Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (11)

TRASHËGIMIA KULTURORE JOIDENTITARE

 

Trashëgimi e pushtuesve

 

Nëse dikush ka krijuar një përfytyrim për Kosovën duke u mbështetur në literaturën serbe, në këngët popullore, në mitet dhe legjendat, në historiografinë romantike dhe në krijimtarinë tjetër imagjinare, atëherë në perceptimet dhe përfytyrimet e tij ky vend do të ngjante me një muze fantazmash, ku njerëzit nuk bëjnë jetë reale. Në këtë përfytyrim, Kosova është një vend ku fantazmat e mesjetës, të riinkarnuara, ecin rrugëve në pikë të ditës, sekush pa kokë, tjetri me heshtën e ngulur në shpinë, tjetri me parzmoren e shqyer, ndonjë tjetër me gropat e syve të përgjakura, ndërsa rreth e rrotull nuk ka ara ku mund të mbillet e të korret, as livadhe ku mund të kullosin bagëtia e të kositet bari, por vetëm fushëbeteja me kufoma të masakruara, me kuaj të ngordhur, me tenda të djegura, me shpata, përkrenare e flamuj të shpërndarë tutje-tëhu, gjithandej po kjo pamje, sa të zë syri dhe sa ta përfshin mendja.

Në një vend të tillë është vështirë të jetohet, sepse në këtë perceptim imagjinar bota ka mundësi të të shohë në dy forma: ose si fantazmë e ngritur nga varri, ose si dhunues i varreve dhe i krejt asaj fantazmagorie. Meqë fantazmat e ngritura nga varri kanë përkatësi nacionale serbe, atëherë shqiptarëve, si njerëz që kanë zënë strehë mbi varreza, nuk mund t’u ndahej ndonjë rol tjetër, përveçse ai i dhunuesve të varreve dhe i krejt asaj ikonografie mesjetare, mjegulluese dhe mendjeshkarë. Sipas këtij përfytyrimi, pra, Kosova do të duhej të ishte e mbushur cep më cep me murana e me kështjella e me pallate, me rrugë me kalldrëme që çojnë nga një kala në tjetrën, e me katedrale e kambanore e me kalorës të bronztë, tek u bëjnë roje përjetësisht ngjarjeve të një historie të kahershme, që nuk do të harrohet kurrë. Por, në të vërtetë, Kosova nuk ngjan aspak e tillë.

Në pamje të reliefit dhe të natyrës, ajo është një vend i zakonshëm ballkanik, në përgjithësi një hapësirë e ngushtë, më një anë një rrafshnaltë gjithandej e rrethuar kodrinash dhe malesh, më anë tjetër një si luginë me lumenj si përroska, tek rri e ngjitur pas masivit gjigant të maleve të larta. Shqiptarët e shumtë dhe serbët e paktë që kanë jetuar aty prej shekujsh duket se as që e kanë pasur mendjen te historia, te mitet dhe legjendat që janë thurur për vendin e tyre. Në përgjithësi ata kanë bërë jetë të vështirë, me shumë mungesa dhe me shumë vuajtje. Perandoritë kanë ardhur dhe kanë shkuar, kanë bërë luftëra të mëdha ose të vogla, por në pamjen e Kosovës nuk kanë ndryshuar ndonjë gjë të madhe. Përfytyrimin për Kosovën si vend me një përqendrim të jashtëzakonshëm monumentesh të trashëgimisë kulturore dhe historike e kanë krijuar ata që kurrë nuk kanë jetuar në Kosovë, në radhë të parë serbët e kohës së romantizmit dhe më pas, të kohës së nacionalizmit politik. E kundërta e kësaj është Kosova pothuajse e zhveshur nga monumentet e trashëgimisë kulturore materiale: nuk ka kala, nuk ka kështjella, ka vetëm tri kisha serbe dhe po aq xhami turke, për të cilat thonë se kanë vlera historike dhe arkitektonike.

Në këtë trashëgimi kulturore shqiptarët thuajse nuk kanë asgjë dhe, ndonëse historianë të paanshëm e kanë vërtetuar se ata kanë qenë të pranishëm në këtë hapësirë prej Ilirisë dhe prapa, duket sikur ata, përgjatë dy mijë vjetëve, kanë jetuar në tokë të huaj, në shtëpi të huaj. Trashëgimia kulturore e Kosovës, ajo që shihet dhe ajo që është valorizuar, është trashëgimi e pushtuesve. Ata kanë luftuar mes vete që ta dominojnë këtë hapësirë dhe kjo trashëgimi është dëshmi e dominimit të njërës apo të pales tjetër. Të rralla mund të jenë vendet si Kosova, ku banorët vendas përjashtohen nga e drejta për të pasur diçka të tyre në këtë trashëgimi. Sipas perceptimit historik të dëshmive monumentale, shqiptarët nuk ekzistojnë. Ata janë të paqenë në Kosovë, ata nuk kanë ekzistuar kurrë, ose, që është më kapshme për mendjen e njeriut, kanë qenë ose serbë, ose turq. Ose kanë ardhur në shekujt e vonë, si mercenarë të Turqisë, kanë zbritur nga malet e Shqipërisë dhe kanë pushtuar tokat pjellore, gjithandej Kosovës dhe Maqedonisë, deri në kufi me Serbinë dhe Bullgarinë. Kjo pjesërisht edhe mund të ketë ndodhur, sepse raste të ngjashme ka mjaft në historinë e Europës, por nuk është e qartë përse historianët sllavë këtë fakt e lënë në kufij të legjendës, ndërsa koha e ndodhjes, sipas tyre, nuk është aq e largët. Atëherë, në një rrethanë të këtillë, pyetjet që bëhen zakonisht janë këto: Çfarë në të vërtetë është trashëgimia kulturore e Kosovës. Çka përfshin ajo? A është ajo trashëgimi vetëm fetare apo vetëm civilizuese, apo fetare dhe civilizuese njëkohësisht? A është nacionale apo mbinacionale? A është identitare apo mbiidentitare? Dhe, së fundi, a është trashëgimia e Kosovës konflikt civilizimesh apo bashkëjetesë e tyre?

Në sqarimin e këtyre problemeve as kosovarët dhe as të tjerët që kanë folur për Kosovën nuk kanë shkuar shumë larg, sepse pothuajse të gjithë pa përjashtim e kanë pranuar konceptin serb të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Shqiptarët, bashkë me mbështetësit e paktë të tyre, tezat serbe për trashëgiminë kulturore të Kosovës ndonjëherë mekanikisht i kanë kthyer në anë të kundërt, pra në anën që është konsideruar si e favorshme për ta, por pa ndryshuar asgjë në esencë, pa ndryshuar konceptin, pa ndryshuar perceptimin. Të huajt, ata që erdhën në Kosovë pas vitit 1999, ose që e shikuan Kosovën nga distanca, nuk mbajtën qëndrim të paanshëm rreth asnjë çështjeje, madje Kosovën e panë vetëm në kontekst të historisë dhe të trashëgimisë serbe, sikundër e thamë, duke i bërë shqiptarët disi të paqenë, ose imagjinarë. Më anë tjetër, ata pranuan idenë se Kosova historike dhe kulturore ishte serbe, pa mëdyshje, pa dilemë, pa asnjë hamendje, ndërsa shqiptarëve iu ndanë hise aktualitetin e zhveshur, pa diakroni, pa histori, pa trashëgimi. Natyrisht që për vendimet politike më të rëndësishme, para dhe pas 1999-ës, me rëndësi parësore ishte prania e përqendruar e shqiptarëve në Kosovë, por një numër koncesionesh iu bënë palës serbe pikërisht për shkak të historisë së mjegullt, sentimentit fetar dhe trashëgimisë kulturore. Më në fund, edhe historia, edhe feja përqendrohen në një pikë, në trashëgiminë kulturore, e cila në Kosovë është e dominuar nga identiteti serb, madje, sipas bindjes së përhapur gjerësisht, Kosova, me tërësinë e saj, qëndron në themel të këtij identiteti.

 

Identifikimi antishqiptar

 

Po shqiptarët çfarë duhet të bëjnë, si duhet ta shikojnë këtë trashëgimi? A është ajo e tyre apo nuk është? A është ajo vlerë kulturore e Kosovës, apo është një trashëgimi negative, gjurmë e një pushtuesi të urryer? Qëndrimi i shqiptarëve për trashëgiminë kulturore të Kosovës është mjaft konfuz, sepse, sikundër e thamë, referencat historike të asaj trashëgimie për këtë komunitet janë referenca kontradiktore.

Së pari do përkujtuar se trashëgimia kulturore e Kosovës, ajo materiale, e qëndrueshme, e dëshmuar, edhe atëherë kur funksionon si kujtesë kolektive, por edhe atëherë kur nuk funksionon si e tillë; edhe atëherë kur merr pjesë në përbërësit e identitetit, por edhe atëherë kur nuk merr pjesë; edhe atëherë kur është relike historike, edhe atëherë kur është identitet funksional; pra, në të gjitha këto raste, qofshin kontradiktore ose përjashtuese, ajo ka historinë e saj çuditërisht të lëvizshme, disi të paqëndrueshme, sikur gurët dhe muret që e përbëjnë atë të kishin një përbërje fluide, të ëndërrt, fiktive. Nuk do mend, kontestimet e shumta në planin e dëshmive historike e kanë krijuar një situatë të këtillë, ndërsa në plan tjetër kanë nxitur pasione të forta, ndonjëherë të pangjashme. Në të gjitha këto rrethana, ndaj shqiptarëve, pothuajse gjithnjë, është marrë qëndrim përjashtues, madje edhe së fundi shikohen si uzurpatorë të padrejtë të një toke që nuk u takon atyre. Vetë shqiptarët nuk kanë krijuar ndonjë mit për Kosovën, nuk kanë as ndonjë pasion të madh ndaj trashëgimisë së saj, sepse ata e duan Kosovën për aq sa e duan, si një vend ku duhet të jetojnë dhe jo një vend për ëndrra dhe fantazmagori. Madje, duhet ta pranojmë se shqiptarët emocionalisht nuk janë të lidhur për asnjërin shtresim të trashëgimisë kulturore, as për atë iliro-romake, as për atë turke, e aq më pak për atë serbe.

Pra, trashëgimia e Kosovës është konfuze në përbërjen e saj, si trashëgimia e çdo vendi tjetër, ku ka pasur lëvizshmëri të madhe përkatësish historike dhe etnike. Historikisht ajo u takon tri perandorive të ndryshme, më të fuqishmet në Europë në kohën e tyre: Perandorisë Romake, Perandorisë Bizantine dhe Perandorisë Osmane. Etnikisht ajo është e ndarë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Në të vërtetë, dallimi esencial ndërmjet këtyre dy etnive sa i përket Kosovës, është e drejta historike mbi këtë tokë të vogël: kujt i takon ajo, në mbështetje të dëshmive të mbetura trashëgim?

Por, sikundër e dimë, dëshmitë e mbetura që gjithkund konsiderohen si trashëgimi kulturore materiale me vlerë muzeale, në Kosovë nuk janë vetëm të tilla, pra nuk qëndrojnë të pavarura nga korpusi i ideve, në emër të të cilave shpesh është luftuar dhe është derdhur gjak. Pikërisht për këtë arsye, trashëgimisë kulturore të Kosovës nuk mund t’i qasemi me koncepte universale, por duhet parë dhe analizuar në specifikat e saj atipike, gjithnjë duke synuar që ajo gradualisht të zhvendoset nga terreni historik dhe politik dhe të vendoset në terrenin kulturor, atje ku e ka vendin.

Por, për një çast le t’i kthehemi historisë për një sqarim elementar: në të tri rastet e perandorive të përmendura, të cilat kanë lënë gjurmë në Kosovë dhe rreth të cilave grinden shqiptarët dhe serbët, shqiptarët kanë qenë popull i pushtuar. Mirëpo, në kuadër të atyre perandorive dhe në kuadër të atyre civilizimeve, ata kanë funksionuar dhe kanë lënë gjurmët e tyre. Natyrisht që këto gjurmë shqiptarët i theksojnë, ndërsa serbët i kontestojnë. Ta zëmë, në Kosovë janë të dukshme gjurmët ilire-romake, por serbët, gjatë sundimit të vonë i kanë zhdukur shumicën e tyre, e para, për të kontestuar vazhdimësinë ilire-shqiptare; dhe, e dyta, për ta promovuar me shumë fanatizëm të drejtën e tyre historike mbi Kosovën. E vërteta, ajo që i ka fuqizuar serbët në këtë trashëgimi historike ka qenë pikërisht Bizanti, identifikimi i serb me atë histori, me atë fe dhe me atë kulturë. Bizanti nuk ka qenë serb, ka qenë një perandori multietnike, me shumë prurje orientale. Nuk ka qenë as kulturë dhe as civilizim perëndimor, por shfaqja në lindje e Perandorisë Osmane dhe luftërat e zhvilluara me të, të gjitha këto kanë bërë që ajo të identifikohet si përkatësi e krishterë, respektivisht si identitet europian. Vetë ndarja e Peradorisë Romake dhe më pastaj edhe e kishës, ka ardhur si pasojë e diferencave të madha brenda këtyre përbërësve shtetërorë dhe fetarë. Ardhja e osmanëve nga Azia i rrafshon këto dallime dhe i bashkon europianët e krishterë për një luftë të përbashkët. Dhe, në këtë garë për identitet dhe trashëgimi, shqiptarët përjetojnë humbjen e radhës: përvetësojnë besimin fetar mysliman dhe identifikohen me trashëgiminë turko-orientale.

Duke kaluar nëpër situata të këtilla, pra, shqiptarët e Kosovës nuk kanë qenë të lidhur emocionalisht me trashëgiminë kulturore dhe historike të Kosovës, as më herët, as tash së fundi. Një numër syresh krejt vonë janë konvertuar në myslimanë liberalë, kështu që tempujt fetarë të krishterë, katolikë dhe ortodoksë, i kanë respektuar barabar. Ishte Serbia, nacionalizmi serb, shovinizmi serb ai që futi zjarr në krejt këtë situatë. Ajo i instrumentalizoi institucionet e fesë, që njëkohësisht ishin edhe pronarë të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Krishterimin si besim fetar dhe si civilizim europian ajo e bëri krishterim serb dhe civilizim serb, tashmë jo si vlerë, por si kundërvënie ndaj shqiptarëve me shumicë të islamizuar. Shqiptarët e Kosovës, që të mos ndiheshin të përjashtuar, duhej që të mbaheshin diku dhe u kapën në dy fille identitare: në trashëgiminë iliro-romake dhe në kontestimin e përkatësisë sllave të monumenteve të kultit ortodoks. Por trashëgimia iliroromake pothuajse ishte zhdukur në Kosovë: aty ku ishte zbuluar, ishte shkatërruar; aty ku shiheshin gjurmë, rrafshoheshin dhe mbuloheshin me dhè, që kurrë më të mos shfaqeshin më. Me një fjalë, trashëgimia iliro-romake nuk u valorizua, përkundrazi u zhduk, u shpall si antiserbe, sepse ajo kontestonte të drejtën historike të Serbisë në Kosovë. Më anë tjetër, ideja se edhe shqiptarët ishin pjesëtarë të trashëgimisë fetare ortodokse, ndonëse kishte mbështetje dhe dëshmi, nuk funksionoi asnjëherë si duhet.

Ndërkaq, nga ndonjë lidhje e mundshme e identitetit me trashëgiminë e Perandorisë Osmane permes monumenteve të kultit ose të kulturës materiale, shqiptarët e Kosovës e përjashtuan veten në mënyrë kategorike, sepse, për shkak të paragjykimeve evropiane dhe stigmatizimit serb, ata nuk deshën asnjëherë të identifikoheshin me atë trashëgimi. Prandaj, marrë në përgjithësi, shqiptarëve nuk iu mbeti gjë tjetër nga Kosova, përveç vetëdijes se ajo tokë kishte qenë gjithmonë e tyre, se dëshmitë për këtë ishin varrosur nën tokë, sikundër edhe një refuzim permanent i krejt asaj që tashmë ishte identifikuar si trashëgimi serbe. Në luftën e fundit shqiptarët dogjën disa kisha serbe, veçmas të ashtuquajturat kisha politike, të ndërtuara në kohët e reja, për të dëshmuar dominimin serb në Kosovë, kryesisht të nxitur dhe të provokuar nga Serbia, nga lidhja në një tërësi që bënte ajo, të fesë, të kombit, të shtetit, të ushtrisë, të klerit, të policisë, pra të gjithë së bashku të përfshirë në identifikimin antishqiptar. Shqiptarët krejt vonë e kuptuan se kjo nxitje ishte një grackë dhe se me veprimin që bënin, me djegien e kishave serbe, tumirnin të gjitha supozimet propagandistike të Serbisë për shqiptarët si tribalë, si barbarë, si fundamentalistë islamikë. Ata, gjithashtu, bënë një akt jocivilizues dhe të rrezikshëm për mentalitetin e krishterë perëndimor: çuan dorë mbi monumentet e identitetit civilizues europian, ashtu siç kishte bërë dikur perandoria e errët e turqve selxhuk.

Megjithatë, edhe përkundër të gjitha situatave dramatike, shqiptarët qëndruan pezull, u mbajtën ashtu siç u mbajtën, por nuk e krijuan identitetin e tyre kulturor mbi mohimin e kësaj trashëgimie. Ky qëndrim pezull do të vazhdojë ende, dhe konflikti do të jetë latent, dhe civilizimet do të duket sikur janë gati të ndeshen për betejën vendimtare, derisa në Kosovë të mos vendoset baraspesha e domosdoshme ndërmjet trashëgimisë së mohuar shqiptare dhe trashëgimisë së mbitheksuar serbe. Kjo baraspeshë është e domosdoshme, jo më si shtegdalje e vetme e depoltitizmit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, por edhe si e vetmja zgjidhje që Kosova të mos mbetet peng e fantazmagosrisë mesjetare, e muranave dhe e varrezave, por të shndërrohet në një vend normal jetësor, ku njerëzit mund të bëjnë jetën e tyre në rrethana krejt tokësore. Që të vendoset kjo baraspeshë, është e nevojshme që, përveç ndryshimeve konceptuale, të bëhet edhe valorizimi i barabartë i trashëgimisë kulturore me parashenjë shqiptare ose e besuar si shqiptare (siç është ajo serbe, e besuar si serbe), e kjo është trashëgimia ilire, që pothuajse në tërësi është e paeksploruar dhe dergjet nën dhè, e mbuluar nga harresa.

 

Trashëgimia konfliktore

 

Në këtë drejtim, sipas asaj që shihet tani, pengesën më të madhe e paraqesin konceptet dhe kuptimet e deformuara, të cilat janë ngulitur thellë qoftë në vetëdijen ballkanike, qoftë në perceptimin europian për Kosovën. Nga këto kuptime të deformuara, që ndikojnë ta bëjnë Kosovën vend të historisë, por jo edhe vend të jetës normale, duhet dalluar dy: se trashëgimia kulturore e Kosovës ka funksion politik, e para; dhe, e dyta, se trashëgimia kulturore e Kosovës paraqet jo bashkëjetesë civilizimesh, siç ndodh gjithkund tjetër, por konfliktin e tyre. Në të dy rastet, shqiptarëve të Kosovës konceptet e këtilla u janë imponuar. Pra, ata nuk e kanë prodhuar vetë një botëkuptim të këtillë. Madje, mund të them pa e tepruar se kosovarët nuk kanë prodhuar ndonjë botëkuptim të tyre për trashëgiminë kulturore, por ata kanë reaguar emocionalisht ose janë kundërpërgjigjur sipas rastit, madje shpesh duke rënë pre e deformimeve të këtilla të imponuara. Atyre u është thënë dhe u është përsëritur me mijëra herë se Kosova është Jerusalemi serb, për shkak të miteve të tyre që lidhen me këtë trashëgimi. Kosovarët janë përpjekur të kundërpërgjigjen, shpesh me nervozizëm, ndonjëherë pa takt, jo gjithnjë duke bërë diferencimin e qartë midis asaj që u është imponuar si koncept i deformuar dhe asaj që përbën konceptin e drejtë, shkencërisht të pranueshëm të trashëgimisë. Ata kanë parë sesi me mijëra herë identifikohet në mënyrë tendencioze trashëgimia fetare serbe me atë kulturore, pastaj trashëgimia kulturore me atë nacionale, pastaj se si ngatërrohet identiteti fetar me atë nacional, si ngatërrohet miti me realitetin, të gjitha këto me një qëllim përfundimtar: të shfrytëzohet trashëgimia kulturore si argument politik për mbajtjen e Kosovës nën sundimin serb. Në shumicën e rrethanave, shqiptarët e Kosovës nuk kanë bërë gjë tjetër, pos që janë përpjekur të kundërpërgjigjen, shpesh pa ndonjë argumentim dhe pa gjeturi. Në politizimin e trashëgimisë, thënë me një fjalë, shqiptarët janë tërhequr për hunde dhe në këtë mënyrë vazhdojnë të tërhiqen edhe tani.

Derisa problemi i politizimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës del i qartë dhe pa ndonjë nevojë të madhe të argumentohet, një çështje tjetër që lidhet me pasqyrën dhe gjendjen reale në terren dhe që trashëgiminë kulturore të Kosovës e paraqet si konflikt civilizimesh, në këtë pikë sqarimet dhe argumentimet më të thelluara paraqiten të domosdoshme. E anashkalojmë faktin se ishte propaganda serbe ajo që i ka mëshuar fort idesë së trashëgimisë kulturore të Kosovës si konflikt ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, ndërmjet Europës dhe Azisë, ndërmjet krishterimit dhe islamit, pra ta harrojmë për një çast këtë ngarkesë të madhe nën të cilën vihet trashëgimia kulturore e Kosovës dhe le të shikojmë si paraqitet gjendja në terren.

Realisht, trashëgimia kulturore e Kosovës qëndron e ndarë në dy korpuse fetare: në njërën anë kemi kishat serbe, që kanë vlera të rëndësishme për artin bizantin dhe identifikohen me krishterimin, bashkë me këtë edhe me trashëgiminë e civilizimit evropian, sikundër edhe me vetë identitetin e kombit serb; kurse më anën tjetër qëndron korpusi i monumenteve orientale, xhamia, hamame, kulla, që janë identifikuar si trashëgimi shqiptare, të cilat paraqesin vlera periferike për vetë kulturën orientale, ndërsa për shqiptarët, një pjesë e tyre, janë të identifikuara si kulturë fetare dhe jo nacionale.

Së pari, në aspektin kulturor dhe historik, kjo është një gjendje defektore e monumenteve kulturore në terren, sepse përbrenda përmban kontradikta të papajtueshme dhe shkapërcime atipike, situatë kjo që nuk mund të vihet në drejtpeshim as faktik, as konceptual. Elementet e pabarazisë janë: shqiptarët nuk identifikohen me fenë, serbët identifikohen me fenë; shqiptarët nuk kanë vlera, serbët kanë vlera; shqiptarët janë orientalë, serbët janë oksidentalë; shqiptarët kanë trashëgimi aziatike, serbët kanë trashëgimi evropiane. Është e qartë se të këtillë kanë dashur ta paraqesin veten serbët dhe të këtillë kanë dashur t’i paraqesin shqiptarët. Propaganda e tyre shkencore, pseudoshkencore, politike, diplomatike etj., ka prodhuar realitetin në terren, i cili nëse nuk i përgjigjet qind për qind kësaj situate, në një masë të madhe e vërteton atë. Pse ka ndodhur kjo? Ku qëndron arsyeja? Trashëgimisë kulturore të Kosovës i mungon diçka, i mungon një komponente e rëndësishme që të drejtpeshojë midis historisë dhe realitetit, që të jetë e harmonishme dhe që tradita të bashkëjetojë me bashkëkohësinë.

Ndërmjet korpusit të monumenteve mesjetare serbe dhe korpusit oriental shqiptar; midis kishave serbe dhe xhamive shqiptare, mungon antika dhe mesjeta shqiptare. Ajo nuk është, ajo është shlyer nga realiteti monumental i Kosovës. Kosova është hapësira e vetme në rajon që nuk ka kështjella mesjetare, ose ka aq pak dhe i ka aq të shkatërruara, sa nuk dëshmojnë gjë (shembulli i Novobërdës). Kosova e ka antikën e mbuluar nën dhe. Pra, mungon korpusi i monumenteve kulturore që do të qëndronte në mes të dy korpuseve të tjera dhe që do të krijonte një drejtpeshim të natyrshëm. Zhdukja sistematike e monumenteve mesjetare joserbe, sikundër edhe zhdukja ose lënia nën dhè e monumenteve antike, që ka qenë politikë afatgjate e Serbisë në Kosovë, ka lënë të duket në sipërfaqe një situatë jotipike, kështu që Kosova, nga një vend ku kanë bashkëjetuar në harmoni civilizimet, të dalë sikur ajo është djep i konfliktit të tyre.

Kjo është fitore e dhunshme e politikës mbi trashëgiminë kulturore, duke e deformuar pamjen dhe funksionin e saj. Dhe çështja shtrohet: Përse edhe sot vazhdohet i njëjti avaz, përse edhe sot trashëgimia vazhdon të perceptohet po me këto koncepte, me konceptet politike serbe të trashëgimisë së Kosovës, si konflikt i pabarabartë civilizimesh dhe vlerash, si konflikt ndërmjet popujve dhe si konflikt ndërmjet historisë dhe realitetit? K

jo ndodh për shkak se kosovarët ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre rreth këtij problemi, ende nuk e kanë ndërtuar tamam idenë e tyre për Kosovën si shtëpi e përhershme, jo e marrë me qira, si azil i përkohshëm. Ata ende nuk i kanë ndërtuar konceptet e tyre as për trashëgiminë kulturore, sepse ende prihen jo nga ideja e ndërtimit por nga ideja e refuzimit, dhe refuzimi nuk është gjë tjetër, përveç se pohim i të kundërtës. Kosovarët do të duhej ta ndërtonin Kosovën që nga themeli i emrit të saj, për të hequr qafe një herë e mirë, nga vetëdija e gjeneratave të ardhshme, se ky vend është muze i fantazmave, se ky vend është tokë e huaj, se ky vend është tragjik në të kaluarën dhe në të tashme, prandaj është i pamundur për jetë. Që të çlirohet nga kjo trashëgimi, së paku për veten e tyre, jo për serbët, ndoshta jo as për bashkësinë ndërkombëtare, por ekskluzivisht për veten e tyre, kosovarët duhet t’ia ndryshojnë emrin Kosovës, ta mbyllin një herë e përgjithnjë kapitullin e trashëgimisë së errtë, të trashëgimisë konfliktuale, të trashëgimisë negative. Dhe ta riemërtojnë Kosovën, ta ripagëzojnë, ta quajnë si të duan, Dardani ose me ndonjë emër tjetër, ekskluzivisht jo për shkak të trashëgimisë serbe, as të mitit serb; ekskluzivisht jo për shkak të trashëgimisë turko-osmane, as të historisë së tyre pushtuese, por, më në fund, për të bërë një ndarje me një të kaluar që zë frymën, që krijon siklet dhe angushti deri në mbytje.

 

Instrumentalizimi politik

 

Emblemën më të shëmtuar politike trashëgimisë kulturore të Kosovës ia vuri plani i Ahtisaarit. Në të vërtetë, filozofia e këtij plani konsiston në ruajtjen e pamundshme të të gjitha kontradiktave që i ka Kosova, vetëm njëlloj zhvendosje e tyre, në gjendje të ngrirë, matanë kohës së tashme. Ky plan ose kjo pako e lë Kosovën të tillë siç ishte, pa zgjidhur asnjë problem të saj, duke bërë që kundërthënia shekullore e Kosovës ndërmjet realitetit shqiptar dhe mitit serb të mos zgjidhet as tani. Ahtisaari ua njeh shqiptarëve të sotmen e Kosovës në katër anekset e parë të pakos së tij, që flasin për çështje politike, juridike etj., pavarësisht se aty ka zgjidhje që e bëjnë Kosovën shtet jofunksional, siç është decentralizimi etj. Por në aneksin e pestë, ku flitet për trashëgiminë kulturore, Ahtisaari i përmbys të gjitha këto dhe Kosovën përsëri e zhvendos në histori, ose, thënë më mirë, e kthen atje ku e dëshirojnë serbët, në mitologjinë e tyre kombëtare. Përmes këtij plani, përmes mënyrës si u trajtua trashëgimia kulturore dhe fetare serbe në Kosovë, nacionalizmit serb iu njoh e drejta e patjetërsuar jo më mbi monumentet kulturore (sepse këtë nuk do t’ua mohonte njeri), por mbi idetë për Kosovën si tokë e shenjtë, ose, që është edhe më keq, që, për shkak të trashëgimisë kulturore dhe fetare, Serbia gjithnjë ta konsiderojë Kosovën e ndarë prej saj si padrejtësi të çastit, për shkak të raportit të forcave, por jo si një zgjidhje të qëndrueshme. Më anë tjetër, aneksi V i planit të Ahtisaarit, ndër të tjera, i vë shqiptarët në pozitë të fajtorit historik, të uzurpatorëve të një të drejte që nuk u takon: sipas këtij plani, Kosova vazhdon të jetë serbe, të identifikohet si pjesë e kulturës dhe trashëgimisë serbe, ndërsa shqiptarët, për shkak të trashëgimisë së pavalorizuar, janë banorë ilegalë ose gjysmë legalë të kësaj hapësire.

Në të vërtetë, ky aneks i planit do të duhej të promovonte konceptin europian të trashëgimisë kulturore, por nuk e arrin këtë për dy arsye kryesore: e para, nuk e percepton trashëgiminë kulturore serbe si prodhues potencial të nacionalizmit serb në rrafshin e ideve; dhe, e dyta, nuk arrin që trashëgiminë kulturore të Kosovës ta heqë nga politika dhe ta zhvendosë në histori. Në Europë nuk ndodhë më që monumentet e kulturës të përcaktojnë politikën e një shteti, as mitet, as legjendat. Serbisë, me këtë plan, me këtë aneks, i është lënë pikërisht kjo mundësi dhe i është njohur kjo e drejtë, që politikën për Kosovën ta ndërtojë edhe më tej mbi një të drejtë të njohur ndërkombëtarisht për përkatësinë serbe të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ky është instrumentalizim i pashembullt i kulturës në funksion të politikës dhe në këtë pikë Ahtisaari dhe ekipi i tij kanë rënë pre e konceptit ballkanik, respektivisht serb të trashëgimisë, që konsiston pikërisht në këtë instrumentalizim dhe keqpërdorim të saj. Një zgjidhje krejtësisht logjike dhe gjithsesi më produktive do të ishte mospërfshirja e trashëgimisë në asnjë plan, në asnjë pako politike dhe statusore. Ajo do të duhej të perceptohej si trashëgimi kulturore e Kosovës dhe asgjë më shumë se kaq, siç perceptohet kjo trashëgimi në çdo vend tjetër të Europës, me një ligj që sanksionon mbrojtjen e saj. Në pakon e Ahtisaarit vetëm ky fakt ka mundur të potencohet, pra një obligim i thënë tekstualisht se trashëgimia serbe në shtetin e Kosovë duhet të gëzojë të drejtën e mbrojtjes ligjore, të rregullt, sipas standardeve evropiane, pa ndonjë sforcim dhe pa ndonjë specifikë. Një trajtim i këtillë do ta kthente në suaza normale trashëgiminë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë, nuk do ta mistifikonte atë, nuk do ta bënte argument për politikën, sikundër që do t’i vendoste në raporte normale shqiptarët dhe serbët kundrejt një historie krejtësisht të mitizuar.

Për një pjesë të opinionit të huaj, që nuk ka shumë informacion dhe që nuk e njeh Kosovën më nga afër, mund të duket pak e paqartë, përse në bisedimet për statusin e Kosovës, si një pikë e veçantë u përfshi edhe trashëgimia kulturore. Madje, mund të krijohet edhe një përshtypje e gabuar rreth kësaj çështjeje, sepse të gjithë tashmë e dinë se bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore serbe, ndaj së cilës shqiptarët e Kosovës, veçmas në pranverën e vitit 2004, manifestuan armiqësi të hapur, shumë agresive. Meqë kjo trashëgimi kulturore serbe në Kosovë është kryekëput fetare-ortodokse; meqë një trashëgimi të këtillë e kanë edhe disa popuj të botës, përfshirë edhe një pjesë të vetë shqiptarëve dhe meqë pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës janë të besimit fetar mysliman, atëherë mundësia për një keqkuptim përmasash tragjike është jashtëzakonisht e madhe. Që ky keqkuptim të mos ndodhë, rreth trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë duhet pasur të qartë disa gjëra.

E para, është e ditur se trashëgimia kulturore serbe në Kosovë, më shumë se kulturore dhe fetare, ka qenë dhe mbetet politike. Që nga shekulli XIX, duke u mbështetur në këtë trashëgimi historike dhe fetare dhe duke e instrumentalizuar atë politikisht deri në skajshmëri, serbët kanë ndërtuar mitin e tyre për Kosovën, një mit mesjetar, që mbështetet mbi shovinizëm dhe ekspanzionizëm dhe që në koncept e ka konfliktin e civilizimeve. Pra, duke u shërbyer me këtë mit, serbët e kanë shpallur Kosovën “tokë të shenjtë”, nga e cila nuk duhet të heqin dorë në asnjë rrethanë. Në dy shekuj e këndej, ky mit ka qenë alibia kryesore serbe për t’i zhbërë shqiptarët nga Kosova. Përveç kësaj, memoria serbe për Kosovën nuk buron që nga mesjeta, siç pretendohet tani, por që nga shekulli XIX, kur fillon lëvizja nacionale serbe dhe romantizmi i tyre nacional. Kjo memorie është më shumë mitike-fetare dhe më pak historike. Prandaj monumentet serbe të kultit në Kosovë, nga vetë serbët nuk janë konsideruar asnjëherë vetëm si vende të kultit, as si trashëgimi kulturore ose historike. Ato janë ngritur në simbole mitike të kombit serb, i cili, përmes këtyre tempujve, lidhet me proveniencën qiellore. Kjo mitologji, sikur të mos ishte keqpërdorur politikisht, do të dukej interesante për studime antropologjike. Mirëpo, nga ana tjetër, në vetëdijen nacionale serbe kjo mitologji panatyrshëm zhvendoset në kohë: në programin e tyre nacional Kosova thërret zërat e mesjetës për kryqëzata të vazhdueshme, për çlirimin e “tokës së shenjtë”.

Në këtë kuadër do vërejtur se programi nacional serb, i ndërtuar mbi këtë amalgamë mitologjike, fetare dhe historike, ka mbetur i konservuar deri në ditët e sotme. E dyta, shqiptarët e Kosovës, duke u përballur vazhdimisht me këtë mit serb për Kosovën dhe duke përjetuar në lëkurë të tyre një mijë e një negativitete të tij, doemos që kanë krijuar kujtesën e tyre historike. Veprimi serb natyrshëm që ka nxitur reaksionin shqiptar. Në këtë kuadër, shikuar historikisht, edhe feja duhet ta ketë luajtur rolin e saj. Mirëpo, aktualisht, shqiptarët e Kosovës nuk ushqejnë urrejtje për monumentet e kultit serb në Kosovë për shkak të bindjeve të tyre fetare, por për shkak të kujtesës së tyre negative historike dhe aktuale, që lidhet me dijeninë e tyre se Serbia e ka ndërtuar mitin e saj për Kosovën pikërisht duke u mbështetur në këto monumente të kultit. Përveç kësaj, në mbamendjen e shqiptarëve të Kosovës këto monumente janë identifikuar me politikat serbe ndaj Kosovës, jo pse kështu kanë dashur ata, por nga se serbët vazhdimisht e kanë imponuar këtë gjë. Shqiptarëve të Kosovës u është mbushur mendja se aty ku është një kishë serbe, aty është nacionalizmi dhe shovinizmi serb. Në këtë pikë, ata e kanë një përvojë të hidhur edhe nga lufta e fundit dhe periudha para saj. Në kohën e sundimit të Milosheviqit, kisha serbe në asnjë rrethanë nuk u distancua nga politikat gjenocidale dhe krimet. Kisha serbe e shfrytëzoi Milosheviqin dhe politikat e tij në Kosovë që të ndërtonte kisha të reja, aty ku më së paku kishte nevojë për to: pranë rrugëve magjistrale, në vendbanime pothuajse të pastra shqiptare etj. Për shqiptarët, ato kisha të reja nuk kishin ndonjë kuptim tjetër, përveç provokimit të hapur. Gjatë luftës së fundit, ndërkaq, shumë kisha dhe manastire serbe në Kosovë ishin strehë dhe depo armësh të paramilitarëve serbë. Kjo kujtesë nuk shlyhet aq lehtë.

 

Agresioni kulturor i Ahtisaarit

 

Por, mbi të gjitha, në planin kulturor, dokumenti i Ahtisaarit ka diçka që nuk shkon, madje ka diçka që i lëndon kosovarët, që i prek në sedër dhe i fyen, që trashëgiminë kulturore serbe ua bën edhe më refuzuese, që asnjëherë të mos e konsiderojnë të pranueshme për identitetin e tyre shtetëror. Që të jemi më të qartë, plani i Ahtisaarit vendosi zonat e sigurisë përreth monumenteve kulturore serbe, me një përshkrim të qartë të hapësirës që iu takon atyre dhe me një lloj sovraniteti të brendshëm, i cili nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë. Vetë prania e NATO-s në Kosovë dhe angazhimi i saj parësor në sigurinë e enklavave dhe të kishave serbe, këtij plani i jepte karakter ndërkombëtar, ndërkohë që kalimi gradual i kompetencave të sigurisë nga NATO-ja te policia e Kosovës nuk nënkupton një dalje të përhershme nga kjo situatë: sapo të ndodhë ndonjë incident, real ose i inskenuar, policia e Kosovës, e monitoruar kujdesshëm, do të përjashtohet nga mbajtja e këtyre zonave të sigurisë dhe NATO përsëri do të marrë funksionin e rojave të shpirtrave. Pra, nga mënyra si është rregulluar kjo materie me planin e Ahtisaarit, bëhet e qartë se për monumentet fetare serbe është gjetur një zgjidhje e pashembullt në botë, një eksterritorialitet me garanci të fortë ndërkombëtare, në pikëpamje kulturore krejtësisht i panevojshëm, në pikëpamje politike një vazhdim permanent, i pandryshuar, i politizimit të kësaj trashëgimie, për efekt të një agresioni kulturor kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës si shtet i tyre.

Vetë koncepti i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë përmes zonave të sigurisë është i paqëndrueshëm, jocivilizues, është fyes dhe denigrues. Nuk mund të bëhet një shtet normal, i respektuar nga vartësit e tij dhe nga bashkësia ndërkombëtare, nëse në dokumentin bazë, mbi të cilin pastaj do të nxirren kushtetuta dhe ligjet themelore, figuron një aneks, i cili, me kontekstin dhe nëntekstin e tij, shqiptarët e Kosovës i stigmatizon dhe i vë në shtyllën e turpit, si popull barbar, si kope tribalësh, që nuk i njohin dhe respektojnë vlerat civilizuese. Natyrisht që, shikuar nga ky prizëm, dokumenti i Ahtisaarit është ngadhënjim i konceptit serb mbi Kosovën dhe shqiptarët, i propagandës dhe i këndvështrimit të tyre negativ, i cili, sikundër që tashmë mund të kuptohet, është bërë i pranueshëm edhe në përmasa ndërkombëtare. Nuk vihet në dyshim nëse me këtë dokument Kosova bëhet shtet ose jo, por çfarë shteti bëhet dhe mund të funksionojë ai në botën bashkëkohore me një stigmë të tillë. Kurse aneksi V i këtij dokumenti është pikërisht stigmë, ose edhe më shumë se kaq, një akuzë sui generis e botës ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, një e tillë akuzë që rri e hapur kundrejt të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes njëkohësisht. Ajo është pesha e kryqit, që Kosova duhet ta bart mbi supe për një kohë të gjatë. Nuk janë këtu me rëndësi zgjidhjet teknike që janë propozuar për mbrojtjen e monumenteve serbe të kultit dhe të trashëgimisë kulturore. Nuk kanë rëndësi primare zonat e sigurisë, nëse ato do të shtrihen në kaq metër ose kilometër, ndonëse edhe në këtë pikë është bërë një lojë, sepse bashkë me dokumentin nuk janë publikuar hartat. Për këtë pikë janë zhvilluar diskutime të kota. Duke u përqendruar në këto kotësi teknike, qëllimisht ose jo, vëmendja është zhvendosur nga problemi themelor, që është vetë koncepti i zonave të sigurisë, i cili bie në kolizion me konceptin e civilizimit. Kush do të pranonte sot në botë të bëhej shtet, duke ia mohuar vlerat civilizuese popullit që e përbën atë? Ose, si mund të pranohet me zemërgjerësi një dokument, i cili me nëntekstin e tij të thotë në mënyrë shumë të vrazhdët: ja, bëhu shtet, por shtet tribalësh, ama! Sepse, po mos të na quanin dhe të na kundronin si barbarë, nuk do të kërkonin një sistem të tillë të mbrojtës për monumentet e kulturës. Po mos të na quanin dhe të na kundronin si fundamentalistë, nuk do të kërkonin një sistem të tillë mbrojtës të objekteve të kultit të krishterë. Po të kishin besim te sjellja e civilizuar e kosovarëve, te vetëdija e tyre për vlerat kulturore dhe për tolerancën e tyre fetare, në asnjë rrethanë nuk do të propozoheshin masa të këtilla mbrojtëse për të mbrojtur një trashëgimi fetare dhe kulturore.

Po i rendisim këtu edhe disa pika, të cilat ilustrojnë një rrethanë kryekëput paradoksale.

Së pari, dokumenti i Ahtisaarit, kur bën fjalë për trashëgiminë kulturore të Kosovës, fillim e fund e ka synim themelor mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë dhe jo mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës, siç është bërë përpjekje të thuhet herë pas here. Se kjo trashëgimi është konsideruar vetëm serbe dhe jo e mbarë Kosovës, pra e ndarë shumë qartë në baza etnike, ndër të tjera e dëshmon përcaktimi i zonave mbrojtëse përreth objekteve më të rëndësishme të kësaj trashëgimie. Këto zona mbrojtëse, ose zona të sigurisë, shqiptarëve të Kosovës iu thonë qartë: Kjo nuk është e juaja! As në pikëpamje historike, as kulturore, madje as hapësinore dhe territoriale. Prandaj, koncepti i unitetit kulturor të Kosovës me dokumentin e Ahtisaarit ka pësuar fiasko. Edhe ideja se trashëgimia kulturore e Kosovës është një dhe e pandarë, tashmë është kthyer ne iluzion.

Së dyti, duhet thënë qartë se në dokumentin e Ahtisaarit asnjë objekt joserb, ose që nuk pretendohet prej tyre, nuk është përfshirë në këtë mbrojtje të veçantë. Në dukje të parë, përjashtim bën Prizreni. Në pikën 4.1.7 të Aneksit V të këtij dokumenti, ndër të tjera, thuhet: “Zona e mbrojtur për Qendrën Historike të Prizrenit do të përcaktohet nga organet komunale në bashkëpunim me Këshillin Implementues dhe Monitorues dhe do të përfshijë objektet e Kishës Ortodokse, objektet otomane, katolike, të folurën dhe objektet tjera të rëndësisë së veçantë historike dhe kulturore”. Mirëpo, në të njëjtin paragraf është thënë qartë se në këtë zonë të mbrojtur duhet të përfshihen Levishka, Marashi, shkolla e priftërinjve serbë etj. Arsyeja përse është vepruar kështu, është se objektet e trashëgimisë serbe në këtë qytet kanë një shtrirje të tillë, që nuk mund të ndahen dhe të futen në një zonë të mbrojtur, pa përfshirë aty edhe objekte joserbe.

Së treti, Ura e Gurit në Vushtrri nuk është gjendur në këtë dokument pse në themelet e saj na qenka urë romake ose dardane, por ngase serbët e pretendojnë atë dhe e quajnë Ura e Vojnoviqëve. Po e njëjta gjë ka ndodhur edhe me kullën e Isa Boletinit, e cila është futur në zonë të mbrojtur për shkak të afërsisë që ka me kishën serbe dhe për shkak se është e rrethuar me prona të asaj kishe, të cilat janë bërë të sajat në një kohë jo shumë të largët të shpronësimit të shqiptarëve. (Kishën e kishin ndërtuar çipçinjtë serbë të Isa Boletinit, ndërsa më vonë ajo u bë qendër e punimit të ikonave.) Edhe Novobërda është bërë zonë e mbrojtur për shkak të pretendimeve të reja serbe për këtë qytet mesjetar, sepse, po të ishte historia në anën e tyre, kalaja e Novobërdës nuk do të ishte bërë rrënojë që në kohën e sundimit të tyre në Kosovë.

Së katërti, sekush pretendon se edhe vendbanimi antik i Ulpianës, edhe pse i përfshirë në komunën e re të Graçanicës, gjoja do të gëzojë mbrojtjen përkatëse. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Në nenin 4 të aneksit III për decentralizimin, aty ku flitet për “Kompetencat e zgjeruara vetanake komunale” tekstualisht thuhet se komunat e Mitrovicës së Veriut, e Graçanicës dhe Shtërpcës do të kenë kompetenca shtesë edhe për “mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe dhe tjetër brenda territorit komunal”. Po u përkthye në gjuhën praktike, kjo do të thotë një përshëndetje e fundit me vendbanimin antik të Ulpianës, sepse komuna e serbe e Graçanicës është e pritshme se do t’i nxisë ndërtimet në zonën 40 hektarësh të këtij vendbanimi antik, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën jo shumë të largët me të gjitha vendbanimet antike dhe mesjetare joserbe në Kosovë.

Së pesti, Gazimestani, një dëshmi se bashkësia ndërkombëtare në Kosovë është gjetur tërësisht e hutuar, pa asnjë ide të qartë se ku gjendet dhe se deri në ç’pikë shkojnë manipulimet serbe me trashëgiminë kulturore. Pra, bëhet fjalë për një monument që shënon gjoja vendin e Betejës së Kosovës të vitit 1389, një pirg me lartësi 25 metër, i ndërtuar në vitin 1953, pranë rrugës Prishtinë-Mitrovicë, një obelisk ose pirg që ka formën dhe pamjen e një kulle mesjetare, në hyrjen e të cilit janë gdhendur vargjet e këngës popullore serbe për “nëntë Jugoviqët”, një metaforë e pësimeve dhe viktimizimit serb në Betejën e Kosovës, që, e ngritur në përmendore, duhet të marrë një konotacion më të gjerë dhe më bashkëkohor. Pikërisht te konotacioni bashkëkohor qëndron arsyeja për një refuzim të fuqishëm të shqiptarëve ndaj këtij monumenti, sepse ai tashmë ka humbur kuptimin fillestar dhe është shndërruar në simbol të Milosheviqit dhe nacionalizmit serb. Sepse pikërisht në këtë vend, më 1989, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, Milosheviqi shpalli programin e luftërave në Ballkan. Tani ky pirg i Gazimestanit, që nuk ka asnjë vlerë monumentale, sepse është ndërtuar më 1953; që deri në vitin 1989 nuk kishte asnjë rëndësi as për vetë serbët, sepse ishte lënë ta mbulonin shkurret e drizat, përnjëherësh bëhet monument kulturor i rëndësisë së veçantë për Kosovën, me zonë sigurie përreth dhe me polici që duhet ta ruajë 24 orë pa ndërprerje. Në të vërtetë, kujt i referohet kjo përmendore dhe pse duhet ruajtur atë? Atë nuk duhet ruajtur as për vlerat e veçanta që ka, as për faktin që shënon vendin e supozuar të Betejës së Kosovës të vitit 1389, por duhet ruajtur si përmendore me konotacion bashkëkohor gjenocidal, si vend tipik i ringjalljes së fantazmave të kohëve të errëta.

 

Rikonfigurimi identitar

 

Në përgjithësi, janë këto rrethana, të hershme dhe më të vona, të cilat kanë venë në dyshim mundësinë e ndërtimit të një identiteti të mëvetësishëm mbi një korpus të këtillë të trashëgimisë kulturore. Trashëgimia kulturore e Kosovës nuk është e një tërësie, pra paraqitet mjaft kontraverze, me referenca kuptimore kundërthënëse, e cila nuk ka lënë mundësi për krijimin e një identiteti të diferencuar territorial, mbikombëtar. Më anë tjetër, edhe në pikëpamje të trashëgimisë monumentale, Kosova është aneks kulturor, pikërisht ashtu siç e ka përkufizuar në mënyrë cinike pakoja e Ahtisaarit. Ajo është vazhdimësi ose pjesë e disa kulturave materiale, e disa trashëgimive kulturore, qendrat e të cilave gjendeshin jashtë saj. Ajo nuk ka qenë qendër kulturore as politike e Perandorisë Romake, por e një province të saj. Në pikëpamje kulturore, ajo nuk kishte qenë asnjëherë më shumë se një periferi e kulturës së lashtë greke ose romake, por, më anë tjetër, kjo trashëgimi, e kthyer në argument nacional dhe të identitit të shqiptarëve ka marrë të tjera vlera, madhësi pagode dhe rëndësi të papërfytyrueshme. Po kështu, me gjithë pretendimet e mëdha serbe, Kosova nuk ka qenë as qendër kulturore e Perandorisë Bizantine, por e një principate ose disa principatave të saj. Kultura bizantine e Kosovës është periferi e kulturës qendrore bizantine, pra është variant i saj periferik. Mirëpo, e kthyer në argument nacional dhe të identitetit të serbëve, kjo kulturë mori vlera të tjera dhe përmasa të papërfytyrueshme. Po kjo mund të thuhet edhe për kulturën monumentale turko-osmane, sepse monumentet e kësaj kulture, të cilat janë të pranishme në Kosovë, nuk paraqesin ndonjë vlerë për tërësinë e kësaj kulture. Ndonjë xhami e Prishtinës ose e Prizrenit nuk paraqet asgjë në krahasim me Ajo Sofinë e Stambollit ose me xhaminë e Sulltan Sylejmanit në Edrene. Pra, marrë në përgjithësi, nuk janë vlerat reale ato që kanë përcaktuar funksionin identitar të kësaj trashëgimie, por perceptimi nacional-romantik i tyre, i cili i ka ngritur ato në nivel të përfytyrimeve fantastike. Që të krijohej një unitet historik i kësaj trashëgimie, si trashëgimi e përbashkët e Kosovës, tashmë e kemi thënë përse kishte qenë e pamundur. Deformimet në perceptim në esencë kanë qenë politike, por, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e tyre, ato u kthyen dhe u bënë edhe historike. Tani, që Kosova të ndërtojë identitet territorial, do të duhej t’i pajtonte ose t’i tejkalonte këto dallime në perceptim, gjë që është e pamundur, për shkak të kundërshtive të mëdha që ka përbrenda. Në radhë të parë është kujtesa historike ajo që pengon një proces të këtillë, por janë edhe dallimet identitare, përjashtuese për njëri-tjetrin. Një pjesë të identitetit të tyre shqiptarët e Kosovës e kanë ndërtuar mbi idenë e refuzimit serb; një pjesë të identitetit të tyre serbët e kanë ndërtuar mbi shovinizmin antishqiptar. E zëmë se këto dallime do të tejkalohen dhe se shqiptarët, të cilët janë shumicë në Kosovë, me kohë do të lirohen nga kujtesa negative që kanë për trashëgiminë kulturore dhe fetare serbe dhe pak nga pak do ta pranojnë atë trashëgimi si pjesë përbërëse të identitetit kulturor të Kosovës. Por ai identitet çfarë do të jetë, një konglomerat, amalgam papajtueshmërish të shfaqura publikisht, apo një vello mjegulle, që mbulon përposhtë kundërthënie të jashtëzakonshme? Nuk do mend, kosovarët do të mësojnë tolerancë, por toleranca nuk është dhe nuk mund të bëhet identitet.

Por ajo që tani më duket interesante për t’u marrë në shqyrtim është ndërtimi i mundshëm i një identitetit të ri kosovar mbi trashëgiminë ilire. Tashmë e kemi thënë se trashëgimia ilire, ose iliro-greke, ose iliro-romake në Kosovë nuk është eksploruar dhe nuk është valorizuar. Deri në  vitin 1999 Serbia nuk donte që të bëhej kjo, madje nuk e lejonte diçka të tillë të ndodhte, sepse ajo përkujdesej me shumë vigjilencë që monumentet me parashenjë ilire të mos errësonin trashëgiminë mesjetare serbe dhe të mos krijonin hamendësime rreth të drejtës historike mbi Kosovën. Që Kosova ta valorizonte vetë këtë trashëgimi, nuk kishte as ndonjë interesim të veçantë (sepse nacional-romatizmi tashmë e kishte kryer funksionin e tij), por as mundësi materiale, sepse eksplorimet dhe hulumtimet në këtë fushë janë të shtrenjta, në një kohë që bashkësia ndërkombëtare i kishte caktuar prioritet rindërtimin e monumenteve fetare serbe të dëmtuara gjatë luftës dhe më 2004. Edhe donatorët e huaj qartësisht i ndanë rolet rreth rindërtimit të monumenteve të dëmtuara gjatë luftës: perëndimorët e përqendruan vëmendjen te trashëgimia kulturore dhe fetare serbe, ndërsa fondacionet turke dhe arabe u morën me xhamitë dhe trashëgiminë tjetër orientale.

Më anë tjetër, në këndvështrimin shqiptar, substrati i hershëm monumental i Kosovës, nga lashtësia, nga antikiteti dërgonte mesazhe krejtësisht të qarta dhe njëkahore deri në ditët e sotme: se Kosova, që në krye të herës kishte qenë pjesë e një tërësie, pra ishte Dardani dhe Dardania ishte pjesë e Ilirisë, se këtu vërtetohej me saktësi të madhe vazhdimësia ilire-shqiptare, sepse vetë emri i Dardanisë (dardhë) për gjuhëtarët shërbente si njëra nga dëshmitë e qëndrueshme të kësaj vazhdimësie. Ky perceptim i trashëgimisë së Kosovës ishte i rëndësishëm për krijimin e vetëdijes nacionale te shqiptarët e Kosovës dhe ndodhi paralelisht me proceset e tjera identitare, që u zhvilluan në këtë hapësirë diku nga vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar. Shqiptarët e Kosovës, me formim të vonë të identitetit dhe gjithnjë nën trysninë serbe, i mëshonin fort këtij fakti, pra prejardhjes ilire të shqiptarëve dhe të qenit e Dradanisë si pjesë e Ilirisë. Ky perceptim, gjithsesi me bazë historike, por me referenca nacional-romantike, në mënyrë të shkëlqyer korrespondonte me idealin politik të shqiptarëve të Kosovës: Kosova kishte qenë ilire, kishte qenë pjesë e Ilirisë, e cila kishte përfshirë tërë Ballkanin dhe më shumë se aq, ndërsa tani Kosova ishte shqiptare dhe duhej të bëhej pjesë e Shqipërisë, edhe me të drejtën e saj historike. Ky ishte raporti më i konsoliduar identitar i kosovarëve me trashëgiminë historike të Kosovës dhe ky perceptim duhej të vërtetohej edhe në terren, pra në eksplorimet arkeologjike të trashëgimisë monumentale. Por Serbia, përmes ndikimit të fuqishëm politik dhe shtetëror që kishte, nuk lejonte të bëhej shumë në këtë drejtim. Pavarësisht në kishte Kosova autonomi më të ngushtë apo më të gjerë, Serbia pa pra mbajti nën kontroll rigoroz gjurmimet arkeologjike, muzetë dhe eksponatet muzeore, gjithnjë duke vigjiluar mbi të gjitha referencat e mundshme që kjo trashëgimi mund të dërgonte në ditët e sotme.

Në këtë e sipër, aty nga fillimi i viteve ’90, me t’u formësuar vizioni i një Kosove të pavarur, si një zgjidhje politike më e përshtatshme ndër opsionet në qarkullim, trashëgimia dardane e antikitetit filloi të dilte nga mjegullnaja e kohëve të lashta dhe të merrte një konotacion të ri. Mesazhet themelore të kësaj trashëgimie mbeten ato që ishin, pra, se bëhej fjalë për një trashëgimi ilire, se Dardania në antikitet kishte qenë njëra nga krahinat ilire etj., por në mënyrë të veçantë u nuancua fakti se Kosova e sotme, si entitet, si tërësi territoriale, kishte një ekuivalent historik të kryehershëm, pra që në kohën iliro-romake. Së këndejmi, zgjidhja politike për një Kosovë të pavarur fuqizohej edhe me këtë trashëgimi të njëmendtë historike ose pak historikeromantike, siç ishin zakonisht idetë nacionale gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo ide edhe mund të funksiononte dhe Kosova pas vitit 1999, dhe Kosova pas vitit 2008 lehtësisht mund të rikonfiguronte identitetin e saj, së paku për shqiptarët, në mënyrë që ajo të mos mbetej peng i një trashëgimie negative, por të formësonte një identitet që do të shkonte drejt konsolidimit.

Doemos që pengesë kryesore për një zgjidhje të këtillë do të ishte bashkësia ndërkombëtare, e cila, përveç që e bëri Kosovën shtet si kompromis të të gjitha kompromiseve, u përkujdes më së shumti që nga ky entitet të krijonte një amalgamë pothuajse të pamundur identitetesh, trashëgimish dhe synimesh politike. Këto kompromise, sikundër e kemi thënë, i dhanë përparësi trashëgimisë historike serbe, duke i bërë shqiptarët të ndjehen sikur jetojnë në një Kosovë të huaj, në një Kosovë të përkohshme ose të marrë me qira. Shqiptarëve të Kosovës iu dha e sotmja, mbase edhe e nesërmja, por iu mor historia. Për pragmatizmin bashkëkohor kontemporan kjo nuk duket keq, por për rrethanat ballkanike, madje edhe europiane, kjo duket joserioze, e paqëndrueshme, kalimtare, e pangulitur. Të gjitha shtetet evropiane serioze kanë histori, ndërsa Kosova, në perceptimin ndërkombëtar, do të qëndrojë gjithnjë në një dualizëm të papajtueshëm: shtet shqiptar me trashëgimi serbe.

Që të ndërpritej kjo anomali, as vetë shqiptarët nuk ditën të bënin atë që duhej, sepse u ngatërruan politikisht në ato segmente që zakonisht quhen mbipolitike dhe mbipartiake. Me rastin e shpalljes së pavarësisë më 2008 kosovarët kishin rastin të ndërprisnin vazhdimësinë  negative të perceptimit të Kosovës si shtet i kompromisit. Bashkë me flamurin dhe stemën, ata duhej të bënin edhe emrin, pavarësisht se me këtë rast një krahu politik mund t’i njihej merita për një vizion të hershëm të Kosovës si Dardani. Natyrisht që bashkësia ndërkombëtare do ta kundërshtonte këtë zgjidhje, por ajo, për një periudhë kohore, do të mund të funksiononte si zgjidhje paralele, derisa një ditë, pas daljes së Kosovës nga përkujdesja ndërkombëtare, ky emërtim do të fuqizohej edhe me zgjidhjet përkatëse kushtetuese. Por nuk kanë qenë dhe nuk janë vetëm këto dy pengesa, për ta funksionalizuar Kosovën si shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Vetë kosovarët kanë shumë dilema rreth Kosovës, rreth shtetit që kanë bërë, rreth qëndrueshmërisë së tij, rreth dashjes, rreth patriotizmit të tyre, i cili tashmë është bërë disi i mjegullt dhe nuk ka një adresë të saktë kujt t’i referohet. Kosova e tyre ka nevojë për dashurinë e tyre, për idealizmin e tyre, por ai mungon, disi është lënë të rrijë në heshtje deri në një shfaqje të re. Kosovarët kanë qenë të gatshëm për sakrifica të jashtëzakonshme deri në çlirimin e Kosovës, deri në dëbimin e Serbisë nga Kosova, por më tej qëndruan pezull, ndoshta duke pritur një nxitje të re. Edhe në pikëpamje të trashëgimisë historike dhe kulturore, Kosova del një çështje e lënë në udhëkryq.

 

Please follow and like us: