Albspirit

Media/News/Publishing

Gëzim Basha: Agon me Reflekset e Samizdatit

‘Rathë të brendashkruar’, ashtu si të gjitha botimet e mëparshme të Rudolf Markut, sjell jehona verbale, sonike dhe ideore prej traditës më të mirë të poezisë refleksive, pa cak gjuhe a kulture. Libri që marrim në dorë ka peshën e një modeli të atletizmit gjuhësor dhe estetik, është një ‘tour de force’ aludimesh dhe aluzionesh, i ndërton kuptimet e veta me zhdërvjelltësi stilistike ngaqë autori, prej pesë dekadash, e koncepton shkrimin e poezisë, jo si pauzë meditimi, por si një proces të pandërprerë navigimi në galaksinë e mundësive shprehëse.

I
Leximi i poezisë, pavarësisht lenteve personale, përherë nis me një kuriozitet standard, marrëdhënien e tekstit me traditën, më saktë konceptin e autorit mbi traditën letrare. Rudolf Marku hyn ndër autorët tanë të paktë i cili, qysh në fillimet e tij letrare në fillimin e viteve 70-të, duke refuzuar prerë parimin soc-realist të frymëzimit nga jeta, ka praktikuar me sukses leximin për inspirim, ambicje jo fort e lehtë në një kohë kur direktivat zyrtare urdhëronin me ton imperativ shmangien e ndikimeve të huaja, frymëzimin nga jeta dhe pasqyrimin me vërtetësi të realitetit.
Dy dekadat e para të krijimtarisë së Rudolf Markut, të kujtojnë vargun e Preç Zogajt, “qëlloi stinë e thatë për poezinë”, përkojnë me histerinë shurdhuese, anakronike dhe antihistorike ushtruar prej policisë politike në letërsi dhe arte. Vitet 70-80-të të shekullit të kaluar ishin vite kur atakohej çdo prirje për diversitet estetik, një aksion politik donkishotesk, i cili synonte të pamundurën, kthimin e letërsisë shqipe në kohën e mimesisit.
“Tek Platoni dhe Aristoteli”, thotë profesor Paul Fry i Yale University, “poezia konsiderohej imitim i realitetit ngaqë grekët nuk patën trashëguar pika të tjera referimi. Prej teoricienëve latinë, Kuintilian dhe Ciceron, ideja e mimesisit u transformua në imitatio, jo me imitimin e natyrës, por imitim i modeleve letrare paraardhës”. E tepërt të thuhet se me nocionin, imitim, Paul Fry nuk presupozon epigonizmin vulgar, por pikat e referimit, ato kordinata estetike që përcaktojnë pastaj karakterin e krijuesit.
Shqipëria e dy dekadave të para të krijimtarisë poetike të Rudolf Markut kërkonte të injoronte këtë ligjësi të letërsisë, izolimi politik impononte një gjendje mendore të nderë, e cila shkaktonte një lloj autizmi kulturor masiv. Shumicën, refleksi i mbijetesës mentale e drejtonte nga programet e huaja televizive, ndërkohë që një numër i kufizuar, kryesisht shkrimtarë, praktikonin Samizdatin—praktikë gjërësisht e njohur në ish-Bashkimi SovjetikS dhe vendet komuniste të Europës qendrore—qarkullimin përmes shumëfishimit me makinë shkrimi, a shkrim dore të përkthimeve nga autorë të huaj, shumica edhe formalisht të ndaluar.
Mund të duket e habitshme, por sado e izoluar, Shqipëria pati hibridin e vet të Samizdatit: Ismail Kadare e lexoi dorëshkrimin e shaptilografuar të Doktor Zhivagos në një apartament të braktisur të Moskës, ndërkohë që Dritëro Agolli, teksa kthehej nga studimet, flaku në det fletoren ku kishte kopjuar me shkrim dore poemën e Tvardovskit, ‘Vasili Tjorkin në botën tjetër’. Visar Zhiti, përpara arrestimit për motive politike, mbante në çantën e mësuesit vjershat e Jevtushenkos, Zija Çela kopjonte me shkrim dore variantin frëngjisht të romanit të Sabatos ‘Mbi heronjtë dhe varret’; vetë Rudolf Marku, përkthente ‘Të vdekurit’ e Xhojsit dhe autorë të tjerë të modernizmit anglofon si T S Eliot, E Pound apo W. Oden, ndërkohë që Preç Zogaj bënte diçka edhe me të çuditshme: transkriptimin e emisioneve poetike të Radios Italiane. Në një vend si Shqipëria socialiste ku në çdo dekadë, pushkatoheshin apo vareshin në litar poetë lirikë, përpjekje të tilla edhe pse rrezikonin çmim të rëndë, ishin mundësia e vetme për emancipim estetik në kohën e paranojës, për konceptimin e traditës jo sipas rekomandimeve politike, por sipas afiniteteve dhe ndjeshmërive personale.

II

Poezitë e Rudolf Markut, pavarësisht embrioneve tematike, realizohen si fryt i atij procesi të pashmangshëm për të cilin Harold Bloom përdor termin Agon, dhe e përkufizon si një moment tensioni a përplasjeje të nisur në shtresën instinktive të psikikës, mes poetit aktiv dhe mjeshtrit paraardhës. Rudolf Marku, në agon-in e vet konfronton modele letrare jashtë traditës së imponuar. Pavarësisht izolimit kulturor të Shqipërisë, modelet estetike të inspirimit të tij vijnë si reflekse prej modernizmit të anatemuar europian, të cilët pavarësisht izolimit, hynë edhe në Shqipëri me Samizdat-in tonë të drojtur e Sui generis. Simulacrum-i poetik i këtij autori vërtitet midis esencializmit dhe përkujdesjes së përkorë ndaj imazhit.

Duke qenë se në poezitë me motive nga historia apo mitologjia, Rudolf Marku shfaqet qartë si esencialist Kavafian—një poet të cilin e ka shqipëruar jo vetëm në nivel kuptimor, por edhe në shtresën e strategjive retorike—mundësia e Agon-it të provokuar nga Aleksandriani i madh e bën leximin përmes prizmit të influencave dhe kapërcimit të tyre, pak të thuash atraktiv. Autori shpesh e mënjanon egzuberancën gjuhësore në favor të një asketizmi shprehës, i jep poezisë së tij teksturën e një proze të dëshmisë, në dukje me stil a-poetik e prapë thellësisht ritmike, me kadenca jo vetëm sonike por edhe kuptimore. Ambicioz dhe autentik njëherësh, Rudolf Marku e përqendron vëmendjen ndaj detajit, por dhe e kërkon origjinalitetin te synimi për të dislokuar tensionin a paradoksin e momentit historik duke e veçuar idenë si element strukturor, shpesh në vargjet përmbyllës. Konsideroni strofën-epilog të poezisë Nata e fundit e Ovidit në Romë;

Nesër nis udhëtimin për në vendin e Barbarëve
Tani që barbarët nisën të dynden në drejtim të kundërt, drejt qendrës,

Sepse barbarët e dinin prej kohësh,
Kur Roma i përze poetët e vet
Është koha e duhur për t’i rënë perandorisë.

Tek poezia ‘Të kryqëzuarit zbresin Golgotës’, ku farsa përshkruhet me rekuizitën e sublimes, proçedon krejt ndryshe; duke luajtur me tonin, i krijon vetes hapësirë për të shtuar elementët parodikë të pastishit; e zgjeron përmasën kuptimore të poezisë, por pa e nënvizuar idenë si element strukturor. I mbetet lexuesit plotësimi i rebusit:

Të kryqëzuarit zbresin Golgotës…
…Nuk i njeh askush. Pandehën se ishin Krishti.
I merr malli për një fishkëllimë
A një kunorë gjëmbash. Janë të vetmuar
Tek zbresin Golgotës. Ç’të bëjmë, ç’të bëjmë me jetën tonë?

Historia për të shpesh është rebus ngaqë Engjëlli i Historisë—ajo kroki e Walter Benjaminit—e humbet natyrën prej ‘spiritus familiaris’, nuk bindet lehtë për ta udhëhequr labirintheve gjarpërore të historisë. Më shumë se sa guidë, “Engjëlli i Historisë” për Rudolf Markun shfaqet si gardian në pritë—është një engjëll pagojës:

Vetë Engjëlli i Historisë të ka zënë pritë,
Me plagët e përhershme—masakra të Fatit,
Engjëlli i Historisë nuk na e thotë as vendin se ku jemi,
O vendi im!

Në një numër jo të vogël poezish, Rudolf Marku i lë vend hapsirës fizike, peisazheve, por të defamiljarizuara për të reflektuar tërë makthet dhe horroret e botës urbane, ku absurdi egzistencial shpesh shfaqet si rrezik imediat dhe i panegociueshëm; ku transformimi është shpesh trajtë e tëhuajëzimit. Si për të shmangur rrezikun e mondanitetit vanitoz, këto lloj lirikash i konstrukton me renditje detajesh të para me syrin e ftohtë të një reporteri neutral:

Milano. Alpet nuk janë larg prej këtu,
por mjegulla rri fshehur, e drojtur, e bardhë,
Në shoqëri ujqrish që i ulërijnë hënës
Presin veç çastin për t’iu sulur qytetit.

III

Duke e adaptuar historicizmin si parim dhe kusht Sin Equa Non, debati zyrtar mbi një histori gjithpërfshirëse të Letersisë Shqipe, edhe pse me një trajektore kohore disa-dekadëshe, ka mbetur ende në terma kuantitative—shtim apo përjashtim autorësh, kryesisht për arsye jo letrare. Leximi në dorëshkrim i librit të fundit të Rudolf Markut, ‘Rathë të brendashkruar’, të përforcon bindjen për nevojën e ngutshme të një aparati kritik krejt tjetër: hartimin (më në fund) të një Historie të Letërsisë Shqipe jo më si kënd monokrom emulacioni, por si një kanon korentesh estetike. Në një histori të tillë letërsie, roli dhe arritjet e Rudolf Markut si një forcë emancipuese në letrat shqipe, do të duhej të zinte një vend të merituar.

Evanston, Illinois, 2020.

Please follow and like us: