Albspirit

Media/News/Publishing

Anna Anderson: Bardhyl Berberi dhe romani i fundit “Fustanet e nusërisë jo për dashuritë e mëdha”

 

Tashmë kontrata jonë me shkrimtarin shqiptar Bardhyl Berberi po funksionon shumë mirë, përderisa lexuesi suedez i ndjek me interes të veçantë romanet e Bardhyl Berberit. Sapo e përfundova romanin e përkthyer mjeshtërisht nga prof. Demiraj, romani më i fundit i Bardhyl Berberit “Fustanet e nusërisë jo për  dashuritë e mëdha”.

Ky roman, një tronditje madhore e lartësuar në art. Këtë mision ky roman e përmbush me një nivel artistik të denjë përkrah veprave më të mira të letërsisë bashkohore. Me një fabul të jashtëzakonshme, nëpërmjet digresionit dhe asociacionit ndjen që futesh brenda një bote misterioze, që zien jashtë çdo parashikimi. Makthi që të përfshin gjatë leximit është i gjallë dhe real, duke të krijuar një tension të brendshëm shpirtëror. Ai të ngërthen nga një faqe e romanit te tjetra. Romani dallohet për një strukturë shumë funksionale nëpërmjet linjave paralele. Hapësira artistike e Bardhyl Berberit është gjithmon në lëvizje nga Shqipëria në Europë deri në Amerikë, autori i ndjek personazhet në kohë dhe në hapësirë. Ai është një udhëtar i përhershëm i fateve njerëzore nëpër ëndrra të panjohura dhe dhe në kohë të panjohura përtej kufijve të Shqipërisë. Por, për nga intesiteti, ritmi, marramëndësia të krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një laborator të tërë të sistemuar në mendjen e autorit ku gatuhen në mënyrë artistike këto drama. Fjala e tij në roman ka një peshë të veçantë dhe përzgjidhet me shumë kujdes të shoqëruar me një konfiguracion letrar. Autori realizon një rrëfim befasues ku fshihen imazhe artistike plot dramacitet që të lenë pagjumë. Proza e Bardhyl Berberit është plot me metafora dhe gjen të pranishme mesazhe konvencionale të lexueshme dhe autori të fton të zbulosh një rrëfim rrënqethës që fshihet pas simboleve të veçanta. Në galerinë e personazheve gjen figura të thjeshta, por që mbi supet e tyre mbajnë histori të veçanta. Çdo personazh ka historinë e tij specifike. Diktatura jepet me tërë egërsinë e saj duke shkatërruar fate të tëra njerëzore. Personazhet e autorit janë njerëz që emetojnë gjithmonë një histori të veçantë, në funksion të ideve që mbart vepra. Pika e fortë e autorit është befasia dhe tensioni dramatik. Autori dëshmon mprehtësinë e një shkrimtari plot intuitë që di të gjejë këndin e vështrimit, përzgjedh elementët që i duhen për të dhënë mesazhin atje ku duhet. Plagët që ka hapur diktatura komuniste ende kullojnë gjak edhe pse jemi në demokraci. Autori arrin që në një kohë shumë të shkurtër të gjejë të veçantën dhe ta veshi atë me ide të mëdha që të ngërthejnë dhe nuk të lenë ta heqësh librin për asnjë çast nga dora. Dhe po t’iu hedhësh një sy romaneve të Bardhyl Berberit që ne kemi botuar në Suedi, janë të mbushur me sinteza. Asnjë detaj nuk ngelet i izoluar, gjithçka është organizuar drejt një qëllimi final. Në këtë aspekt ka një vlerë të veçantë stili i autorit, i cili nuk bën thjesht histori, renditje akuzash, por bën analizën e fenomenit, kërkon të gjejë shkaqet e deformimit të personalitetit të njeriut. Bardhyl Berberi me mjeshtëri artistike, larg hermetizmit e ‘zhyt’ në anën tjetër të fenomenit shoqëror lexuesin. Autori bën përshkrime emocionale që të ngelen në mendje. Në fakt, çdo detaj i këtyre përshkrimeve jep botën e personazheve, gjendjen e tyre psikologjike duke e rritur dramacitetin me një forcë të jashtëzakonshme. Epoka, zakonet, sjellja, morali i një qyteti me themele mbi ujë, me njerëzit e tij të shquar, me lagjet me kalldrëm, kroin me shtatë sylinjarë, virtytet, veset, dashuritë, bëmat e diktaturës që ka pasur oaz në këtë qytet jepen në mënyrë mjeshtërore. Edhe te romanet e tjera të Bardhyl Berberit brumi letrar me të cilin gatuhet vepra merret nga realiteti. Ai i trajton personazhet e tij kompleksë me virtyte dhe vese. Në roman ka personazhe dinamikë, viktima të diktaturës komuniste, e cila i vetësakrifikon edhe njerëzit e saj të besuar edhe pse gjymton shpirtërisht një familje apo një fis të tërë. Këta njerëz fatkeq bien viktima të dëshirave maniake të shefave të nomenklaturës komuniste, të cilët  bashkë me karrigen ku janë ulur shfryjnë epshet  edhe pasionet me vartëset e tyre si maniakë seksualë, që kalojnë deri në përdhunime nëpër zyra. Dashuria e Adi me Sonja dhe pamundësia e bashkimit të tyre është shekspiriane. Dashuria jo gjithmonë triumfon kur brenda saj hapen plagë të vjetra. Ka disa dhimbje që edhe pse kalojnë shumë kohë nuk shërohen. Janë shumë kuptimplotë fjalët e Sofisë kur i thotë së bijës: “Nëse do të jesh e lumtur mos dëgjo gjithçka që thonë, mos beso gjithçka që dëgjon dhe mos thuaj gjithçka që di… Vdekja është një sfidë që na tregon që të mos e humbim kohën…”.

Shkrimtari Berberi luan bukur me kohën. E djeshmja e ka mbërthyer të sotmen dhe e sotmja vuan të djeshmen në moralin e saj. Autori me një stil të rrjedhshëm rrëfimtari në mënyrë metaforike e zbulon gradualisht dramën e dy personazheve dhe shkaqet që kjo dashuri është një mollë e ndaluar për të. Autori nënvizon një ide të madhe se jemi debitorë me të ardhmen, ngaqë duhet të paguajmë borxhet morale me të shkuarën.

Në romanin “Fustanet e nusërisë jo për dashuritë e mëdha” drama e jetës dhe vdekjes jepet në lëvizje, që shkon lart e poshtë nga e jashtmja tek e brendshmja… Kjo lëvizje është si një dritë iluminishente për të ndriçuar çdo skutë të errët të shpirtit. Është një riciklim i jetës sipas ligjeve natyrore dhe atyre njerëzore.Fatet e këtyre përsonazheve janë në kufirin e ekzistencës. Vdekja në roman është një sfidë që i tregon Petritit dhe Anitës që të mos e humbin atë pak kohë që ju ka mbetur për të jetuar. Jeta  e kësaj bote jepet si një përjetim mashtrues. Janë tronditëse fjalët e Petritit kur i drejtohet Anitës pasi takohen pas gati 35 vjetësh… Nuk kam se çfarë të të afroj më pas gati katër dekadash përveç gjakut, lotëve dhe djersës sime që kam derdhur këtu në Amerikë… Vetëm hiri e di se çdo të thotë që të digjesh deri në fund. Petrit Xhika është një njeri i mirë dhe i drejtë, Sigurimi i Shtetit komunist e ka hedhur në SHBA për t’i shërbyer duke i shaktërruar jetën dhe familjen. Petriti ngjan në roman si ato pemët e larta që lëshojnë hije për të tjerët dhe vetë përvëlohen nga dielli.. .Por ata e kanë një frikë pas ribashkimit edhe pse po jetojnë në Manhatten ditë të lumtura Anita përsërit një shprehje greke “Kur hyjnitë duan të na dënojnë na plotësojnë të gjitha dëshirat”. Petriti dhe Anita bashkohen fare rastësisht, rastësia është një dhurtaë e zotit kur ai kërkon të vejë firmën për dikë që kërkon ta ndihmojë. Nuk ka asgjë më të rrezikëshme se sa dëshira për të mos qënë i gënjyer. Kënga e kukuvajkës në shtëpinë e tyre është paralajmërimi i një drame të madhe me përmasat e një tragjedi. Kjo këngë e kukuvajkës e ndjek çiftin Sharra nga qyteti liqenor deri në Manhatten ku mbyllet kjo dramë tragjike dhe ndjen në fund të romanit të  rrëshqasin lotë të nxetë nëpër fytyrë. Le te citojmë një fragmet kafkian nga ky roman në faqet e tij…

“… Era përgjatë oqeanit Atlantik ulurin si një gjëmë. Sonjës Oqeani Atlantiku i mbledhur dhe i tkurrur iu duk sa një pikë loti. Orkestrat luajnë marshe funebër. Dantellat e valëve i duket sikur kanë marrë  ngjyrë të zezë. Sonja drejton makinën drejt spitalit.

– Ku është Petrit dhe Anita Sharra, – pyeti gjithë ankth Sonja tek zyra e informacionit. Para dy orësh janë varrosur në një varrezë masive në Ishull. Sonja u shemb në stolat e sallonit të spitalit e zverdhur dyllë. Po binte mbrëmja. Hëna kishte dalë e plotë dhe shëtiste mbi oqean duke i dhënë Manhattenit një pamje të vagëlluar. Balli i Manhatenit digjej si furrë. Trupi i tij dridhej nga ethet e Pandemisë. Mbi bulevardin e madh tek ‘One World Trade Centër’ dhe statujat përrreth dridheshin nga një ankth depresiv. Kryqëzimet e rrugëve duken sikur kanë vënë papijon të zi. Fillon një shi që troket në këtë atmosferë gjysëm të vdekur. Sot është e premte dhe mbi katedralet e kishave në këtë të premte të zezë të Pashkëve shiu zbret si një antikrisht i zi sterrë. Të gjitha selitë dhe institucionet heshtin. Dëgjohen vetëm sirenat e policisë me zë çjerrës që shoqërojnë makinat me arkivolë kryqëzohen me sirenat e ambulancave që transportojnë të sëmurë në drejtim të spitaleve. Pak më tutje është Teatri i Operas që stonon nga heshtja si një kollë e thatë. Shkallë stadiumesh bosh, pa britma, pa emocione. Nëpër cepa pallatesh sheh drogaxhinj, të papunë, prostituta që shfrynë në kërkim të klientëve të tyre që ju mungojnë. Ato ndërtesa qiellgërvishtëse të Manhattenit të heshtura dridhen nga pandemia. Sonja drejton makinën për tek vila e tyre, nga pemët e larta dëgjohet zëri i kukuvajkës…”.

 

Ky roman paraqitet si një univers kompleks, ku loti, dhimbja, klithmat e shpirtit, dashuria, smira, urtësia e çmenduria fqinjërojnë me njëra-tjetrën dhe së bashku realizojnë kuptime të shumëfishta duke na sjellë befasi të reja njëra pas tjetrës. Bardhyl Berberi ka një mision shumë të qartë në roman, se arti shërben për ta shqetësuar shoqërinë, ndërsa shkenca për ta siguruar atë. Në çdo faqe të romanit ai e demonstron pikërisht atë, që i shqetëson shpirtin, nëpërmjet situatave spontane. Nuk është e lehtë të shkruash për disa periudha të  ndryshme, deri në ditët tona, në mënyrë kaq koncize duke i shpalosur çdo periudhë  me  kolorin dhe sharmin e saj përkatës me të gjithë detajet.

Në përfundim dua të theksoj se shkrimtari Bardhyl Berberi e ngre historinë e asaj qyteze të bukur buzë liqenit në art dhe artin e tij e fut në historinë e atij qyteti. Autori me minimumin e fjalëve jep maksimumin e ngjarieve dhe të fenomeneve në roman. Le t’i japim kohës të drejtë që të pohojë se bota e trazuar e shpirtrave të vuajtur në këtë vepër më të fundit artistike është pasuruar cilësisht nga talenti i shkrimtarit Bardhyl Berberit.

Shtëpia jonë botuese në Stokholm do të nënshkruajë një kontratë me autorin për të botuar  novelat dhe dramat tek përmbledhja “Tranzicion” i botuar në Francë, nga “Vrasja e shpirtit” në SHBA, “Burgu i Selanikut” në Gjermani dhe Austri, pjesëmarrës në panairin librit në Frankfurt, “Vrasje në Shën Valentin” fitues i çmimit Kuteli në vitin 2008 deri te dy romanet “Lule të vyshkura në prill”, “Një natë në Çikago”, “Në shtëpinë e kukuvajkave”, “Dashuri e mallkuar” që po ekranizohet nga regjizori Fledmann, “Mëkati i gjeneralit në Prishtinë” të botuara në Stokoholm apo romani në shtyp “Dashnorja e ministrit” deri tek ”Fustanet e nusërisë jo për dashuritë e mëdha”. Disa romane janë të  të publikuara të plota në ‘Googel’, si “Lule të vyshkura në prill” apo romani tjetër “Një natë në Çikago”, të cilat janë arritje cilësore të autorit.

Anna Anderson, botuese dhe kritike arti në Stokholm.

 

 

Please follow and like us: