Albspirit

Media/News/Publishing

In memoriam, Ludovico Colacino!

(Ludovico Colacino 1945 – 2020)

 

Shkruan: Bexhet Asani

Sot më 12 korrik 2020, në Buenos Aires të Argjentinës, u nda nga jeta profesori i psikologjisë Ludovico Colacino. Lajmin mortor e dha mbesa e tij Stell Stell. Po kush është Ludovico? Ludovico Colacino u lind më 7 korrik 1945 në Ejaninë (Dikur i quajtur Purçill) të Frasnitës. “Vendi ku kam lindur është ende arbëresh: Ejanina di Frascineto, në Itali dhe e kanë vënë atë emër, në lidhje me Janinën që aktualisht është në Çamëri, në Greqi” – shkruante ai me krenari.
Më 1951 babi i Ludovico-s me familje, si shumë arbëreshë të tjerë, shpërngulet në Buenos Aires të Argjentinës. Ludovico përfundimisht në moshën gjashtë vjeçare vendoset në Buenos Aires. Dhe gjuhën e nënës arbërishten s’ e harroi kurrë gjersa dha frymën e fundit! Shkollimin fillor të mesëm dhe atë universitar i kreu me sukses në Buenos Aires. Mori titullin shkencor Magjistër i psikologjisë. Tërë jetën ia kushtoi njerëzve në nevojë. Shumë njerëz, me aftësinë e tij, i largoi në mënyrë profesioniste nga varësia e drogës.
Profesor Ludovicon e njoh që nga maji i vitit 2018. Kërkoi të më bënte mik në facebook, e pranova, e dija se në Argjentinë ka shumë arbëreshë. Pasi e pranova Më erdhi një mesazh: “Faleminderit për mikësinë! Të fala nga Buenos Aires Argentina! Një përqafim të ngrohtë!” Iu përgjigaj: Jeni gjaku ynë i shprishur! Dhe që nga ajo ditë gjer para pesë ditësh vazhdimisht lexonte dhe pëlqente shkrimet e mia dhe herë pas here shkëmbenim ndonjë mesazh në arbërishten e tij të dashur.
Le të kthehem në retrospektive e të kujtoj shkrimet e tij të vyera. Prof. Ludovico-s i interesonte gjithçka, po në zemër i flinte arbërishtja, shkencat albanologjike dhe Arbëria. Ja ç’ më shkruante ai para ca kohësh: “Emanuel Giorgano (Prifti dhe albanologu), lindi më 27.6.1920. Lidhur me Bernardo Bilotta (1843-1918), poet dhe shkrimtar. Famullitar i Ejaninës që nga viti 1946. Ai e prezantoi gjuhën shqipe në liturgjinë dhe në përkthimet e teksteve. Ai mësoi muzikën shqiptare, greke dhe bizantine. Ai shkroi poezi dhe romane në revistat “Shejzat” dhe “Zgjimi”. Më 1963 Emanuele Giordano botoi Fjalorin e arbëreshëve të Italisë. Ai dha leksione në Universitetin e Tiranës në lidhje me Bernardo Bilotta. Në Shqipëri, në vitin 1967, ai shtypi veprat e Bilottës. Në vitin 1972 ai drejtoi revistën “Zëri i arbëreshëve” për shumë vite. Emanuele Giordano vdiq më 2015. Fal se nuk shkruanj mirë shqip sepse kisha 6 vjeç kur erdha në Buenos Aires të Argjentinës”. Më posht më tregon se prifti Emanuel ka botuar librin: “Në vitin 1957 “Folklori shqiptar në Itali” në traditat e pashkëve të Ejanina di Frascineto. Unë nuk di (në ka botuar) libra të tjerë!”
Kërkoja nga prof. Ludovico fjalë që mbante mend ai nga të parët e tij dhe nga fshati i tij i lindjes Ejanina të Frasnitës së Kozencës. Pa ngurruar ai më dërgoi këto fjalë: “Ture – duke, Momatats – gjishe (gjyshe), Tatmadh – gjish mashkull, Pumbadore – domate”.
Pyetjes sime a ka shumë arbëreshë në Argjentinë? Profesor Ludovico i përgjigjet: “Ka shumë pasardhës arbëreshë që mbërritën në Argjentinë si emigrantë. Thonë se ka afër një million. Një përqafim shumë i fortë!”
Para pesë ditësh, pikërisht më 7 korrik 2020 e urova: Gëzuar ditëlindjen i nderuar Ludovico! Nga zemra të uroj shëndet e jetë të gjatë! Ai e pëlqeu me zemër dhe komentoi: ”Ludovico Colacino: Faleminderit miku im i veçantë nga Buenos Aires Argentina!” duke e shoqëruar komentin me flamurin shqiptar dhe atë argjentinas. E kujt do t’ i shkonte mendja se pas pesë ditësh do të merrnim lajmin e hidhur se prof. Ludovico nuk rron më! Ai për ditëlindje mori me qindra e qindra urime! Dhe ja sot më 12 korrik pas pesë ditësh, do të shprehin ngushëllime me qindra e mijëra shqiptarë e argjentinas nga mbarë bota! Eh si është jeta! Sot është njeriu, nesër s’ është!
Le të shikojmë për një çast sesa vëllazëror, miqësor e gojë ëmbël ishte prof. Ludovico me të gjithë mikeshat e miqtë e tij shqiptarë e argjentinas, sot atij dhe të afërme të tij i shprehën ngushëllime: Merita Schmitt shkruan: Lo siento, mucho, mucho! Un hombre con un Corazon grande.. mis condolencias para toda la familia! Mik i dashur e gojëmbël i gjithë shqiptarëve, shqiptaromadhi arbëresh i Argjentinës! Do të na mungosh të gjithve! Agim Sula: Keqardhje e madhe për ndarjen nga jeta e mikut tonë të dashur arbëresh, do të ngelesh i paharruar për mua Ludovico, si njeri fisnik, gojëmbël, atdhedashës! Ngushëllime më të sinqerta familjarëve! U prehtë në paqe shpirti i tij! Bajram Rexepi: R.I.P. great man! Ngushëllime për arbëreshin-shqiptarin gojëmbël! Valentina Elmazi: Marrë pjesë në hidhërimin tuaj! Jam shumë e pikëlluar për humbjen e një atdhetari, mendari që na bënte krenarë! Unë sot nuk e besova se pak ditë më parë (5 ditë), më falënderoiqë e urova për ditëlindjen! U prhtë në paqe! Yll Selaj: Ngushëllime gjithë familjes e miqve! Ludovico ishte një njeri i ëmbël, i sjellshëm, i jashtëzakonshëm, shpirtmadh! Do të na mungojë të gjithve! Prehu në paqe xha Ludovico! Daut Dauti: Ngushëllime! Çdo largim i njeriut të letrave ose veprimtar, është humbje e madhe jo vetëm për familjen!
Dardan Kosova: Ngushëllime familjes dhe miqve të tij! Ai kishte miq në tërë botën ku kishte shqiptarë e arbëreshë. Do të jetë në kujtimet tona çdoherë, si miku jonë e patriot me vlera të mëdha. Pushohtë në parajsë! Me respekt nga Mitrovica! Bahri M. Kurtaj: Paska ndërruar jetë shqiptari arberesh me prejardhje qe jetonte ne Argjentine Ludovico Colacino. Qofsh njeri i parajsës i nderuar, do të kujtojmë gjithmonë me mall. Ishe zëri i arbereshëve në Argjentinë, identitetin nuk e mohove as pertej oqeanit, bisedat me ty ishin të këndshme e plot dashuri për atdheun për nënën Shqipëri. Ishe burrë i madh! Do të kujtojmë me mall! Postimet tua dhe zemra jote rrihte shqip! Njeriun e mirë e patriot do ta kujtojmë me mall! Bahri Rexhepi: Lamtumirë arbëreshi jonë, krenaria e tërë shqiptarëve në Argjentinë. Do t’ i kujtoj gjithmonë përshëndetjet e tua “nga Buenos Aires, Argentina” ¡Descansa en paz! Më la mbresa mesazhi i një kolegu të tij të punës i cili midis tjerash shkruan: Jorge Emilio Naveira – Lamtumir i dashur Vico! Një burrë i mrekullueshëm! Si shef kishe durim të pafund me ne, gjithmonë trajtimi yt i mirë dhe i dashur! U prehsh në paqe Vico! Faik Gallopeni: Ngushëllime për Ludovico! Ishte njeri i mirë, patriot dhe i dashur me të gjithë. E kishim bashkëkombas. U prehsh në paqe miku ynë! Skënder Doci: Do ta mbaj mend gjatë! Një njeri që të bënte krenar që jemi shqiptarë! Ilir Berisha: Lamtumirë vëllai ynë arbëreshë nga Argjentina z. Ludovico Colacino! Do të të kujtojmë çdo herë, ishe i respektuar nga të gjithë shqiptarët anembanë botës. Zoti e bekoftë shpirtin tëndë në parajsën e perëndisë! Ngushëllime familjes dhe gjitë shqiptarëve!

Me një rast paska thënë: “Nuk do të më dale shpirti as nuk do të më tretë dheu po nuk e vizitova vendin e të parëve të mi Shqipërinë! Shqipërinë e Skënderbeut!” Këtë dëshirë të flaktë të tij prof. Ludovico e plotësoi para katër vitesh, në shtator të vitit 2016 , bashkë me mbesën e tij Stellën vizitojnë qytetet si: Tiranën, Gjirokastrën, Durrësin, Vlorën, Beratin, Krujën dhe Sarandën në Shqipërinë e tij të dashur. Në Tiranë dhe Durrës i shoqëron miku i tyre Rifat Bajrami. Largohet nga Shqipëria me kujtimet dhe mbresat më të mira për popullin e tij dhe atdheun e të parëve të tij, të cilët kishin ikur para 500 vitesh në Kalabri të Italisë dhe nga aty në Argjentinë.
Mbesa e tij Stella pasi i shpreha ngushëllime për dajën e saj të dashur më shkroi: “Faleminderit Bexhet! Për fat të keq nuk flas shqip por për fat të mirë, i kam gjenet arbërore – shqiptare. Ai ishte daja im që në të vërtetë ishte dhe baba për mua. Unë jam shumë e trishtuar. Ai ishte një njeri shumë i mirë, inteligjent e bujar. Ai fliste disa gjuhë. Ai vdiq sot më 12 korrik 2020. Nëse shkruani diçka për të, unë do të dëshiroja që atë shrim të ma dërgoni edhe mua, mundësisht të përkthyer në spanjisht!”
Prof. Ludovico ishte një njeri i jashtëzakonshëm! I urtë, i butë, i sjellshëm, i arsimuar, i kulturuar. I dashur dhe i respektuar nga të gjithë mikeshat e miqtë e tij kudo në botë shqiptarë e argjentinas. Ai rrezatonte dashuri me të gjithë dhe të gjithë i bënte për vete. Dhembja bëhet edhe më e madhe kur mësojmë se ai nuk la trashëgimtarë! Me shkuarjen e prof. Ludovicos në amshim, u shua dhe një familje arbëreshe në Argjentinën e largët. U shua një oxhak arbëror!
U prehtë në paqe! Qoftë i përjetshëm kujtimi për prof. Ludovico Colacino!

Please follow and like us: