Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Hotel Vollga, histori e një brezi muzikantësh e pashkruar ende

 
Çuditërisht ‘Vollga’, hoteli i vjetër buzë rrugës tek ‘Currilat’ në Durrës i ka shërbyer publikut i pavetëdijshëm. ndoshta, si simbol i një shpirti të lirë me muzikën më të bukur që mund të luhej në vitet e pas luftës, për gati 20 vjet.
Ka qenë vatra e ngrohtë e artistëve disidentë (të persekutuarve), të cilët largoheshin me dënim nga Tirana dhe në mjediset e tij, shprehnin botën dhe virtuozitetin e tyre si muzikantë dhe artistë të një niveli të lartë cilësor. Kjo për një periudhë të shkurtër në rotacion njëri pas tjetrit, duke përjetuar një shkëlqim të përkohshëm, të cilin do ta ruanin fort në kujtesë si një nga çastet më të bukura të ekspresionit të lirisë së mendimit dhe gjuhës së artit. Shpresonin, por qe veç një iluzion që të mos pësonin goditjet e thuprës diktatoriale të sistemit. Të gjithë me radhë, pësuan shkarkime, ndëshkime, dënime, përjashtime dhe degdisjen finale, në fshatrat më të humbura.
Nxitjen që të shkruaja mbi Hotel ‘Vollgën’, ma nguci lajmi i trishtë i humbjes së jetës të njërit prej kitaristëve më të mëdhenj të Shqipërisë, Mehdi Prodanit, vëllait të kompozitorit të njohur Agimit dhe pse jo, të dy, miq të tim eti dhe njërit prej xhaxhallarëve, kitaristit, Agim Darova (një tjetër kitarist virtuoz që radhitet në radhët e më të mirëve së bashku me kitaristin Alfons Balliçi). Duke lexuar historinë e Mehdi Prodanit, ndër rreshta mësova që edhe ai, si im atë dhe vëllezërit, kanë qenë pjesë e orkestrave muzikore që kanë ndërtuar historikun e hotel ‘Vollgës’.
Po përse pikërisht ky hotel pranon këta artistë, të cilët guxuan të shprehin një art të lirë, të paprangosur nga ideologjitë e tiranisë komuniste? Çfarë përfaqëson për ne dhe për qytetin e Durrësit ky objekt, që sot me pa të drejtë është lënë në harresë si shumë objekte të tjera kulturore dhe artistike në mbarë Shqipërinë?
Për t’ji dhënë një përgjigje këtyre pyetjeve, si zakonisht ju drejtohemi librave të cilat ende sot, informacionet i ofrojnë me pikatore.
Historia e ndërtimit të ish-hotel ‘Vollgës’ nis në vitin 1938, që fillimisht u mendua të shërbente si seli e Komandës së Marinës italiane. Por pas pushtimit të Shqipërisë, italianët vendosën ta shndërronin atë në një hotel luksoz, duke i vënë edhe emrin “Hotel dei Dogi” më 21 prill 1940.
Me kapitullimin e Italisë dhe pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania, “Hotel dei Dogi” merret nën administrim nga gjermanët dhe i ndryshohet emrin në “Majestic”.
Pas çlirimit të Shqipërisë komunistët ia ndryshuan sërish emrin dhe ia vendosën ‘Vollga’, për shkak të afërsisë në raport me Bashkimin Sovjetik. Që nga viti 1949 e deri në vitin 1990, Hotel ‘Vollga’ që ruajti këtë emër, ka qenë një nga zonat më të preferuara për pushuesit, në qytetin e Durrësit.
Pas vitit 70’ u pagëzua me emrin “Iliria”, por qytetarët durrsakë vazhduan ta quanin me emrin ‘Vollga’. Ndryshimet e vitit 1990 e gjetën hotelin në gjendje të rënduar, me gjithë punimet restauruese dhe ndërhyrjet në nyjet hidrosanitare të kryera në fillim të viteve 80-të. Gjatë dy tre viteve të para të demokracisë (tranzicionit), hoteli e vazhdoi veprimtarinë e tij si hotel, kurse për herë të fundit shërbeu si strehim për refugjatët shqiptarë nga Kosova në pranverën e vitit 1999. Kujtohet edhe si vend i trishtë për humbjen e jetës së artistit të popullit, Sandër Prosit. KKRT-ja e Bashkisë Durrës në shtator të vitit 2009, duke e vlerësuar hotelin si trashëgimi arkitekturore të qytetit, nuk lejoi prishjen dhe ndërtimin në vendin e saj, të një hoteli prej 22 kateve. Gjysma e së keqes do shprehej populli, por pronësia e hotelit vazhdon të kalojë në një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore dhe dhurimesh misterioze, sepse shteti nuk është i aftë të shpreh vullnetin e tij në ruajtjen e këtij objekti dhe ta rivlerësojë si pjesë e pandarë e historisë së artit arkitektonik, të miqve të huaj që priti në mejdiset e tij, apo të muzikës dhe argëtimit të shoqërisë së huaj dhe asaj durrsake, për gjatë gjysëm shekulli, që Qeveria e Hoxhës u përpoq ta mbajë pak të lirë për vizitorët e matanë detit.
Nga intervista marrë artistit M. Prodani nuk mundem të mos shkëpus këtë fragment, i cili më qas një ngjashmëri absolute me tregimin e tim eti, i cili kaloi 4 vjet punë në këtë hotel së bashku me dy vëllezërit e tij, Agimin dhe Mentarin, mr pianistin e verbër korçar dhe shumë të njohur për durrsakët, Rexhep Zemblaku.
“Kur isha në Vollga, teksa interpretoja një rapsodi, më afrohen dy soprano dhe dy violinistë, tek tribuna dhe më falenderojnë. Ata u mahnitën nga loja ime për rapsodinë “Lisi”. Erdhën edhe ca gjermanë nga Lajpcingu. Edhe ata u mahnitën kur më dëgjuan në interpretimin e “Paganinit”. Ata më falenderuan, por ndërkohë më kapën sigurimsat dhe më thanë: “-Çfarë u fole këtyre?”, -Asgjë u thashë, pasi unë nuk di gjermanisht”. Këto kanë qenë dy momentet më të bukura me të huajt. Kjo ka ndodhur në vitet ’60-‘70.”
E njëjta histori me artistët Darova, por që njihnin mjaft mirë gjuhën italiane dhe komunikonin më me lehtësi me publikun e huaj netëve vonë nën zhurmën e dallgëve të detit, që nga dritaret e hotelit dukej sikur i prekje me dorë. Shumë të huaj që vinin nga kampi socialist, e kishin venë re gjendjen e vështirë të vendit dhe liritë themeltare te cunguara të popullit nga qeveria e Hoxhës dhe shprehnin keqardhjen e tyre.
Ata çmonin artin e artistëve shqiptarë dhe ktheheshin rregullisht për çdo natë, për të dëgjuar muzikën e bukur që rridhte nga gishtat e artistëve djelmosha mbushur plot ëndrra.
Fatkeqësisht, për këta artistë dhe shumë të tjerë që kontribuan me talentin e tyre, është shkruar pothuajse asgjë. Historia e këtij hoteli lluksoz ashtu si edhe ai i Dajtit, po shuhet si dielli në gjirin e detit në perëndim. Dëshmitarët e asaj periudhe tashmë ose janë të moshuar, ose nuk jetojnë më.
Dhe ne, brezi që përjetoi tragjedinë e sistemit komunist dhe atij post tij, nuk po jemi të aftë të njohim, të vlerësojmë dhe të ruajmë atë çka quhet trashëgimi artistike e kulturore.
Please follow and like us: