Albspirit

Media/News/Publishing

‘Moxarti, misteret e jetës dhe vdekjes së një gjeniu’ vjen në shqip nga Çapajev Zëra

Kristo Kauri

Me shumë kënaqësi lexova librin “Moxarti, misteret e jetës dhe vdekjes së një gjeniu”, përkthyer nga i pasionuari Çapajev Zëra. Nuk është hera e parë që përkthyesi dhe studjuesi Çapajev Zëra na befason me talentin e tij. Me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ai zgjedh dhe përkthen veprat e gjenive dhe na i ofron me shumë dashuri dhe bujari.

Të 307 faqet e librit të befasojnë me misteret e jetës së gjeniut. Një jetë plot trazira, sfida, një jetë me luftë, me përpjekje, një jetë që shumë pak i buzëqeshi lumturia dhe gëzimi.

Gjeniu Moxart nuk erdhi në këtë botë për të shijuar kënaqësitë dhe jetën e tij, por si rrallë kush ai erdhi për të zbukuruar, hymnizuar dhe fisnikëruar jetën tonë, për të zbukuruar shpirtin dhe planetin tonë.

Në gjithë rrugëtimin e jetës, në të gjitha ngjarjet e saj, në muzikën e tij, në dashuri, ai mbeti një fëmijë i çiltër, i dashur, plot optimizëm, energji, një gjeni që nuk njihte zilinë, mërinë dhe hakmarrjen.

Muzika dhe arti i tij veçoi dhe u admirua nga të gjithë, se bashkoi si askush tjetër në mënyrë harmonike, Masën, Thjeshtësinë, Pastërtinë dhe Harenë. Ai nuk kompozonte, por buronte muzikë të mbushur me gëzim dhe optimizëm.

Dhe siç shkruante gjeniu Çajkovski: “Moxarti nuk më trullos, nuk më trondit, por ai më mahnit… Bethoveni për mua është një Perëndi, Moxarti është Krishti Muzikor… ishtë një mishërim i bukurisë hyjnore në një formë njerëzore”.

Tek gjeniu Moxart bota nuk numëron vitet e jetës, ato janë shumë pak, vetëm 35 vite (1756-1791), por numëron mbi 700 vepra dhe kompozime. Kishte shumë dëshira, kishte shumë projekte dhe ëndrra, por sëmundjet e rënda i morën jetën në kulmin e prodhimtarisë.

Mund të shkruash shumë për këtë gjeni dhe për emocionet që të ngjall leximi i këtij botimi, por do të ftoj lexuesit dhe miqtë e librit që t’i përjetojnë së lexuari.

Shumë faleminderit i nderuar mik Çapajev Zera, për botimin me vlerë që na ofrove.

 

Please follow and like us: