Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Mbi mungesën e emrit tim në listat për deputetë të demokratëve

Kam marrë shumë mesazhe dhe telefonata, këtë fundjavë, lidhur me mungesën e emrit tim në listat për deputetë të Partisë Demokratike.

Së pari, falënderoj cilindo që është interesuar për vijmësinë time politike, duke njohur jo vetëm vlerat e parimet e mia, por edhe angazhimin tim opozitar e ambicien e shëndoshë. Së dyti, ka qenë vendimi im për të mos konsideruar foltoren e Parlamentit si të vetmin oaz nga ku ngjizet politikbërja e nga ku lind ndryshimi që shqiptarët meritojnë. Në vazhdim, unë dëshiroj të investoj ende mbi kërkimet e mia shkencore nëpër botë dhe rritjen time individuale, si pedagoge dhe krijuese. Unë jam koshiente se CV-të vërtet cilësore në Shqipëri janë çështje perceptimi relativ, por unë i vlerësoj krejt ndryshe. Për mua janë mund dhe investim kolosal që zgjat në kohë e hapsirë e që përbëjnë trashëgimi.

Në prag fushate elektorale, i ndiej si naive shpërthimet kolektive lidhur me listat e publikuara si dhe entuziazmin e keqpërdorur. Parlamenti dhe politika është parë deri më sot si përfitim dhe jo shërbim publik, prandaj dhe korrupsioni është pandemia më e madhe në Shqipëri. Në botëkuptimin tim, kontributi politik e njerëzor jepet edhe duke qenë nesër pjesë e ekzekutivit, akademisë, shoqërisë civile, daljeve publike e shkrimeve në portalë mediatikë jo vetëm si politikan por edhe profesionist; individë me zë influencues në shoqëri, familje, madje edhe kritikë të vetes, duke mos thyer pasqyrat që i rrethojnë. Unë do të jem gjithmonë në politikë dhe këtë nuk ma kufizon asnjë listë deputetësh, e asnjë krah politik.

Liberali Gramoz Pashko, ishte padyshim symbol i triumfit të ideve në politikë, pa ndonjë protagonizëm të madh; sot ai vjen si frymëzim brezash, ndërkohë që shumica e deputëve shqiptarë as që kanë tentuar ta njohin veprën e Pashkos. Në një kohë që konservatorët britanikë, dhe jo vetëm ata, luftojnë të ruajnë vlerat tradicionale e besojnë në përgjegjësitë e mëdha të secilit individ me pushtet në dorë, liberalët predikojnë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të individit, duke punuar vazhdimisht për të arritur një progres në rritje. Republikanët dhe demokratët debatojnë për rezultate konkrete mbi çështje të mëdha për njerëzimin, si emigracioni, ndryshimet kilmatike, sistemin shëndetësor, diplomacinë e rolin e parave në politikë, etj.

Pra, ku ndodhet Shqipëria sot, përsa i përket pjesës më të madhe të tematikave që kam përmendur më lart? Tek qokat dhe festimet se kush do jetë nesër në Parlament? Parlamenti për mua është kult më vete, me përgjegjësi që shumica në të jo vetëm që nuk i njeh, por rebelohet kur i përmëndet pesha e foltores. Shqipëria do të fitojë vetëm atëherë kur realisht të vlerësojë tre shtylla thelbësore të investimit tek politikbërësit, si përgatitjen akademike, arritjet profesionale dhe kontributin jo vetëm në Parti por edhe shoqëri. Në fakt unë jam gjithmonë në kërkim të të ngjashmëve të mi. Kjo e fundit është ndër ambiciet e mia më të mëdha.

Unë besoj në vizionin dhe lidershipin e kryedemokratit Basha, me të cilin kam punuar direkt dhe indirekt prej një dekade tashmë, sepse ai në 7 vite opozitë ka ardhur me ide, propozime e projekte të qarta, për të cilat janë angazhuar ekipe serioze profesionistësh dhe jo me propagandë premetimesh boshe. Opozitarët kanë denoncuar shpesh raste të panumërta shkeljesh dhe abuzimesh të rënda me pushtetin, të cilat i kanë depozituar në organet përkatëse, duke evituar opozitë-bërjen nga rrjetet sociale, dhe, e fundit, nëse ata, nesër në pushtet, nuk do të vinin në praktikë programet e shpalosura, sigurisht që sovrani, populli, duhet të mbajë qëndrim nëpërmjet votës së lirë dhe të ndershme. Llogaridhënia duhet të prevalojë.

Për ta mbyllur, më vjen mirë që në listat për deputetë janë pjesë edhe kritikët me thasë të Partisë Demokratike, që kthejnë kurrizin sa herë nuk janë nëpër lista dhe rikthehen sa herë janë në to. Kjo tregon se kanë reflektuar, dhe se më në fund kanë vendosur të duan të mirën për vendin e tyre, duke i lënë mënjanë qefmbetjet personale. E sigurtë është që e mira nuk vjen vetëm nga Parlamenti, se ndryshe Shqipëria, në këto 30 vjetë, nuk do të gjendej e rraskapitur ende mes tranzicionit të tejzgjatur dhe rrugëtimit të saj drejt integrimit në BE. Mos harrojmë se Shqipërisë i largohen përditë, për mos u kthyer më, mëndjet më të ndritura. Ky është një lluks i madh për ne, me pasoja të rënda.

Uroj shqiptarët të kenë vërtetë një jetë më të drejtë e më të mirë dhe të qeverisen nga njerëz të drejtë e të ditur.

Zgjodhi të mos ishte në listat e PD-së për deputetë, Haris Vongli: Parlamenti nuk është i vetmi oaz për politikëbërjen dhe ndryshimin

Haris Vongli: Listat e deputetëve duhet të prodhojnë shërbim publik dhe jo përfitime personale

 

Please follow and like us: