Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi & Flamur Hasimi: Naim Frashëri, Naim Shqipëria – apostull i shqiptarizmës

 

Fjala përshëndetëse në natën e bardhë naimjane, më 30 tetor 2020 në konferencën shkencore “Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta, poetë kombëtarë të pandarë”, mbajtur në Përmetin historik të trëndafiltë; me pjesëmarrës nga shoqata “Vëllezrit Frashëri”, me kryetarin e saj Tomor Kotorri, organizator e mikpritës, si dhe pjesëmarrës nga Akademia e Shkencave, Ministria e Kulturës, universitete e akademi, nga Kryegjyshata Botërore dhe komunitete  të tjera fetare, Bashkia Përmet, kryetarja Alma Hoxha, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Gjirokastër Prof. Asoc. Lindita Rova, deputetja e Qarkut Gjirokastër Mirela Kumbaro, nga Kryesia e OKDA Flamur Hasimi, historianët më në zë përmetarë dhe më gjerë Prof. Kastriot Bezati dhe Lumo Kolleshi, Nuri Çuni, Sekretar i Përgjithshëm i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Përgjegjësi i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore i Bashkisë Lezhë, Paulin Zefi; të ftuar nderi ishin familjarët e At Gjergj Fishtës, si Gjergj Ndoka dhe Besnik Paci, gjeniu i vogël 8-vjeçar nga “Zëri Fishtian”, Nikollë Prendi, përfaqësues të gjimnazit “Hydajet Lezha”, Lezhë dhe gjimnazi i Përmetit “Sami Frashëri”, të ftuar nga Fishta, Lezha, Rahoveci, Kosova, shkrimtar kosovar nga Norvegjia Hysen Berisha, krijues të rinj etj…

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI & Flamur HASIMI

 

Dimensioni kombëtar i “Naim Shqipëria”

Ka gati një shekull e gjysëm që tetori ka merituar të specifikohet “muaji i Letërsisë”, sepse Naimi i Frashëllinjve i njohur si “Naim Shqipëria” lindi në Frashër më 25 maj 1846, por u shua më 20 tetor 1900 në Kostandinopojë, Istanbul-in e sotëm. Naimi i Frashëllinjve u bë mjaft i njohur si poet e shkrimtar, titan i paepur i Rilindjes Kombëtare dhe figurë qendrore e saj. Janë të rrallë burrat e këtij trualli që për së gjalli të pagëzohen “apostull të shqiptarizmës”, apo “bilbil i gjuhës shqipe”, emërtime që u rezistuan tufaneve e rrebesheve të kohës. Nënat shqiptare që prej 1846-ës që lindi Naimi, lindën plot të tjerë djem e vajza që mbushën brezat me shqiptarizmën, por si “Naim Shqipëria”, si vepra poetike e tij, që vuri themelet e letërsisë kombëtare janë të rrallë. Çdo brez ka veçoritë e tij, por Naimi është pena e shpirtrave shqiptarë, është prushi i zgjimit të vetëdijes të ndërgjegjes sonë kombëtare atdhetare. Naim Frashëri ishte vjershëtor brilant me krijimtarinë-melhem plagësh i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Kush ishte Naimi që u kthye në mitin e pathyeshëm të shqiptarizmës? Naimi ishte biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës fisnikësh e timarlinjsh me prejardhje nga Berati, që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iliaz bej Mirahorit. Në vendlindje, në teqenë e Frashërit mësoi katër gjuhë të huaja: turqisht, osmanllisht, arabisht dhe persisht. Është tashmë një fakt i njohur se pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë Samiun, mbaroi gjimnazin “Zosimea” më 1869. Në “Zosimea”, ku studiuan dhe dhjetra korifenj të tjerë të shqiptarizmës, Naimi mori një kulturë të gjërë për kohën, u njoh me kulturat klasike, mësoi gjuhën greke dhe gjuhën frënge. Atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng, me veprat e famshme të Rusoit, Volterit… që i dhanë dritë njerëzimit, pse jo hapën edhe sytë e mjaft intelektualëve shqiptarë. Më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse pati një ftohje e dhembje kraharori, që e detyroi të kthehej në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e mushkërive, dhembjet e ramatizmës e detyruan të linte Sarandën dhe shkon gjashtë muaj për kurim në banjat e Badenit në Perandorinë Austro-Hungareze. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e më tej të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit të Arsimit për Perandorinë Osmane. Më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e Gramatikës së Kostandin Kristoforidhit. Pas arrestimit të Abdylit në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip. Në vitin 1884 u shfaq revista shqiptare “Drita” me redaktor Petro Poga, më tej Pandeli Sotiri, ndërsa Naim Frashëri ishte redaktor i fshehtë sepse shqiptarët muslimanë nuk lejoheshin të shkruanin shqip nga autoritetet osmane. Autoritetet osmane ndalonin shkrimin e shqipes, si rrjedhojë veprat publikoheshin jashtë shtetit dhe Naim Frashëri përdorte inicialet N.H.F. Në një letër të vitit 1887, Naim Frashëri shprehte mendimet e tij mbi gjendjen e Perandorisë Osmane dhe zgjidhja më e mirë për të ardhmen e shqiptarëve ishte bashkimii i Shqipërisë me Austro-Hungarinë.

Naimi është fytyra e zotit të shqiptarizmës!

Naim Frashëri u bë një prej intelektualëve “osmanë” të shekullit të XIX me kulturë orientale e oksidentale, por mbi të gjitha autor i njëzetetre veprave: pesëmbëdhjetë në gjuhën e mëmës në shqip, katër në osmanishte, dy në persishte, dy në greqisht. Në kushtet e censurës dhe që mbante një post delikat si drejtor i këshillit të censurës në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë Osmane, Naim Frashëri e pa të arsyeshme të mos përdorte emrin e mbiemrin në shumë nga botimet e veta, por të shënonte inicialet e tija por edhe të babait të tij, Halit beut: “N.H”, “N.H.F”, “N.F”, pra përkatësisht Naim Haliti, Naim Halit Frashëri dhe Naim Frashëri, emër që tashmë e ka vulosur historia si “fytyrën e zotit të shqiptarizmës”!. Vepra poetike e Naimit është vepër e një titani kolos të shqiptarizmës. Më 1880 shkroi të parën vepër shqip poemthin “Shqipëria”, ku shpalli idetë thelbësore të veprës atdhetare, e cila u shpërnda në dorëshkrim te bashkëatdhetarët sepse osmanët ndalonin shkrimin shqip në Perandorinë Osmane. Jashtë kufinjve kishte mundësi të kufizuara botimi. Më 1886 botoi në Bukuresht 6 vepra, “Bagëti e Bujqësija”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoreja” me dy vëllime, “Istori e përgjithshme” dhe “Dituritë”. Në vitin 1898 do të botonte poemën epike “Istori e Skënderbeut” e cila u bë një nga veprat më të lexuara gjatë Rilindjes Kombëtare shqiptare. Rëndësi të veçantë i dha botimit të librave për të cilët kishte nevojë shkolla shqipe, shkolla e mohuar, gjuha e mohuar e shqiptarëve. Është një rast i rrallë historik, që nga një shtëpi të dalin tre burra madhështor, tre heronj, tre dëshmor të shqiptarizmës që shkrinë jetën për idealin atdhetar. Kjo është vatra atdhetare e njohur e Frashëllinjve që nga një vatër, nga një trung, nga një familje që kishte me bollëk vëllezër dhe dy motrat Frashëri. Shqiptarët tashmë e dinë se Haliti dhe Emine Mirahori (Frashëri) kishin gjashtë djem dhe tre motra:  Avdyli (1839-1892), Sherifi 1843-1874), Naimi (1846-1900), Samiu (1850-1904), Tahsimi (1853-1876), Mehmeti (1856-1918), ndërsa motrat e tyre ishin Nefizeja (1841-1894) dhe Shanishaja (1848-1871). Vëllezërit Frashëri përbëjnë trinomin e veçantë të historisë, kulturës dhe letërsisë shqiptare. Po, ia vlen shumë që historiografia të flasë për korifenjtë dhe të shkruajë edhe jetët e familjet e tyre.

Dy fjalë për vëllezërit e shquar të Naimit

Vëllai i madh dhe “babai” i shtëpisë ka qenë Abdyli. Abdullah bej Frashëri është njohur thjesht si Abdyl Frashëri si një deputet shqiptar në Kuvendin (Mexhlisin) Osman, një nga udhëheqësit kryesorë të LSHP-së. Abdyl Frashëri u shqua si udhëheqës diplomat i klasit të lartë, organizator, mjeshtër i kuvendeve, orator, aktivist i shquar i cështjes shqiptare, burri që shkriu pasurinë për shqiptarizmën. Aktiviteti i tij vecanërisht në dy Vilajete në Kosovë dhe në Janinë është tepër i madh. Abdyli udhëhoqi krahun autonomist të lëvizjes dhe në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i koinisionit të punëve të jashtme të saj, përfaqësoi Toskërinë në kuvendin e Parë të Dibrës më 1.11.1878, ku u miratua rezoluta me të cilën kërkohej zyrtarisht nga Porta e Lartë krijimi i vilajetit të bashkuar autonom të Shqipërisë; ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës në janar 1879, që pengoi lëshimin e Camërisë në favor të Greqisë. Në pranverën 1879 kryesoi delegacionin e LSHP-së në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha për të mbrojtur nga afër tërësinë territoriale dhe të drejtat për autonomi të Shqipërisë. Abdyl Frashëri, ishte promotori i projektit që miratoi Kuvendi i Dytë i Frashërit për të formuar qeverinë e përkohshme; udhëhoqi Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës që u shpreh për krijimin e shtetit autonom shqiptar me anën e lëvizjes së armatosur; mbrojti energjikisht programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës. Abdyli kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët kosovarë vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vitit 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm në përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane. Pas shtypjes së Lidhjes (prill 1881), më 2.5.1881 mbërriti në Manastir i shoqëruar nga një oficer xhandarmërie dhe shtatë xhandarë. Abdyli ishte arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan për tek Mahmud bej Biçakçiu. Nga aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili u dënua më vdekje nga gjyqi special osman, por ju kthye në burgim të përjetshëm dhe në fakt u dënua në burgun e kalasë së qytetit për tre vjet. Më tej internohet së bashku me familjen e tij në Ballëkesir e në Bandërma nga viti 1884 deri më 1886. Fakt është se Abdyli me një plejadë burrash të kombit shqiptar tronditën themelet e pushtetit osman pesë shekullor në Shqipëri. Ai amnistohet dhe kthehet në Stamboll, ku edhe aty përndiqej por u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit. Edhe pse i sëmurë dhe i izoluar, ai e vazhdoi veprimtarinë patriotike derisa u shua në Stamboll ditën e shtunë më 23.10.1892. Populli e pagëzoi ideologun dhe atdhetarin e spikatur të Frashëllinjve me titullin: “Emir i Shqipërisë”.

Sami Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej, që në origjinal shkruhet Şemseddin Sami Bey, funksionar i shtetit osman, intelektual, gazetar, dramaturg, përkthyes, filolog, ideologu themelor i Rilindjes shqiptare. Ndryshe nga i vëllai Naimi, që iu përkushtua gjuhës shqipe, Samiu bashkëpunoi për reformën e gjuhës osmane-turke në hapësirën shprehëse të së cilës loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare. Samiu është autor i njërit prej romaneve më të hershëm të gjuhës osmane, titulluar Ta’aşşûk-ı Tal’at ve Fitnât, që po ta shqipërojmë është Dashuria e Talatit me Fitneten të publikuar më më 1872, kur Samiu ishte 22 vjeç. Samiu ka shkruar pesëdhjetë e shtatë veprave në gjuhën shqipe, turke e arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që ai drejtoi në Turqi. Është hartues i fjalor frëngjisht-turqisht më 1882 dhe një tjetër turqisht-frëngjisht më 1884, fjalorit të gjuhës arabe më 1898, të një fjalori me dy vëllime në osmanisht (1899-1901) së bashku me enciklopedinë gjashtëvëllimshme Kamus al Alam. Shkroi një pamflet për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, një gramatikë dhe traktatin politik mbi çështjen shqiptare, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Është autor i pavdekshëm kër krijimtarinë e pakrahasueshme me bashkëkohësit. Biblioteka personale e tij kishte 20000 vëllime. Për veprimtarinë e tij Sami Frashërin, u përndoq, u internua, u izolua dhe vitet e fundit atij i qe ndaluar të dilte nga shtëpia. Samiu, u shua ditën e shtunë, ora 21:00,  më 18.6.1904 dhe u përcoll në varrezat e Erenkoy, ku ishte varrosur gruaja e parë e Samiut, Emineja, ndërsa më 1968 eshtrat e Samiut u vendosën  në varrezat  “Ferikoy Islam Nezarligj”, ku prehet dhe i biri Ali Sami Yen dhe familjarët e tjerë të Samiut. Studiuesi Shexhattin Tural e ka quajtur Samiun tonë, “Njeri sa një akademi më vete!”. Eshtrat e Naimit shteti shqiptar i solli nga Erenkëy i Stambollit në Shqipëri në 25 vjetorin e Pavarësisë, më 2.6.1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës Abedin Nepravishta. I përcjellur nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri nga trungu i Dulellarëve, arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës, për t’u çvendosur dhe vendosur sërish më 1940 dhe në 1950 në Francesko Jakomoni dhe ish-rregjimi socialist e më tej në një nga vendet më të mira të Tiranës ku aktualisht nderohen nga qytetarë të kryeqytetit etj.

Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur edhe përpjekje të mëparshme për të marrë eshtrat e Naimit. Kështu dy herë me radhë më 1926, por edhe më 1927, është tentuar me një grup shqiptarësh atdhetarë, që ta merrnin eshtrat e Naimit të madh nga Stambolli. Kështu vlonjatët atdhetarë Ali Asllani, Toli Arapi, Ibrahim Avdullai etj., i shkruan letër qeverisë turke, që kërkonin eshtrat e Naim Frashërit dhe të patriotëve të tjerë, që shpresonin edhe në aftësitë e ambasadorit dhe diplomatit tonë të shquar gjirokastritit Rauf Fico, në atë kohë ministër fuqiplotë në Ankara. Por kërkesa nuk u plotësua, sepse Mustafa Qemali nuk lejoi nxjerrjen dhe përcjelljen e eshtrave të Naimit. Fakt është se ështrat e Naimit preheshin bashkë me ato të Samiut, i cili kishte dhënë kontribut të madh e të jashtëzakonshëm për Turqinë. Ajo që nuk u mundësua më 1927-ën u lejua dhjetë vjet më vonë. Ndërkohë që eshtrat e Abdylit u sollën më 19 mars 1978 në kuadrin e 100 vjetorit të LSHP, të përcjella me nderim nga ish kryeministri turk Bulent Exhevit, sikurse përshkruhet edhe nga Nexhip Alpan tek vepra e tij “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Por vendi i prehjes së dy kolosëve shqiptar vazhdon të qajë sepse vëllain e tyre Samiun nuk e kanë përbri tyre ku e kërkon historia, ku e kërkon Shqiptaria.

Çfarë kanë thënë për Naimin e madh?

Fakt është se që për së gjalli Naimi u pagëzua “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe” dhe më tej “Naim Shqipëria”. Ismail Kadare thotë:  “S’kam qenë as nëntëmbëdhjetë vjeç kur isha i bindur se shkruaja më bukur se Naim Frashëri (për të mos u thënë gjëma të tjera). E megjithatë, kjo bindje që nuk u qortua brënda meje asnjëherë, nuk më bëri kurrë ta përçmoja e aq më pak ta shaja poetin, përkundrazi. Të hysh me dashuri në tempullin e letërsisë nuk do të thotë të mos guxosh, të synosh e madje të kalosh krenajat e saj. S’ka të bëjë me moralin, s’ka të bëjë me dashurinë kristiane. Dashuria në letërsi është pjesë e një mjeshtërie të shenjtë. Ajo është njëherësh pjellë e trurit dhe shenjim i fatit. Naimi është poeti më i famshëm i shqiptarëve shekullin XIX, një përzierje profeti e prijsi, pasi ka shkruar mijëra vargje e himne për lirinë, për shpatën që do ta sillte atë, për atdheun e robëruar, për Kastriotin-Skënderbe, për dritën që do të vinte nga Perëndimi, shkurt, për Shqipërinë madhështore e po aq të hyjnueshme. një ditë i shkrepet t’i kushtojë një poemë femrës me të cilën ka rënë dashuri. Ështe e vetmja në veprën e tij të pafundme, atë që shpesh është quajtur “Naimiania”. “Do të shkrihem të venitem,/Si kandili kur ska vaj,/Baltë e pluhur do të bëhem,/Të më shkelë këmbë e saj,/Dhe të prehem duke puthur,/Atë këmbë pasandaj…”. Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta kanë qenë dhe mbeten dy poetët kombëtarë të Shqipërisë, të vetmit, të fundmit dhe të papërsëritshmit.

Dritëro Agolli për Naim Frashërin: “Ty pluhurin e shenjtë askush s’ta shkelë,/As këmbë e saj, as këmbë e Shqipërisë,/E kush e shkel, kur dhe një kokërr meli,/Ky pluhur e bleron mes gjithësisë?”.  Dhe më tej Agolli shprehet: Poezitë “Tradhëtarët” dhe “Atdheu” shërbesa më e madhe për idealin e Kombit. Ne i heqim kapelen dhe themi: Punove mirë, usta! Vargje flamur: “O Atdhe ! Më je i dashur sa më s’ka!/Më je nënë, më je motër e vëlla./Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,/je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhe.

Dhimitër Shuteriqi, thotë: “Librat shkollorë të Naimit ndihmojnë për të formuar botëkuptimin materialist tek nxënësit…Poeti vërtetë fut në këndimet e tij pjesë të ndryshme me moral fetar, por nga ky moral ai përpiqet të ruaj parimet humanitare të përgjithshme”.

Naimi si prijës shpirtëror i shqiptarëve, siç shkruante, Kur’anin e kishte burim frymëzimi, te Perëndia kishte shpresë, e thoshte: “Kam shumë shpresë te Perëndia,/Që të mos jetë kështu Shqipëria,/Po të ndritohet, të lulëzohet…”. Prandaj edhe Naimi i lutej Zotit me këto fjalë: “O Zot! Fali Shqipërisë e Shqipëtarëve që i falen emërin Tënd, gjithë të mirat, që ke në jetë dhe mërgoi nga gjithë të ligat. Amin!”. Për këtë rast kemi përzgjedhur një vlerësim të vecantë: Teza e diplomës rreth letërsisë shqipe, “Naim Frashëri 1846-1900”, e Musine Kokalarit, është një monografi, që mbeti projekti themelor i saj në kërkimet letrare. Ajo lexon dhe interpreton Naim Frashërin nën këndvështrimin e poetit nacional duke bërë kërkim biografik dhe hulumtim e kërkim struktural dhe kuptimor të veprës së Naimit. Musineja shkruan për vdekjen e Naimit: “atdheu humbi një apostull, sekti i bektashinjve idealistin e vet, dhe rinia këshilltarin”. Ajo e vlerëson figurën e tij si fytyrën e zotit dhe se sugjeron se, çdo shqiptar duhet të shoh tek ai një pararendës e duhet të admirojë tek vepra e tij vullnetin krijues e formues të racës shqiptare.

Naimi si profet i shqiptarizmës gjykonte thellë e më thellë: “..Sot është një ditë e rezë,/ që përsëritet moti,/ lint vera, lint ngrohtësia,/ lint Aliu, vetë Zoti./ Eshtë një ditë e bekuar,/ që rrjedh qejshit bukuria,/ Del në shesht Zot’ i vërtetë,/ rrëfen fytyrën e tija.

Nuk është e rastit që Naim Frashëri, është pagëzuar tashmë si “profet” i bektashizmit sepse vetë Bektashizmi nuk perceptohet pa poetin e kombit, Naim Frashërin, pa profetin bektashian, që filozofinë e kësaj feje, e dokumentoi dhe përjetësoi fuqishëm e bëri në fund të fundit të lexueshëm. Tek bektashizmi naimjan kanë ngjyer penat qindra e qindra poetë sepse duan t’i ngjajnë e të marrin sat ë mundin nga muza naimjane e këtij poeti të madh të kombit shqiptar, që ka kapërcyer kufijtë dhe ka bërë epokë.

Jo më kot të parat eshtra që erdhën në Shqipëri ishin të Naimit dhe u vendosën atje ku dëshironte Naimi, ku i përkiste vërtetë bektashizmit, ku aktin final të njeriut, vdekjen e donte në tokën e vet, ku prehja ka një emër: “Pa Atdhe nuk ka fe”. Prandaj nga shpirti do t’i delte kënga: “Lulet e malit”: Mendje! Merr fushat e malet,/jashtë, jashtë nga qyteti,/Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti./Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,/E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,/Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,/Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;/Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,/Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë./Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,/E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë”.

Të tre frashëllinjtë e mëdhenj u shuan në mërgim. Të tre të dashuruar marësisht pas librave, që padyshim dinin mirë vargjet e Viktor Hygoit “Përse vini gjithnjë para syve o ditët djaloshare të gazit tim”, sikurse njihnin që në origjinal vargun emocionues të Abu-Muhammad Abdullah Musherefedin Muslih al-Din Sadi Shirazit: “Në vdeksha një ditë në mërgim, Kush vallë do të ma bëjë varrë, Kush do të ma qepi qefinë?, Vërmani qivurin në një vend të lartë,/Mbase era e mëmëdheut më freskon kraharorë,/Ngrimëni lartë qivurë,/Mbase era e mëmëdheut më freskon kraharorë.

Sot në shkollat shqiptare në Shqipërinë e këtej Drinit dhe në Shqipërinë e matanë Drinit, sikurse thoshte Agolli, lexohet e recitohet pafund Naimi i madh që në fund të jetës së tij do të bënte një kërkesë-poetike të shenjtëruar, naimçe: “Jepi shqiptarit dritë,/ Zot i vërtetë të shohë,/ Të marrë vesh mirësitë,/ Të vërtetën ta njohë…”, por mbi gjithcka qëndron kushtrimi poetik naimjan: “Gjuha jonë, sa e mirë,/ Sa e ëmbël, sa e gjerë/ Sa e lehtë, sa e lirë,/ Sa e bukur, sa e vlerë”!, kjo gjuhë perëndie, që nuk pranonte huazimet turke, greke, perse, arabe etj. Ja edhe porosia e pavdekshme që është një amanet i shqiptarizmës: “Shqip të flisni përherë,/ thjesht‘ e të papërzjerë,/ Rroftë e qoftë Shqipëria,/ Dhe kombi e gjuha jonë,/ Lulëzoftë dituria!,/ Edhe ndihmës paçim Zonë!,/…Pa shihni ç’gjuhë e mirë!/ Sa shije ka e hije,/ Ç’e bukur’ edh’e lirë,/ Si gjuhë perëndie…, që është testamenti i gjeniut Naim Frashëri.

Emri i Naim Frashërit që u emërtua “Naim Shqipëria!”

Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla dhe institucione. Për meritat kulturore në Shqipëri jepet urdhri që mban emrin e poetit kombëtar. Askush nga poetët shqiptarë deri më sot nuk ka merituar titullin mbinjerëzor “Naim –Shqipëria”, një emblemë e prushëzuar poetike e të gjitha kohrave, që qëndron gjithmonë e ndezur. Irani në shenjë nderimi për kontributin e tij në gjuhën perse i kushtoi një emetim special pullash postare me imazhin e poetit Frashërlli. 200-lekëshi i vitit 1997 është me figurën e Naim Frashërit, është një gjetje për ta pasur në xhep e në mëndje dhe për ta pasur në dorë në përditshmëri këtë figurë të madhe të shqiptarizmës. Naim Frashëri është shkrimtar më përfaqësues i mistikës islame në gjuhën shqipe me veprat Fletore e Bektashinjet dhe Qerbelaja, si veprat e para të bektashizmit shqiptar. Le t’i rendisim veprat e tij në shqip për të gjithë brezat: Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885), Shqipëria (shkruar 1880, botuar më 1897), Bagëti e Bujqësi [1], 1886, Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, Vjersha për mësonjtoret e para, E këndimit të çunavet këndonjëtoreja,I.(në dy vëllime, me poezi, lexime, njohuri shkencore humanitare), E këndimit të çunavet këndonjëtoreja,II; Histori të përgjithshme, Lulet e verës, 1890; Mësimet, (proza patriotike dhe të moralit); Fjala flutarake, (vjersha) 1894; Historia e Skënderbeut, (poemë epike) 1898; Qerbelaja (poemë fetare); Perëndia, 1890; Fjalët e Qiririt (publikuar për herë të parë në numrin e parë të revistës “Drita”).

Në vijim të lartëcitimeve do shtoja dy grimca që lidhen me Naimin dhe të vëllanë Samiun: Vite më parë kur shërbeja në bregdetin jonian, takoj bardin e bregdetit poetin e madh Lefter Çipa dhe me të udhëtoj drejt Pilurit, ku ndjeva nga afër tingujt e polifonisë së grupit të Pilurit “Naim-Shqipëria”, një këngë mjaft emocionuese. Duhet t’i shijosh që të bindesh se është i vetmi poet shqiptar, që deri më sot është njësuar me Shqipërinë. Dhe e dyta vite më pas shkova në Stamboll dhe mora ftesë për vizitë nga i mirënjohuri Nexhip Pelivan Alpan, i cili më thotë, se takimin e bëjmë, ku prehet Samiu ynë i madh, ku edhe vendi qan sepse varrin në Shqipëri e ka të zbrazët, atje në Tiranë ku prehen vëllezërit e tij Abdyli e Naimi. Samiun e kemi ne këtu në Turqi, akoma këtu në mërgim, Samiun e gjithë shqiptarëve. (Relike e vetme nga Samiu në Shqipëri, të dhuruara nga e mbesa me rastin e 100 vjetorit të LSHP, janë skrivania e tij dhe një tufë nga mjekra e tij e bardhë, që ruhen në Muzeun tonë Kombëtar).

Ka dhjetra vite që është hedhur një ide për një “Skulpturë Monumentale për tre vëllezërit Frashëri” por ajo duhet të kapërcejë muret e qytetit të Përmetit, të jetë më e lartë se vetë shkëmbi i qytetit të Përmetit dhe meriton, pse jo ka ardhur koha që Përmeti të ketë një skulpturë të formatit madhështor që të bëhet me dy objekte supermadhëshotore, por në radhë të parë një monument të tillë si e Gjergj Kastriotit meriton edhe në një nga sheshet kryesore të Tiranës, për këta tre gjeni unikale në historinë shqiptare, rajonale, europiane dhe njerëzimit. Veprën e këtyre tre madhështorëve kolosë të një familje Abdylit, Naimit dhe Sami Frashërit duhet ta njohin UNESCO (The United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization)  me një vepër dinjitoze të mbrojtur dhe të paraqitet edhe për çmimin “Guinness World Records”. Por kjo duhet kërkuar me takt intelektual nga atdhetarët shqiptarë sepse Shqipëria do të ketë nevojë gjithmonë për Naimin, vetëm duke ju referuar vargjevetë Naimit: “Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,/ Zëmrën ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr, ..”, që janë vargjet-kushtrim që e shpëtuan dhe e nxorrën në dritë Shqipërinë. Naimi është poeti shërbëtor i kombit shqiptar, Homeri shqiptar i papërsëritshëm shenjtor dhe poet, sepse poetët janë më të mëdhenj se mbretërit. Amaneti i Naimit dhe prehja e tij është e qetë kur gjithë shqiptaria të ketë një rrugë për së mbari të shkojë në Frashërin e Frashëllinjve dhe të marrin bekim nga kjo tokë që lindi korifenj, tek shtëpia në Frashër mund e duhet të shkojnë një herë në jetë të gjithë shqiptarët për ta ndjerë veten të tillë. Athere do të quhet plotësisht i vlerësuar edhe Naimi. Naimi është mbreti i poezisë shqipe, që i drejton njerëzit drejt punës, diturisë dhe vëllazërimit edhe me vargje: “Punë, punë, natë e ditë,/ Që të shohim pakëz drite“, por edhe ishte plot shpresë se Shqipëria do të bëhej: “Lum kush të rrojë,/ Ta shohë zonjë!”.

Atdheu – poezia që bashkon dy poetët kombëtarë Naimin dhe Fishtën

Gjergj Fishta “erdhi” në Përmet dhe u takua me Naim Shqipërinë, erdhi në veprimtarinë përkujtimore në netët e bardha naimiane, me krijimtarinë e  tij dhe veprën letrare patriotike. At Gjergj Fishta i shquar në poetikë, prozë e publicistikë, histori, politikë, diplomaci, satirë ka qenë në shërbim të palëkundër të patriotizmit të kulluar shqiptar, edhe në fund të jetës së tij që deshën “me e ngatërru dhe me i tjetërsu” metitat. Veprimtaria At Gjergjit është shumëdimensionalshe, një fanari që gjithënjë  ndriçon si meteorë të pashuar të shqiptarizmës. Poezia e tij e parë të tij që e njohim me titullin “Zotit Anselmo Lorecchios n’Vjenë” botuar në revisten “Albania” më 30.11.1899 me pseudonimin “E popullit”. Në po këtë vit bashkëpunim me abatin e madh të Mirdites, Prengë Doçin, me Dom Ndoc Nikajn, At Pashko Bardhin, At Ambroz Marlaskajn, Luigj Gurakuqin etj, formojnë shoqerinë kulturore-patriotike “Bashkimi”; shkruan poezinë “Gjaksorëve”, kur ai falë edhe gjakun e vëllait. Kjo poezi publikohet tek “Albania” (nr.10 te vitit 1901). Dialekti që publikon Fishta kengë trimerie, saterike me permbajtje politike me rrënjë të thella në burimin nga gurra popullore i përkisnin dialektit Gegë, por që kanë një bukuri dhe lezet apsolut, që prek telat e zemrës. Fishta boton në revisten Elçija me psudonime të ndryshme si, Rushman Sokoli, Mar Pepa, Gastigat Ridendo, Sula, Fushk n’Dushk,Bibë Gjeta, Gegë Toska etj. Në vitin 1902, pas një shërbimi të shkurtër si ndihmës-famulltar në Hot të Malësisë së Madhe emrohet drejtor në shkollen Françeskane (Iliricum) në Shkoder. Fishta ka qenë i pari drejtues i kësaj shkolle që ka futur si lendë të detyrueshme mesimin e shqipes dhe vijoi plot pasion angazhimin si mësues i “letrave” shqipe. Në vitin 1905 në Zadar të Kroacisë boton varinantin e parë të“Lahutes së Malësisë”, i cili ishte fruti i nektarit të parë që kishte mbledhur nga trashigimia historike e heroike e ketyre trojeve nga më shqiptaret e Shqipërisë natyrore. Pjesën e dytë të “Lahuta e Malësisë” Fishta do ta botonte më 1906). Këtu vijnë të gjalla luftrat e malësorëve për ruajtjen e trojeve të tyre si lufta e Vraninës 1862 me në krye trimin Oso Kuka ,Lidhjen e Prizrenit dhe luftrat mbrojtese të malësorëve e shqiptarëve në vitet 1878-1881, kryengritjen antiotomane 1911, luftrat mbrojtëse të viteve 1912-1913 etj. Kjo vepër u pagëzua “Iliada shqiptare”, e pagëzuar nga autori si “Lahuta e Malsisë” , me emrin e “vegles” muzikore autoktone të trojeve tona, që në këngën e nantë “Lidhja e Prizrenit thotë: “… janë Krenët e Shqiptarisë,/ Krenët e Gegëve e të Toskënisë /Që kanë dalun në ketë dhe,/ Me lidhë besë me lidhun fe,/Edhe n’armë këta me u shtërngue,/ Europës fjalën me ja poshtnue,/Që me Mbret paska pleqnue,/Me i dhanë dorë Malit Zi,/Ta coptojë t’mjeren Shqipni..”. Poeti ishte kthyer kështu sikurse Naimi në mbrojtje të shqiptanisë. Poetët bashkohen në një poezi të përbashkët. Ata i bashkon “Atdheut”: N’ty mendoj kur agon drita,/Kur bylbyli mallshem këndon,/N’ty mendoj kur soset dita,/Terri botën kur e mblon./Veç se ty të shoh andërr,/Veç se ty të kam në mendim,/Ndër t’ vështira ti m’je qandërr,/Për ty leht më vjen çdo ndëshkim./Tjera brigje, fusha, zalle,/Unë kam pa larg tue ba shtek,/E përgjova tjera valle,/N’tjera lule syu mu rrek./Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,/Por nji mal ma bukur s’rri./Ma i kulluem nji lum s’dikohet,/Moj Shqypni por si i ke ti./N’ty ma i bukur lulzon prilli,/Jan ma t’kandshme stin e mot,/N’ty bylbyli pa le Dielli,/Këndon ma ambël t’ Madhit Zot./Pa ty lules s’mi vje era,/Pa ty pema frut nuk m’bjen:/Mue pa ty s’më del prandvera./Pa ty Dielli nuk m’shkëlzen./Derisa mundem me ligjërue,/E sa gjall me frymë un jam,/Kurr Shqypni s’kam me t’harrue,/Edhe n’vorr me t’përmend kam.”. Ja pra ku takohen poetët të pavarur dhe të përbashkuar n ëide e qëllime tek ATDHEU!. Gjergj Fishta ishte lindur më 23.10.1871 në Fishtë të Zadrimës dhe është shuar më 30.12.1940 në Lezhë; ka qenë frat françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes, kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Aqif Përmeti në Versajë, zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921. Pas dekadës së dytë të shek. XX, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar poet, dramaturg, prozator etj., por edhe si kritik, historian i letërsisë. Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe duke u quajtur që në të gjallë të tij “poet kombëtar”.

Fishta ndezi zemrat e spartanëve, elegjitë e “Lahutës” dhe “Mrizit të Zanave”, e të poezive të tjera, kanë mbjellë në zemër të djalërisë shqiptare dashurinë e pamasë për truallin e të parëve dhe për gjuhën amëtare. Dy idealet e mëdha fishtjane janë atdhedashuria dhe amaneti i ruajtjes së gjuhës si “dritën e synit, lavrimi dhe përparimi i saj kanë qenë polet, rreth të cilave shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës”. Janë të shumta vlerësimet për Fishtën: Prof. Aleksandër Xhuvani në varrimin e tij: “Fishta është “shkëmb i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar” dhe “Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!”. Lasgush Poradeci: “At Gjergji ka qenë për ne, deri ditën që mbylli sytë, patriarku i letrave shqiptare e poeti ma i madh i vendit tone”. Kostaq Cipo: “Kot përpiqën grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se “Lahuta”. Faik Konica: “Fishta “Poeti i Madh i popullit të shquar shqiptar”. Prof. Dr. Norbert Jokli: “..me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergj Fishtën zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi”. Prof. Pashko Gjeçi thoshte: “Mbreti i poetëve shqiptarë, Patër Gjergji qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe mbrojti me trimëri të drejtat e Kombit tonë në çdo konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me vepren e vet poetike i fali shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për liri. At Fishta…nuk jetoi në “kështjellen e fildishtë”, por u hodh me entuziazëm djaloshar nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të racës shqiptare…Fishtën, me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë me parë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut”. Por pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e burgosur deri në vitin 1992, me triumfin e demokracisë. Maksima “mali me mal nuk takohen”, është realitet sepse Naim Frashëri dhe At Gjergj Fishta kësaj here u takuan në Përmet.

 

Please follow and like us: