Albspirit

Media/News/Publishing

Sot 100 vjet nga lindja e përkthyesit të mrekullueshëm, poetit dhe studiuesit Vexhi Buharaja

Saharaja e Europës është afër nga Yzedin Hima | Radi and Radi

Yzedin Hima

 

Firdeusi dhe mediumi Buharaja

Firdeusi jetoi në shekullin X- XI. Buharaja, në parathënien e përkthimit të “Gjylistani dhe Bostani” shkruan: “ Veprën e Dakikiut e vazhdoi dhe e përsosi gjeniu botëror i Iranit, Firdeusi (934 -1020 ose 1027) me “Shahnamenë” e tij të pavdekshme, vepër monumentale e gjuhës dhe e poezisë persiane”.
Pas nëntë shekujsh e gjysëm “Shahnameja” erdhi në gjuhën shqipe, fatkeqësisht jo në përmasat e saj. Nëntë mijë vargje që “jetojnë me botën e brendshme të autorit”, siç thotë Buharaja në një shënim të tij, erdhën të jetojnë në një tjetër gjuhë, në gjuhën shqipe. Po si erdhi shpirti i derdhur në fjalë i Firdeusit në vargjet shqip?
Nëpërmjet shpirtit të Buharasë. Mediumi qe Vexhi Buharaja. Shpirti i tij u vu në kërkim të shpirtit të Firdeusit dhe e gjeti në thellësi të kohrave. Nëse trupi i Buharasë kishte rreth 40 vite që sillej në këtë botë, shpirti përshkoi nëntëqind vjet, deri sa takoi sivëllain e tij, shpirtin e Firdeusit. Mediumi Buharaja, me shpirtin e poetit të madh të gjuhës perse brenda enës së tij, përcolli mesazhet e kryeveprës në gjuhën shqipe. Janë nëntë mijë vargje që jetojnë jetën e brendshme të autorit, Firdeusit dhe jetën e brendshme të shqipëruesit, Buharasë.
Vëreni vargjet e magjishëm të Firdeusit nga “Shahnameja”, sjellë në shqip nga Buharaja. Është fat për gjuhën, për letërsinë, për kulturën tonë që kjo pasuri është në fondin e tyre. Rrëfenja “Feriduni i hedh prangat Dahhakut”:

“Mos bëj gjë të ligë në botë sa mund!
Së mirës mbështetje t’i bëhesh gjithkund.

Kur s’rrojtkan përjetë e ligë dhe e mirë,
e mira të mbetet kujtim i pavdirë.

Thesarët e fryrë dhe i larti pallat
aspak nuk të sjellin gaz, jetë dhe fat.”

Dhe nga rrëfenja “Zali njihet me Mihrabin”:

“Një çupë të fshehur ky mban në saraj,
që dritës së diellit ia shkon drit’ e saj.

Nga koka te këmbët – fildish që rrëmben.
Nga shtati si plepi, fytyra – Eden.

Dy laqe prej myshku mbi supet si borë,
si hallkat e prangës mbështjellë kurorë.

Si lulja e shegës e kuqe fytyra,
si kokërrza shege dy buzët nga ngjyra.

Dy sytë e vashës si bathra në maj,
si krahët e korbit qerpikët e saj”.

Cila ka qënë magjia që i ka bërë gjuhës Vexhi Buharaja për të arritur deri në këtë lartësi ligjërimi? Cili ka qënë çelësi i depërtimit deri në këta kufij maksimalë të aftësisë shprehëse të fjalës? Mendoj se së pari ka qënë gjenia prej krijuesi e Firdeusit dhe së dyti gjenia prej shqipëruesi e Vexhiut.
Distiku: Dy sytë e vashës si bathra në maj / si krahët e korbit qerpikët e saj / është një rubin në gjerdanin e artë të poezisë që lexohet në gjuhën shqipe.
Shqipërimet Vexhiu, në shumë raste, i ka shoqëruar me shënime të natyrave të ndryshme. Në këto shënime ne zbulojmë tek ai gjuhëtarin, kritikun, historianin, filozofin, polemistin. Dhe këto shënime mbeten një fushë e hapur dhe me shumë interes për çdo studiues. Edhe pse këto shënime të dhëna shkurt, është thënë aq sa është quajtur e mjaftueshme, ashtu siç ka thënë edhe Noli i madh, aq sa ishte e nevojshme, në introduktat që kanë shoqëruar shqipërimet e tij. Është e njëjta traditë, që duhet vlerësuar. Në shënimet që shoqërojnë shqipërimet e Vexhiut, bëjnë vend edhe sqarime për kuptimet e fjalve specifike të përdoruara, për sinonimet që ndjekin fjalët e rralla, shprehjet frazeologjike, barbarizmat të përdorura për të dhënë atmosferën e kohës dhe të vendeve të Lindjes nga vjen kjo poezi, si dhe vërejtje dhe sqarime të ndryshme për kuptimet e vargjeve që mbartin ngarkesë filozofike ose mitologjike.

Please follow and like us: