Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Floresha Dado: SKËNDERBEU MIDIS HISTORISË, MITIT HISTORIK DHE ATIJ LETRAR

Prof. Floresha Dado: SKËNDERBEU MIDIS HISTORISË, MITIT HISTORIK DHE MITIT LETRAR – NJË ÇËSHTJE DEBATI SHKENCOR

Përse edhe mbas 5 shekuj e gjysmë Gjergj Kastriot Skënderbeu rishfaqet në literaturën historiografike, publicistike, në konferenca e studio televizive, duke provokuar debate midis specialistësh, por edhe mes njerëzish të apasionuar për teza e kundërteza që lidhen me thelbin e kësaj figure dhe marrëdhënien që ka patur dhe ka shkenca shqiptare me të? Ky është fenomen normal. Cili personalitet i historisë së njerëzimit, sidomos i periudhave të hershme, nuk është bërë objekt interpretimesh nga më kundërthënëset? Ardhur nga shekuj më parë, nga një kontekst i koklavitur historiko-politik, në dokumente të gjetura dhe të pagjetura, me subjektivizmat e interpretuesve të huaj dhe shqiptarë, Skënderbeu sigurisht do mbetet përherë provokues në arenën e studiuesve.

Skënderbeu, veper e skulptorit Vasiliev Nini.

Mendoj se diskutimi mbi thelbin e kësaj figure dhe marrëdhënia e shkencës së huaj dhe shqiptare deri në ditët e sotme, do duhej të diferencohej qartazi në tre boshte:

  1. Skënderbeu në dokumentimin historik,
  2. Miti historik,
  3. Miti artistik. Si personalitet kompleks historik, Skënderbeu shfaqet në këto tre drejtime, të cilat shpesh përziehen nga interpretues të ndryshëm, duke komplikuar interpretimin e thelbit të kësaj figure.

 

I. Lidhur me boshtin e parë, themelorin, dokumentimin historik ka disa sfida për historianët dhe këdo që synon të bëjë interpretimin e vet. Kurthi më i rezikshëm për historiografinë është në radhë të parë çështja e raportit me të vërtetën. Në filozofinë postmoderniste të shekullit XX koncepti i së vërtetës është relativ, madje shkohet deri aty sa të pohohet se e vërteta nuk ekziston. Duket e papranueshme kjo pikëpamje, por, si ndodh që e vërteta mbi Skënderbeun vjen në pikëvështrime të ndryshme?

Si ndodh, gjithashtu, që në shkencën tonë, por dhe të huaj, vazhdojnë të shkruhen studime, monografi deri në ditët tona? E vërteta është akoma në lëvizje, me shtim faktesh e dokumentesh dhe me interpretime të reja? Pse ndryshojnë interpretimet për aksionet dhe synimet e heroit tonë, në kohëra dhe mjedise historike.

Çështje tjetër: a ndikon në interpretimin e kësaj figure raporti midis receptuesit shkencor të shekullit XXI me psikologjinë, mentalitetin dhe rrethanat historike të shekullit XV?

Si shpjegohet që kontradiktë shohim jo vetëm midis interpretimeve të studiuesve të ndryshëm (qofshin shqiptarë apo dhe të huaj), por edhe brenda qasjeve shkencore të të njëjtit studiues? (O.Shmid, në veprën shkencore mbi Skënderbeun në kapitullin e fundit provokoi fort historiografinë skënderbeane dhe shkaktoi reagime të reja tek historian dhe adhurues të historisë, në deklarim tezash të papritura, ekstremiste.) Ky kapitull zbuloi, në të vërtetë, kontradikta të Shmidit me veten, me faktet dhe dokumentet që i kish trajtuar me seriozitet gjatë kapitujve të mëparshëm, duke dhënë një ndër monografitë më të plota të shekullit XXI.

Çeshtja më e mprehtë: a ka historiografia karakter subjektiv? Sa është real raporti midis dokumentit, faktit dhe pikëvështrimit vetiak, domethënë si është ligjërata historike e studiuesit në raport me dokumentin? Si ndodh që mbi fakte të njejta historianë të ndryshëm kanë dhënë shpjegime jo të përputhshme me njëri- tjetrin?

Sa ndikon lloji i burimit dokumentar për ndërtimin e së vërtetës historike? Specialistët të huaj dhe shqiptarë të mesjetës dhe të veprimtarisë së Skënderbeut, referuar dokumenteve arkivore, bibliografike, etj., kanë hedhur dritë në këtë fushë të rëndësishme, por midis tyre ka mospërputhje, shpesh të theksuara. Në një aspekt kjo është e natyrshme, sepse burimet jo vetëm u përkasin realiteteve historiko-gjeografike të ndryshme, por duke mos qenë shteruese, krijohet mundësia për subjektivizëm, pikëvështrim individual, nisur ndonjëherë edhe nga pikësynime të caktuara. Lexuesi i thjeshtë, jo specialist, me të drejtë do të pyeste: pse në vitet e fundit doli çështja e ashtuquajtur “e çmitizimit” të figurës së Skëndebeut? Sot është pikërisht çeshtja e referencës me burimet problemi më serioz, kur pretendohet të përvijohet një përfytyrim tjetër mbi Skënderbeun… Teza dhe kundërteza nga më kontradiktoret! Problem i mprehtë, që ka ngatërruar jo pak disa diskutantë mediatikë është interpretimi që i është bërë luftës së Skënderbeut si nacionalizëm, çka transformon synimet dhe vlerat historike të tij. Të quash figurën e Skënderbeut mit nacional të komunizmit, apo figurën e tij ta lidhësh me instrumentalizim nga politika e sotme, apo të predikosh çlirimin e mendjes së shqiptarëve nga ideologjia, do të thotë të imponosh një ideologji tjetër, personale; të thuash që kjo figurë u bë e famshme vetëm për hir të mitizimit do të thotë të humbasësh lidhjen me historinë, do të thotë të mos njohësh vlerësimet e jashtëzakonshme që mori ajo figurë, që në shekullin e XV e në vazhdim, nga personalitete të dokumentuar historikisht, gjatë më shumë se 550 vitesh… A i njohin analistët, publicistët gjithë dokumentacionin që ekziston nëpër arkivat e Evropës, Turqisë; bibliografinë e veprave dhe letrave të personaliteteve shkencore, fetare, kulturore të shkruara gjatë pesë shekujsh, vepra enciklopedike të autorëve francezë, anglez, etj., që nga shekulli XVII, XVIII, XIX ; fjalorë të mëdhenj historikë mbi njerëz të shquar, ku gjenden dhe zëra për Skëndërbeun, sa e sa studime, apo dokumente vlerësimi dhe admirimi për princin e shqiptarëve, që nga Papët e Romës e tek mbretër e sundimtarë të vendeve të ndryshme të Evropës? Noli saktësonte se “nuk mund të njihen shterrueshëm burimet e shpërndara në katër anët e botës”. Kjo e vërtetë i bën studiuesit, të cilësdo pikëpamje, të mos jenë kategorikë në tezat e tyre, aq më tepër kur këto teza kanë në bazë jo faktin, dokumentin, por opinionin perceptues vetiak.

Një çështje tjetër thelbësore, që ka acaruar diskutimet, lidhet me pyetjen: a ka historiografia karakter ideologjik? Në përgjigje të shpejtë do thonim: kurrsesi! Por, fakti që në shekuj interpretimet kanë qenë jo të njëllojta dhe kështu do vazhdojnë të jenë, konfirmon se brenda zhvillimit të histories qëndrimet, interpretimet nuk janë të njëjta, sepse pikëvështrimi objektiv I interpretuesit është jo vetëm i jashtëm (dokumenti), por edhe i brendshëm, është një përjetim sa i vetëdijshëm aq edhe instinktiv. Përndryshe asnjëherë nuk do kishte debat, kundërshtim, mohim etj. Historiani i njohur O. Shmid ndërton një monografi serioze për jetën dhe veprimtarinë e heroit shqiptar, mbi fakte, dokumente, por shtojca prej shumë faqesh në fund të monografisë reflekton pikërisht botëperceptimin e tij personal. Një pjesë e interpretimeve janë në kontradiktë me faktet, dokumentet serioze të cilave autori u referohet gjatë monografisë së tij. Pra, ndodh kjo: përtej faktit historik triumfon bindja subjektive. Kjo ndodh, është e natyrshme, por historian i vërtetë e kapërcen këtë kontradiktë. Sfida më serioze në diskutimet e viteve të fundit është pikëvështrimi sipas të cilit vlerësimi i figurës së heroit kombëtar lidhet me interesat ideologjike dhe personale të sundimit diktatorial. Kjo nuk është as historicizëm, as logjikë e pranueshme.

Të sjellësh kuptimin mbi Skënderbeun sipas shekullit XXI është largim nga parimi themelor i historicizmit. Është jashtë çdo diskutimi shkencor reduktimi i vlerës së heroit shqiptar me politikat aktuale të Shqipërisë së shekullit XXI, dhe natyrshëm lind dyshimi se objekt i këtij qëndrimi të acaruar kritik më shumë se “rivlerësimi” i Gjergj Kastriotit është sulmi ndaj periudhës së diktaturës si dhe i politikave të sotme. Duket sikur publicist i njohur F.Lubonja (autor i këtij qëndrimi) nuk flet për historianët, por për politikanët.

Në të vërtetë qasjet e sotme ndaj çështjes së vlerësimit të figurës së Gj. Kastriotit kanë krijuar më shumë pikëpyetje se sa mund të ketë vetë jeta dhe aktiviteti i heroit. Ky kompleks bën që të mos dallohet statusi i Skënderbeut në thelbin real historik (me dritë-hijet e veta), nga disa vepra ku statusi historik i Skënderbeut bëhet më i prekshëm dhe i magjishëm duke fituar statusin e mitit historik. Letrat, dokumentet e shumta arkivore, raportet e Gj. Kastriotit me personalitete të shteteve të ndryshme, të dokumentuara, etj. hedhin poshtë pretendimet e ndonjë interpretuesi që e quan atë mit historik. Kështu mund të themi se debatet e viteve të fundit, në të vërtetë shfaqën konfliktin midis llojit të veprave të karakterit realitethistori dhe veprave mit-histori. Nxitimi në interpretim, mosdiferencimi i këtyre dy lloj shkrimesh, që kanë specifikat e veta dhe kanë kryer misione historike në moment të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, është aspect që mund të jetë më i qartësuar në interpretimet dhe kundërtezat, sado të vlefshme të jenë ato. Në trashëgiminë skënderbejane historia, faktet kanë ardhur përmes dokumentesh, studimesh serioze të historianëve shiptarë dhe të huaj. Ndërsa veprat ku historia është e gërshetuar me legjendën (Barleti, Biemmi, Frangu) janë plotësisht të dallueshme për historianët e vërtete. Është i saktë pohimi se duhet ta ndajmë historinë e Skënderbeut nga miti…” ka ardhur koha të bazohemi në fakte dhe dokumente”, gjithashtu edhe kërkesa që të lihen mitet, nuk mund të përdoren në rastin e Skënderbeut, sepse Skënderbeu nuk është mit, por personazh konkret historik dhe si i tillë i nënshtrohet studimeve shkencore”. Por ndoshta duhet të kemi më të qartë raportin e veprës shkencore të ngritur mbi dokumente e fakte, me veprën e llojit tjetër ku historia ka ushqyer mitin e Skënderbeut, duke përcjellë historinë në përfytyrime të përmasave joreale.

Realja dhe jo realja, në këto vepra, kanë një raport që nuk cënon thelbin e figurës, por ndërton një marrëdhënie emocionale të veçantë me lexuesin, jo të ditës, as të disa viteve, por të disa shekujve. Çështje themelore metodologjike: a është shkrimi i historisë renditje, ndërtim logjik faktesh apo më shumë interpretim? Prishja e ekuilibrit të këtij raporti vjen atëhere kur pikënisje është paragjykimi, subjektivizmi i shkaqeve dhe llojeve të ndryshme. Kjo mund të ndodhë pa dashakeqësi, por ndodh edhe që mbas tezash të ndryshme fshihen interesa të mistifikuara. Realiteti i historisë dhe realiteti i të kuptuarit të historisë, pra si eksperiencë e perceptimit historik, është thelbësor.

Tjetër çështje burim debate të ashpër është qëndrimi mohues ekstrem i veprës së heroit, nisur nga prizmi fetar, duke e parë thjesht si kundërshtar të shtetit dhe të fesë islame. Të shpjegosh sot vlerësimin e heroit si përpjekje për t’i nxjerrë shqiptarët katolikë, duke cilësuar një rrymë ‘katolikocentriste’, ta reduktosh gjithë historiografinë shqiptare dhe evropiane në synimet e politikës së sotme, t’i quash gjithë ato vlerësime disa shekullore, të shtrira në shekuj nga personalitete shkencore një “politikë shkatërrimtare”, apo ta interpretosh përdorimin e figurës së Skënderbeut për të fituar përkrahjen e Evropës, të përqasësh heroin e shek. XV me krimet e Millosheviçit apo diktatorëve të tjerë të shekullit XX, apo t’i reduktosh luftërat e heroit në synimin për të grumbulluar flori, apo të paralajmërosh që mos t’u themi fëmijëve tanë gënjeshtra sepse do ‘kultivojmë kulturën e rrenës dhe mashtrimit”, të pohosh konkluzionin se Skënderbeu ishte shkak i tragjedisë së shqiptarëve, ta cilësosh “komit malesh”, “hero i rremë i fabrikuar nga politika, të shtrembërosh thelbin e luftës 25 vjeçare etj., të gjitha këto “teza” janë jo thjesht qesharake, por mjerim arsyetimi. Lind pyetja: si mund të jetë raporti midis historianit dhe fetarit, kur shohim që interpretimi thjesht dhe vetëm fetar musliman ndikoi jo vetëm te amatorë të skënderbejologjisë, por edhe te disa studiues. Kemi ndjekur në stacione televizive debate publicistësh, kakofoni interpretimesh nisur nga referenca dokumentare dhe autorësh të ndryshëm (si kohë, hapësirë, qëllim). Është cilësuar Skënderbeu një hero i rremë, si fabrikim i E. Hoxhës. Pyes: sulmi është kundër Skënderbeut apo kundër Enver Hoxhës? Kjo qasje është më tepër se antishkencore; është jo naivitet, por qëllimshmëri mohuese. Kemi politizim të fesë apo fetarizim të shkencës? Në këto lloj debatesh raporti midis njohjes (dokumentit) dhe paragjykimit (qoftë politik apo fetar) përfaqëson një aspekt themelor deformues metodologjik.

Përqasje personash dhe epokash pa logjikë shkencore, kalime në gjykime ekstremiste, jashtë argumentit shkencor, bindje thellësisht subjektive në konkluzione shkencore, shmangia e parimit të historicizmit, mos njohja e parimit se interpretimi i një personaliteti historik është edhe një studim shkakësor, etj., kanë ndikuar në thellimin e problematikës skënderbejane.

“Në histori koherenca e pasqyrimit të ngjarjeve reflekton, në të vërtetë, koherencën e jashtme midis fakteve dhe fateve të jetës njerëzore, çka nënkupton se të shkruash një histori, do të thotë të ndërtosh një narracion koherent, përmes arsyetimit dhe logjikës së gërshetimit të fakteve dhe jetës njerëzore. Nga ana tjetër nuk mund të mos kihet parasysh fakti se burimet e huaja, në disa çeshtje janë gjithashtu kontradiktore, sepse koniunkturat e periudhës, interesat e shteteve, perandorive ishin dhe janë, p.sh. ato të rajonit, të ndryshme, prandaj ka rëndësi se sa njihet kjo trashëgimi shkencore e komplikuar nga rivlerësuesit e sotëm të figurës së Skënderbeut dhe koncepti historik i trajtimit të historisë. Kushdo që pretendon të përcjellë opinionin e vet nuk mund të niset në mënyrë të njëanshme, sepse historia vjen me kompleksitet veprash, opinionesh, pas të cilave fshihen ose ide të qëllimshme, ose pohime rastësore,pa qenë historian në synimet e veta krijuese.

Në burimet e historiografisë mpleksen tre lloj krijimesh: dokumentare/ arkivore; interpretuese/ndërtuese dhe thellësisht polemizuese. Një parim i rëndësishëm metodologjik, veç të tjerash, ka të bëjë edhe me mënyrën se si mund të konceptohen dhe merren në konsideratë këto lloj krijimesh, ku sigurisht më problematiku mbetet momenti i interpretimit, pikërisht aty ka filluar rrëmujshëm kalimi nga miti historik në realitetin e dokumentimit historik Kjo shënoi problematikën e vërtetë të debateve të sotme rreth asaj që është quajtur “rivlerësim i figurës së Skënderbeut”.

 

  1. Raporti i së vërtetës historike me mitin historik rreth figurës së Skënderbeut, është pika kyçe e debateve të sotme, ku nuk kanë munguar keqinterpretime dhe polemika paragjykuese në thelbin e tyre. Dihet se historiografia mbi Skënderbeun ka trashëguar disa vepra të rëndësishme të cilat, nga njëra anë janë bërë burime themelore për vepra të autorëve të huaj, nga ana tjetër gjatë shekujve patën një ndikim të jashtëzakonshëm në literaturën shkencore e joshkencore. Lëvizja e studimeve, artikujve shkencorë nëpër data, kundërdata, aksione kundëraksione, interpretime thjesht personale, etj., sigurisht krijoi truallin e mitit historik. Pra, mund të themi se interpretimet e ndryshme gjatë shekujve kanë formuar botën e mitit. Nganjëherë legjendat, përmasa mitike e heroit u krijuan me vetëdije nga vetë historishkruesit. Të tillë ishin Barleti, Dh.Frangu, etj. Të përqendrohemi vetëm në dy vepra, të cilat qëndrojnë midis faktit dhe trillimit (tipar i letërsisë). Dihet se vepra e Barletit hapi rrugëtimin për vepra të tjera që do shkruheshin nga shqiptarë dhe të huaj mbi figurën e Skënderbeut. Ndonëse kish deklaruar se parimi themelor për të është e vërteta dhe metoda, duhet të kemi parasysh se në shekullin XV-XVI koncepti mbi historiografinë nuk është si në shekullin XX, XXI. Nga ana tjetër, duhet marrë parasysh qëllimi i Barletit: të bënte të njohur bëmat e Skënderbeut. Prandaj, faktet historike, që i gjeti në dokumentet veneciane, por dhe në bashkëkohësinë me heroin, mpleksen me aspekte emocionale, psikologjike të shkruesit, me trillimin e tipit artistik, me një imagjinatë të jashtëzakonshme, me të dhëna që i paraqet si të vërteta, me legjenda mahnitëse për lexuesin e çdo kohe. Ky bashkim shprehet në ndërtimin e dy ligjërimeve, ku trillimi (i llojit të letërsisë artistike), ligjërimi bisedor, ndërtimi i ligjërimeve të drejtpërdrejta të Skënderbeut apo të Sulltanit (asnjë element shprehjeje që do të specifikonte dukshëm ligjërimin osman, por vetëm në stilin e ligjërimit latin), hollësira të përshkrimit të ngjarjeve, fryma ekzaltuese, përfshirja e legjendave, stili humanist në përfytyrimin e heroit, fjala artistike që u jep shumë momenteve karakter visual, parimet e kontrastit, të përqasjes, hiperbolizimit etj. U shkrua me një paragjykim ideor të caktuar, prandaj e ka të diskutueshëm raportin histori/trillim.

Prandaj është vepër ku Skënderbeu konceptohet plotësisht si mit historik. I njëjti problem shfaqet edhe në veprën e F.Bardhit, ku ngjarjet, faktet historike të dhënat nga banorë, etj. mpleksen me interpretimet tendencioze të autorit. Edhe ai pohon se e vërteta dhe metoda janë dy parimet bazë për shkrimin e historisë, por nuk dimë se në ç’shkallë është respektimi i këtyre parimeve në shekujt XVI-XVII? Specifika e raportit midis të vërtetës dhe trillimit në këtë vepër përcaktohet nga qëllimi: apologji, mbrojtje ndaj pretendimeve të një studiuesi tjetër, shfrytëzim i gjithë mundësive krijuese dhe interpretuese për të gdhendur figurën e heroit shqiptar. Ky është përsëri miti historik. Fenomeni ka ndodhur natyrshëm shekuj më parë, në kontekste konceptimesh të tjera, dhe nuk është krim shkencor, përderisa është e qartë që kemi dy kategori shkrimesh historike. Edhe historian seriozë, si Kristo Frashëri, duke ndërtuar veprën mbi dokumente dhe njohje shumë të gjera arkivore, i referohet ndonjëherë edhe legjendës, edhe Shmidi i referohet Barletit në ndonjë prej legjendave mbi heroin shqiptar. Kjo nuk cënon logjikën e ngjarjeve dhe figurën historike, as vlerat shkencore të dy historianëve të spikatur.

Historia e Barletit dhe Historia e Bardhit nxjerrin sot dilemën e përcaktimit të llojit krijues. Ç’lloj veprash janë? Janë histori, por jo plotësisht të tillë. Janë letërsi publicistike, por jo specifikisht të tillë. F. Noli i quajti burime letrare. Megjithatë, mendoj se cilësimi që u bën Noli këtyre krijimeve dëshmon, në një farë mënyre, mosdallimin me atë që e quajta boshti i tretë i kuptimit të figurës së Skënderbeut, mitin letrar. Përtej vlerave të padiskutueshme historike dhe emocionale, burimore dhe nxitëse për krijime të tjera, sidomos vepra arti, duket se për këto specifika debatet e sotme nuk bëjnë qartësisht diferencimin nga veprat e mirëfillta historike.

 

III. Skënderbeu si mit letrar na kujton faktin se letërsia artistike, në përputhje me specifikën e saj, e ngriti në shkallën më të lartë mitizimin e figurës. Është e vërteta historike si dhe miti historik që i dhanë hov të jashtëzakonshëm krijimtarisë artistike me objekt Skënderbeun. Kjo dukuri që rroku poezinë gojore, prozën mitologjike si dhe llojet e kultivuara të gjinive të ndryshme letrare, në letërsinë tonë por edhe të shumë autorëve të huaj, ka një raport specifik me historianin. Arti i fjalës shfrytëzon historinë, mitin e krijuar nga historianë paraardhës, për t’i dhënë përmasa të tjera figurës së heroit. Për të argumentuar disa teza ndalemi në dy vepra: njëra prozë e S. Godos (romani Skënderbeu) dhe tjetra poemë epiko-lirike e N. Frashërit (Historia e Skënderbeut). Në prozë raporti me historinë është më i dukshëm, por gjithsesi trillimi mbizotëron mbi realen. Narracioni historic i Skënderbeut të Nolit (vepër historike) dallon nga narracioni letrar i Godos, mbizotërojnë dy lloj njohjesh, në roman njihet personaliteti i heroit, i cili vendoset në mjedise e ngjarje konkrete. Imagjinata e prozatorit përpiqet të jetë sa më afër me historinë, të ruajë një lloj “objektiviteti” në rikrijimin figurative, t’i shmanget me delikatesë hiperbolizimit, apo stilit romantik të mitit historik. Duke qenë prozë artistike herë i afrohet më shumë historisë, herë bie nën pushtetin e trillimit dhe brenda llojit të vet shmang debatin për raportin me të vërtetën, apo kritikën për shumë pasaktësira historike.

Kurse në mitin letrar të poemës së Naim Frashërit konceptimi i figurës vjen në planin moral dhe himnizimi, hiperbolizimi janë parimet themelore krijuese. S’ka rëndësi raporti me të vërtetën, por raporti i poetit me heroin. Në këtë qasje, që dallon llojin e poemës epikolirike, nxitja e imagjinatës dhe përjetimit emocional është prioriteti i mitit letrar. Raporti i këtij boshti me boshtin histori reale zbehet shumë, madje nuk ka rëndësi për poetin, ndërsa nuk ka shumë vemendje ndaj përfytyrimit që ka krijuar miti historik, sepse qasja është krejt ndryshe.

Historia shfaqet si një sfond i zbehtë, pa saktësinë dhe besnikërinë e dokumentit. Në një krijim të tillë, ku mbizotëron patosi i fuqishëm emocional, duket se në plan të parë nganjëherë nuk është Heroi, por përjetimet emocionale të poetit. Miti historik është bërë burim jo vetëm për artin e fjalës, por edhe për lloje të tjera të arteve figurative apo muzikore. Sigurisht letërsia synon të ngushtojë hendekun midis histories së shkuar dhe ta risjellë atë në një kontekst të ri historik. Miti letrar nuk e shmang historinë, por e risjell në trajta të ndryshme nga dokumenti.

Sipas parimit të intertekstualitetit tekstet e mitit historik dhe mitit letrar janë lëvizje nëpërmjet së cilës ky i fundit, miti letrar, rishkruan dy tekstet e tjera : tekstin shkencor historik dhe tekstin e mitit historik. Nga ana tjetër në letërsi miti i heroit lexohet simbolikisht dhe teksti letrar nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, siç e ka historia me realen, por me modelin e reales. Atë që vepra historike e jep përmes faktit, dokumentit, interpretimit të drejtpërdrejtë shkencor, miti letrar e transformon botën që historia e jep si reale, në një botë imagjinare. Prandaj në letërsi, por pjesërisht edhe në veprat ku mbizotëron miti historik (Barleti), zgjerohet perceptimi në një dritë tjetër, zgjerohet përmbajtja e figurës (Te Barleti legjendat, konceptimi figurativ mitik), heroi i nënshtrohet formave më të sofistikuara të imagjinatës. Në dallim nga historia këto dy forma të tjera synojnë të na përfshijnë jo thjesht në dimensionin faktik, por në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë emocionale.

 

& & &

Historiografia e shekullit XXI përballet me sfida të vazhdueshme, përderisa rreth figurës së Skënderbeut vazhdojnë interpretime e kundërinterpretime. Por a është plotësuar e vërteta mbi këtë figurë që vjen që nga shekulli XV? Sigurisht jo.

A mund të themi se rezultatet e historiografisë shqiptare, dhe asaj të huaj deri në ditët tona janë të padiskutueshme? Sigurisht jo.

A është Skënderbeu figurë pa dritë-hijet e veta, të cilat vetëm historianët seriozë mund t’i dëshmojnë? Sigurisht po. Shkenca nuk idealizon, ashtu sikurse edhe nuk mohon, me kapricio deri në shkatërrim. Historiografia skënderbeane e shekullit XXI vazhdon ta ndjekë historinë atje ku ajo fshihet apo komplikohet. Nëse studimet e F. Nolit, K. Frashërit, A. Plasarit, O. Shmidit, studimet mbi epokën e Skënderbeut të A. Budës, P. Xhufit, L. Nadin, L.Malltezit etj., i përkasin boshtit themelor I.

Skëndërbeu si fakt dhe dokumentim historiko-shkencor, pavarësisht nga kontradiktat, mospërputhjet në disa interpretime (çka varet nga burimet dhe pikëvështrimet individuale), ato janë dokumente që flasin. Natyrshëm do pritej vazhdimisht debat, ai s’ka për të përfunduar kurrë, por vetëm mbi faktin, dokumentin, jo mbi paragjykimet subjektive. Veprat e boshtit të dytë II. Skëndërbeu si mit historik (Barleti, Bardhi etj.) janë vlera të jashtëzakonshme në trashëgiminë shekullore të raportit fakt dokumentor dhe rikrijim sipas llojit të legjendës.

Ndërsa krijimet e boshtit të tretë III. Krijimtari popullore në shekuj dhe letërsi artistike kushtuar figurës së Skënderbeut (që janë dy llojesh: këngë e rrëfime popullore legjendare dhe krijimtari e mirëfilltë artistike), janë pjesë e mrekullueshme e intuitës krijuese popullore, nga njëra anë, dhe e poetëve e prozatorëve shqiptarë, por dhe shumë të huaj, që krijojnë një marrëdhënie specifike, jo thjesht dhe vetëm dokumentare, por mbi të gjitha shpirtërore, emocionale, që ndërtojnë një lidhje të fuqishme të brendshëm me lexuesin e çdo kohe.

Të tre këto burime, në qendër të të cilave është figura e Skënderbeut: si personazh historik, si mit historik dhe si personazh letrar janë pasuri, që ndonëse kanë specifika të dallueshme, raporte të ndryshme me të vërtetën, i japin vlerë historisë sonë dhe krijimit mitologjik, popullor apo individual. Ato nuk janë sfida të njëra- tjetrës, por burime të ndryshme të arsyetimit logjik dhe shpirtëror, këto dy aspekte themelore të ekzistencës sonë.

Please follow and like us: