Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim Ahmetaj: SHQIPTARË, MOS IKNI- KTHEHUNI MË ATDHE!

 Image may contain: 16 people, including Aulon Bej Kalaja and Bislim Ahmetaj, people sitting

Fjala në takimin përkujtimor të 29 vjetorit të grevës së urisë mbajtur në Sallën Liria në Qytetin Studenti me brezin e ri të studentëve dhe pedagogëve të rinjë me sloganin “SHQIPTARË: MOS IKNI- KTHEHUNI MË ATDHE”

 

Para 29 vitesh, në këtë godinë, bëhej histori. Mbi 700 studentë dhe pedagogë, ishin ngujuar prej tre ditësh në grevë urie, një formë skajore revolte, me një mision fisnik dhe atdhetar:
Donim ta çlironim shtëpinë tonë, universitetin dhe pastaj gjithë Shqipërinë nga simbolet e komunizmit që po ia merrnin frymën atdheut prej një gjysëm shekulli.
Shqipëria e asaj kohe po jetonte në një absurd që i tejkalonte edhe romanet e Franc Kafkës.
Dy muaj më pare, studentët e dhjetorit ’90, kishin përkulur regjimin, pluralizmi politik qe legalizuar, ndërkohë që universiteti i tyre mbante emrin e diktatorit, sheshet u qenë kthyer qytetarëve, por mes tyre nxinin përmendoret e personifikimit të krimit komunist.

Ne qëndruam dhe ia dolëm ta çlironim universitetin dhe gjithë Shqipërinë nga simbolet e komunizmit. Fitorja e qytetarëve qe e mrekullueshme!
Ajo çfarë ndodhi më vonë ishte e shëmtuar: Sporet dhe grimcat e diktatorit, si epidemi mortaje u shfaqën e morën jetë në selitë e partive të reja, në zyrat e administrates, në shoqata dhe organizma të shoqërisë civile.
Edhe pas 30 vitesh pluralizëm politik shoqëria jonë është e sëmurë dhe vuan nga sindromi i diktatorit, kryetarët e partive janë enveruca, zyrtarët e shtetit sillen si drejtorë kampesh internimi, për të arritur tek karikatura më domethënese, tek kryeministri, i cili dhunon, fyen, tallet dhe shpërdoron me çdo mjet dhe formë pushtetin, demokracinë dhe dinjitetin e qytetarëve të vendit tonë.

Sot ne i përkujtojmë ato ngjarje duke jetuar në një realitet tronditës, për çdo qytetar e patriot shqiptar: Atdheu po braktiset, në përmasa të frikshme!
Nuk ikin veç të papunët, njerëzit e zonave rurale apo udhëtarë e aventurierë.
Nga Shqipëria po ikin të gjithë, i madh e i vogël, i pasur dhe i varfër, të rinjë e të moshuar, vajza dhe djem, burra dhe gra, intelektualë dhe profesionistë, qytetarë dhe katundarë.
Kjo gjendje është e papranueshme, ky realitet duhet ndryshuar. Kjo rrjedhë vdekje prurëse për Shqipërinë, duhet ndalur me çdo kusht dhe me çdo mjet.
Ja sepse sot ne kemi zgjedhur fjalët: “Shqiptarë: Mos ikni-Kthehuni në ATDHE”. Për të dëshmuar vullnetin tone në këtë mision, jemi bashkuar me veprimtarë që duan dhe po rrisin ndjeshmërinë shoqërore ndaj rrezikut të kësaj hemorragjie, jemi bashkuar me studentë e pedagogë në një union shprese e besimi se do të bëjmë të bëjmë diçka.

Edhe pas 20 shkurtit të vitit 1991, mijëra njerëz u larguan drejt Perëndimit, duke ia zvogluar fuqinë atdheut, e duke rrënqethur krejt Europën.
Por ato valë ikjesh kanë pasur dhe kanë një dallim cilësor me braktisjen e sotshme të Atdheut. Aso kohe shqiptarët po iknin me kryet mbrapa. Ata ikën nga një vend i dështuar, duke lënë prindërit, vëllezërit, motrat gratë dhe fëmijët e tyre që i prisnin.
Ata ikën për të ndërtuar banjon e munguar, për të shtuar dhomën e ëndërruar të gjumit, për ta hequr guzhinën nga nevojtorja, Për të pasur një palë rroba të fisme me të cilat mund të shkonin në dasmën e një të afërmi, për t’i siguruar parat e varrimit për gjyshin, gjyshen, prindin apo njëriun e dashur që iku për në parajsë.
Shumica prej tyre u kthyen në Atdhe dhe investuan jo vetëm për nevojat e tyre imcake, por u bënë promotorë të ekonomisë së lirë të tregut duke hapur vendet e tyre të punës dhe jo vetëm.

Të ikurit e viteve 91-92 sollën eksperiencë, teknologji të reja por edhe miqtë e tyre perëndimorë me investime të drejtëpërdrejta të huaja prej vendeve ku emigruan për ta përmirësuar jetën e tyre dhe të Atdheut.

Ndërsa të ikurit e këtyre 5-6 viteve të fundit, nuk janë emigrantë ekonomikë, nuk janë as emigrantë politikë, ata janë viktimë e një filozofie shkatërrimtare të mbjellur nga qeverisja e keqe që Shqipërinë e do të zbrazur, Shqipërinë e do pa shqiptarë.
Të ikurit e këtyre viteve të qeverisjes së mbrapshtë nuk e kanë kryet pas, ata po e marrin me vete gjithë dhimbjen e Atdheut, janë njerëz që nuk duan të kthehen më kurrë në vendin e tyre.
Kjo është dramë, këtë duhet ta ndalim. Ky duhet të jetë mission dhe qëllim i çdo shqiptari që e do dhe e çmon Atdheun e tij.
Në mënyrë që Shqipëria të mos jetë e banuar veç nga 635 mijë pensionistë, rreth 100 mijë zyrtarë, shumica të intimiduar dhe nga 10- 15 oligargë, duhet të bashkohemi rreth kësaj kauze për ta shndërruar atë në kauzë kombëtare “Shqiptarë: Mos ikni-Kthehuni Në Atdhe”.
Se fundi gjithkush e di që është me e lehtë të ndërrosh një qeverisje të keqe se sa të rigjesh apo rikrijosh një Atdhe të ri!

20 Shkurt 2020.

Please follow and like us: