Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Erebara: Dënim dhe shpërblim   

    Mimoza Erebara: DITË HIGJENE DHE BREKË - Albspirit     

Ese

 

E dënoj, meqë nuk e kuptoj – thonë latinët dhe për mendimin tim kjo është edhe thënia që do t’i shkonte më së miri gjendjes së sotme të pasqyrimit të  kulturës shqiptare. Në fakt dënimi në këtë rast ka të bëjë thjesht me heshtjen mediatike që pason jetën e vërtetë artistike dhe zhurmën e pafre të po kësaj mediaje që zbulon talente, virtuozë, gjeni. Dhe po të monitorosh fjalorin e prezantimeve që bëhen, të bie që në çdo tre veta dy janë gjeni të artit! Një kulturë e një vendi nuk mund të kuptohet duke patur parasysh vetëm disa autorë apo shfaqje, aktorë apo regjizorë. Është njëlloj sikur të ngresh sytë drejt qiellit dhe të shohësh vetëm disa yje në vend të miliardave e miliardave që i japin me të vërtëtë bukurinë këtij qielli. Nuk mund të kuptohet thjesht me një listë  të caktuar, nganjëherë nga nomenklatura të caktuara, apo se thjesht ata të “përzgjedhurit” janë edhe çizmelëpirës të pushtetarëve të politikës  e të parave.

Në këtë kohë kur lufta për mbijetesë është kaq e ashpër, edhe arti bëhet padashur i ashpër, marrëdhëniet  mes artistëve  bëhen të tilla dhe një lum antivlerash përmbyt artdashësin. Në këtë kohë kur informacioni është më i zgjeruar dhe më i shpejtë, falë teknologjive të reja, njeriu i thjeshtë nuk ka kohë të meditojë gjatë për vlerat e vërteta artistike që i serviren, por ai thjesht do të argëtohet, të pushojë dhe të mbushet shpirtërisht. Kështuqë ai është i detyruar të  mbllaçisë  atë që ka përpara. Por po ta shihnim  nga një këndvështrim tjetër  nuk do të kishim këtë njeri të ashpër që lufton plot ambicje të jetë më i spikaturi në art, që kurrë nuk ndalet së punuari së pari për lavdinë e tij artistike, pavarësisht mjeteve që përdor, por një njeri mëkatar, i cili së pari duhet shpëtuar nga mëkati i vet dhe pastaj duhet të përballet me Kohën dhe publikun.

Dhe kjo Kohë  veç të tjerash ka bërë që edhe ky fenomen, damnat quod non intelligit, padyshim që  e ka fshehur në një farë mënyre artin e vërtetë, duke bërë që të dalin në pah pikërisht  ato “vlera” që në të vërtetë e frenojnë artin dhe zhvillimin e kulturës në përgjithësi. Mospasja e një strategjie kombëtare me afat të gjatë për ruajtjen dhe reklamimin e vlerave të vërteta të kulturës, mungesa e kuadrit ligjor të nevojshëm si edhe varfëria proverbiale e shtetit shqiptar janë ata faktorë të jashtëm që sjellin pikërisht atë frikë të brendshme të çdo kalemxhiu që boton gjënë e parë që i shkon në mendje  dhe që botuesi  e boton dhe pastaj vrapon me ngut  nëpër shkolla për t’ua rrasur me zor fletushkat e antikulturës nxënësve të shkretë. Është kjo frikë e brendshme që pjell etjen e ethshme për lavdi, që sjell keqinformimin dhe shijet e këqia tek publiku. Gjithkush sot gjendet ose përballë kompleksit të fajit, ose përballë zhgënjimit, ose përballë turpit. Në rrethana të tilla mendore individi për t’i shpëtuar vetvetes hidhet në luftë me të tjerët. Dikush ndien peshën e fajit, një tjetër fyerjen e poshtërimin dhe kjo barrë pasi e tensionon në psiqikë e hedh në agresivitet, një tjetër vuan nga kompleksi i inferioritetit e duke e ndier veten të paaftë të përballojë aftësitë e tjetrit, turret për të identifikuar vetveten mes luftës ndaj atij që është më superior. Parë nga kjo pikëpamje politike, individi, në këtë rast artisti, gjendet në një luftë të ftohtë e cila e çon politikën shumë lehtë t’i imponohet shoqërisë me anë të forcës së butë. Në këtë fazë të historisë sonë, veprimi me “koherencë” do të ishte ai që do të sillte një synim të saktë në strategjinë kombëtare të kulturës, meqë po të ndjekësh atë që shpie në drejtimin e kundërt të “koherencës” është “inkoherencë e madhe”, veçori kjo e disa oportunistëve të sunduar nga një miopi e pashërueshme, që ende nuk janë në gjendje të kuptojnë se “koherenca” nuk përfshin vetëm individin si individ, si qenie njerëzore dhe si artist, por mbarë përmasën shoqërore, e veçanërisht publikun e artit në hovin e tij në drejtim të fitimeve gjithmonë e më të reja të vlerave të vërteta dhe në interes të evoluimeve të mëtejshme artistike, nga çdo pikëpamje e këndvështrimi.

Do të ishte tek e fundit një “dhunë kulturore” që do të gjeneronte breza artistësh dhe artdashësish të edukuar artistikisht me vlerat e vërteta të artit dhe me rrënjët e kulturës sonë kombëtare, ata do të dinin me siguri nga vijnë dhe ku shkojnë dhe çfarë duan. Do të shpëtonim nga “horrori” i të pranuarit të “paraprijësve të kohës” .

Kombi ynë është i lashtë në trojet e veta. Ka teori e teza shkencore që  e vendosin në rradhën e parë të popujve të këtyre trevave, ka edhe teori që e paraqesin si pasardhës të drejtpërdrejtë të Pellazgëve, Ilirëve. Dhe këto teza, në dukje hipotetike, kanë dokumentacionin e vet përkatës. Gjurmët janë edhe sot e kësaj dite të ruajtura, ndonëse jo mirë. Ne jemi dëshmitarë të kohës moderne, që po bluan pak nga pak qytete unikale në botën e qytetëruar, si Berati e Gjirokastra, apo lënies në mes të gërmimeve arkeologjike të një rëndësie të veçantë kombëtare si Bylisi, Apollonia, Butrinti, Antigonea. Jemi dëshmitarë të rritjes së Tiranës ku çdo gjë transformohet me shpejtësi , po ashtu siç  zhduken me shpejtësi edhe ato “mbetje kulturore” të saj.

Në këtë pikë na duhet që Kohën ta kemi aleat, e jo armik siç po e trajtojmë, ndoshta padashje. Koha është mjeshtrja më e madhe dhe më e pagabueshme e vlerave të një kombi, apo të një individi qoftë. Në rast se ajo ka vlera Koha e ruan me fanatizëm duke na e përcjellë me instrumentat e saj të kujtesës shekuj më shekuj.

Jetojmë në kohën e materializmit të pangopur në jetën shoqërore e private, të mbuluar  me maskën e një idealizmi hipokrit, të pështirë. Po të thuhej krejt e vërteta do të duhej të thuhej deri në fund. Kjo fazë e zhvillimit historik në të cilën gjendet Shqipëria më çon në mendje Epokën Viktoriane, atë  gardh të madh të artistëve të cilët jo se s’donin, po më tepër nuk mundnin t’i shikonin gjërat ndershmërisht. Shkrimtarët që botojnë aktualisht e kuptojnë fare mirë tërë mizerien e parimeve të borgjezisë që po ngrihet dhe janë në gjendje ta demaskojnë në mënyrë të pamëshirshme këtë mizerje dhe degradimin e personalitetit të njeriut, por me sa duket jo deri në fund.

Sigurisht një faktor tepër i rëndësishëm është edhe publiku, qoftë ai i letrave, qoftë ai i muzikës apo i arteve pamore. Nëqoftëse më  parë, në vitet e diktaturës mund të shkruaje pa frikë (!) sepse asgjë nuk mund t’i lëkundte pozitat e tij në shoqëri, sepse ata ishin tepër të njohur me traditën, tashmë raportet kanë ndryshuar. Kemi përpara një publik që pak, për të mos thënë aspak, nuk e njeh traditën kombëtare dhe rrethi që e njeh dhe e çmon këtë traditë është fatkeqësisht tepër i ngushtë, dhe kjo sjell në vend të veprave tronditëse sikur vetë Koha në të cilën po kalojmë, të kemi vepra ku kemi një zgjidhje kompromisi mes artistit dhe publikut të tij. Kemi pra, një zmbrapsje, një zmbrapsje Viktoriane.

Please follow and like us: