Albspirit

Media/News/Publishing

Thanas Medi me përkthimin mjeshtëror të Oana Glasu pasuroi dhe fisnikëroi letërsinë rumune

Romani i shkrimtarit Thanas Medi “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, parë nga këndvështrimi dhe përmes zemrës së prof. dr. në filozofi, Cornel Niculae

 

“Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, është historia që qan nën penën e këtij shkrimtari…
Kështu shkruan, mes të tjerash, Z. Cornel Niculae, doktor në filozofi e psikologji, profesor në fakultetin e shkencave sociale të universitetit të Pitestit.

Përgjithësisht i ftohtë ndaj letërsisë, (bumi i gjithanshëm bën të vetën…), të shkruante mbresa për një roman, s’besonte t’i ndodhte… I ndodhi këto ditë… E falenderoj nga larg, mirënjohje pa fund!
“Sapo mbarova së lexuari romanin e shkrimtarit shqiptar me origjinë arumune, Thanas Medi, përkthyer nga poetja e talentuar dhe specialistja e palodhur për kulturën shqiptare, Oana Glasu. “Fjala e fundit…”, paraqet një histori dashurie midis dy të rinjve, taksur të qenë bashkë qëkur ishin të vegjël, jetën e një komuniteti vlleh në Shqipërinë e regjimit të tmerrshëm stalinist…
Nuk mund të mos mbetesh i impresionuar kur lexon për jetën e arumunëve, rrëfyer nga një njeri që është një nga ata. Nga viset e “Tokës së premtuar”, Voskopojës. Para së gjithash, fondi themelor dako-thrakas është baza që tregon se ne, rumun e arumun, jemi një. Ne jemi ata. Ata që kullosnin tufat përgjatë gjithë zonës Karpato-Ballkanike, deri në malet e Greqisë. Danubi nuk na ndau, por na bashkoi. Ne të gjithë i’u dorëzuam latinitetit. Vetëm se, migratorët që u derdhën Ballkanit dhe e sllavizuan, pushtuan në fakt shtëpinë tonë stërgjyshore. Dhe rumunët tanë të vjetër, u bënë arumunë, maqedo-rumunë, istro-rumunë, megleno-rumunë..etj. Humbje fatale e historisë, megjithatë ata nuk u zhdukën. Nuk ngelën përjetësisht memec, ishin më të zotë nga ata që erdhën prej Azisë, kanë mbetur gjallë e shkruajnë sot atë që ne, duke qenë një komb në gjak e gjuhë, s’e bëmë dot. Nuk shkruajtëm për vllehët. Por ata shkruajnë vetë, thellë, me talent, si Creanga, Vitoria Sadovenjanë, mbase Markez, Stefan Banulescu apo Gogol. Ne, pyes veten, përse nuk kemi shkruar diçka për ata. Mos kemi pritur ta bëjnë të tjerët?! U lumtë atyre! Unë nuk jam kritik letrar dhe, si i tillë, po i shmang gjykimet rreth teknikës letrare, strukturës, stilit, gjuhës, ndikimeve… le ta bëjnë këtë specialistët e fushës. Do përqëndrohem vetëm në disa aspekte: këngët, zakonet, traditat e vllehëve, të ekspozuara kaq bukur në roman. Thanas Medi, me finesë shkrimi e elegancë, krijon një shpirt, një histori. Do të thoja-një fat.

Kënga vllahe luan një rol qendror, orfeik përsa i përket humanizmit, bashkëjetesës paqësore me etnitë e tjera, familjeve a fiseve të së njëjtës etni. Ajo “shkrin” rrënjët, zhbën ftohtësinë, përshpejton vëllazërimin; prandaj çdo burrë apo anëtar i komunitetit, nomad apo i qëndrueshëm, grua apo burrë duhet të këndojë. Ne rumunët, me gjithë krahun vllah, dimë të këndojmë. Na pëlqen të këndojmë. Ne flasim, mund të shprehemi keq, por këndojmë në mënyrë të kënaqshme. Ndonjëherë për mrekulli.

Po kështu dhe me vallëzimin, përshkruar në disa momente nga shkrimtari. Njeriu, që nga fillimi, është muzikë dhe vallëzim. Këngë e folur dhe këngë e lëvizur, po autori nuk harron as atë që ka vlerë të madhe për ne rumunët e lidhet me ontologjinë e kombit: vajtimin. Ne i themi si gjithë barinjtë që këndojnë në Karpate, “Doina”, (elegji). Duke qenë një këngë zie. Për dashurinë, ëndrrat, jetën dhe vdekjen. Është sikur njeriu i afrohet vdekjes përmes zisë e këngës. Është një përgatitje metafiziko- shpirtërore e hapit të fundit drejt një bote tjetër. Ndoshta kjo është arsyeja pse Platoni foli për filozofinë si artin e të vdekurit. Një trajnim për të qenë në gjendje të vdesësh bukur, si njeri. Diku autori shkruan: “Prania e zisë në mes të këngës, e bëri jetën më të bukur dhe vdekjen më të pranueshme”… Zakoni i jetës… “Ishte kaq i lashtë te vllehët e malit, sa ç’ishte dhe lumi që rridhte prej shekujsh nën shelgjet e vjetër. Në sajë të ushtrimit të tij, kishin shpëtuar nga vdekja e sigurtë me dhjetëra fëmijë të vegjël…”. Fq.57.
Dhe ne rumunët, që nga kohërat më të lashta, i kemi dhënë fëmijët, “ta bënte të tijën”, (shprehje mahnitëse); por mënyra si kapet ky zakon stërgjyshor nga Thanas Medi, ka një bukuri pushtuese. Edhe nga pikëpamja e krishterë, (megjithëse kjo nuk diskutohet këtu), dashuria supreme për të afërmin është të japësh jetën për atë. Të kalosh në një rend tjetër të shpirtit, në një tjetër regjim ontologjik. I dorëzohem vdekjes së afërt, për të larguar vdekjen e fëmijës… Me stilin, humorin, gjetjet pikante rreth magjisë, syrit, fejesave të djepit, me të vdekurit që vijnë të qahen tek të gjallët, bashkëjetesën mes grupeve etnike të ndryshme; në rrëfimin e Thanas Medit ka diçka nga Herodoti kur flet për thrakët trima. Të drejtë e që kurrë nuk vdesin. Sa bukur! Sa nder më jep ky autor, me lartësinë ku e ngjit nderin! Nëse do ndiqej llogjika e një tradite të njohur për shumë kombe e popuj të tjerë, nderi i njollosur duhej të lahej me gjak nga Sokrati. Por ai nuk e bëri këtë. Autori, duke zgjedhur një fund tjetër tragjik, e ka ngritur dashurinë në piedestal. Dashuria mbi gjithçka… Thanas Medi shkruan me pasion, me fjalë që shtypin, figuracion që pikon lot e poezi. I ashpër dhe i butë njëkohësisht, ashtu si një malësor autentik. Ai di shumë për vllehët, është një nga ata, dhe ata i jep ashtu siç janë. Me të mirat dhe të këqijat e tyre. Ata kanë jetën e tyre, me zakone e tradita që kanë bërë të sfidojnë historinë, të mbijetojnë deri më sot. Ata nuk kanë humbur në histori, ata jetojnë në një histori që nuk është më…

“Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, është historia që qan nën penën e këtij shkrimtari. Dhe që e bën atë të madh… Nuk di si ka qenë fati i këtij romani në Shqipëri, por këtu një gjë është e sigurtë: Thanas Medi pasuroi dhe fisnikëroi letërsinë rumune.

Libri në shqip i Thanas Medit, Botimet Toena

Përkthyesja nga shqip në rumanisht, Oana Glasu.

Please follow and like us: