Albspirit

Media/News/Publishing

Udhëtimi i Isa Boletinit dhe  Mehmet Dërrallës drejt Vlorës në nëntor të vitit 1912

Sakip Cami

HISTORI, 108 VJET MË PARË

 

Udhëtimi i Isa Boletinit

 

Fillim nëntori i vitit 1912. Në kullën e Elez Isufit në Lisivalle kishte më shumë gjallëri se herët e tjera. Lisivallja ishte vendi ku lisat jo vetëm hidhnin valle, por edhe njerëzit hidhnin valle poshtë lisave shekullorë. Këtë vend të bukur e zgjodhi Elez Aga për troje e kulla kur u ngrit nga Dardha e u ngul këtu. Gratë kishin marrë furçet dhe po i jepnin një sherbet me gëlqere kullës brenda e jashtë. Burrat ishin ndarë nëpër detyra, dikush për të sjellë dru zjarri, dikush për të prerë berrat e mëzetrit, dikush për t’i dalë para mikut të largët e të rrallë.

Miqtë te Elez Isufi ishin të shpeshtë. Pothuajse çdo natë e çdo drekë shtrohej sofra. Kishin ardhur Bajram Beg Curri, Hasan Prishtina, Dan Cami, Mersim Dema e shumë e shumë burra dheu. Por këtë herë do të vinte Isa Beg Boletini prej Mitrovicës së Kosovës. Burri i Kosovës do të udhëtonte shumë kilometra për të ardhur e për të takuar mikun e tij të besës e mandej për të shkuar në kuvendin e pavarësisë së Shqipërisë.

Isa Boletini, në udhëtimin historik nga Mitrovica e Kosovës për në Vlorë, shoqërohej nga Tafil Boletini dhe Sali Spahija.

Në Lumë ata bujtën te Ramadan Zaskoci, prijësi i Lumës. Më pas  bujtën edhe te Islam Spahija, në Kolesjan.

Prej andej kanë ardhur në Kala të Dodës te Qazim Lika.

Lajmin në Kalanë e Dodës, se  pushtuesit serbe po marshon nga Kosova drejt Lumës e kanë sjellë Tafil Boletini e Salih Spahija. Ramadan Zaskoci e ka  shoqëruar mikun nga Kosova, sipas zakonit, deri në Kolesjan te Islam Spahija. Islami e ka shoqëruar deri në Kalanë e Dodës te Qazim Lika.

Qazim Lika e ka shoqëruar për në Sllovë te Elez Isufi. Në sinur kishin dalë njerëzit e Elez Isufit për ta pritur mikun e nderuar nga Kosova.

Ramadan Zaskoci është ndalur në Kalanë e Dodës ku ka takuar Ibrahim Gjorgjin dhe i ka kërkuar që të mobilizonte luftëtarët e Kalasë për luftë kundër serbit.

Vargu i miqve, luftëtarë nga Kosova dhe Luma arriti shëndoshë e mirë te kulla e Elez Isufit.

– Hajde bujrum e mirëse të ka pru Zoti o Isë Boletini!- e uroi Elez Isufi me duar në qafë.

– Mirëse të gjeta Elez Isufi ! -ja ktheu Isa.

Elez Isufi, Isuf Xhelili, Cen Elezi dhe burrat e fisit Ndreu ja uruan mirëseardhjen burrit të Kosovës dhe i prinë për në konakun e burrave. Në fillim Isa foli vetëm për vetëm me Elez Agën. Kishin do çështje lufte që nuk prisnin ma! Isa e informoi se punë ditësh dhe do të shpërthente një luftë e madhe e ndaj duhej ba gati.

– Gati kemi qenë dhe gati na ke, Isa Boletini! e garantoi Elez Isufi. Reçi e Dardha, Çidhna e Lura bëhen njëmijë pushkë, Isa Beg.

Më pas në konak hynë të gjithë burrat që u takonte të merrnin pjesë në këtë kuvend burrash. Muhabeti u bë për luftrat kundër Turqisë dhe për kërcënimet që vinin nga fqinjët veriorë, Serbia dhe Mali i Zi. Pushkëve të varura në mur u kishte ardhur ora të dilnin në fushë të mejdanit .

Udhëtimi Mehmet Pashë Derrallës

Udhëtimin nga Tetova për në Vlorë , për shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e flamurit të Skënderbeut, Mehmet pashë Derralla e kishte planifikuar nëpërmjet Dibrës. Më pas në Elbasan te Aqif Pashë Elbasni dhe më tej sipas udhëzimeve dhe mbrojtjhes së tij drejt Vlorës.

Pushimin e parë në Dibër Mehmet Pashë Derralla e bëri te miku i tij i vjetër Shaban Cami [1] në fshatin Viçisht të Dibrës.

– A don miq, o Shaban Cami? U dëgjua një za i fortë nga një grumbulli  i madh njerëzish të armatosur.

– Hajde bujrum e mirëse u ka pru Zoti, u përgjigj Bexheti. Bexheti ishte yzmetçiu i Shabanit nga një fshat i thellë i Dibrës së Poshtme. Por Bexheti  kishte marrë huqet dhe porositë e të zotit të shtëpisë. Tek Shabë  Cami vinin natë për natë miq dhe Bexheti ishte mësuar  me i prit e me i përcjellë, me ja mbajt kalin të parit të miqve, me i drejtue për te konaku e me i rregullue si ma mirë kuajt në grazhdet e posaçme për kuajt e miqve.

Në ballë të shtëpisë ja behu Bejaze Duka, e reja e Shabanit dhe e shoqja e Fetës:

-Mirësekeardh, or Mehmet Pashë  Tetova, të lumshin kambët!

Shabës i çuan fjalë dhe ai erdhi me hapa të shpejtë për mos me e lanë mikun me pritë. Xhveshi rrobat e punës dhe u vesh si për të pritur miqtë e rrallë. Veshi tirqet e zinj prej shajaku me gajtanë të kuq, mitanin e ri që e kishte ble në Shehër dhe xhamadanin kuq e zi. Ngjeshi kollanin e kuq, brezin  prej leshi të gjërë, që e rrotullonte disa herë për mesi dhe në fund vendosi patllaken e tipit të fundit. Në anën tjetër të kollanit  ndriste sahati me qostek prej sermi. Kësulën e bardhë me majë të rrafshët e mbante të bardhë si bora. E kishte merak t’i bëhej me njolla apo me rrathë djerse. E kishte blerë te qeleshepunuesi më i mirë i Shehrit.  Jakucen e hoqi se atë e mbante kur punonte ose  kur rrinte në lamën e madhe. Rrobat, Shabani i blente në Shehër. Në të shumtën e rasteve i porosiste tek terziu më i mirë i qytetit.  Ai dinte me lexue dhe lexonte shpesh një libër që  kishte në kapak Skënderbeun. Kishte një sënduk me libra, qitape, etj. Librin për Skënderbeun e mbante në faqen e përparme të oxhakut. Ai ishte anëtar i Klubit “Bashkimi” në Dibër të Madhe.

Pa u rehatuar  mirë miqtë nga Kosova dhe Tetova, oda u mbush me njerëz të afërt,  djemtë e  kushurinjtë e Shabanit.

Miqtë nga Tetova dhe Shkupi  u pritën me nderim të veçantë si miq të rrallë. Zjarri në odën e miqve bubullonte  dhe dukej sikur do t’i pëlciste gurët e oxhakut. Një kërcu në oxhak fishkëllente si për të lajmëruar motin e keq. Por moti i keq nuk mund t’i ndalonte luftëtarët e pavarësisë së Shqipërisë.

Në odën e miqve u shtruan shumë sofra me  burra atë natë . Sofra e parë ishte ajo e miqve të largët.

Pas bukës, në odën e miqve erdhi çiftelia. Kanga e Luftës kundër Hajredin pashës dhe e trimërisë së burrave të këtij zjarri kumboi më fuqishëm atë natë nëntori të vitit 1912.

-Rrugë të largët keni marrë, or Mehmet Pasha, me hajër e me faqe të bardhë! -ju drejtua Shaba, Mehmet Pashë Dërrallës.

-T’u rrit ndera, or Shabë Cami, bashk’ me ju!

Atë natë miqtë nga Kosova dhe Tetova ndenjën gjatë pa fjetur duke biseduar. Itinerari i  lëvizjes do të ishte nga Golevishti, në Moglicë, te Hoxhë Moglica dhe më pas në Elbasan, tek Aqif Pashë Elbasani.  Më pas Aqif Pasha, do t’ua siguronte udhëtimin drejt Vlorës. Deri në Moglicë i shoqëroi djali i vogël i Shabanit, Sinani.  Nga Shehri I Dibrës , deri në Vlorë do t’i shoqëronte  edhe Sherifi, muzikant me harmonikë.

Qeveria e re e Vlorës kishte nevojë edhe për orkestrën e saj dhe për këtë u mblodhën muzikantë nga e gjithë Shqipëria.

 

[1] Dëshmor i atdheut, vrarë nga serbët ne vitin 1918

Please follow and like us: