Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha LAKO: I gjatë ky falenderim, por i domosdoshëm!

 

 

Më duket se erdhi momenti i një falenderimi përmbledhës, për bashkëudhëtarin Vullnet Elbasani, që i propozoi i pari Rudolf Markut, të ftonte çdo ditë një autor shqiptar të paraqiste 10 nga librat e një pëlqimi personal.

Fatmirësisht u gjenda edhe unë në këtë vorbull, prej së cilës sigurisht merr vesh se krijimtaria ka një kuptim.

Nuk di në këtë rast, tani kur kjo paraqitje autorësh prej Rudolf Markut është duke përfunduar, këtë ditë të sotme, ta quaj një ditë falenderimi, të ngjashme me atë të festës amerikane, por prapë se prapë pa gjetur se përse egziston letërsia, për ata që e ofrojnë apo ata që e marrin, si të gjithë ushqimet për të uriturit.

Dhe ja ky falenderim vjen po pothuaj pas njëqind vjetësh kur në vitin 1929, me rastin e 25-vjetorit të përkujtimit të një shkolle vajzash pranë kishës katolike, në një skenë të përbashkët, Fishta bashkoi në një pjesë teatrale, zanat e mitologjisë greke me zanat e bjeshkevë të tij, pa asnjë mallkim rrufesh, në ato festat party nga të cilat jemi privuar sot.

Në rastin e Rudolf Markut, unë di, se si ndërhyn në botën tonë të totalitarizmit, copëza të letërsisë anglosaksone, të cilat ishin si një çelës i artë.

Madje edhe tani që po shkruaj, pas atij izolimi të madh, por të përkohshëm, çuditem që kam në bibliotekën time, një botim të plotë të esesë së Eliotit për Danten, të botuar që në vitin 1940. Për mua, si dhe shumë të tjerë ideja e Bashkimit Europian ka rrjedhur para atyre kohëve, që kur Shekspiri shumë prej personazheve të tij i vuri të veprojnë në qytetet-shtete ku po lulëzonte Rilindja Europiane.

Shqiptarët u gjendën së bashku që kur De Rada gjeti Naimin Frashërin, Kristoforidhi gjeti Vaso Pashën, Filip Shiroka gjeti Çajupin, Asdreni gjeti Lasgushin, Konica gjeti Fan Nolin, në të gjithë metropolet e botës, për të përmendur ketu edhe princeshën Elena Gjika ose Sevastinë që gjeti Kristo Dakon, me të cilin u lidh njësoj si në ndonjë film gjatë një udhëtimi me trenin ‘Orient Ekspres’, që e çonte drejt Stambollit, pas studimeve në një kolegj amerikan.

Fatkeqësisht shkrimtarët e sotëm shqiptarë e gjejnë vetëm rrallë njeri pranë tjetrin, po me atë përkushtim dhe model të lidhjes së Eliotit me Ezra Paund, ose të Paskos me Llazarin, jo atë që u ngrit nga varri. Kjo nuk përjashton skena të ngrohta dhe humane, të ngjashme me ato të Ungaretit, i cili nuk do t’i kishte lëshuar poezitë e tij nga dora po të mos ia kishte rrëmbyer një miku i vet për botim. Dhe me thënë të drejtën ti je nga të rrallët në miqësitë e tua, Rudolf, ku veçohet ajo me Preçin. Edhe kjo është një miqësi si e rrathëve të lisit, që mosha dhe pjekuria i zgjeron te të tjerët.

Dhe më duket sikur pothuajse kemi lindur njeri pas tjetrit, më të izoluar edhe nga vetvetja, pas miqësive të artistëve skandalozë të artit francez, njësoj si të bitsnikëve amerikanë, jehona e të cilëve ndihmon edhe sot gjithë shkrimtarët e botës dhe përkthimet e sotme.

Rudolf, ti duhet të merrje përsipër gjithë kalorësinë eruropiane, të vrapoje në fushat e Blake dhe të Donne, të kalojr përditë atje nga ka nisur Agneas Corpus Act, mbi paprekshmërinë e personin dhe vetëndërgjesimin për faj, që të ishe kaq dashamirës dhe vlerësues për autorët shqiptarë, të cilët sigurisht nuk mund të kufizohen në një listë sa gishtërinjtë e dorës, qoftë edhe kaq rastësisht.

Unë të falenderoj sepse e di, që jetoj në një vend, që njeri do t’i bjerë fyellit dhe tjetri zurnasë, do të shfaqen edhe autorë që bëjnë sikur nuk e njohin njeri-tjetrin edhe kur udhëtojnë në një autobuz, gjë që nuk e bën asnjë autor i botës, veçanërisht kur e gjen kolegun jashtë vendit të tij. Dhe këtu le të kujtojmë Parisin e sallonit të Gertrud Stein me shkrimtarët amerikanë. Dhe kjo ndodhte sepse personaliteti i tyre nuk ishte i shtypur, para botës komerciale qoftë të shtëpive botuese, aq sa edhe zanat e festave europiane të rrënjëve ballkanike, nuk ishin aq të shtypura sa sot. Dhe mua më vjen mirë, që në një atmosferë, kur piktorët nuk do të shfaqen më në botimet letrare, si në kohën që ne kemi filluar ta shajmë shpesh, kur edhe periudha e miqësisë të Spasses si autor të romanit ‘Pse’ me autorët e brezit më të vjetër që lidhur me vitet ‘30 duket si e perënduar, ti gjen vend të afrosh me njera-tjetren, tre autorë të sotëm të letërsisë shqipe, që zëne vend në përzgjedhjen tënde delikate.

Mik i gjithë letërsisë botërore! Ne e dimë mirë se çdo të thotë të lindësh në një vend, ku të imponohet vetëm një gjykim dhe një shije, ajo e atij që të qëndron mbi kokë, si njeriu më i pagabueshëm i njerëzimit, pavarësisht se vetë kjo tregon përçudnimin dhe kjo ia kalon tmerrit të çdo poshtërimi, sepse ka të bëjë me privimin e cilësisë më të lartë të lirisë. Kjo nuk ka lidhje as me spjegimin e rëndomtë që i bëjnë shoqërisë që kemi kapërcyer të cilën ngandonjëhere i japin meritën e dëshirës për krijimin e njeriut si në punishtet e skulptorëve. Por dhuna për të zhvoshkur mendjen, pikërisht si frikë nga liria e brendshme njerëzore, të cilën stokët e ngritën në ekstrem, është ekstremi i ekstremeve. Dhe ja, ti ke fatin të vështrosh në shëtitjen qoftë dhe pandemike, lumin Thames, pa asnjë kompleks për kulturën me të cilën lëvrohet toka shqiptare. Unë të falenderoj Rudolf Marku, që kësaj here, rreshtove njeri pas tjetrit ca miq, që kanë kapërcyer dhe vazhdojnë të kapërcejnë kalvarin shqiptar, pak të mërzitur që u ka rënë fati, të përpiqen të hyjnë në një bashkësi problematike, prej të cilës britanikëve iu mbush mendja të dalin. Por bota letrare është tjetër.

Sepse secili prej njerëzve të letrave e di, se veprat e mira lindin, prej veprave të mira. Të jam mirënjohëse, që ke gjetur në këtë listë modeste shoqërore njerëz me nje vokacion pak a shumë të përbashkët për letërsinë dhe njëkohësisht për fat kaq të ndryshëm nga njeri-tjetri.

Në këtë party të vogël të facebook, të ftuar si në një festim ditëlindjeje të ndaluar.

Please follow and like us: