Albspirit

Media/News/Publishing

Albana Shala: TRENI

Image may contain: 1 person, smiling, eyeglasses and closeup

Albana Shala

 

Tregim

Plaku dëgjoi këngën e gjelit, derën e oborrit që u tërhoq, hapat e Lenës në rrugicë dhe u përpoq të flinte edhe pak. Errësira ende nuk ishte thyer nga rrezet e diellit fshehur pas reve. Ishte ditë pazari. Lenës i duheshin nja dy orë të mira që të arrinte. Thoshte që kishte bërë myshterinj të rinj që e vlerësonin qumështin e djathin e deleve të tyre. Ditët ishin të shkurtra. Ajo po shkonte e do të kthehej në errësirë.

Kuisja e qenit të lidhur përshkoi errësirën dhe gjallëroi për pak çaste oborrin. Plaku çoi ndër mend qimen e qenit, të lagësht nga vesa, dhe ngrohtësinë e barkut të tij ashtu të mbështjellë kruspull. Humbi edhe një herë në mendime. Kishte gati tre muaj që rrinte shtrirë e pa lëvizur. Shpresoi që qeni të mos mbetej i lidhur derisa të kthehej Lena. Ndoshta një nga fqinjët do të vinte ta zgjidhte dhe ai do t’i futej në dhomë, do t’i ulej përballë shtratit e më pas do t’i lëpinte duart e fytyrën. Kur të kthehej Lena, do t’u jepte të dyve për të ngrënë.

Qëkur ai nuk lëvizte e nuk nxirrte dot më asnjë tingull, Lena fliste, lëvizte e punonte sa për dy. I kishte kaluar të shtatëdhjetat, po sikur mezi kish pritur që ai të zinte shtratin që ajo të merrte frenat e shtëpisë. Diçka bëhet shkak e në mos sot, nesër, njeriu vdes. Ja kështu i thoshte kur e pastronte, e kthente, e rrotullonte si fëmijë dhe e ushqente me një si tub të hollë. Kohët e fundit, ajo kthehej shend e verë nga pazari. Nuk tregonte për gjë tjetër, veçse për diçka të rrallë e të padëgjuar: për trenin që do të vinte në fshatin e tyre. Kur mblidheshin gratë e burrat e fshatit pranë shtratit të tij edhe ata vetëm një ndodhi kishin në gojë, lajmin që po vinte treni. Se ç’u kishte hipur të gjithëve me burra e gra, pleq e plaka, dhe atyre pak të rinjve të mbetur. Të gjithë faleshin disa herë në ditë. Ndiznin qirinj, i thurnin lavde zotit që do t’u sillte trenin, që do ta lidhte fshatin e tyre me botën. Do t’u shkurtonte rrugë të gjithë atyre që deri më sot shkonin me këmbë ose me gomar deri në qytet, si dhe

atyre që kishin pak para dhe merrnin një herë në javë autobusin e linjës që i çonte në kryeqytet.

Bënte ftohtë. Në një cep të dhomës një llambë me vajguri ndriçonte si e sëmurë. Lena nuk e kishte ndezur zjarrin. Ai rrinte i mbuluar nën shtroje, kokën mbi disa jastëkë, shikimin lart, përpara. Nga mesdita, rrezet e diellit do të arrinin të ngrohnin këndin pranë dritares. Llamba do të shuhej ngadalë e do t’i linte vend dritës së pushtetshme të diellit. Kishte kohë që e ndiqte këtë lojë të dritës. Dëgjonte, përgjonte, nuhaste, frymonte e vështronte gjithë çfarë i kapte syri nëpërmjet qerpikëve të rralluar, pa lëvizur, si një amfib në pritje. Dhe sa ditë të tjera do të kalonin kështu? Njerëzia bënin plane, tregonin përralla me tren kur në fshatin e tyre edhe drita elektrike shkonte e vinte si bishtpërdredhur. Falë pyllit, fshatarët kishin ende dru për zjarr. Por edhe pylli po rrallohej e po kthehej në gëmushë. Po ja, që kur doli ky treni, asnjëri prej tyre nuk fliste më për jetën e vështirë, për pensionet e vogla, për fëmijët e martuar në qytet apo të degdisur jashtë shtetit, për tokën djerrë, për sistemin e prishur të ujitjes, për dhentë e sëmurë, për dhimbjet e trupit. Të gjithë ishin magjepsur. Ai nuk ishte më i vjetri në fshat, por ishte i vetmi që kishte zënë shtratin e nuk thoshte dot asnjë fjalë. Darkave rreth shtratit i silleshin mikeshat e Lenës, i vëllai që ishte shurdhuar krejt, plaka Nire që njihej për gojën e ndyrë, të gjithë të bashkuar nga një ëndërr – fshati i tyre do të bëhej me tren. A thua së trenin do ta sillnin e do ta linin aty në shesh si send zbukurimi, që ta kundronin të gjithë sa të donin. Të paktat gazeta që arrinin në fshat sikur e nxisnin më keq këtë magjepsje. Lena ia lexonte me zë të lartë dhe nganjëherë asaj i dukej sikur ai e shikonte me qesëndi, megjithëse nuk lëvizte asnjë muskul.
Edhe ata të qytetit e kishin siguruar kryetarin që fshati i tyre nuk do të mbetej pa tren. Ai do të kalonte buzë lumit, në këmbë të fshatit të tyre. Të gjithë, përveç plakut, do të dilnin ta prisnin në ditën e përuruar.
Sa kohë kishte kaluar? Kështu pa lëvizur? Pa ndierë se ku i fillonte dhe ku i mbaronte trupi? Çdo ditë që shkonte ia pakësonte dëshirën për të jetuar.

Pamundësia për të mos u shprehur qoftë dhe me një shikim kuptimplotë po ia shkatërronte nervat. Lena po vonohej sonte. Ndoshta kishte vendosur ta linte aty,
që të qelbej e të tretej në vetmi. Ai nuk mund të bënte as gëk as mëk dhe nuk mund të merrte shkopin e ta qëllonte. Kishin kaluar ato kohë. Ndoshta më mirë kështu. Se ai nuk kishte shumëçka për të thënë, përveç bërjes së një pyetjeje: Si do të mbërrinte ai tren deri në fshatin e tyre? Pa hekurudhë? Njerëzit e dalldisur flisnin për gjithçka, vetëm jo për hekurudhën.

Plaku dinte atë që ata nuk e dinin apo nuk donin ta dinin. Treni nuk do të vinte! Ky mendim e qetësoi, ia ndërroi vështrimin e ia bëri vërtet qesëndisës, aq sa edhe Lena të mund ta lexonte kur të kthehej në shtëpi.

© Albana Shala – Botime Dituria – Ngarkesa e Fëmijes (2013)

Please follow and like us: