Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: “ATA VIJNË PA TROKITUR”…

Drama e zhbërjes së njeriut

E shkruar 7-8 vite më parë dhe e vënë në skenë po nga autori Armando Bora në Teatrin “Metropol” të Tiranës, kjo shfaqje tingëlloi përsëri me emocionet e premierës së saj, edhe ne Festivalin Teatror të Dibrës, për dy nga arsyet e mëdha të teatrit si gjini, sikundër është evokimi dramatik i së kaluarës komuniste që shkakton emocione tronditëse (për rrezikun e rrikthimit të saj!) me ndëshkimet, burgimet, vrasjet e frikën që shperndante dhe interpretimi i aktorevë me po ato ndijesi të çasteve e të rrethanave të ngjarjeve të së djeshmes, duke i përjetuar ato si të ndodhnin po sot. Në një dramë gjithashtu, ku asgjë nuk është e shpifur, po reale, e rënduar psikologjikisht, me raportin e ‘jetë-vdekjes’ në ballancë, kur ‘filli i perit’ eshtë gati në të këputur. Spektakli i Borës, si të ishte zhvilluar nëpër kthinat e mistershme të “Shtëpisë me gjethe” është si një ‘dosje e hapur’ për një çift, i cili s’ka asgjë kundra partisë-shtet, por që e ndjen se çdo gjë e zakonshme, çdo hap që hidhet në jetë me guxim, çdo pyetje që bëjnë partiakët e sigurimsat, kanë përbrenda tyre dyshimin e së panjohurës, nënshtresat e rrezikut, të një terrori që ishte ‘kridhur’ me kohë kundër njerëzve të pafajshëm.

Kemi kështu dramën e zhbërje së njeriut, me një koncept e rrjedhshmëri të gjuhës letrare, në harmoni me ‘gjuhën skenike’. Kur e gjithë Shqipëria ishte kthyer në një BURG TË MADH, nën qiellin e hapur! Nuk dihej se kush e kishte rradhën! Ti dje e unë sot (!), mund ta pësonim po njëlloj dhe dera e shtëpisë, mund të hapej pa trokitur fare e të ndjehej në duart e tua shtrëngimin e hekurave; Ndaj janë me valixhet gati, prandaj vishen e zhvishen disa herë në ditë. Atmosfera e rënduar dhe plotë frikë e skenës zbret deri në sallën e spektatorëve me maska, si të zhvillohej shfaqja në një planet tjetër dhe që ngjante si të afrohej me ta një përbindësh i vërtetë. E tillë eshtë e duhet të jetë forca e një aktrimi…

Fredi Trebicka e Rozi Kostani,- artistë e pedagogë aktrimi njëherësh,- nuk ‘bëjnë teatër’, porse përjetojnë një ngarje tronditëse: paraburgimin që s’është bërë ende, por që mendohet e ndjehet se mund të bëhet e gjëma e shkatërrimit, të vijë edhe deri këtu. Ca më keq akoma… Se i burgosuri e di që është brenda hekurave e mund të pres lirimin e tij, ndërsa njeriu i lirë, në kushtet e një shteti policoro-terrorist, ndodhet përherë i burgosur, me frikën e pritjes që s’dihet se kur vjen, me sytë mbërthyer tek porta e shtëpisë së tyre qe nuk dihet se kur do të shqyhet! Një ‘Godo’ edhe këtu, si ai i Beketit, dramaturgut të famshëm të Teatrit Absurd…
Absurdi i tekstit dramatik të Borës, ndahet edhe me disa digresione e hamendësime, sikur mund të ndodhte ky persekutim, kjo përballje, me akuzën, me Hetuesin dhe me Burgun, duke e vënë veten në personazhe të dytë e të tretë, për t’u rrikthyer më pastaj tek vetvetja. Ky digresion e njëfarë retrospektive, hera-herës, e bëjnë dramën që të dalë nga ‘qerthulli i ngushtë’, si edhe nga uniformiteti e të marrë një frymëmarrje shumë më të gjërë. Që më tepër se sa frika, të sundojë deprivimi i personalitetit njerëzor, po edhe dashuria për jetën, ndijesia e së mirës dhe e së drejtës që nuk duhet të bjerrë kështu, si edhe mbrojtja e karakterit nga rënia e mëtejshme. Po edhe zëmërimi ndjehet brenda shpirtit të tyre, i cili kthehet në një revoltë të brendëshme që s’dihet ku të përplaset, veç brenda vetvetes, ashtu sikundër ngjet që rrethana e pabesueshme e vendosjes së tyre në një ‘kurth’, me valixhe në dorë, me një ‘veshje’ të largët sarkazme e ironie, përpos kësaj ‘velloje’ të dhunës plotë frikë. Përfundimisht, këtu do të tretet edhe vështrimi realist i ngjarjeve të kobshme të së djshmes, per t’u “rënë këmbanave” edhe në ditët e sotme, nga frika e pasiguria, kur ato janë të pranishme, që tek dera mund të shohësh e të mos shohësh tipat e se keqes shoqërore. Në një mister si Pandemia e sotme që s’dihet se ku është e nga na vjenë, duke patur frikë edhe nga çdo njeri që kemi pranë, nga shoku, miku, kolegu e kushdo tjetër. Ndaj, një dramë e shfaqje e tillë mbetet aktuale dhe fort e dobishme. Po edhe për t’u rrëfyer brezave të autorëve më të rinj: ja se si shkruhet drama që të quhet Dramë!
Po drama të tilla, me karakter psikologjik, që ‘plugojnë jetën’ edhe me dy personazhe, të cilët ‘mbajnë mbi shpatullat e tyre’ kohën, gjëmën e veprimin e tensinuar të njeriut, mund të realizohen vetëm nga aktorë të mirë, profesionalisht të përgatitur, me vërtetësi në të vepruar, në harmoni me partnerin e në plastikën e tyre, me një teknikë të foluri të pastër, të qartë e plotë emociene, pa asnjë britmë, pa shtrëngesë e kontraksione të tjera fizike. Kështu pra, kjo shfaqje do të bëhej e papranueshme, sikur të mos interpretonin në të mjeshtra aktrimi me përvojë, si Alfred Trebicka ne rolin e burrit e Rozi Kostani në rolin e gruas. Po, ndërsa burri i Trebickës e vuan edhe me shumë “hijen e persekutimit që s’vjen kurrë dhe qe ai e pret nga çasti në çast”,-që është edhe thelbi i tragjikes që pritet të ndodhë, bashkeshortja Roza si personazh, ka linjën e saj më të butë e më të dhëmshur, për ta qetësuar të shoqin e hëra- herës për t’i sjellur po aty edhe ca grimca lumturie të së kaluarës. Aktrimi i Trebickës është shumë më i thellë e po aq edhe i vuajtur, por pa lëvizur nga vërtetësia e thjeshtësia e lojës, si nje interpretim brilant do ta quaja, kur bota shpirtërore e një intelektuali të arteve, përputhet me plastikën e figurës, me shprehjen e fytyrës, kur syri thellohet e lëngëzohet natyrshëm, duke mos lëvizur asnjë nga muskujt me rrëshqitjen e lotit, po aq bukur, pa kontraksione, me një ndjenjë njerëzore që njësohet me ndijesitë e spektatorëve njëherësh. Në të njejtën kohë aktrimi i Kostanit ka disa veçori më ndryshe, më të përmbajtura, sa delikate aq edhe të thjeshta, si femër e bukur dhe si Zonjë shtëpie. Që e bëjnë atë ca më të thjeshtë e më të natyrshme, sidomos me atë ‘sikurin’ e punëve të dorës me gjërpërë, në ‘qëndisjen’ ma aq elegancë dhe me synimin njerëzor të një qetësie e dashurie ndaj bashkëshortit të zënë në panikun e tmerrshëm të asgjësimit, -një miklim i mrekullueshëm ndaj bashkëshortit që ka vuajtur tmerrësisht shumë edhe për faktin se të martoheshe ne atë kohë me nje grua të bukur qe një rrezik i madh e i vazhdueshëm. Duke shtuar këtu edhe episodin e dhimbshëm të një aborti, i cili e bën edhe më të bukur e më të ndjeshme lidhjen shpirtërore midis tyre.
Po nuk është e thënë që njerëzit, në një shoqëri diktatoriale e me trazira politike, ku e tërë jeta survejohet, të jenë edhe ata të qetë e të kenë jetën me gëzimet e tyre të pafundme. Ndaj edhe shkruhen e do të vihen akoma në skenë pjese teatrore të tilla, me të vërtetë tronditëse, që t’i vlejnë të sotmes po edhe te ardhmes!

 

Please follow and like us: