Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Bega Cohen: Prindërimi, kjo ‘sfidë’ e bukur

 

Fëmijëria është harku kohor ku fëmija është i pastër për nga natyra, është mendje thithës, prandaj ka nevojë më shumë se kurrë për edukim.

Nga kush dhe si edukohet?

Meqë familja paraqet ambientin e parë në të cilën fëmija jeton, rritet dhe zhvillohet, atëhere themi se Edukata, nismën e ka në familje. Periudha më e përshtatshme për rrënjosjen e bazave të mirëfillta të edukatës është mosha 0-6 vjec.

Nëna dhe babai janë dy shtyllat kryesore të formimit të botës së një fëmije dhe secili prej tyre ka një rol të pazëvendësueshëm.

Për rrjedhojë, fëmija formon personalitet në kontekst të jetës kulturore dhe shoqërore, të cilën së pari e njeh përmes dritares së shtëpisë së vet. Ai, në të vërtetë, e njeh botën e jashtme nëpërmjet syve të prindërve. Kjo është mosha në të cilën fëmija pranon lehtë ndikimin edukativ, sepse sistemi nervor i tij është tejet elastik. Në këtë moshë mund të edukohet dhe këshillohet më lehtë, sesa kur të kalojë në periudhën e pjekurisë. Shkenca e psikologjisë e ka vërtetuar se periudha parashkollore ka rëndësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e mëvonshëm të njeriut.

Kjo moshë ka pasuri mendore të pabesueshme, të cilat nëse nuk zhvillohen mund edhe të humbin. Nuk mohohet fakti se njeriu, pareshtur zhvillohet deri në fazën e pjekurisë, mirëpo është vërtetuar se ndryshimet më intensive, si në aspektin anatomiko-fiziologjik, ashtu edhe në aspektin e sjelljes bëhen në periudhën e fëmijërisë, prandaj dhe konsiderohet si periudha më mbresëlënëse në tërë jetën e njeriut. Shpjegimi i gjithë zhvillimit tek fëmijët është i ndikueshëm nga shumë faktorë, por 4 më të rëndësishmit janë:

  1. Struktura e personalitetit të prindërve,
  2. Cilësia e marrëdhënieve ndërpersonale brenda familjes,
  3. Niveli arsimor i prindërve,
  4. Gjendja ekonomike.

Familja duhet të jetë shëmbëlltyrë e një morali ideal, për t’iu ofruar fëmijëve ngrohtësi, dashuri dhe përkujdesje prindërore. Të gjitha këto aftësi njeriu duhet t’i ketë përpara se të bëhet prind.

Në ditët e sotme ndeshemi më së shumti me katër kategori prindërish.

  1. Prindërit neglizhues, në rastet më të mira, u sigurojnë fëmijëve nevojat bazë, si: ushqim, strehim, por janë të papërgjegjshëm në plotesimin e nevojave emocionale, sociale dhe edukative. Ata janë pothuajse të papërfshirë; më shumë përqendrohen tek interesat personale dhe nuk u kushtojnë kohë fëmijëve, të cilët ndjehen të padëshiruar dhe të parëndësishëm para prindërve.
  2. Prindërit autoritarë janë shumë të rreptë dhe urdhërues. Ata besojnë në autoritetin dhe bindjen absolute. Nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, ata janë të gatshëm të përdorin ndëshkimin, qoftë edhe fizik, ose janë shumë kritikë ndaj tyre. Fëmjët e formuar në këtë mënyrë kanë vetëvlëresim të ulët për veten dhe ndihen të frikësuar ndaj sfidave dhe eksperiencave që bëjnë.
  3. Prindërit liberalë nuk vendosin kufij, duke krijuar fëmijë të përkëdhelur, pa respekt dhe të paaftë të bëjë vetë zgjedhje. Prindërit liberalë e përdorin ndëshkimin shumë rrallë dhe në mënyrë të çrregullt. Këta prindër kanë më shumë mundësi të kenë probleme me sjelljen e fëmijëve të tyre. Fëmijëve që rriten pa kufij bota u duket nje vend shumë i vështirë për të jetuar.
  4. Prindërit demokratikë i shohin fëmijët si të barabartë, jo nga përvoja dhe mençuria, por nga ajo e vlerave njerëzore. Në këtë mënyrë këta prindër rrinin fëmijë që karakterizohen nga veëtbesimi, kurajo, me inisiativë dhe mendjehapur ndaj ndryshimeve.

Dhe së fundi çelësi i artë i edukimit në fëmijëri është: Koha e kaluar me fëmijët. Nuk egziton kohë cilësore dhe jocilësore. Çdo minutë ka vlerë në modelin që zgjidhin të jepni. Në rastet kur jetohet në një harmoni familjare dhe marrëdhëniet mes prindërve shkojnë mirë, kjo atmosferë ndikon pozitivisht në karakterin e fëmijës.

“Sfida më e bukur”, Prindërimi. / Anila Bega Cohen

Please follow and like us: