Albspirit

Media/News/Publishing

Juela Hamati: Arsimi është fytyra e qeverisjes

Image may contain: 1 person, smiling, standing

Të hënën e ardhshme në vendin tonë do të fillojë një fushatë shumë e ngjashme me atë të “zgjedhjeve” të fundit vendore, të një viti më parë, ato të 30 qershorit.

Me të njëjtën këmbngulje për të shkuar të vetëm në votimet e vitit të shkuar, këtë herë, partia-shtet nëpërmjet ministrisë së arsimit synon të bëjë zgjedhje për organet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë. Por, me shumë gjasa, vetëm kandidatët pranë partisë e cila drejton vendin, do t’i binden këtij urdhri.

Një déjà-vu me zgjedhje pa elektorat, me universitete të zbrazura pa studentë e pa pedagogë.

Për këtë aryse, prej disa ditësh zien një debat, edhe pse jo me vëmendjen që meriton, midis studentëve, këshillave studentorë, organizatave rinore, pedagogëve por dhe politikanëve, mbi mbajtjen e zgjedhjeve akademike në këtë datë.

Argumenti kryesor që paraqitet nga kundërshtuesit e këtyre zgjedhjeve, është se ato bien ndesh me Kushtetutën e vendit tonë e cila në nenin 170/6 thotë se:

Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendum, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Zgjedhjet vendore mund të bëhen vetëm aty ku nuk zbatohen masat e jashtëzakonshme.

Nuk ka nevojë të kesh formim juridik për të kuptuar se rëndësia e mbajtjeve të zgjedhjeve vendore është qartazi më e madhe se ajo e zgjedhjes të organeve drejtuese të arsimit të lartë, në një kohë kur viti akademik është drejt përfundimit dhe universitetet janë të zbrazura për shkak të COVID-19.

Ndesh me mbajtjen e zgjedhjeve bie më së pakti edhe Rregullorja e Universitetit të Tiranës, Universiteti më i madhi në vend me 24.000 mijë student. Kjo rregullore, në nenin 38/b të saj, parashikon disa situata kur zgjedhjet mund të shpallen të pavlefshme nga Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ). Njëra ndër to është edhe fatkeqësia natyrore e cila pamundëson pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim.

Në një kohë kur është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe është zgjatur të paktën deri me 23 qershor, kur lëvizja e automjeteve dhe individëve është kufizuar duke shkelur madje edhe liritë themelore të njeriut, kur udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se duhen shmangur grumbullimet dhe duhet ruajtur distancimi social, është i pakuptueshëm nxitimi që ka Ministria e Arsimit për të mbajtur këto zgjedhje.

Pavarësisht peshës së vjedhur të votave të studentëve me anë të Ligjit të vitit 2015 për Arsimin e lartë, e cila tani është vetëm 10%, sërish kjo është një përqindje e konsiderueshme dhe të drejtën për të votuar e kanë dhjetra mijë studentë tek të cilët është e pamundur të bëhet fushatë dhe shumë prej të cilëve do ta kenë të pamundur të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin vetëm për të votuar.

Megjithatë, pavarësisht peshës së vogël që u është besuar studentëve në zgjedhjet akademike, në dhjetor të 2018, për shkak të protestave që vulosën dështimin e Reformes për Arsimin e Lartë, plebishiti i studentëve arriti të shkermoqë një pjesë të madhe të qeverisë, ku u larguan 7 ministra, përshirë atë të arsimit.

Në një vend ku shumica e rinisë i ka sytë për tu larguar nga Shqipëria,

shpërfillja e kësaj të drejte që kanë studentët dhe pedagogët është dekujaruese për atë përqindje të vogël të të rinjve të cilët kërkojnë të kapen pas fijes së shpresës prej bari, duke ëndërruar ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu.

Nje shprehje e urtë persiane thotë se arsimi është fytyra e mendjes. Ndërsa në vendin tonë, duket se arsimi është fytyra e qeverisjes.

Please follow and like us: