Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi librin publicistik ‘Lumi i urtësisë’ të dr. Astrit Gjunkshi

Image result for cerciz loloci

Çerçiz Loloçi

Astrit Gjunkshi nuk është më një emër i panjohur në hapësirën kulturore shqiptare. Pas botimit të mëhershëm të disa librave të natyrës profesionale, në shqip dhe anglisht e që fokusohen kah integrimi, siguria, diplomacia dhe pas një sërë përkthimesh dinjiroze për personalitetet të shquara si Ajzenhauri e Kolin Pauell, në një periudhë kati 5-vjeçare ka publikuar rreth 9 libra, që përfshijnë poezi, poema, dramë, publicistikë dhe roman.

Libri i radhës “Lumi i urtësisë” ka në vetvete dy pjesë, pjesën e parë me katërmbëdhjetë kapituj me fjalë të urta dhe pjesa e dytë me tetëmbëdhjetë analiza politike dhe ese, disa prej tyre të publikuara në media të ndryshme.

Në pamje të parë të duket se dy pjesët nuk kanë ndonjë lidhje me njera-tjetrën, por në të vërtetë ato rrinë edhe si botime më vete, por edhe së bashku në një libër publicistik, pasi fjalët e urta duket se bashkëshoqërojnë edhe refleksionet politike ku autori qëndron i baraslarguar, i pavarur jopartiak dhe me integritet si ndaj pozitës ashtu edhe opozitës.

Dikur, pranë Institutit të Foklorit punonte një sektor më vete që mblidhte fjalët e urta nga të gjitha viset shqiptare dhe ato, si atëhere edhe tani, kanë një vlerë të jashtëzakonshme sepse ngulisin shumë tipare të shqiptarëve përgjatë shekujve, ato kalojnë gojë më gojë, tregohen e ritregohen, plotësohen derisa marrin një formë përfaqësuese që rrëfehen brez pas brezi. Natyrisht autori nuk ka mbledhur fjalët e urta të zonës së vet apo të një skaji tjetër shqiptar, por i ka krijuar me dëshirën e mirë se ato do t’u hyjnë në punë shqiptarëve të sotëm, por edhe studiuesve natyrisht.

Pjesa e dytë e librit është fokusuar në ndjekjen e zhvillimeve shqiptare ku autori jo thjesht i përcjell dhe i përshkruan si ngjarje, por jep edhe mendimin e vet qytetar.

Në moshë pensioni Gjunkshi mund të tërhiqej mënjanë, siç bëjnë rëndom shumë bashkëkohës të tij, ish diplomatë, ish drejtues të dikasteresh, protagonistë të niveleve të ndryshme të epokave të caktuara të zhvillimit tonë, por ai ka zgjedhur që të mos hesht kur populli përdhunohet nga politika, kur nga pushtetet e radhës, qendrore e vendore, cenohen figura të rëndësishme si Skënderbeu, kur përplasen ashpër mazhoranca dhe minoranca dhe shumë problematika të tjera që shqetësojnë jetën e sotme.

Të një natyre tjetër janë refleksionet për NATO-n dhe bazën e saj në Shqipëri, për përfaqësimin e një vajze shqiptare që jeton në Suedi, Arba Kokalari në Parlamentin Europian, për apelin publik kundrejt nderimit të munguar për gjuhëtarin e spikatur Milan Shuflait në 140- vjetorin e ndarjes nga jeta, etj.

Po ashtu një cikël refleksionesh të autorit si “Guliveri dhe trageti i orës 7 pa 5”, “Duele për dashurinë e mbretëreshës kohë” e “Majmunokracia” janë konceptuar në një formë tjetër artistike ku nuk mungon alegoria dhe ku autori fshikullon tiradën e veseve të politikanëve të të gjitha krahëve.

 

 

Please follow and like us: