Albspirit

Media/News/Publishing

Begzad Baliu: VEPËR E KUJTESËS HISTORIKE

Image may contain: text that says 'SHOQATA ATDHETARE "KOSOVA" KULTURORE PRANVERE E VONUAR SHKODER 2000'

Me rastin e 30 vjetorit të Shoqatës Kosova, në Shkodër

 
Pranverë e vonuar: (me rastin e 10-vjetorit të themelimit të shoqatës atdhetare kulturore “Kosova”), Autorët: Dashamir Uruçi (përg.), Tefë M. Topalli (red.), Shkodër, 2000, 509 f. : me foto ; 24 cm, Shoqata atdhetare kulturore “Kosova”
Në historinë e një populli, pavarësisht prej epokave dhe prej rrjedhave nëpër të cilat kalon, mund të dallohen gjithmonë vlerat e përgjithshme dhe të veçanta. Ashtu sikur edhe homogjenitetin e tij që e përbëjnë tërësitë e përgjithësuara njerëzore, kulturore, ekonomike etj., edhe veçantitë e tij i përbëjnë personalitetet e rëndësishme, momentet e theksuara, sikur janë betejat, qytetet, krahinat etj.
Shkodra është njëri prej qyteteve të veçanta të botës shqiptare që për pjesën më të madhe të trojeve shqiptare të lëna jashtë Shqipërisë londineze ka pasur dhe ka kryer një rol të veçantë për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare jashtë këtyre kufijve. Është e kuptueshme prandaj, pse në Shkodër ka pasur kaq shumë krijues, shoqata, institucione etj., të cilat janë marrë me temën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, të cilat janë marrë me çështjen shqiptare jashtë atdheut dhe që në gjirin e tyre kanë mbajtur luftëtarë të ndjekur apo organizata të dëbuara nga regjimet okupuese.
Si të kuptohet ndryshe fakti pse kaq shumë shqiptarë të dëbuar, kaq shumë luftëtarë të armës e të pendës, kaq shumë personalitete të ndërgjegjes kombëtare, në rrethana dhe në kushte nga më të ndryshmet, ia mësynë Shkodrës. Si të kuptohet ndryshe fakti pse kaq shumë shqiptarë të dëbuar kanë gjetur përkrahje, ndihmë dhe ngrohtësi për të vazhduar misionin e tyre. Pa dashur që tani të merrem me fakte stërholluese, mund të thuhet se Shkodra, me Komitetin Mbrojtja e Kosovës, me Shoqatën “Kosova”, me gazetën “Besa” etj., si dhe me personalitete si Hoxhë Kadria, Hysni Curri, Bajram Curri etj., Kosovës i ka ngritur përmendoren më të lavdishme, në mbrojtjen, popullarizimin dhe pasqyrimin sa më të saktë të Lëvizjes kulturore, politike, ushtarake kombëtare dhe për çlirimin e saj nga zgjedha sllave.
Sot, kur dëgjohen këto mirënjohje, natyrshëm shtrohet edhe pyetja: Si dhe pse ky angazhim i veçantë i shkodranëve për Kosovën? Si dhe pse ky përqendrim i veçantë i kosovarëve në Shkodër? Përgjigjen besoj mund ta gjejmë më së miri brenda këtij libri.
Shkodra për shumë shekuj ka paraqitur njërën prej qendrave kryesore intelektuale, kulturore, ekonomike dhe politike të Shqipërisë së Sipërme, sikur do të shprehej Konica. Tregu i Shkodrës për shumë shekuj e ka ushqyer Kosovën me prodhime të Evropës: tekstile për dasmat qytetare, mjete teknike për zejtarët e bujqit etj. Prej qytetit të Shkodrës, Kosova me shekuj ka vjelë vlerat kulturore që depërtonin nga Evropa: libra, këngë qytetare, ide për lëvizjet qytetare dhe kulturore në Evropë etj.
Për Kosovën në veçanti dhe shqiptarët e Shqipërisë së Sipërme në veçanti, Shkodra ka paraqitur qendrën e rrezatimit të përgjithshëm mendor në këtë zonë. Kjo çështje mbase më së miri shpjegohet me anekdotën popullore për ndarjen e dijes ndër qytetet dhe krahinat shqiptare.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX dijetarët shkodranë, përfaqësues të saj politikë në hierarkinë e Perandorisë Osmane, në shtetin e posathemeluar shqiptar etj., kanë luftuar për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë së Sipërme, të rrezikuar nga ndërhyrjet sllave, prandaj është e kuptueshme pse Shkodra ka tërhequr kaq shumë luftëtarë (edhe të Kosovës) në mbrojtjen e saj gjatë sulmeve serbe e malazeze, në fillim të shekullit XX.
Ky libër na dëshmon se edhe organizimi i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Kosova” me qendër kryesore Shkodrën, por e përhapur edhe në degë të tjera nuk ka qenë i rastit. Anëtarët e saj të devotshëm kishin trashëguar një traditë të shkëlqyeshme shekullore nga organizata me ideale të tilla edhe para Luftës së Dytë Botërore, nga intelektualë dhe programe po kaq kombëtare etj.
Ashtu siç e kam thënë edhe më parë, “më shumë se në të gjitha vitet e mëparme, kosovarët në Shkodër, ashtu sikur edhe në të gjitha viset e Shqipërisë etnike, kanë shkuar më 1998-1999, të dëbuar nga regjimi serb. Për një kohë të gjatë shqiptarët e kësaj zone kanë pritur bijtë tanë më të mirë, drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çetat e para liridashëse, me të cilët kanë ndarë kafshatën e bukës, bijtë e lodhur rrugëgjatë në netët e ftohta me borë, me të cilët janë ngrohur bashkë në zjarrin e shtëpisë, djemtë e lirisë së Kosovës me të cilët kanë ndarë barotin e tharë për armikun, ushtarët e plagosur, fëmijët dhe pleqtë e dëbuar me shumë plagë shpirtërore e fizike. Ata i kanë mbajtur me bukën e paktë që kishin, për çka i jemi dhe do t’u jemi mirënjohës edhe sot, edhe nesër. Më në fund, pa këtë mbështetje vëllazërore Lëvizja Kombëtare (politike dhe ushtarake) nuk do të mund të zhvillohej në asnjërën prej etapave të saj të historisë. Vetëm populli shqiptar dhe Shqipëria shtet ka mundur ta mbajë kaq gjatë të pafikur qiririn e shqiptarizmës kudo në trojet etnike shqiptare. Prandaj, Shkodra dhe Shqipëria na kanë obliguar, na obligojnë dhe do të na obligojnë përgjithmonë: nënave që tundin djepin, rininë që ëndërrojnë Evropën pa kufij, ushtarin e zgjuar, mësuesin që ndërton brezin e së ardhmes, studiuesin që ndërton historinë, drejtuesin shtetëror etj.”.
Prej këtij libri do të mund të mësojmë se si autorët e shkrimeve të botuara në faqet e gazetave ditore dhe të lexuara në tubime protestuese kanë bërë shumë punë në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve të Kosovës, në propagandimin e saj para opinionit ndërkombëtar, madje edhe në mbrojtjen e tyre nga keqbërësit e brendshëm që për interesa personale, klanore a partiake jo rrallë kanë qenë të gatshëm të rrënojnë edhe vlerat më sublime të kombit. Le të kujtojmë këtu emrat e teksteve të këtij libri që nuk i bëjnë nder vetëm shoqatës, por edhe krejt historisë kombëtare: Ernest Koliqi, prof. dr. Jup Kastrati, dr. Mentor Quku, inxh. Dashamir Uruqi, Moikom Zeqo, Nikolla Spathari etj. Me përmbajtjen e tyre dhe me vlerat shkencore, artistike dhe mendore ata e kanë ndihmuar të mbahet ndezur qiriri i Lëvizjes Kombëtare edhe gjatë këtyre vjetëve.
Redaksia e këtij libri edhe në mënyrën e përgatitjes së librit është treguar shumë e vetëdijshme. Duke botuar një varg artikujsh të shkruar e botuar në shtypin shqiptar a të huaj, jo vetëm gjatë viteve të fundit, por gjatë më shumë se një shekulli, redaksia ka dëshmuar dyanshëm për vetëdijen kritike mbi gjendjen aktuale në Kosovë dhe vetëdijen historike mbi të djeshmen dhe të ardhmen politike të çështjes shqiptare.
Le të jetë prandaj edhe ky promovim që i bëhet librit në Kosovë një mirënjohje Shoqatës «Kosova», anëtarëve të saj, popullit dhe brezave të saj shekullorë, për të gjithë ata që kanë bërë për Kosovën dhe njerëzit e saj.

Please follow and like us: