Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: DËBIMI

Fletë nga DITARI I NJË JETE TJETËR

Do a s’do njeriu, do t’i ndodhë që të ndrojë rrjedhën e jetës, si të ishte edhe një rrëke që zbret nga mali. A të ngjitet e të zbres nga “Pema e jetës” në një çast, në një ditë të bukur a natë të errët. Mjafton ta godas një tjetër njeri me fjalë a me gurë. Kështu do më ndodhte edhe mua që të bëhesha me një ditar të tillë, 44 vite më parë, në tri fletore të trasha, kur befas, pas nje “prishje buzësh” të Diktatorit, do ta shihja veten 600 metra nën tokë, në galeritë e thella të Minierës së Qymirgurit në Memaliaj dhe që e quaja më të udhës të komunikoja me këto fletë, të cilat do të zverdheshin pas 27 vitesh, e falë përkujdesjes së mikut tim, shkrimtarit Mihallaq Qilleri, do të zbardheshin e do të shihnin edhe dritën e botimit, nën titullin “Dëbimi ,-Udha për në Ferr” nga Sh. B. Dituria, viti 2003. Dhe më mbrapa këtij libri memorialistik, meqënëse “Ferri” zotëronte edhe nën qiellin e hapur, do të shtoja edhe dy libra me karakter letrar (“Arratisja e Kujtesës” e “Vdekja e Artistit”), po në këtë linjë vetiake, për t’u njësuar si trilogji, ku personazhe do të kisha veten dhe shokët e mi të vuajtjeve! Me kërkesë të shumë prej miqëve të mi, pas ribotimit te dy tregimeve (nga libri i dytë dhe i tretë), u mundova që, nga afro 300 faqet e librit të parë “Dëbimi” të sintetizoj edhe këto 10 fletë, – si rikujtesë të asaj “jete tjetër”, duke i falenderuar për interesimin, durimin për t’i lexuar, pëlqimet e komentet e tyre të ngrohta! Dhe për të mos e harruar kurrë të djeshmen, në kohën e sotme!

Memaliaj, 1 Prill 1976

Rrokullima më solli deri këtu. Nga mbitoka në nëntokë… Ka nisur kështu jeta ime e nëndheshme. Kjo histori e trishtuar nisi që në muajin mars. Më saktë ishte 19 mars 1976. Një ditë më mbrapa do të festoja ditëlindjen. Mjaftoi vetëm një mbledhje-rrufe në orën 9.30 minuta, ku u lexua vetëm një letër anonime, jo më shumë se pesë rradhëshe, drejtuar direkt Enver Hoxhës, prej një sekretari partie të zonës, pranë Shkollës së Mesme të Kulturës në Tiranë dhe… oh, jo… nuk dua ta kujtoj tani për tani mënxyrën që më ndodhi. Unë do të “ballcamosesha” në vend, kolegut K.M. do t’i binte të fikët, arsimtaret e nderuara gra do të lëshonin një ulërimë, si të kisha vdekur mu aty dhe u dëgjua vetëm “pretenca” e vetme e Drejtoreshës L.K. e cila tha se “gjithçka e ka verifikuar partia dhe ky njeri duhet të riedukohet në gjirin e Klasës Punëtore, në një sektor të vështirë, mundësisht nën tokë, që të mos e shohë diellin me sy”! Dhe kjo u bë. U nisa “pa një, pa dy”, pa më dhënë askush të drejtën e një gjykimi publik, pa marrë asnjë letër të shkruar a vendim! Mekanizmi i përsosur i vetasgjësimit nisi të funksiononte automatikisht. Më duhet të çapitem udhëve të panjohura për shumë vite…

Në stacionin e trenit më erdhën të më përcillnin vetëm nxënësit e mi të dashur, me në krye Karafil Shenën, duke qarë me dënesë! E tani, ja ku ndodhem: brenda një kthese të Lumit Vjosa, i degdisur, rrëzë malit të Shëndëllisë. Dhe me një shënim të vogël nga Shefi i Kuadrit të minierës, M.V. do të përcillesha në një nga sektorët më të largët të saj e do të “shëtisja” nëntokën, me kilometra të tëra, nëpër galeri të thella e zgavra që i lidhin ato me njera-tjetrën, ku njerëzit punonin herë me sqepin e një kazmai të vogël e herë me daltën rrotulluese të kompresorit, për të çpuar shtresat e qymyrgurit, duke i shkëputur, thyer e grimcuar, hedhur nëpër vagona, për t’i nxjerrë nga zemra e dheut. Në ato çaste s’di pse mu kujtua romani i Zhyl Vernit “Udhëtim për në qendër të tokës” e më ngjau vetja një hiç karshi një minatori që i kishin ngjitur grimcat e qymirit në fytyrë e i dukeshin vetëm dhëmbët, gjatë atyre 20 viteve që rrëmihte dheun, pa ditur nëse do të dilte apo jo në sipërfaqen e malit.

2 Prill

-“E bëre gabimin e parë, -më tha shefi M.V. -vajte e hyre në një sektor tjetër të minierës, gabimisht…”. Dhe, pa më lënë fare të hapja gojën, më jep një shënim tjetër për në sektorin 250, më në skaj akoma, nga ku dukeshin edhe malet e Beratit… “Mos kij merak, vazhdoi ai, sa të zbresësh nga autobuzi do të të njohi Mali, minatori Malush Osmani, pa merak fare… Tani tya te njohin të gjithë, pa ardhur mirë akoma”,- pa e vënë re drithmën elektrike që më përçuan fjalët e tij…

8 Prill

“Ke punuar ndonjëherë me lopatë?”, -më pyet brigadjeri, -ish Drejtori i Minierës F.V.

“Jo”,-i përgjigjem unë.

“S’ka gjë,-shton ai,-do mësohesh”…

Dhe më futën në pusin 185 në Selaj që të mësoja se si hiqeshin gurët e dheu në galeri me lopatë, pas plasjes së minave. Isha bashkë me Nesimin, një punëtor imcak, që më vështronte me dyshimin më shkatërrues, sa më pa ashtu të shëndetshëm e me duar të bardha e të pa plasaritura… Por disa orë më vonë, si do të përballeshim me një masë të madhe baze e ta hidhnim nëpër vagona, Nesimi do më mësonte se si mbahej lopata, se si mbështetej bishti i saj tek gjuri e si do të matej harku për ta hedhur bazën nëpër vagona. “Tani ta shtyjmë vagonin e ta nxjarrim jashtë që ta zbrazim. O burra! Po, kujdes në kthesë, të mos na bjerë, se ndryshe na mori dreqi…”! Dhe ja, që në vagonin e parë, në kthesën e parë, vagonët do të binin njeri-pas tjetrit, herë me njërën rrotë, herë me të dyja e herë me të katërta, sa të “pëlcste buza” për t’i ngritur me hunj druri, me leva hekuri, mandeje edhe me çikrik… Megjithatë, i bërë qull në djersë, fare i “këputur” nga krahët e fuqia, as qe e mendoja se punëtori që kisha në krahë do të ankohej tek shefi i sektorit e do kërkonte të më zëvëndësonte me një puntor tjetër që ditën e parë të punës!… Po e mora vesh të nesërmen, në mbledhjen e mëngjesit, kur ai m’u drejtua vrazhdët:

“Përse nuk punon ti”?!

Kisha ngritur supet dhe nduka gjuhën, për të mos nxjerur zë.

“Partia të ka dërguar në gjirin e klasës puntore, vazhdoi ai po me të njëjtin ton, që të riedukohesh dhe ti më bënë numura”!

“Ç’numra bëj”?!-zgjidha gjuhën, për herë të parë.

“Keni lënë bazë akoma pa hequr brenda… sa vagona hoqët”?!

“Shtatë”.

“Duhet të heqësh 10 e jo sa nxjerrë jashtë vagonin të ndezësh cingare njerën pas tjetrës”! Shtanga!

“Po unë as që e pi fare duhanin, shoku shef… të lutem, mos thoni të tepërta…”!

E vështrimin shefi e nguli tani mbi punëtorin tjetër që donte të më “hiqte qafe”, pa më thënë fare se sa vagona bazë duhej të hiqnim!

9 Maj

Meqënëse Mjeku i Minierës, një njeri i qetë që shkruante edhe fabula, tek i cili shkova çalë-çalë me gjurin e djathtë të buhavitur, qyshkur këtë këmbë nuk mundja ta tërhiqja në kohën e duhur nga përplasja e dy vagonave, më dha disa ditë raport, për punë të lehtë dhe më caktuan të punojë në teleferikun e sektorit gjatë turnit të natës… Aty u njoha me Hasanin. Tha se ishte nga një fshat i Beratit e punonte si trolist në këtë sektor të largët. Së bashku me të, afronim tek bunkeri vagonin, e rrotullonim, derisa të derdhej e gjithë baza e pastaj e kalonim tek vagonat e boshatisura që ta merte Troli. Dhe prisnim të dilte vagoni tjetër me bazë, nën një tendë, për t’u mbrojtur nga shiu që sapo kishte filluar…

U bënë disa vagona rresht dhe pritej të vinte trolisti i turnit, i cili atë mbrëmje nuk erdhi dhe shefi i sektorit iu lutë Hasanit që të punonte edhe 8 orë të tjera akoma! Pranoi menjëherë. Hypi mbi trolin e tij, me shkathtësinë e maceve, e ndezi me shpejtësi e në çast vagonat u zhdukën në thellësi të galerisë. Mbi telin e jashtëm të troles shkundnin krahët e lagura një tufë zogjsh, që s’pushonin së cicërituri… Si ai bebi që i kishte lindur këtij njeriu që kishte hyrë përsëri në galeri për të punuar, pas 8 orëshit, duke qënë edhe me raport- pune të lehtë qe edhe mund ta kundërshtone fare mirë. Bëri katër rrugë, zbriste nga troli të më ndihmonte mua e hypte përsëri tek timoni i trolit. Qe rruga e fundit që do bënte dhe i qeshte buza. Dhe, kur sa kishte filluar të zbardhte agimi e dritat e sektorit të zbeheshin prej agut të ditës, u dëgjua rrapëllima e vagonave që po delnin nga galeria, me një zhurmë të pazakontë! Ato u përplasën me rrapëllimë në masën fundore mbajtëse e, nga troli lëshohet e bie përdhe një trup njeriu pa kokë…

U lemerita! Njoha trupin e Hasanit… Ulërita e rrashë përdhe, në llurbën e krijuar nga shiu i natës mbi argjilin që lëshonte avuj të ngrohtë… Kokën e Hasanit do ta gjenin gjysmë ore më vonë, në njerin prej kanaleve kulluese të traverbangut kryesor, përbri harkut të fundit të betonit, nga ku trolistëve u ishte bërë zakon të kthenin kokën e të kontrollonin vagonat! Fati i hidhur i këtij njeriu që të mirrej pikërisht nga vdekja, ky punëtor i heshtur e i bindur, ky baba i një tufe fëmijësh që do ta pësonte nga mirësia e tij e nga ajo dashuri qe kishte për punën, sado e rezikëshme që ishte ajo! Më pikoi helmi në zemër për Hasanin…

23 Maj

Në barakën e punëtorëve të sharrës (ku priteshin trarët e galerisë) u bë nje mbledhje urgjente për përfundimin e punimeve mbrojtëse që nevojiteshin urgjentisht për të përballuar presionin e armiqëve të jashtëm! Dhe, kur u duk se oratori do të heshtte më së fundi, njerëzit nisën të lëviznin…
– “Daleni, daleni, – ia bëri me frikë, se mos gjindja i ikte nga duart,- kisha edhe diçka akoma. – Siç mund ta dini, në kolektivin tonë ka ardhur edhe një shok i ri,-vazhdoi ai, me gishtin tregues në drejtimin tim dhe, si forcoi tonin e zërit, eci më tej: -Shokë dhe shoqe! A kemi forca ne që ta edukojmë këtë njeri? Partia e ka dërguar këtu, midis nesh për riedukim. Unë them se ne kemi forca ta kryejmë këtë porosi të Patisë. Por fjalën e fundit do ta thoni ju…”.
Ra heshtja. E gjithë salla më shikonte tani drejt në sy, sikur unë do të lëshoja ndonjë hata të madhe. Më ngjau vetja si në atë dishinderinë e pjerrët që vazhdimisht shëmbej dhe kërcënonte jetë njerëzish…

Kisha folur kushedi se sa herë deri atëhere, ku do më shpinin dhunshëm: në Dikasterin ku punoja, në Korçë, nga doli shfaqja “Njollat e Murme”, në Durrës, ku jetonte autori i saj Minush Jero, në Fier, për shfaqjen “Historia e një vajze”, që u etiketua përsëri si “Revizioniste”, si edhe një herë për të dyja këto, kur më hoqën nga Dikasteri i Arsim-Kulturës e më shpunë të jepja mësim në Shkollën e Mesme të Kulturës. Duke bërë tri herë autokritikë, pas debimit a internimit, sepse as vetë nuk e dija se si mund të quhej gjëma që më priste e më ndodhi (!), po këtu në Memaliaj, nëpër sektorët ku më çonin për të punuar. Po edhe unë ia kisha gjetur “fillin e anën” kësaj pune, në njerën nga thëniet e Enver Hoxhës: “Unë shokë, kam gabuar. Po, po. Kam gabuar rëndë. Kisha hyrë në rrugën liberale-kapitaliste”, duke shtuar edhe këto dy fjalë”Po ju, ju…më shpëtuat”! “Po, po, ta pranojmë, ta pranojmë”!- sikur buçiti në atë kohë një kor zërash aty, në barangën e sharrës, ku priteshin trarët, afro dhjetë cantim më të larta se shtati im.

26 Maj

-Mirëpo “drurët e sharrës”, nuk qenë prerë siç duhej! Dhe në Memaliaj erdhën dy “ustallarë” të tjerë nga lartë, të cilët më thirrën në zyrat e policisë së qytezës për t’u dhënë përgjigje letrave të mia,-sikundër u shprehën ata, si edhe për të “mësuar” se deri ku më çonte kjo “udha liberale” që thoja unë në autokritikat e mia! Këta ishin Nevzat Haznadari e Çome Asimaqi, të cilët kërkonin të bënin hetime të mëtejshme rreth “grupimit të liberalëve”, ku sipas tyre futesha edhe unë, po që partia më kishte “diferencuar” për origjinin time të mirë, gjë që më “takonte” edhe të thoshja diçka me rëndësi rreth “kompllotistëve”, sikundër u shprehën ata. Po gjithçka që bënin e thonin qe absurde, pa bazë reale, sepse nuk isha asnjëherë në armiqësi me partinë, edhe pse nuk u bëra kurrë antar i saj. Atëhere irritimi i tyre nuk do të ishte më në favorin tim, ndërkohë që, sipas tyre, qenë arrestuar e futur në burg të gjithë krerët e ministrisë, si komplotista që ia kishin me hile partisë, po edhe shokët e mi regjisorë e shkrimtarë, me të cilët kisha lidhje të afërta, duke më përballur edhe me anën shpirtërore-sentimentale time, sikundër ishin “lotët që derrdhnin”(!) të dy fëmijët e mi për “fatin tim e të tyre” njëherësh, natën e ditën!

23 Nëntor

Në fjetoren e puntorëve, që i ngjante një hauri të gjerë, me dy rreshta e të mbuluar me letër katrama, rrëzë një frigoriferi të madh që “gërrhiste ditë-natë”, midis sheshit te qytezës e brrylit të lumit, kishim edhe nje sobë të sajuar me fuçi zifti dhe me një qyngj që tejshkonte krejt kapanonin tonë. Shumica e tyre vinin nga fshatrat përreth. Pranë kësaj sobe që e ndiznim me qymyr, aq sa skuqej përreth saj, rrija e ngrohesha edhe unë, kur acarohej dimri e vinim të lagur… Po më shumë dëgjoja të tjerët se sa flisja. Dy nga puntorët qe ende fytyrën e kishin të palarë e me blanga qymyri thonin se në sektorin 250 ishte shembur galeria dhe nuk “dihej se sa puntorë kishte zënë brënda. Po dihej vetëm emri i njerit prej tyre, ai i Budo Shenës”. “Edhe pak dilte në pensjon,-tha tjetri,-Thonë se do të kishte dalë, por qe bërë një gabim në dokumenta dhe i gjori e pësoi! Sepse ” i thanë që të punonte dhe një muaj akoma!”. Menjëherë mu kujtua fytyra e tij, njeri i mbajtur mire, krenar, baba i një vajze dhe i katër djemëve. Njerin prej tyre, Flamurin e kishim nxënës në Shkollën e Kulturës. Djali i tij i madh ishte inxhinier në këtë minierë. Psherëtiva dhe kokën e ktheva nga dritarja. Befas rrezatimi i syrit kapi siluetën e një njeriu të njohur. Ngrihem dhe i avitem dritares. E njoha. Ishte njeri nga studentët e mi të Shkollës së Lartë të aktorëve. Thoma Stroni… Po, po ai vetë. Që më pas e pata edhe koleg në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës. Ngurrova një çast. T’i flisja apo jo? Këtu kisha edhe dy nxënës të tjerë, Rakip Zhupën e Shyqyri Malkën, vëllain e Mehdiut që punonte po aty. Me ta flisja e më flisnin, edhe pse i qërtonte ngaherë M. V-ja… Po i rashë xhamit instiktivisht. Dëgjoi dhe u kthye. Më njohu menjëherë dhe mbeti i habitur. U kthye nga rruga e hyri në fjetore. U përqafuam dhe në çast mu kujtua pse kishte ardhur. Për vdekjen e Budos, sepse qe dhëndër i tij, i martuar me të bijën, Laurën. E ngushëllova. Psherëtiu dhimbshëm! “E zuri mali nën vete. Ishin dy shokë dhe ai qe ishte më përpara, i zu shkëmbi vetëm këmbët. I tërhoqi menjëherë dhe shpëtoi. E shpëtuan çizmet. Budon e shëmbën gurët brënda galerisë. Kishte luftuar që të shpëtonte edhe ai, po qe tepër vonë”! Thomai nxori paqetën e më zgjati cigaret. Nuk e doja, po e mora dhe e ndeza bashkë me të. Tek thithnim tymin e cigares, mu kujtua se edhe Thomai e kishte pësuar nga kjo mesele, po deri në Patos, jo deri këtu, në galeritë e nëndheshme, ku hynin shpesh e rastiste që nuk delnin më të gjallë!

17 Mars 1977

Mirëpo këtu njeriu miqësohet edhe me rrezikun… Kaloi një vit si pa u kuptuar dhe unë tani i njohë të gjitha udhët e nëndheshme… Në llambisterin e sektorit me kanë dhënë llambën me numur 101 dhe sa më shohin gratë që punojnë aty, kur vete të marr llambën time, ia pëlcasin gazit.”Erdhi ky i njëqindenjëshit”, – mërmërisin këndshëm ato, ndërsa shokët e brigadës, me të cilët më ka vendosur tani M.V-ja, i vazhdojnë qyfyret deri në “Zemrën e malit”, në 5-Veri a në 5-Jug, në nivelin e parë a në nivelin 5. Edhe traverbangun kryesor duhet ta kalosh po me bisedën që nis brigadieri im i tanishëm, “Ariu” Miço Nano, njeriu i mirë nga Malëshova e Përmetit, afro dy metra, më shumë i gjatë sesa i gjerë, me humorin në majë të buzës, Bilbil Zhupa, njeriu më i shkurtër në botë, jo më tepër se një metër e dhjetë, thatim, që mban gjithmonë një kapele-petull dhe që thotë shpesh se “s’ka më të zotë se njeriu, i cili bën njerinë, apo me minatorët që ndërrohen aq shpesh: me Selfo Shehun, që më rri më afër e më shtrëngon dorën që të mos u përgjigjem romuzeve qe më hedhin nganjëherë e që s’i bëhet vonë ta pijë një kafe me mua në qendrën e qytezës a të sektorit, me Selim “Çibukun”, me qillota leshi gjithmonë e me çibukun që nuk e heq nga goja, brenda e jashtë, në dimër e behar, pa përmendur Cenin e heshtur, puntorin e mirë, që s’të flet kurrë po si fole, apo me Xhelon që s’rri dot pa folur, ke apo s’ke oreksi ta dëgjosh, sepse thotë parreshtur që ka aq shumë zanate e që ne tani e quajmë “njeriu me shtatë zanate”! Po kemi edhe Veledin Abazin me vete, Kryetarin e Bashkimeve Profesionale, që flet shtruar e që, po ta ngasësh, të thotë edhe qyfyre të këndshme, po edhe që rrëfen përkujdesje ndaj nesh, duke u shprehur se “para jush , kokërr mos daltë nga galeria”! Si edhe me disa puntorë vagonista, që ndrrohen jo pak herë. Po mua nuk do më hiqet nga mendja sidomos njeri prej tyre, Seitin që vjen nga Tepelena dhe e ka fytyrën si të Fernandelit, aktorit komik francez e që u miqësuam shumë shpejtë së toku.
Sot jam unë shtytësi. U mësova me ta dhe galeritë tani i njoh me pëllëmbë. Me Bilon zgjodhëm 20 këmbë me gjatësi 80-120 cm (aq sa eshtë edhe vet Bilbili!), si edhe 5 kapele për t’i shpënë në llavën 5-Veri, si na porositi minatori Hajri Binaj. I shpumë ato deri tek gryka e fjangos, duke i zvarritur. Vjen një erë e athët, si myk, apo uthull që të ngacmon vazhdimisht hundët. Nga shtresa e shfrytëzuar që kemi mbi krye, ashtu barkazi, sikundër jemi, shkëputa një copë guri ku duken të ravijëzuara fosilet e mijëvjeçarëve të parë të njerëzimit dhe ia rrëfej Bilos. “Çudi,-shqyen sytë ai, deri këtu paska qënë deti që na i la fosilet?!” E unë mundohem të bëjë spjegimin e duhur për të përcaktuar moshën e tokës, derisa befas u dëgjua plasja e minave e mbi kapelet tona ranë guriçka të tjera me fosile që shkëlqenin nga rrezatimi i llambave tona. Mbështollëm hundët me cepat e xhaketave, për t’u ruajtur nga tymi mbytës i minave që u hodhën. Dëgjojmë zërin e minatorit që na thotë të shtyjmë qymyrin me bythë e t’i lëmë llafet. E shtyjmë qymyrin e ngecur aty me duar e me bythë, duke u zvarritur mëtëposhtë. Mezi rrotullohem. Pas pak ndjeva shqyerjen e pantallonave e grimcat e qymyrit të më depërtojnë në krejt trupin. Mbi kapele kërcasin copra më të mëdha, si një breshër i dendur. Përmes fjangos mbërrij në galerinë e poshtme e vetëm këtu ngopem me frymë. Po shoh se qymyri eshtë bllokuar në grykën e llavës e nga kulvari i hapur nuk bie asnjë kokër qymiri poshtë. E ndjej Miçon që inatoset poshtë kulvarit dhe që tenton të hyjjë më lartë përmes “hinkës” prej druri, por ajo nuk e nxë trupin e tij të bëshëm. Së fundi ngjitet me vështirësi të madhe dhe e çliron kulvarin. Po është bllokuar edhe më lartë. Atëhere ngjitem unë, i lëviz me duar, duke u mbështetur anash e kështu nisin të vërshojnë kokrat e qymyrit mbi kapelen time prej fibre si një breshëri e dendur. Shmangem disi e qymyri rrëshqet. “Hë më të lumtë , more djalë!,-thërret tërë gaz Miçoja,-Të të rrojë gjyshja!”… Gazi i Miços nuk mbahej atë ditë që nxorrëm nga nëndheu 35 vagona qymyr dhe kur dalëm nga galeria, me fytyrat e nxira krejtësish nga pluhuri i qymyrit dhe hymë në mencën e sektorit, porositi nga një dopjo pilaf me fasule përsipër, aq sa vajza e Tahir Gashit u shkri gazit tek ishte në banak. Ndjeva në atë kohë brrylin e Miços të më shponte! “S’ka njeri më të mirë se babai i kësaj vajze të bukur,-tha Miçoja me admirim,-Kosovar nga më të rrallët e minator shumë i zoti. Sa dëgjoi një herë se i ishin bllokuar shokët në sektorin e IV-të, vrapoi për aty, edhe pse e kishte pushim atë ditë… Mirëpo befas e mbuloi dheu edhe atë, trarë e gurë bashkë. Të tjerët që vinin nga mbrapa, për fatin e tij të mirë, e panë dhe e nxorrën nga “murrosja” së gjalli , vetëm me njerën këmbë të thyer në dy vende! E hypën në një vagon dhe e nxorrën jashtë e atij nuk ju dëgjua zëri fare! Këtij i them burrë unë e për këta burra duhet të shkruajnë ata shkrimtarët e tu. E që thua ti, që s’the asgjë, kjo bukuroshe e rrallë, është e bija!

20 Mars

Për habi, tani e ndjej veten më të lirshëm brënda galerisë se sa jashtë, mbi tokë, midis ca njerëzve të tipit M.V, ku shpesh ndjej vështrimet e tyre të më shpojnë. “Ja, ky është ai që na i kanë dërguar nga lartë për ta ndrequr ne”. Mirëpo, jo pak herë këtu duhet të përballesh edhe me “të pandrequr” të tjerë. Atëhere, si duhet të bësh, të takohesh e të rish me ta? Jo, sigurisht, se do ta vësh veten në një bela edhe më të madhe. Pa patur unë asnjëfarë miqësimi a afrimi sekondar me Fadil Paçramin e Todi Lubonjën që në Tiranë i vunë përpara ndëshkimeve më të egra, këta këtu mërmërisin se edhe unë jam i “grupit të tyre armiqësor”! Atëhere s’ke ç’bën dhe i kthen kurrizin tjetrit që është si ti, i ardhur, i dënuar a i dëbuar, apo i internuar, shpesh edhe me nofka gjithfarësh, me etiketime, deri tek “armiqtë e klasës”…
Sot mbusha 39 vjeç dhe doja ta shijoja ketë ditë duke qenë i vetëm, buzë Vjosës. Dhe nis e harrohem në vetmin time, i mbytur nga kujtimet e trishta. Fryn një fllad i lehtë nga ana e lumit. E bredh me mëndje nëpër jetën time të coptuar… Dikush ecën para meje. Ngdalëson hapin edhe ai. Tani unë dhe ai jemi gati ballë përballë. E njoha menjëherë. Skënder Konica! Ish Ambasadori ynë në Turqi. Edhe ai është këtu, i dëbuar si unë a i internuar si unë… Se nuk e di se ç’jemi ne këtu! Ai vazhdon të më afrohet dhe unë trembem, kthehem me shpejtësi dhe nisem për diku tjetër. As vetë nuk e di se ku. Nuk më duhet më shoqëria e tij, aq më teper siç jemi tani të vetmuar, buzë lumit. E di që njerëzit ende vazhdojnë të më shikojnë shrembër, të më largohen sikur kam”lebrën”! në lëkurë. Po ai, si tha ai, i madhi i Hetuesisë: “Cilat janë marrëdhëniet e tua me komplotistët”?! Cilët “komplotistë”?! Sa gjë e tmerrshme që krijohet. Si ato vorbullat në mesin e lumit… Të thithin e humbet njeriu i gjorë për gjithënjë.
Po pak më tejë bregut, ku ndjehej një erë e qelbur, do të më delte përpara një tjetër tablo e trishtuar: dy persona hidhnin me sa forcë që u kishte mbetur, me lopatë, mbi një sustë krevati të hekurt, mbeturinat e fekaleve të grumbulluara aty kushedi sa kohë! I njoha dhe shpejtova hapat për më tutje. Se i njoha menjëherë. Njeri ishte dramaturgu Ibrahim Uruçi , Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes se Shkrimtarëve e i Artistëve të Shqipërise, ndërsa tjetri, njeri prej djemve të Beqir Ballukut, ish Ministrit të Mbrojtjes, që pushkatoi së fundi Enver Hoxha. Sikundër edhe dukej, kjo zonë e mënjanuar e Tepelenës, mblidhte e do të mblidhte njerëz “të pabindur”, për t’i riedukuar në mënyrën kineze! Dhe nuk do të vononte që edhe Ibrahimi të më delte përpara një ditë tjetër e unë të paralizohesha krejt, për të mos e marrë më veten. Ai hoqi syzet i habitur dhe tha: “Edhe ti këtu?!”,-dhe u përpoq të më jepte dorën. Por unë i ktheva shpinën me nxitim. Vetëm më vonë do ta mendoja gjithë atë që ndodhi, si një skenë tragjikomike midis dramaturgut e kritikut, midis udhëheqisit partiak të shkrimtarëve e artistëve dhe “deles së mënjanuar” që nuk hyri kurrë, nën shtrungën e mëmës parti. Po vetmia shpesh, është zgjidhja më e mirë e halleve, sepse ndonëse është e tmerrshme, njëkohësisht edhe shëron. Shëron shumë plagë! Po provon edhe të kundërtën dhe e ndjen veten të mpirë, të shpartalluar si njeri, si unë në këto çaste… Më erdhi shumë keqë për Ibrahimin dhe e dënova veten për shumë kohë që nuk i fola atë ditë e si këto ditë, kur disa fëmijë të prapë e kishin vënë atë në mes tyre e talleshin me të, duke thirrur mesa zë që kishin:”Braaçe, Braaçe, Braçeeeee”! E kjo ndodhte në Sheshin Kryesor të Qytezës së minatorëve të nëntokës. E njerëzit e tjerë kalonin aty si pa gjë të keq, disa qeshnin e disa të tjerë bënin sehir! Tmerri nuk mu nda për një kohë shumë të gjatë. Se edhe unë sehir bëra, që mos u bëfsha kurrë njeri! Për një çast desha të turresha e t’i ndalja ata rrugacë që nëpërkëmbnin një njeri, të paktën të bërtisja për t’i ndalur. Po një forcë e paspjegueshme më stepi, më mbërtheu në vend. E humba mëndjen e arrita vetëm t’i thoshja vetes: “Mos do që nesër të tallen edhe me ty kështu”,-më një zë që delte nga brendësia e thellë e vetes time!
29 Maj

Për të mbushur “kohën e zbrazur!” pata lexuar një varg librash që më binin në dorë këtu dhe pikërisht sot mbylla faqen e fundit të romanit të Uilliam Thekerit “Panairi i Kotësive”, ku vendin kryesor e zë kotësia e një bote, ku ethet e parasë bëhen gjithçka për jetën e një kategorie njerëzish.Thekerei është shkrimtari i kontrasteve të thella, skalitës mëndjemprehtë i personazheve të tij, aq sa krijojnë përshtypjen se ata janë marrë direkt nga realiteti, bile aq groteskë sa të bëjnë të qashë e të qeshësh. Nga ana tjetër romani më kishte bërë të harroja shumë nga jeta ime e përditshme, nga mendimet e mia të zymta. Për habi, kisha filluar ta ndjeja veten më mirë brënda minierës se sa jashtë saj, në përditshmërinë që më servirte jeta. Për ta ngritur sadopak gjendjen time, nisa të rilexojë Servantesin, si edhe Hashekun. E qeshja vetëm. Sikur jetoja edhe unë pas bëmave të marra të Don Kishotit, apo të dëgjoja komentet qesharake të ushtarit të mirë Shvejk! Po pastaj u tërhoqa sërish pas panoramave më të gjëra të jetës, me njerëz të dimensioneve të mëdha që i gjeja tak Tolstoi, Hygoi, Olldrixhi, Londoni e O’Henri. Atëhere niste e më ngrohej shpirti… Dhe do të rifilloja të lexoja përsëri novelën poetike të Xhon Gollsuorthit “Lulet e mollës”, përkthyer nga profesori ynë i letërsisë Nasho Jorgaqi, për të “gjetur rishtazi” edhe një bela tjetër. Sepse, njeri nga puntorët e minierës, nga ata kureshtarë që më ndiqnin parreshtur e më përgjonin, kërkoi edhe ai ta merrte këtë libër që po e lexoja me kaq ëndje dhe, nga që nuk ia dhashë me pretendimin se fillimisht qe “ndaluar nga qarkullimi”, ai aq donte, për të vrapuar deri në Degën e Punëve të Brendshme e për të thënë se “Ky Miho Gjini na lexoka edhe libra të ndaluara”. Hopa!
Me vështrimin tretur nga dritarja, mu dukë sikur e njoha një grua. Ecte aq ndadalë sa nuk mundje të mos e njihje. Qe Virgjini Deljana, bashkëshortja e ish-Ministrit Thoma Deliana. Pak ditë më parë kisha dëgjuar se e patën syrgjynosur diku në Dhëmblan, afër Salarisë. Hapa menjëherë dritaren për t’i folur e rrëshqitja e librit që pata në dorë, tërhoqi vëmëndjen e shokëve të dhomës. Tre prej tyre më erdhën aty në çast. “Kush është? Kush është”?! “Gruaja e Ministrit tim”,-thashë unë. “Ndërsa mua s’vjen të më shohë njeri më, veç babait tim plak”. “Dhe të atij ministrit që kanë sjellë në Dhëmblan”,-tha njëri nga puntorët. Unë tunda kokën si para një zbulimi. “Po, po,- Gruaja e Komplotistit,-do të shtonte Nevzat Haznadari”. Kthjellimi do të ishte i menjëhershëm. A nuk më kishte thënë se ai ndodhej tashmë në burg, bashkë me dy zëvëndësat e tij, po edhe me ca shokë të mi të afërt, sikundër ishin shkrimtarët Naun Prifti e Gaqo Bushaka, me të cilat kisha bashkuar dikur kohën time të lirë, tryezën e kafesë e të birrave që pinim në “Pazarin e Vjetër”, sa herë që botonim diçka tonën e merrnim ndonjë honorar të vogël që gjithsesi na i ngrohte shpirtin! Po mendimet e mia do të m’i ndërpriste njeri prej atyre puntorëve që ishte prej atyre anëve, ndërkohe që Virgjinia na u zhduk prej syve! Merreni me mënd, një ministër çoban me dhi! Mirëpo fshatarët e Dhëmblanit e vunë përpara më keq se atë Braçen këtu! “Se s’është shaka, doli edhe kundër Enverit”,-tha një puntor tjetër. “Jo, sështë e mundur”, -thashë unë. Po po, e kishte zbuluar ajo Ministrja e re që vinte nga Dibra e i gjeti nje shkrese gabim! E di unë mire. Dhe qe pikërshit kjo grua që i dha edhe nje shpullë, e pas shpullës e bënë Çoban..hahahhahaahha! Po ka edhe më:” E thërrasin Çobanin -Ministër që të bëjë edhe zborrin Ushtarak, si gjithë të tjerët. Se ligji është ligj,për të gjithë, de. Dhe kur u ulë mënjan të hante një kafshatë bukë, ky Ministri yt, vajti e këputi një presh në parcelën e kooperativës aty afër. E u bë qameti aty, sa e pa një nga fshatarët dhe e leqendisi që po dëmtonte pronën e përbashkët..Kështu të ka mësuar Partia ty i tha që të vjedhesh?! E kështu, iku bija e botës dhe e la vetëm Ministrin, kjo që sapo pe”! Mu mekë fryma,”Ti, e ke njohur nga afër këtë Ministër që e prunë në Tepelenën tonë, që ta ndreqim edhe atë”?! “E kam njohur,-thashë pa entusiazëm dhe i verdhur në fytyrë. Në atë Ministri kam punuar 12 vjet” .”Si ka qënë”? “Unë si njeri të mirë e kam njohur. Babaxhan!”.”Po përse e dënuan atëhere?”,-ngriti veshët ai që vinte si i habitur. “Nuk e di,thashë,-kur u largova unë nga ministria, ai ishte ende Ministër. Dhe jo vetëm ministër, po edhe antar i K.Q të Partisë… Më tej nuk di ç’farë ka ndodhur. Këto që po thoni, i dëgjoj për herë të parë”. Ndërkohë, nënzëri i Haznadarit se ç’po më thoshte diçka për “komplot” dhe ma kyçi gojën! Për fatin tim të keq, këto dy-tri fjalë, një vit më vonë do të përbënin dëshminë e dytë për arrestimin tim! Se e para, qenë ato dy fjalë që i thoshja përherë nëpër letrat që i drejtoja Lartë, se “jam dënuar kot, pa gjyq e pa asnjë kartë të shkruar”, për të vazhduar akuza e tretë, se “ky njeri propogandon artistet e huaj, Marlon Brandon e Bekim Fehmiun me shokë”, si edhe literaturë të ndaluar (!), si ai Anglezi që shkruante për “lulet e mollës”, me qëllimin e tij të degjenerojë rininë e Memaliajit, sikundër do të thoshte ndonjë vit e ca më mbrapa edhe Prokurori i Tepelenës në pretencën e tij, në gjyqin e mëvonshëm”… U përmënda befas, u ngrita e dola nga fjetorja i pezmatuar, duke marrë shtegun e lumit. Vë re se pas meje vinte me të shpejtë shoku i fjetores Remzi Pasha, djali më fisnik e më i afërt për mua, që s’mundi të vazhdonte dot të lartën, i cili më kishte njohur edhe me një njeriun e tij, gazetarin Feti Zeneli, po kaq mbreslënës edhe ky. Remziu ecte përbri meje pa folur. Diçka bluante me veten e u skuq në fytyrë. “Nuk të kam thënë, o Miho se, një ditë më thirri në zyrën e tij shefi i Kuadrit M.V. As më shume e as më pak, por më tërhoqi vërejtjen që shoqërohem me ty! E kundërshtova. I thashë që unë Mihon e kam shok dhome dhe nuk mund t’u shmangem as takimeve me të, as bisedave me të. Sepse bashkë na keni caktuar të shkojmë në punë, në mensë e të kthehemi në të njëjtën fjetore! Mirë, mirë,-ma ktheu i nervozuar, por ti duhet ta dishh se ai është “njeri i dënuar nga partia”!…”Ti ke qenë në parti? ” “Jo, jo, asnjëherë!”.Dhe pastaj vatzhdoi: Unë nuk të kam pyetur kurrë, por as që dua të më thuash përse je këtu e punon nën tokë, Ti jeton e punon me ne dhe mua, më ngjan njeri i mirë dhe kaq më mjafton” buzëqeshi çiltër… Çdo fjalë qe e tepërt… Më gufonte shpirti tek zhvisheshim e u hodhëm në ujrat e rrëmbyera te Vjosës…
27 Dhjetor 1977

Më vendosën të punoj si shkarkues i vagoneve në teleferikun e jashtëm në Selaj. Tek po mbaronte turni i paraditës, njeri nga inxhinjerët, Resmiu më afrohet me dashamirësi e pyet nëse i’a kisha marre dorën punës së atjeshme. I them se tashmë, pas dy vjetësh aty, me dukej sikur kisha punuar tërë jetën time, në minierë, dhe se kisha nevojë të punoja akoma aty, qoftë si njeri, po edhe si krijues, e mbylla unë i përmbajtur fjalën time. Ai buzëqeshi me dashamirësi dhe shtoi se kishte njohur poetin S.Q. i cili kishte ardhur në minierë për të “njohur jetën”, po që nuk e merrte me mënd se unë ia pata lexuar poezitë që shkruante dhe se, njera prej tyre, nuk më kishte pëlqyer fare! Mbeti i habitur përsa i thashë, se krijimtaria letrare ka gjithmonë nevojë për elementë të vërtetë njerëzor, për lëvizje, njohje të reja, karaktere, simbole, të cilat ai nuk i kishte dhe, nuk më harroi… Ndërkohë dolën nga galeria “zezakët” e turnit tim dhe unë mezi njoha dhëmbët e bardhë e trupin prej gjigandi të Miço Nanros që mu afrua.
-Të ka dhëmbur shumë gjuri? – pyeti ai, si të ishte im atë. I bëra shënjë me kokë e me sytë që m’u përlotën se isha më mirë… Po, a mundesh të punosh edhe 8 orë të tjera, o i sëmur?-pyeti ai me mirëdashje. Më mungon puntori rrotullues… Ë, si thua?
-Po e tha Miço Nanoja u bë , edhe pse do ta humbas natën e fundit të festivalit të këngës në radjo sonte!
-Hë mo, të rruatë gjyshja,- tha gjigandi, duke më përqafuar e qeshur me dhëmbët jashtë! Sa për festivalin thuaji “Zoçkës” së menxës qe të t’i ngrërë zërin radjos e ja, u bë! Ë, si thua?
Si të thosha? Si mund ta kundërshtoja një njeri të tillë që s’mund ta gjëje asgjëkundi?! Nga krahu tjetër, unë e di se të gjitha këto shënohen në rregjistrin e sjelljes time, prandajë duhet të kem nota të mira. Tunda kokën në shënjë aprovimi, edhe pse më therri përsëri gjuri i këmbës. Po Miçoja më dha një të shkundur të mirë e më vuri përpara deri tek Menxa sektorit. “Dëgjo,-iu drejtua vajzës së banakut, jepi këtij djalit të hajë fasule e kur të vije ora e atij Festivalit, hapi radjon gjer në qiell, që të dëgjoje ndonjë këngë se, me këngë është ritur shejtani. Ajo tha se do bëhet si të doje “101-shi”, po radjua bënë kaq zhurmë sa ka per t’u çmëndur në vënd që të kënaqet”. Po unë, gati sa nuk thirra: “E ndreq unë radjon, pa merak”.
Rrikthehem edhe një herë në punën time, sepse sapo kishin mbrritur 10 vagona me qymyr. I shkarkoj në bunker dhe i rinisë drejtë galerisë, duke ndjerë se si zvogëlohej rrapëllima e vagonave… Ngjitem përsëri tek menxa, kur me rrënien e ditës qe shtuar errësira, po edhe thëllimi i dhjetorit. Aty kishte mbetur vetëm një djal i ri e i gjatë, gazmatësi i sektorit që i vinte dru fuçi-sobës që bubëlonte nga flakët brënda dhe sytë i mbante nga ana e banakut! Bëra sikur se vura re dhe u morra me rregullimin e antenës së radjos, gjeta një pozicion më të mire për kapjen e valëve e ja ku zëri u kthjellua e mezi i kapa këngët e pjesës së tretë të këtij festivali, te cilin dikur e ndiqja nga rradhët e para të sallës së madhe që ndriste nga vezullimi i dritave e hareja e këngëve. Gazmatësi u shqitë nga soba e mu afrua. ” Shkruaj edhe unë këngë ,-tha ai , d.m.th vjersha për këngë e, mase ke nge të mi lexosh ndonje ditë , se më kanë thënë që me këto punë je marrë atje lartë”. “Nuk them jo, të mi sjellësh, po këtu ke edhe disa persona që mund tu ndihmojnë më mirë se nga unë, poetë që meren direkt me poezinë e që kanë shkruar edhe libra të mira, të cilët punojnë në minierë, ke Ilirian Zhupën e Sadik Bejkon, Vasil Vasilin e LuanMetën”. Dhe nisa t’i flasë për ta, duke i thënë se i kisha e i kam miqë përsëri e do t’u flisja për të , edhe pse u bie bretku edhe atyre që të krrejnë qymirin nga nëntoka e mezi njihen kur dalin prej andejë, si të vinin nga Afrika. Se hyjnë “të bardhë” brenda e dalin “të zinj” përjashta”. Hahahahhaha”! Qeshëm të dy. Dhe, sapo u dëgjua rrapëllima e rrotave të vagonave, u ngrita vërtik nga karrikja e nga kenga dhe u çapita nga dera, me këmbën çalamane tërhequr zvarrë, kur pas meje shohë që të vinte edhe ai, Poeti. “Do të të ndihmj edhe une,”-tha ai e kthehemi përsëri te këngët. Ndrisnin projektorët poshtë, po tani ndrisnin edhe sytë e tij. Po edhe sytë e mi…
13 Shkurt

Sot vura re i habitur se kishin çelur bajamet. Lule të bardha. Ishte një bukuri e trishtuar se i githë ky peisazh rilindjeje që paralamëronte pramverën, qe vendosur pas një perdeje zymtësie. Shrëngata e shiut kisha përshtypjen se i hidhte poshtë pa mëshirë këto pjella të reja. Shtrati i Vosës është i mbushur tej e përtej dhe rrymat e fuqishme të ujit u ngjajnë dallgëve që rrokullisen me rrapëllimë. Ushton kështu e gjithë lugina e ngushtë. me gjithë këtë trazirë të egër të dimrit, mëndja më mbetet tek lulet e bajameve, këto bukuri naive që i gënjen edhe flladi më i zbehtë, i ngrohtë.
19 mars 1978. E djelë,- Sot më mbytën përsëri kujtimet e trishta, Dy vite më parë, binte e shtunë dhe në orën 9.30 minuta, në sallën e Këshillit Pedagogjik të Shkollës së Kulturës në Tiranë, mu lexua ajo letër e tmerrshme, e cila më “mbërrthente si Jezu Krishtin”, pa kryqin mbrapa e pa gozhda, vetëm me pesë rradhë letër anonime , drejtuar direkt Enver Hoxhës , shkruar me nje kaligrafi shumë të bukur , po mizore, që unë gjithmon përpiqem ta largojë nga mëndja , edhe pse nuk mundem. Ja se ç’farë shkruhej aty: ” I dashuri Shoku Enver . Ju shkruan nje nxënëse e Shkollës Mesme të Kulturës, e përdhunuar nga Pedagogu Miho Gjini, të cilin e mbrojnë drejtuesit e Ministrisë së Arsimit e të Kulturës, sepse u çonë atyre vajzat e shkollës! Këtë mund ta them botërisht, po të jete nevoja.”. Kaq ishte! Asnjë rradhë më tepër. Vetëm tri rradhë letër , pa emër dërguesi, pa asnjë adresë, qe u lexua aty përbindshëm nga një sekretar partie rajoni, me një nervozizm po kaq të mënxyrshëm. Rra një qetësi e akullt, e prerë shkurtë, që do të vazhdonte po kaq e akulltë e tronditëse, vetëm me tri rradhë edhe prej meje: “Më bëni një gjyq të rregullt, ju lutem. Të dalë hapur anonimati e mos ma kurseni plumbin ballit, sikur edhe gjëja më e vogël të vërtetohet!”. Dikush tha se e ka vërtetuar Partia dhe u ulë. Diçka u folë më mbrapa me nervozizm, klithma grash e një mërmërrimë rrëqethse!…Të pasnesërmen, të hënën, që në mëngjes herët e pashë veten si një njeri sonambul para dyerve të Komitetit të Partise e kërkova takim me të madhin fare. Pas një ore pritjeje, dezhurni hapi xhamin me tërsëllimë e tha vetëm dy fjalë:”S’ka takim. Vendimi për ty është i formës së prerë. Shko aty ku të thonë e shkruaja Partisë ato që ke!” .Dhe xhami u mbyllë po me atë tërsëllim[. Gjithçka nxinte . Edhe moti, Tjetrën dite unë isha në Minierë, aty ku donte Drejtoresha e Shkollës, L.K, e motra e sekretarit të Hoxhës, për të punuar nëntokë e për të “mos e parë më diellin me sy”,- sikundër tha me cinizmin e saj të egër!Në fletët e këtij ditari të lagur me lotë, janë 10 faqe plotë, të shkruara me dhimbje,ashtu sikundër ndodhi brenda asaj ore torturuese, absurde, anonime e vrastare!…Nuk dija realisht se si e ç’farë kishte ndodhur, po fijet e së vërtetës së dhimbshme do ti gjeja vetëm në një mesnatë gjysmë të errët në njerën nga qelitë e burgut të Tepelenës, jo shumë largë kthinava të ërrëta të Kështjellës së Ali Pashait, kur më sollën po atë person që unë e kisha saktësuar si autorin e kësaj letre të ndyrë anonime! Sapo e pashë u drodha. Pastajë klitha si i çmëndur. Dhe më përfshiu ulërima ime: Ja ku është! Ky është autori i Letrës Anonime! Një vrasës që fshehu dorën. Këtë arestoni!”. E nxorën jashtë qelisë menjëherë, ndërsa mua më përplasën rrishtazi në qeli..”. Po , deri atëhere unë s’dija asgjë. Vetëm sillja nëpët mëndje disa nga fytyrat më të liga që gjithmonë përgjonin se si të çanin jetën e tyre përpara me paftësinë e tyre, me intriga e thika pas shpine, sikundër që kjo e imja dhe e dhjetra-qindra të tjerëve..
16 prill, e diel,-Ra përsëri dëborë. Malet zbardhën të rënduara. I ftohti është aq i hidhur, sa të kujton dhjetorin. Le të shpresojmë se kjo do të jetë dëbora e fundit!. Ndofta edhe viti fundit që do më afrojë tek fëmijët e mi , në ngrohësinë familjare! Po, për bela nuk kam asnjë kartë të shkruar me vete.. Edhe ata që dënohen me heqje lirie, pra me burgim, e kanë një afat dënimi!
16 Qershor, e premte

Gjithë këto ditë e ndjej veten të rënduar shpirtërisht. Është viti i tretë që ndodhem këtu dhe i kisha vënë vetes si qëllim, të harroja se kush kisha qenë dikur… Ndoshta edhe nga kjo jam munduar t’u përshtatem edhe atyre njerëzve që kam afër e punojë me ta, të njësoj sjelljet e tyre me të miat, madje ti lëshoj pjesë të mëdha e të dhimbshme të kulturës sime, sikur ajo nuk më vlente më e të flasë e sillem njësoj si të tjerët. Dhe më ngjante se kjo “shkrirje” me klasën puntore, siç kërkohej, ishte kryer mrekullisht, por në të gjitha rastet kisha gënjyer veten… Zë një rrëzë te “Shkëmbi i Polakut”, tek brryli i Vjosës, aty ku lumi qe më i thellë e krijonte vorbullat e tmerrshme që thithën dikur inxhinjerin polak dhe bie në mendime të zymta. Dridhem ethshëm e ankthshm. Kaluan thuajse tri vjet dhe asnjë “dritë jeshile” nuk duket, asnjë përgjigje nuk po më vjen nga ato dhjetra letra që dërgova në Tiranë, në Parti e në Qeveri… Se kështu më thanë: “Shkruaja Partisë që të gjitha dhe Partinë do ta kesh pranë gjithmonë”… Apo të hidhem edhe unë, sikundër bëri ai Polaku e që nuk u bë asnjëhere e qartë si e pse u hodhë ashtu e humbi jetën! Por jo! Kam edhe dy fëmijë që presin, kam edhe të dy pleqt’ aty në fshat që treten për mua çdo ditë e çdo orë. Në fund të fundit kam nevojë të rifitojtë gjithë atë që më rrëmbyen me forcë, jetën time!
Dalngadalë po më përvijohet edhe ideja e tmerrshme se shteti dhe politika e tij nuk falin aq lehtë dhe kujtojnë edhe ato që ti, nganjëherë, i ke bërë pa dashje, apo thjesht për hir të emancipimit të artit, apo pikëpamjeve të tua për të. E di tani se më është quajtur “mungesë e vigjilencës revolucionare” sjellja në skenën e Teatrit Popullor të “Njollave të murme”. Ishin ditë vërtetë të ngarkuara me shkrepëtima e bubullima. Ditët ishin të gjitha aq të tensionuara, sa ngjante sikur koha kishte hyrë në një qark të stërmadh elektrik dhe njerëzit ndjenin dridhjet e shkarkimeve të tilla. Ministri ynë babaxhan, njeriu më i qeshur i dikasterit, befas u vrënjt, u shpërfytyrua. Ky njeri i mirë ishte ngazëllyer ca netë më parë në sallën e teatrit, pas mbylljes së perdes. Por më pas do të na thërriste urgjentisht, ashtu i shpërfytyruar dhe do të na komunikonte mandatin. Vështrimi i tij u ndal pikërisht tek unë dhe më tha këto fjalë plot qortim e dhimbje: “Përse nuk e ndalove këtë dramë qysh në Korçë? Shoku Enver e pa shfaqjen dhe është shumë i shqetësuar. Na pret tani në zyrën e tij shoku Ramiz për të dhënë shpjegime”. Kjo ishte e papritura. Kishte bubullirë Olimpi dhe mëkatarët duhej të dridheshin. U stepa. Një tjetër atmosferë kishte krijuar shfaqja një natë më parë. Dhe nuk ngurrova të shprehja habinë: “Po shoku Ramiz e pa këtë shfaqje dhe e duartrokiti”. Ministri ynë bëri një gjest padurimi dhe m’u përgjegj: “Shoku Enver, jo vetëm nuk e duartrokiti, por e quajti këtë dramë një ‘manifest të revizionizmit në letërsi e art'” . Kisha ngrirë aty, në Kabinetin e Ministrit, ende i pasigurt për të gjitha sa kisha dëgjuar. Më ngjante si ëndërr, sepse ende nuk më ishin fashitur duartrokitjet e zjarrta të publikut dhe të të ftuarve të mëdhenj. Sapo ishte ulur sipari i shfaqjes, kur,Mehmet Shehu, Kryeministri i Shqipërisë, pat thënë i entusiazmuar se “kjo shfaqje është një gozhdë kundër revizionizmit”. Kishte një diferencë të tmerrshme pikëpamjesh, botëkuptimesh, në fund të fundit, edhe kulture. Aty në zyrën e ministrit, sepse m’u ringjallën fjalët e mëdha të Hamletit pas shfaqjes së komediantëve në tragjedinë e Shekspirit, kur thotë për Mbretin uzurpator që kishte rrëmbyer, jo vetëm fronin , po edhe mbretëreshën, bashkëshorten e të vëllait, që ishte nëna e tij: “Oh, nuk i pëlqeu mbretit komedia, a e vraftë Perëndia”. Dhe, ja tani tek ndodheshim disa hapa më tej kabinetit të “Mbretit tonë” që kishte hedhur rrufetë mbi kokat tona! Shoku Ramiz shfryu sa mundi mbi ne qe nuk ishim në gjendje ta ndalnim rezikun e pastaj iu drejtua me vështrimin e egërsuar Tofik Çaushit, Kryetarit të Jurisë, të cilin e kishte edhe në kabinetin e tij si punonjës ideologji: “Ndërsa ti Tefik vrapove e i dhe flamurin. Bëre me flamur një shfaqje revizoniste”! E ne që u ndodhëm aty të ngrirë prej tmerrit, do të vërenim kurajon e jshtëzakonshme të këtij njeriu, kur tha: “Ne i dhamë flamurin, shoku Ramiz, sepse pamë që shfaqja u duartrokit nxehtësisht, si nga publiku, ashtu edhe nga ju që ishit aty, në llozhën e udhëheqjes. Ju vështroja se si entusiazmoheshit”! Ramiz Alia pati menjëherë një tik nervozizmi, por nuk foli menjëherë. Bëri një tërheqje dhelpërake dhe tha:” Kam duartrokitur aktorët për lojën aq të bukur, por jo idenë e shfaqjes”. Ndjeva befas të më kërcisnin eshtrat e po i ndjeja edhe tani këtu ku jam, mbi shkëmbin e këtij Polakut që u hodh mbi vorbullat e lumit. Aq sa rrezatimi i trurit arrinte deri në ekstremin më të rezikshëm: “E kishte me ne të vegjëlit Udhëheqësi inatin e përbindshëm, apo ma ata që kishte poshtë vetes e u kishte ardhur vakti që t’u “hante kokën dhe atyre”! Po ata të tjerët ku janë tani? Ç’bëhet me atë “Çobanin” e dhive të Dhëmblanit, ministrin tim?! Nuk e kam parë as Braçen e shkretë e as Ladi Ballukun, po as atë ambasadorin që e kthyen “me ceremoni” nga Turqia , edhe pse duhej të qe nga dera e Konicajve… As Milto Vakon nuk e shohë më, Dirigjentin e Ansamblit tonë të Këngëve e Valleve, që e përgatiti për aq a kaq kohë ky muzikant i talentua trupën e mrekullueshme e pastaj i vunë “stërkëmbthin”?!
28 Dhjetor 1978

(Shkruar mijëra herë me mëndje, si një “ditë tmerri e paimagjinuar”, e hedhur në fletët e ditarit tim pas 24 vjetësh (!), me fare pak rreshta, që më në fund “shkroi” fillimin e një fundi, ma data të shkruara në letër). -Në orën pesë të mëngjesit jam ende në mëshirën e natës. Një errësirë e plotë dhe një thëllim brisk. Mundohem të ngroh sadopak duart me frymën time. Por nuk mbërdhijnë vetëm ato. I gjithë trupi sikur është kontraktuar. Nxitoj për në mensën e puntorëve. Tashmë jam mësuar në këtë orë të mëngjsit, sepse në të kundërten nuk mund të punoj nëntokë, deri në mbasdite vonë. Të tjerë puntorë kishin ardhur para meje e qenë përkulur në heshtje mbi pjatën me fasule. E marrë edhe unë pjatën time nga sporteli e kërkoj me kujdes tavolinën bosh.Ulem dhe thërmoj mbi lëngun e bollshëm copat e bukës. E rrotulloj aty lugën e kokrat e fasules mezi i gjenë luga. Vështroj orën, Pesë e një çerek. Kam edhe nje çerek ore tjetër për të kapur autobuzin.Gjithsesi më ngrohë disi lëngu i nxehtë i kazanit, si edhe ideja fikse se do më lejonin të nisem nesër, a të paktën pasnesër për në Piqeras, ta bëja vitin e ri me pleqt’ e mi të kërrusur e të ligështuar nga vitet… Sa dola nga mensa me nxitim, më mbështolli përsëri ngrica dhe errësira. Shoh përmes vilarit të dritave të rrugës siluetat e puntorëve që ecin nxituar. Nga goja e tyre del avull. Të parin shohë Selimin që ka ndezur çibukun. Edhe Çoti Zagoritësin… Edhe ai e ka ndezur çibukun. Një tjetër e thithte edhe bishtin e cigares me afshin më të madh, e hodhi dhe hypi me shpejtësi. Pas tij edhe unë, Asnjë vënd nuk shohë për tu ulur e bëjë për nga fundi. Ja ku e gjeta edhe një vënd andej nga sediljet e fundit, po nuk arrita as të ulem mirë kur dikush thirri të hapej koridori e aty hynë me nxitim një grup njerëzish të veshur ndryshe. Dhe një zhurmë zërash. E ja tek qëndroi tri hapa përball meje një tip tullaci me njëfarë nishan-çibani tek balli dhe thirrri: “Ti, çohu”. U ngrita instiktivisht, pa besuar se më drejtohej mua. “Si e ke emrin?”,-pyeti ai me një zë të vrazhdët. Sa shqiptova emrrin me një drithërimë të ftohtë, zëri i njeriut me çibanin në ball, buçiti me një solemnitet ngazëllyes: “Në emër të popullit je i arrestuar”! Nuk isha i sigurt për atë që dëgjoja, kur një ulërimë shpërtheu në autobuzë. Bërtitën më tepër gratë e fabrikës së pasurimit të qymyreve. Ishin ngritur në këmbë që të gjithë e dolën të tmerruar jashtë, gjatë atyre çasteve që pasuan, kur dy burra të fuqishm më dolën anash e më hodhën prangat nëpër duar. Thuajse më zvarritën deri tek dera e një tipi “gaz-69”, e cila u hap menjëherë, duke më shtyrë aty brenda, po me atë vrull të pazakontë. Isha si i shushatur e m’u dukë vetja si përpara një humnere. Në jetën time sapo kishte hyrë një element i ri: “prangat”. Pesë minuta më pas, gazi i tyre ndali para fjetores time. Më zbritën dhe gati më shtynë, ashtu të lidhur, brenda fjetores. Ata pak që flinin u ngritën të tromaksur. Më ndalën para dollapit. “Hape”, -thirri tani, fare qetësisht. Rrëfeva duart e lidhura. Njeriu me çibanin në ball bëri shënjë që të mi zgjidhnin. Me duart që më dridheshin kërkova nëpër xhepa , e gjeta dhe e hapa me forcë. Pakot e makaronave që më kishte porositur nëna, pçr t’ua çuar në fshat që të bënim së bashku Vitin e Ri, ranë që të gjitha për tokë. “Kontrolloni mirë”, – thirri tullaci. Përsëri Operativi i bëri rrëmujë që të gjitha teshat, sendet personale, psonisjet e mia të Vitit të Ri, librat dhe veçoi prej andej tri blloqet e trasha të ditarit, duke ia zgjatur atij me çibanin në ballë, që siç do ta merrja vesh më vonë, do të ishte Hetuesi im: “Eshtë ditari im… përse po ma merrni”? “Letërsi kundërrevolucionare!”-tha ai me solemnitetin e një triumfi! Më ngjajti si një episod komik filmash me dedektiv, alla Sherlok Holmes e instiktivisht me shkrepi një e qeshur frenetike, edhe pse këtë herë me pranga më të shtrënguara nëpër kyçet e duarve! “Do shohim se kush do qesh i fundit,- tha tullaci A.K. me nervozizm, Armik i Popullit!”. Dhe rrëfeu derën e jashtëme të fjetores . Hodha sytë nga shoket e mi, po ,për habi, që të gjithë kishin mbuluar kokën me batanijet e tyre , për të mos e parë këtë skenë të shëmtuar dhe, pas pak do të isha jashtë, në atë errësirë akoma të pa shpërndarë. Po këtë herë muzgu kishte depërtuar në krejt qënien time. Mu duk vetja sikur isha ne në një ëndërr të keqe… Po u përmënda. U zgjova! Pas dy ditësh do të vinte Viti i Ri…
Memaliaj, 1976-1978. Botuar në vitin 2003.

Please follow and like us: