Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Pendët e zgjedhores në moçalishtet partiake

Image may contain: Çapajev Gjokutaj

Reforma zgjedhore që u nënshkrua nga pozita dhe opozita është larg premtimeve të politikës dhe shumë më larg pritshmërive të publikut. Thënë shkurt: u katandis kokoshi një thelë.

Kaq të pakta e të parëndësishme janë ndryshimet saqë s’e pranojnë fjalën ‘reformë’. Madje nuk është as marrëveshje. Vjen thjesht si pazar mes palësh dhe për palët.

Publiku kërkonte reformë zgjedhore dhe jo një arnim të rëndomtë të ligjit elektoral. Pritshmëritë ishin për ndryshim sistemi, për hapje listash, për depolitizimin e administratës zgjedhore, për votimin e emigrantëve, për rritjen e transparencës së shpenzimeve elektorale etj. etj.

Asnjë prej këtyre objektivave nuk u realizua, ndaj edhe fraza ‘u katandis kokoshi një thelë’ ngjan se i zmadhon rezultatet. Më saktë do të ishte: zgjedhorja na la pendët.

Tanimë është e sigurt se dhe në zgjedhjet e ardhshme do jemi të detyruar të votojmë po këto parti. Sistemi ekzistues dekurajon çdo përpjekje për krijim partish të reja, më pëfaqsuese.

E tepërt të thuash se përsëri do jemi të detyruar të votojmë lista dhe jo personin që do t’i delegojmë të drejtën tonë për të marrë vendime të interesit komun.

Me një fjalë do votojmë të përzgjedhurit nga kryetarët e partive dhe pastaj do kthehemi të bëjmë sehir gallatën që bëjnë në parlament. Të dhenë pas gallatës, do e vemë dhe s’do e vëmë re batërdinë që do vazhdojë me pronat, tenderat, koncesionet.

Ka një paradoks çmeritës në gjithë këtë lojë groteske. Fatin e shtetit dhe të shoqërisë vazhdojmë ta lemë në duart e dy partive e gjysëm, grupe të mbyllura interesi që veprojnë si bashkësi tribale.

Të vëna nën thundrën e një kryetari që bën dhe shiun dhe diellin, pa jetë të brendshme demokratike e pa meritokraci, luftojnë e përpiqen për të ardhur në pushtet a, më troç, për të shtirë në dorë vendin me gjithëçka që, pastaj ta shqyejnë si pre dhe ta ndajnë mes tyre. Natyrisht edhe kësaj here ndarja e presë do bëhet sipas sërës e takatit: thelat politikanëve e oligarkëve, thërrimet militantëve, kurse popullit spektakle politike të dala boje.

Më shumë se parti politike këto janë grupe tribale të modelit ‘dil, gjuaj, shqyej e ndaj’. Dhe këtu shfaqet paradoksi : presim që këto bashkësi tribale të na sjellin përparimin dhe modernizimin e shoqërisë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Shqipërinë e kanë zenë njemijë e një halle, por ndër hallet më drobitëse duket se është mbyllja e partive. Ashtu të mbyllura u ngjajnë moçaleve që pastaj mbyllin dhe kënetizojnë gjithë jetën e vendit.

Pa hapur partitë dhe sistemin politik duhma e moçalit do bëhet përherë e më asfiksuese, dëshira për emigrim pëherë e më e madhe dhe vendi rrezikon të ketë fatin e kokoshit që u katandis një thelë.

Please follow and like us: