Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Emiri: Mbresa nga ndërtimi i kinemasë së qytetit të Përmetit

Ibrahim Emiri

 

Projektimi dhe realizimi i objektit kulturor

 

Me 6 korrik në faqen e facebook “Bashkia Përmet -Official”, u publikua lajmi i gëzuar:

“…Projekti më i ri për rivitalizimin e kinemasë dhe kthimin në një qendër tjetër kulturore ka gjetur mbështetjen e qeverisë italiane përmes Programit IADSA.

Falë një masterplani modern dhe funksional hartuar nga Bashkia dhe Organizata Cesvi, punimet për rikonstruksion fillojnë brenda shtatorit”.

 

Ky lajm është veçanërisht i gëzuar edhe për mua, si autor i projektit të objektit “Kinema Përmet“. Me këtë rast po publikoj mbresa nga projektimi e realizimi i objektit:

Në vitin 1975 u planifikua ndërtimi i kinemasë së re të qytetit Përmet. Ndërtimi i një kinemaje të re ishte dëshirë e të gjithë përmetarëve e sidomos e të rinjve, që ishin frekuentuesit më të rregullt të saj, mbasi filmi ishte i vetmi aktivitet kulturor periodik në qytetin provincial, prandaj u prit me gëzim nga të gjithë. Veçanërisht i madh ishte gëzimi për stafin e kinemasë, që përbëhej nga personazhet e mirënjohur Llazo Vangjeli e Ramazan Islami (Zani, kino-operatori), të cilët me pasion shembullor mbanin gjallë jetën kulturore të qytetit, duke shfaqur film çdo ditë në një sallë të vjetër, të adoptuar si kinema. Edhe unë, si arkitekt i ri, kisha kënaqësi të projektoja një kinema, si objekt social-kulturor me kërkesa specifike, mbasi ishte një eksperiencë e re në përvojen time projektuese.

Vendosja urbanistike e objektit të kinemasë u përcaktua në pjesën fundore të rrugës që lidhte sheshin qëndror të qytetit me sheshin e vogël para muzeut historik. Ky pozicion u konsiderua më i përshtatshëm sepse kinemaja, si objekt i rëndësishëm kulturor i qytetit, duhet të vendosej sa më pranë qendrës, duke mbyllur bukur edhe pamjen e rëndomtë në krye të  rrugës, drejt lagjes së vjetër të Përmetit. Njëkohësisht në këtë pozicion përftohej sipërfaqja e nevojshme për kinema dimërore e verore prej rreth 1000 m2, me sa më pak shpronësime, prishje e gërmime.

Projekti i kinemasë, veç kërkesave standarde të projektimit për harmonizimin optimal të zgjidhjes funksionale me skemën konstruktive e trajtimin arkitektonik, diktonte  edhe kërkesa specifike të karakterit optik e akustik. Për këtë arsye u konsultova metë vetmin burim informativ të kohës për normativat e projektimit – Neufert “Architectural Standart”, lidhur me përmasat e pedencën e sallës së shfaqjeve, me përmasat e pozicionin e ekranit të zakonshëm apo të gjerë, me kondicionet e kabinës së projeksionit, me kushtet e shikimit optimal prej spektatorëve, me kërkesat specifike akustike, me kushtet për ngrohjen dhe ajrosjen, si dhe me kërkesat e veçanta të evakuimit në kushte normale apo emergjente.

 

Pamje e vendit ku u parashikua ndërtimi i kinemasë

Projekt-ideau hartua në 4 variante (A, B1, B2,C), kurse  salla e kinemasë në të gjithë variantet u konceptua me kapacitet rreth 320 vende, në funksion të visibilitetit të spektatorëve në Përmet.

– Në të gjithë variantet u parashikua që bashkëlidhur me kinemanë dimërore të ndërtohej në perspektivë edhe kinemaja verore, në mënyrë që në të dy kinematë filmi të mund të projektohej me të njëjtat aparatura nga e njëjta kabinë projeksioni. Në fillim të secilës sallë, para ekranit u parashikua një hapësirë me gjerësi 4 m e me lartësi +1.25 m nga niveli i sallës, që do të shërbente si podium për konferenca, apo për aktivitete të ndryshme.

Në të gjithë variantet hyrja e spektatorëve në sallë u parashikua të bëhej nëpërmjet hollit qendror, kurse dalja e tyre të bëhej në anën tjetër të sallës, nëpërmjet një hapësire kalimi. Me hollin qendror u parashikuan të lidhen ambientet e shërbimit, si biletari, bufe, zyrë e tualete. Formulimi arkitektonik i secilit variant ishte modern, por i ndryshëm, duke kompozuar pamje sa më interesante, jo vetëm me lëvizje volumesh, por edhe me trajtimin dekorativ.

Skema konstruktive e sallës në të gjithë variantet u zgjodh e njëjtë, me kollona vertikale betonarme e muraturë tulle kufizuese të shkallëzuar, kurse mbulesa me kapriata me profila metalike e paneleparafabrikat horizontale betonarme. Tavani i varur i thyer i sallës u parashikua me konstruksion metalik + rrjetë teli e suva. Projekti u konceptua që të realizohej totalisht me mundësitë e kufizuara materialo-teknike të asaj kohe. Në maj të vitit 1975 projekt-idea me 4 variante u shqyrtua në këshillin teknik pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit dhe, mbas diskutimeve të ndryshme, përfundimisht u miratua varianti “A”.

Hartimi i projekt-zbatimit të objektit u pezullua, sepse fondet për ndërtimin e kinemasë u hoqën nga plani i vitit 1975, për tu riplanifikuar në vitin 1980. Në tetor të vitit 1979 projekt-idea e kinemase me 4 variante u rishqyrtua në këshillin teknik të Institutit të Projektimit të Urbanistikës dhe Arkitekturës ( I.S.P. Nr.1 ) në Tiranë. Mbasi u prezantua projekt-idea në katër variante, si dhe u paraqit oponenca nga Instituti, diskutuan disa nga arkitektët dhe inxhinierët më të mirë të vendit, kurse konkluzionet irelatoi drejtori i Institutit, arkiktekt S. Mosko, duke miratuar variantin “A”.

Projekti i zbatimit të objektit u hartua nga Zyra e Projektimit, pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Përmet.

 

PROJEKT-IDE, Varianti A

 

PROJEKT-IDE, Varianti B (1)

PROJEKT-IDE, Varianti B (2 )

PROJEKT-IDE, Varianti C

Ndërtimi i kinemasë u realizua në vitin 1980, pra 40 vjet më parë, nga Ndërmarrja e Ndërtimit, e cila e vlerësoi me përgjegjshmëri zbatimin e objektit, duke angazhuar personelin inxhiniero-teknik, si dhe specialistët më të mirë të ndërtimit e montimit. Objekti u ndërtua me mundësitë e kufizuara materialo-teknike, që dispononte vendi, në zbatim të parullës së asaj kohe “të mbështetemi plotësisht në forcat tona”.

Vlen të përmendet puna e lavdërueshme e saldatorëve të talentuar T. Topoviti e F. Çobo, të cilët përgatitën e montuan me saktësi konstruksionin e kapriatave me profile metalike të mbulesës, si dhe tavanit të shkallëzuar të sallës së shfaqjeve, gjithashtu edhe puna e lavdërueshme e brigadës së suvatimeve me brigadier P. Sevin, që ndonëse në kushte të vështira, realizoi me cilësi suvatimi ne saj.

Si arkitekt i projektit të objektit “Kinema“, shpreh respektin e mirënjohjen time për të gjithë ndërtuesit përmetarë, të cilët, pavaresisht vështirësive të shumta, e realizuan me cilësi objektin. Përfundimi dhe vënia në shfrytëzim e kinemasë u prit me gëzim të veçantë nga të gjithë spektatorët, por sidomos nga stafi i përkushtuar i saj.

Aktualisht ndërtesa është degraduar, si pasojë e braktisjes dhe mungesës së mirëmbajtjes, por uroj që projekti për rijetëzimin e saj t’i kthejë vlerat funksionale e estetike të viteve 70-të. Është në nderin e Bashkisë që për projekte te rijetëzimit të objekteve ekzistuese të marrë edhe opinionin profesional të autorëve respektivë të projekteve të realizuara. Kjo nuk tregon vetëm një gjest qytetarie e respekti për autorët e projekteve, por edhe një detyrim ligjor për respektimin e të drejtës së autorit.

 

Foto aktuale e kinemasë.

Please follow and like us: