Albspirit

Media/News/Publishing

Përsiatje mbi romanin “Njëqind vjet vetmi”

Ҫiҫikovët shqiptarë! Nga Mimoza Koka - Perqasje

Mimoza Koka

 

 

 

 

 

Në kushtet e izolimit nga kjo pandemi secili ka reflektuar për gjërat më të rëndësishme në jetë. Dhe nga ky reflektim kemi kuptuar se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet njerëzore, të cilat shpeshherë i kemi anashkaluar, të zënë me rutinën e jetës së përditshme, apo dhe me ambiciet tona.

Kështu, duke medituar për vetminë, rilexova romanin “Njëqind vjet vetmi” të Gabriel Garsia Markez (1927-2014). Markez me këtë roman fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982.

Tema e vetmisë është trajtuar nga shumë shkrimtarë, ku dallojnë ekzistencialistët. Por Markez e trajton temën e vetmisë në një mënyrë shumë të veçantë, dhe në shumë nga librat e tij. Personalisht, e vlerësoj shumë novelën “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”.

Në romanin “Njëqind vjet vetmi” ngjarjet zhvillohen në fshatin imagjinar Makondo dhe përbëjnë historinë prej 5 brezave të fisit Buendia, të parët e te cilëve, Hose Arkadio Buendia dhe gruaja e tij Ursula kishin themeluar fshatin. Ngjarjet që ndodhin në Makondo gjatë 5 brezave të fisit Buendia, në miniaturë ndodhin në jetën e çdo qenieje njerëzore. Markez thotë se Makondo ngjan me fshatin e tij të lindjes, Arakatataken.

Kompozimi është tejet i veçantë dhe i jashtëzakonshëm. Ngjarjet dominohen nga veprimet e dy degëve të këtij fisi, Arkadiot dhe Aurelianot. Aurelianot janë më të përmbajtur dhe të zgjuar, ndërsa Arkadiot tërhiqen nga aventurat dhe tragjikja. Por përfaqësuesit e të dy degëve dallohen nga të tjerët pikërisht nga fakti se tiparet e tyre shprehnin gjendjen e një vetmie të thellë.

Secili nga pjestarët e fisit Buendia është i mbërthyer nga pasione të fuqishme. Lufta, rritja e gjelave luftarakë, sipërmarrjet e krisura si dhe prostitutat ishin katër pasionet, por dhe fatalitetet që e çuan familjen drejt shpërbërjes përfundimtare. Pikërisht, për hir të këtyre pasioneve, të gjithë personazhet Buendia përfundojnë tragjikisht të vetmuar.

Themeluesi i fshatit, HoseArkadio Buendia, kishte pasionin e shpikjeve dhe të sipërmarrjeve të çuditshme dhe aventureske. Ai e kalonte tërë kohën i vetmuar në punishten e tij duke punuar peshqit e larë me flori. Jeton gjatë dhe  vdes gjysmë i çmendur, i lidhur tek  pema e geshtenjës në oborrin e shtëpisë. Në vitet e fundit shumicën e kohës e kalonte duke biseduar me të vdekurit.

Hose Arkadoja, pasi e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës larg fshatit Makondo, i kredhur në një jetë aventureske, vret veten tamam atëhere kur jeta e tij duket e qetë dhe e lumtur, pasi ishte martuar me Rebekën.

Koloneli Aureliano Buendia është i dominuar nga pasioni i pushtetit, e megjithëse kryen tridhjetë e tre luftëra dhe është fitimitar i tyre, vdes tragjikisht i vetmuar. Për të treguar se sa i fortë ishte ky pasion, shkrimtari e përshkruan Auerelano Buendian si një njeri që humbet të gjitha lidhjet njerëzore dhe mbërthehet nga një palë ethe të ftohta dhe të vazhdueshme.

Dihet tashmë që romani është simbol i realizmit magjik. Pershkrimi i ngjarjeve përmes kësaj metode u jep atyre nje tis mistik të vazhdueshëm, sa është e vështirë të dallosh të zakonshmen nga e pazakonshmja, realen nga imagjinarja. Kështu, bashkëjetesa e njerëzve në botën e këtejme me ata të botës së përtejme, duket si një gjë krejt normale.

Për vite me radhë Hose Arkadio Buendia me Ursulën jetuan në shtëpi së bashku me thesin me kocka të të vdekurit Prudensio Aguiliari, që Hose Arkadio Buendia e kishte vrarë për xhelozi. Po kështu, në vitet e fundit të jetës, Hose Arkadio Buendia bisedonte qetësisht me të vdekurit dhe veçanërisht me Melihadesin, një vetmitar dhe profet rom, në librat e të cilit gjendej pikërisht dhe parashikimi që fshati Makondo do të shuhej kur një pinjoll i Buendiave do të lindte me bisht derrkuci.

Në të njëjtën mënyrë, dhe fati i fshatit Makondo ndjek fatin e fisit Buendia. Makondo kishte kaluar ditë të mira dhe të këqija, shpeshherë ishte rrënuar dhe shpeshherë ishte ringritur.

Fshati kishte kaluar dy epidemi. Këto ishin epidemia e gjumit, gjatë së cilës banorët humbën kujtesën si dhe epidemia e shiut, e cila zgjati katër vjet, njëmbëdhjetë muaj dhe dy ditë. Kur shiu pushoi, fshati ishte kthyer në një rrënojë. Por pas kësaj, fshati sheh lulëzimin, ndërtohen hekurudha, kinema etj.

Por ky zhvillim nuk zgjat shumë, plotësohet profecia e Melihadesit. Lind fëmija i brezit të pestë me bisht derrkuci. Dhe pikërisht kur Aurelianoja i pestë lexon i vetmuar në dhomë faqen ku shkruhej kjo profeci, ai e kupton se nuk do të dilte më nga dhoma, ndërkohë që fshati Makondo shpërbëhet i tëri. “Fiseve të dënuara me njëqind vjet vetmi, nuk u jepej asnjë shans tjetër përmbi tokë”- shkruan shkrimtari.

Sado të pazakonta dhe imagjinare janë situatat në roman, ato përshkruajnë në qelizë, atë çka ndodh me fatin e jetës njerëzore. Dhe pikërisht këtu merr kuptim fakti se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet dhe solidariteti njerëzor, pikërisht për të mundur vetminë.

 

 

Please follow and like us: