Albspirit

Media/News/Publishing

Iris Halili: NATO dhe adhurimi ynë për këtë organizatë!

 

Në foto: Presidenti i Shqipërisë zoti Alfred Moisiu, Presidenti i Kroacisë zoti Stipe Mesiç dhe Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, zoti Boris Trajkovski (ndjesë pastë, pasi ekzakt një vit më pas ndërroi jetë në një aksident tragjik ajror…).

 

Unë mendoj se kjo foto e arkivit tim është historike. Në bisedime tre vende fqinje dhe aleate të ulura në samit për të diskutuar hapat që duhet të ndërmerrnin për antarësimin e vendeve të tyre në NATO. Samiti u organizua nga Kabineti i Presidentit të Shqipërisë në shkurtin e vitit 2003 dhe unë ndihem krenare të isha në krye të këtij organizimi.

Ëndrra e çdo shqiptari të asaj kohe, apo ajo e çdo kroati apo maqedonasi ishte anëtarësimi në NATO. Psikologjikisht ky anëtarësim kuptohej si një hap i madh i shkëputjes përfundimtare të vendeve tona nga fronti komunist i lindjes, nga Rusia dhe ish traktati i Varshavës. Në vitin 1998-të kur unë isha dhe Kryetare e Krahut Rinor të Shoqatës Shqiptare të Atlantikut, ne organizuam një sondazh në rang kombëtar për të testuar mendimin e shqiptarëve për anëtarësim e vendit në NATO. 90 % e të intervistuarve deklaruan se ishin pro anëtarësimit. Pa diskutim, ndër radhitjet e demokracisë shqiptare, kroate apo maqedonase pranimi i këtyre vendeve në NATO është edhe arritja më domethënëse në këto tre dekada përpjekjeje drejt botës demokratike. Në imazhin tonë të atëhershëm apo tanishëm NATO ishte/është vetë SHBA, lidershipi, siguria dhe forca që ajo përfaqëson në botë.

Si qytetare e SHBA, ku jetoj, punoj dhe paguaj taksa ndihem krenare që në një farë mënyre falë drejtimit historik që ky vend ka pasur në NATO edhe unë kam kontribuar sado pak në stabilitetin e Atdheut tim, rajonit apo gjithë botës. Por ja që një ditë në SHBA vjen një president që si plan të tij të parë në politikën e tij të jashtme ka largimin e SHBA nga NATO. Sikur thonë analistët, kjo do të ishte dhe dhurata më e madhe që Amerika do t’i ofronte Putinit.

Sipas ish shefit të Kabinetit të Presidentit Trump, Zotit John F. Kelly, një Gjeneral Marine me katër Yje: “Një ndër vështirësitë më të mëdha që ai kishte hasur gjatë kohës kur punoi me Presidentin Trump, ishte të ndalonte Presidentin të realizonte përjashtimin e SHBA-së nga NATO”. Edhe në debatin e fundit Presidencial, Presidenti Trump sërish paraqiti nënvlerësimin e tij për këtë organizatë prestigjioze dhe shumë kuptimplote. Për ata që nuk e dinë, NATO si mision të parë ka: “Nëse një vend anëtar sulmohet, të gjitha vendet e tjera anëtare veprojnë në mbrojtje të tij si një trup i vetëm”. Në Samitin e NATO-s në vitin 2018, Presidenti Trump ndoshta me të drejtë i angazhoi edhe vendet e tjera të Evopës të shpenzojnë më shumë për NATO, dhe për këtë i duhen dhënë kredite, por të gjithë e dimë që ky nuk është hapi i tij final. Sipas atyre që kanë punuar me të si dhe shumë analistëve hapi final (nëse ai fiton zgjedhjet presidenciale të 3 Nentorit) do të jetë largimi i SHBA nga NATO, ndërmarje që ai e ka pasur qëllim ta realizojë që në raundin e parë.

Nëse SHBA del nga NATO ky do të ishte fundi pranisë së sigurisë dhe lidershipit amerikan në botë. Kisinger (Ish Sekretari i Shtetit SHBA) në librin e tij fenomenal “Diplomacia” na këshillon: “Në diplomaci sikur edhe në jetë çështja nuk është të bësh zëvendësimin, çështja është me kë e bën atë”? Pyetja ime dhe e çdo qytetari ndërkombëtar që do paqen dhe lirinë në botë sot do të duhej të ishte: “Nëse SHBA, nën udhëheqjen e Presidentit Trump do të dalë nga NATO, kush do e zërë vendin e saj, apo më saktë e thjesht, cili vend do marrë superfuqinë e drejtimit ushtarake për sigurinë e paqës në botë”?!

Ndaj kur unë votoj, mendoj gjatë e mendoj shumë. Mendoj për të ardhmen e jetës sime në SHBA, por mendoj edhe për Atdheun që lashë, pasi me votën time unë nuk vendos vetëm për fatet e SHBA-së por edhe për ato të të gjithë botës.

Please follow and like us: