinë pas vrasjes së delegatëve të saj do ta linte fillikat vetëm shkodranin në planet e tij për shkëputje nga Stambolli, që në të vërtetë ishte qëllimi kryesor i jetës së tij.

Ata që akuzojnë Mahmud pashë Bushatin për këtë krim, që, për   më tepër, nuk përfshihet në kodin moral të mikpritësit, aludojnë se Bushati mund të jetë nisur nga kërkesa e filootomanëve shkodranë që të afrohej përsëri me Turqinë. Ky variant nuk qëndron, aq më tepër që gjaku i derdhur në rrugët e Shkodrës në vitin 1787 nga krimet që kryen otomanët aty ende nuk ishte tharë.

Pra, është e mundur që malazeztë të jenë vrasësit e vërtetë të të dërguarve të Austrisë, me qëllim që të prishnin marrëdhëniet e Mahmut pashë Bushatit me Austrinë dhe për mos ta lënë që të bëhet i rrezikshëm për ta.

Për të njëjtin qëllim mund të ketë vepruar edhe Stambolli me veglat e tij në Shkodër, duke parë se Kara Mahmudi me ndihmën e Austrisë mund të bëhej mbreti i Shqipërisë dhe të ndahej nga Porta e Lartë.

Veçse varianti tjetër, që akuzon Mahmud pashë Bushatin si organizator të vrasjes për t’u hakmarrë ndaj austriakëve që e mashtruan shkodranin duke e vënë vetëm vasal të mbretit të Napolit, është i vështirë të hidhet poshtë lehtësisht.

Kur në pranverën e vitit 1789 kishte filluar lufta Rusi-Austri kundër Portës së Lartë, asaj i duhej të kishte Mahmud Pashën me vete si rezervë kundër Venedikut. Edhe Pashai nga Shkodra, që i trembej fitores së Austrisë, tashmë e armiqësuar me të për shkak të vrasjes së austriakëve, e pa të udhës të afrohej me Stambollin dhe si fillim t’i dërgonte një letër lutjeje për falje sulltanit.

Ndërkohë edhe divani i sulltanit kishte ndërruar mendim dhe i premtoi Kara Mahmudit faljen dhe gradën e vezirit, në qoftë se ai merrte pjesë në luftë me forcat e veta në frontin e Bosnjës kundër austriakëve. Mahmud pashë Bushati e pranoi këtë propozim, por duke i shkëputur Portës premtimin për qeverisjen e sanxhakut të Ohrit dhe atij të Elbasanit, si dhe gradën e pashës për të vëllanë dhe nipin.

 

 

Pashallëku i madh i Shkodrës

 

Pjesëmarrja e Mahmud Bushatit në këtë luftë i shërbeu përgatitjes për kryengritjen e dytë të mundshme kundër osmanëve. Duke shfrytëzuar gradën e vezirit dhe të kryekomandantit të frontit të Vidinit, ai grumbulloi sasi të konsiderueshme të hollash dhe armatimesh, të cilat i dërgoi në Shkodër. Kështu Pashallëku i Shkodrës e përforcoi pozitën e vet dhe jeta ekonomike filloi përsëri të gjallërohet.

 

 

  1. Rrethimi i dytë i Shkodrës

 

Fill pasi u kthye në Shkodër, Mahmud pashë Bushati filloi një fushatë nënshtrimi të feudalëve përkrahës të Stambollit, jo vetëm në katër sanxhakët që përbënin Pashallëkun e Shkodrës, por edhe në sanxhakët e Prizrenit e të Shkupit. Kundërshtarët e vezirit shkodran në qytetet e rrethet e Pejës, të Prishtinës, të Shkupit, të Ohrit dhe të Elbasanit u eliminuan.

Në përfundim të kësaj fushate, gjithë Gegëria, që nga kufijtë e Malit të Zi deri në lumin Shkumbin, hyri në juridiksionin e Mahmud pashë Bushatit.

Kështu filloi kryengritja e dytë, e cila synonte shkëputjen e plotë nga varësia e Portës. Veziri i Shkodrës tanimë nuk i nënshtrohej fare autoritetit të Portës së Lartë. Vetëm fjala e tij ishte ligj.

Politika e re e Mahmud Bushatit u ndesh me një reaksion të fortë që filloi nga anëtarët e vetë familjes Bushati. Vëllai i tij Ibrahimi dhe nipi e braktisën atë dhe u vunë në krye të grupit që kundërshtonte shkëputjen nga Porta e Lartë.

Në fund të vitit 1792 Mahmud Pasha për të tretën herë u shpall fermanli, u shkarkua nga rangu si vezir dhe u dënua me vdekje.

Duke qenë i mirinformuar nga veglat brenda familjes Bushati, Sulltani nisi në vitin 1792 një tjetër ekspeditë ndëshkimore. Ekspedita e përbërë nga forcat e shtatë pashallarëve shqiptarë me në krye valiun e Rumelisë, Beqir Pashën, mundi të mbërrinte në Shkodër vetëm mbas tetë muajsh luftime. Ushtritë turke hynë në qytetin e Shkodrës më 20 gusht 1793.

Pas një qëndrese të fortë, Mahmud pashë Bushati u mbyll përsëri në kështjellë. Edhe këtë herë shumica e parisë dhe e aleatëve e braktisën, duke u besuar premtimeve të Portës së Lartë. Por fshatarët, malësorët dhe shtresat e gjera qytetare shkodrane nuk ndoqën rrugën e krerëve feudalë.

Në agimin e 28 nëntorit 1793, me të njëjtën skemë si në rrethimin e parë, u koordinuan veprimet luftarake të reparteve shqiptare jashtë kështjellës me Mahmud Bushatin dhe luftëtarët e tij që prisnin brenda kështjellës. Ata dolën nga kështjella dhe iu vërsulën trupave armike njëkohësisht me forcat e tjera që pashai shkodran i kishte vendosur rreth kështjellës. Këto sulme të furishme shpartalluan forcat osmane duke u shkaktuar humbje të rënda në njerëz dhe materiale luftarake.

Përçarja dhe lëkundjet e aleatëve të vet vendës, si edhe frika nga  një ekspeditë tjetër e Portës së Lartë, e detyruan Mahmud Pashën, me gjithë fitoren që sapo korri, të shpallte përsëri faljen e të gjithë atyre që e kishin braktisur, të lironte robërit e kapur dhe të padiste vëllanë dhe nipin si shkaktarë të vërtetë të konfliktit, kurse sulltanin ta paraqiste si viktimë të mashtrimit prej tyre.

“Reaksioni i një pjese të partisë feudale, si dhe keqësimi i kushteve politike ndërkombëtare, e detyruan Mahmud Pashën të mos shpallte pavarësinë dhe të pajtohej përsëri, por vetëm përkohësisht, me pushtetin qendror”. (HPSh, I, f. 342).

Ndërkaq, me anë të klerit katolik ai siguroi gjithashtu ndërmjetësinë e Oborrit të Spanjës për t’i kërkuar edhe një herë falje sulltanit.

Vetë peshkopi i Shkodrës më 1 tetor 1793 i shkruante Vatikanit se feja katolike lulëzonte nën sundimin e Mahmudit, madje ai nënvizonte se fati i besimit katolik në Shqipëri varej nga mbrojtja që ofronte pashai shkodran.

“Ndërmjetësimi i përfaqësuesit diplomatik të Spanjës në Stamboll, e mbi të gjitha, pamundësia e Portës për të organizuar një ekspeditë të re, bënë që në muajin mars 1795 sulltan Selimi III t’i jepte Bushatit faljen, me kusht që të zotohej se nuk do të ngrinte krye më, të derdhte shumat e papaguara të taksave dhe të pranonte zbatimin e reformave ushtarake e financiare”. (HPSh, I, f. 628).

Ndërkohë Mahmud pashë Bushati e përforcoi përsëri pozitën e vet dhe i nënshtroi edhe një herë sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, duke ia dhënë për qeverisje të vëllait dhe të nipit, të cilët i kishin kërkuar falje. Veziri i Shkodrës i kërkoi edhe Ali pashë Tepelenës të hiqte dorë nga orvatja e të birit, Myftar Pashës, për të qeverisur sanxhakun e Ohrit dhe për të vënë dorë mbi sipërmarrjen e Durrësit.

Veçse, ambasadori rus relatonte se: Porta e Lartë, atë që nuk po arrinte ta realizonte me forcë, tanimë po e bënte duke mbjellë përçarjen mes pashallarëve shqiptarë. Përçarja mbeti arma më e fortë e Stambollit për të shmangur shkëputjen e territoreve të komanduara nga pashallarët shqiptarë. (Naçi, Stavri: Pashallëku i Shkodrës – 1757- 1796, f.183-186)/

Faktet treguan se feudalët e Toskërisë nuk qenë në gjendje që të bashkoheshin politikisht dhe ushtarakisht me ata të Gegërisë dhe anasjellas, kështu që Portës së Lartë iu krijuan kushtet e nevojshme për të planifikuar një tjetër ekspeditë të madhe ndëshkimore kundër Shkodrës.

Në vjeshtën e vitit 1795 Mahmud pashë Bushati shpartalloi forcat e pashallarëve kosovarë të lidhur me Stambollin, të cilët kishin marrë pushtetin në Prizren. Këto veprime i acaruan përsëri marrëdhëniet e Stambollit me vezirin e pabindur. Por Porta e Lartë, e mbërthyer nga reaksioni i brendshëm kundër reformave, nuk ishte aspak në gjendje të merrte masa të rrepta kundër tij.

 

 

  1. Aleanca me gjeneral Bonapartin

 

Meqenëse rrethanat ndërkombëtare kishin ndryshuar dhe Franca republikane ishte hedhur në sulm kundër monarkive konservatore europiane, të cilat përkohësisht i kishin lënë pas dore synimet e tyre për Malin e Zi, Mahmud pashë Bushati po përgatitej për nënshtrimin e kësaj krahine.

Pushtimi i Malit të Zi dhe Dalmacisë ishin pjesë e strategjisë së kahershme të shkodranit për sigurimin e krahëve nga rivalët e ndryshëm, por edhe për të siguruar rrugët e kalimit drejt Bosnjës, në përputhje edhe me planet franceze.

Nga ana e saj, diplomacia frënge, për të penguar Malin e Zi që të shërbente si satelit i Rusisë dhe Austrisë, u lidh me Mahmud pashë Bushatin me anë të ambasadorit të saj në Venedik.

Gjeneral Bonaparti, i cili pas pushtimit të Italisë Veriore kërkonte të pushtonte edhe Dalmacinë, dërgoi në Shkodër në muajin maj të vitit 1796 shtatë specialistë ushtarakë për të ndihmuar në organizimin e ushtrisë shqiptare dhe katër të tjerë pranë shtabit të Mahmud Pashës, si edhe municione e ushqime për fushatën që po përgatitej kundër Malit të Zi.

Edhe planet e Mahmud pashë Bushatit për të arritur në Bosnjë përmes pushtimit të Malit të Zi përputheshin me strategjinë franceze që synonte nënshtrimin e Sllovenisë dhe Kroacisë, që ishin zotërime të Perandorisë Austro-Hungareze.

Pikërisht në vitin 1795 priti në Shkodër konsullin francez, pastaj, në vitet 1795-1796 kontaktet e Mahmud Bushatit me Francën shtohen, duke realizuar edhe një aleancë mes Shkodrës dhe Parisit. (Naçi, Stavri: Pashallëku i Shkodrës…, f. 238-239).

 

 

  1. Veprimtaria kulturore dhe ndërtimore gjatë kohës së dinastisë Bushati

 

Gjatë sundimit të Bushatllinjve në Pashallëkun e Shkodrës, pati zhvillim të konsiderueshëm në lëmin kulturor, në arsim, letërsi, arkitekturë dhe ndërtime. U ndërtuan një varg veprash publike me karakter ekonomik e fetar si Hani i Madh, Xhamia e Plumbit dhe Bezesteni në Shkodër, që u përdor për disa aktivitete tregtare dhe financiare duke e bërë atë një qendër shumë të rëndësishme në qytet.

“U ndërtuan gjithashtu një numër i madh banesash të tipit gjysmë kati me gurë e me qerpiç për masat popullore dhe dykatëshe për shtresat e pasura në qytetet e Shqipërisë Veriore dhe Qendrore (Shkodër, Tiranë, Kavajë, Krujë dhe Elbasan etj.). Këto ndërtime pasqyruan jo vetëm hovin e zhvillimit ekonomik, por në mënyrë të veçantë ato vunë në dukje ngritjen në një shkallë më të lartë të traditave të arkitekturës vendëse dhe sidomos një realizim arkitektoniko-teknik më të lartë e origjinal në përputhje me kërkesat e shijen e shtresave të ndryshme qytetare”. (Naçi, S.: po aty, f. 25)

Edhe letërsia shqipe,  gjatë  sundimit  të  Bushatllinjve,  bëri  hapa të rëndësishëm përpara. “Rolin kryesor e luajti letërsia gojore, kurse   si gjini u shqua kënga historike. Veçse, ndryshe nga poezia gojore e shekujve pararendës, letërsia gojore në periudhën e Bushatllijëve në Pashallëkut të Shkodrës pasqyroi ngjarjet e kohës dhe mori karakter realist. Kështu, kjo letërsi shërbeu si mjet njohës, e në të njëjtën kohë edhe si mjet edukimi. Këngët historike paraqitnin interes të veçantë, sepse në radhë të parë patën për motiv kryesor luftën për t’u shkëputur nga vartësia politike e Stambollit. Ky motiv del veçanërisht në këngët e kryengritjeve të vitit 1787 në Shqipërinë Veriore dhe Kosovë. Në këto këngë poeti popullor i cilëson si armike të urryera forcat ushtarake osmane, ngre lart trimërinë shqiptare si edhe vë në dukje rolin e madh të bashkimit të popullit në luftë, si faktorë vendimtarë për fitoren mbi shkelësin e huaj. Gjithashtu, populli shpreh në këto këngë edhe simpatinë për luftën e Ali pashë Tepelenës kundër sulltanit”. (Naçi, Stavri: po aty, f. 26).

Poeti popullor shfryn edhe dënimin kundër disa krerëve feudalë gegë si pashallarët Çaushollaj e ata të Dukagjinit, që morën pjesë në ushtrinë osmane kundër Mahmud pashë Bushatit.

Nga këto këngë del gjithashtu se dëshirohet fort bashkimi i gegëve me toskët në luftë kundër shkelësit osman, ndërsa pasqyrohet qartë në to edhe një shkallë më e lartë e vetëdijes kombëtare shqiptare, si një nga premisat më të rëndësishme për fillimet e Rilindjes Kombëtare.

Në kohën e Mahmud pashë Bushatit u zhvillua edhe letërsia e re e bejtexhinjve. Edhe kjo letërsi trajtoi temën laike me motiv kryesor luftën kundër pushtuesit osman dhe ngriti lart bashkimin e shqiptarëve dhe trimërinë e tyre tradicionale.

Fillimet e shkrimit të shqipes në Veri me ndihmën e kulturës letrare latine duhen kërkuar që me formimin e shtetit të parë të Arbërit, në shekujt XII-XIII. Veçse zhvillimi i marrëdhënieve ekonomike e bëri gjuhën amtare të shkruar një nevojë të domosdoshme sidomos në qytete, për ta përdorur në jetën e përditshme. Një nevojë e tillë u ndie kryesisht në rrethet e ngushta të klerikëve dhe laikëve të arsimuar, e pastaj edhe në radhët e borgjezisë tregtare e zejtare shkodrane. Por si mjet komunikimi me popullin dhe si armë për të kufizuar përhapjen e fesë e të kulturës islame, shqipja me alfabet latin u përdor gjerësisht nga kleri katolik gjatë shekullit XVIII.

U krijuan gramatika të shqipes e fjalorë të ndryshëm dhe u regjistruan në shqip pagëzimet (Shalë, 1739), u shkrua në shqip edhe një katekizëm nga kleriku kosovar Gjon Kazazi (1743) dhe u formuluan në shqip mallkimet e ipeshkvit të Shkodrës (1744). Kështu, autorët katolikë të Shqipërisë Veriore i shërbyen me veprat e tyre ruajtjes së gjuhës amtare. Në periudhën në vijim, përdorimi i gjuhës së shkruar amtare del mjaft i zhvilluar në Shkodër, në qytetin ku borgjezia tregtaro-zejtare ishte më e shtrirë dhe kishte traditë më të vjetër e më të fortë në shqipen e shkruar. Madje, disa tregtarë vendës që nga viti 1808, në regjistrat e tyre shkruajnë anëshkrime shqip me germa turke ose neolatine.

Gjuha e shkruar shqipe shërbeu për ngritjen në një shkallë më të lartë të ndjenjës së shqiptarisë dhe tregoi se qysh në atë kohë u hodhën rrënjët e luftës për arsimin dhe kulturën shqipe, e cila pak më vonë do të vihej në qendër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Mahmudi, ashtu si i ati, hapi rrugë dhe ndërtoi ura. “Gjatë sundimit të tij u ndërtua ura e Kukësit mbi Drinin e bashkuar, e quajtur ura e Vezirit, e cila e lidhte Shkodrën me Kosovën, ura mbi Moraçen në Podgoricë, ura e Tamarës mbi lumin Cen, që lidhte me malet e Kelmendit dhe Triepshit, si edhe mjaft ura të tjera më të vogla”. (At Zef Pllumi, po aty, f. 107).

Bushatllijtë e shek XVIII, Mehmeti dhe Mahmudi, ngritën medresetë si institucione arsimore. Këto institucione faktikisht qenë shqiptare, pasi mësimet kryheshin në gjuhën shqipe dhe mbaheshin me fonde lokale. Me këto shkolla nisi në Shkodër një jetë e re arsimore dhe kulturore. Qëllimi kryesor i tyre nuk ishte vetëm formimi i një kontigjenti fetarësh të ditur, por njëkohësisht edhe formimi i të rinjve që nuk dëshironin të bëheshin hoxhë, por që kërkonin të përvetësonin elementet kryesore të diturive të kohës.

Mahmud pashë Bushati themeloi bibliotekën e parë publike unikale për kohën, që ndodhej pranë medresesë, me qëllim që të përfitonin jo vetëm nxënësit, por edhe studiuesit e jashtëm shkodranë dhe jo vetëm. Në regjistrin e bibliotekës, që pasurohej vazhdimisht falë interesimit  të veçantë të të gjithë Bushtllinjve që pasuan, figurojnë jo vetëm libra teologjie, por edhe të fushave të tjera si gjuhësi, poezi, retorikë, logjikë, drejtësi, histori, botanikë etj.

Bushatllijët e Shkodrës duhet të çmohen edhe për traditën e shëndoshë dhe të qëndrueshme që përcollën. Ata dhanë ndihmesën e tyre duke krijuar kushte të përshtatshme që veprimtaria kulturore në veri të Shqipërisë të bënte hapa përpara e të krijoheshin ato premisa të domosdoshme që të mund të fillonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare.

 

 

  1. Vrasja e Mahmud pashë Bushatit

 

Në fillim të vitit 1796, Mahmud Pasha po grumbullonte forca të shumta ushtarake, destinacioni i të cilave nuk ishte shpallur zyrtarisht, por qarkullonin fjalë që do të sulmoheshin krahinat kufitare të Veriut për të shkëputur nga ndikimi i Vladikës së Malit të Zi krahinat shqiptare të Kuçit, Piprit e Palabardhit.

Në të vërtetë, më 11 korrik, në orën 6 të mëngjesit filloi lufta mes ushtrisë malazeze dhe ushtrisë së Mahmud pashë Bushatit, që vazhdoi deri në orën 3 pas dreke. Në këtë luftë të përgjakshme shqiptarët patën shumë të vrarë dhe të plagosur, ndër të cilët u plagos edhe vetë Mahmudi. “Porsa iu shëruan plagët, Veziri i Shkodrës më 8 shtator 1796 hyri përsëri në luftë. Më 22 shtator kaloi lumin Zeta dhe mësyni fshatin Krus n’orën 8 të mëngjezit. Në fillim shqiptarëve iu priu fati, por mandej pas një luftimi katër orësh fitorja u mbeti malazezëve me disfatë të plotë të shqiptarëve”. (Bushati, H.: po aty, f.130).

“Kara Mahmud Pasha përsëriti sulmin mbi Malin e Zi, por edhe këtë herë ushtria e tij nuk përparoi dot, kurse ai vetë bashkë me shtabin,   në të cilin ishin edhe katër oficerë francezë, ra në kurth me sa duket I tradhtuar, u rrethua dhe u vra nga malazeztë”. (HPSh, I, f. 631).

Autorët osmanë vrasjen e Mahmud Pashës e tregojnë ndryshe: “Kara Mahmud Pasha i shpërndau ushtarët për të fjetur ndër shtëpitë e fshatit, ndërsa vetë bashkë me 50-60 nga besnikët e tij zuri vend në një kishë. Shkjejtë e diktuan, e rrethuan natën dhe e vranë”. (Xhevdet Pasha, A., po aty, f. 238-239).

U varros në Krus, po aty ku u zhvillua beteja.

“Vrasja e Mahmutit mund të lidhet edhe me mosmarrëveshjet që kishte ai me atë pjesë myslimane shkodrane që nuk dëshironte të shkëputej nga shteti osman dhe nuk pranonte ndihmë nga shtetet e krishtera. Me këta bënin pjesë edhe disa nga fisi i vet, si edhe Ibrahimi, vëllai i Mahmudit, i cili nuk është çudi të ketë gisht në vrasjen e të vëllait. Në vitin 1787 dhe 1793 ishin ata që nuk e lejuan Kara Mahmudin të hiqte varësinë formale dhe e detyruan atë të bënte hapa prapa. Pa e tepruar mund të pohojmë se ai luftoi më shumë me krerët shqiptarë sesa me turkun”. (Thëngjilli, Petrika: Kumtari 8, Shkodër, 2001, f. 5, 8, 14)

 

 

  1. Roli historik i Mahmud pashë Bushatit

 

Me veprimtarinë e tij energjike, ku spikaste zgjuarsia, këmbëngulja, trimëria, shkathtësia politike dhe aftësitë organizative, Mahmud pashë Bushati qe një pasues i denjë i politikës largpamëse e dinamike të të atit të vet, Mehmet Pashës, duke mbajtur gjithmonë gjallë dëshirën e zjarrtë të popullit shqiptar për liri dhe urrejtjen për pushtuesin otoman.

“Mahmudi formalisht u paraqit si njeri besnik i Portës, por që në fillim të marrjes së pushtetit nuk e hoqi nga mendja amanetin e babait dhe traditën e shtëpisë së Bushatllijëve. Për këtë qëllim ai punoi pareshtur për zgjerimin e kufijve të pushtetit të tij dhe për pavarësi nga sulltani”. (A. C. Saint Saveur: Voyage historique, litteraire e pitoresque…, t. II, 1796, f. 272).

Në përputhje me interesat e klasës feudale, të zejtarëve, të bujqve të fushave dhe malësorëve të maleve, ai iu kushtua fillimisht sigurimit të qetësisë dhe të rendit, konsolidimit të pushtetit si edhe të autoritetit të tij në gjithë Shqipërinë e Veriut dhe atë të Mesme.

Ai ndoqi politikën e zgjerimit të kufijve të Pashallëkut të Shkodrës, kinse për interes të Stambollit, por në të vërtetë kjo politikë kishte për qëllim përgatitjen për kryengritje të armatosur kundër Turqisë, që do të zhvillohej jo vetëm me politikë, por edhe me luftë e sakrifica.

Ngritja e një ushtrie të fortë dhe të madhe u arrit falë të ardhurave të mbledhura prej zhvillimit të zejtarisë dhe tregtisë, rritjes së prodhimit bujqësor e blegtoral, si edhe nga doganat dhe taksat e ndryshme që vilte.

Falë aftësive dhe talentit të tij, por edhe me mbështetjen te shtresat e ndryshme shoqërore në Shkodër dhe kudo në Gegëri, gjatë sundimit 21-vjeçar të Mahmud pashë Bushatit, u arrit fuqizimi i pashallëkut dhe zhvillimi i tij në fushën e ekonomisë, të tregtisë, të vetadministrimit, të kulturës, të fuqisë ushtarake dhe të marrëdhënieve politike me të huajt. Emri i Mahmud pashë Bushatit u bë i njohur në kancelaritë e Vjenës, Vatikanit, Shën Petërsburgut, Madridit dhe Parisit, duke bërë të mundur nxjerrjen nga harresa e shekujve të emrit të Shkodrës dhe Shqipërisë.

Ai diti të shfrytëzonte periudhat kritike të qeverisë osmane dhe të forconte pozitën e vet brenda pashallëkut, duke ndjekur një politikë të urtë social-ekonomike, juridike, kulturore dhe arsimore.

Por, nga ana tjetër, ai pushonte dhe emëronte nëpunës të ndryshëm dhe bylykbashë pa leje të Portës së Lartë, vilte të ardhura e taksa, të cilat i përdorte vetëm për të mbajtur aparatin shtetëror të pashallëkut pa i dhënë aspak llogari Stambollit.

“Si njeri i shkathët që ka parasysh vetëm fitoret, Mahmudi nuk lë që t’i shpëtojë asnjë rast që mund t’i shërbejë. Dështimi në një punë nuk ja humb dëshirën dhe vullnetin për ta përsëritur atë edhe kur rreziku duket më i madh. Me zgjuarsinë dhe shkathtësinë e tij ai e eliminon rrezikun dhe situatën e krijuar e zgjidh në dobi të tij”. (Tomiq, Jovan: Mahmud Bushatlia, Pasha Skadarski, Beograd, 1908).

“Mahmud Bushati forcoi unitetin kombëtar edhe me politikën toleruese që ndoqi, ai diti të bashkojë myslimanët e katolikët e Shkodrës dhe të malësisë. Ai forcoi Kanunin e Lek Dukagjinit, pa prekur doket dhe zakonet veçanërisht të Malësisë së Mbishkodrës”. (Bushati, H.: po aty, f. 23).

“Ai ishte një sundimtar i drejtë, përkrahës i të krishterëve, por shumë i ashpër me plaçkitësit dhe hajdutët. Vdekja i erdhi papritmas, pikërisht kur po ndërmerrte planin më ambicioz nga gjithë të tjerët: krijimin e Konfederatës Ilirike me qendër në Mal të Zi, duke kërkuar mbështetje edhe nga sllavët”. (Malkolm, Noel: Kosovo, New York, USA, 1999, f. 175-176.)

Në arkivin e Ministrisë së Jashtme Ruse (Dok. 678, fondi: Marrëdhëniet ruso turke), ndodhet raportimi nga Ambasada ruse në Stamboll: “Me politikën e tij (Mahmud pashë Bushati) dhe me gjyqet e tij të drejta i ka bërë për vete jo vetëm banorët e krahinave të veta, por edhe ata të rretheve fqinje. Shumë veta i janë lutur që të dërgojë tek ata oficerët e tij për t’i mbrojtur nga gjyqet e padrejta, nga grabitjet e kadive dhe nga mbledhësit e taksave. Nga shumë vende që ka nën urdhër, ka dëbuar shumë nga kaditë e mbledhësit e taksave të dërguar nga qendra”. Kurse ambasadori spanjoll në Vatikan (Romë) më datën 22 prill 1795 i raporton qendrës lidhur me ndërmjetësimin për faljen e pashait shkodran nga Porta e Lartë: “Kjo falje do të japë një kontribut shumë të madh për sigurimin e kalimit të postës sonë nëpër Shqipëri si edhe për mbrojtjen e katolikëve nën qeverisjen e Mahmudit, për të cilin është interesuar edhe vetë Papa. Ky mysliman ka pasur gjithmonë besim tek katolikët dhe i ka mbrojtur ata me kënaqësinë më të madhe. Kështu misionet e Propaganda Fidi (Kongregacioni i shenjtë për përhapjen e besimit fetar katolik) do të jenë të lira dhe të sigurta kudo në atë vend”. Me Mehmet Pashën dhe Mahmud Pashën Shkodra jetoi epokën e lulëzimit ekonomik e shoqëror, duke u bërë kështu jo vetëm një qendër ndërballkanike tregtie e zejtarie, por edhe duke njohur gjallërimin e jetës kulturore dhe arsimore.

Sundimi i Bushatllijëve ka një rëndësi të veçantë historike në kuadrin lokal, por edhe në kuadrin kombëtar. Kujtimi i tyre u ruajt në kujtesën e në gojën e popullit si periudhë e luftës çlirimtare, që ndikoi thellë edhe te rilindësit shqiptarë.

Gjysma e dytë e shek. XVIII shënoi një periudhë të re në luftën për emancipimin e përgjithshëm ekonomik, politik e kulturor të Shqipërisë, ku vend ballor zë Shkodra nën drejtimin e Bushatllijëve.

Please follow and like us: