Albspirit

Media/News/Publishing

Gerry van der Linden, fituese e çmimit letrar të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”

 

Albana Shala

Gerry van der Linden është një poete holandeze ndoshta e njohur për lexuesin shqiptar si fituese e çmimit letrar të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” (Maqedoni). Çmimi vlerësoi gjithë veprën e saj poetike, të botuar tashmë në shumë gjuhë të botës, përfshirë edhe shqipen tonë.

Van der Linden njihet për miqësinë që kishte me Alan Gingsberg dhe Joseph Brodsky, për të cilin ka shkruar një cikël me poezi ‘Drekë me Brodskin’ (2017). Përveç poezise, ajo lëvron tregimin, krijon punë vizive dhe jep mësim në Shkollen e Shkrimit të Amsterdamit.

Van der Linden është nëna e një djali të talentuar dhe shumë simpatik Luan Buleshkaj.

Këtu po ndaj dy poezi të saj të shqipëruara prej meje një në gegnisht dhe një në standard:

Bota jeme po gjëmon

Bota jeme po gjëmon
lumejt përmbyten,
ndër krah tyne ka plas
rrmuja.

N’ brigje kurrkush nuk flen ma,
pika e kufinit të Mbretnisë
asht rrëmby e krejt asht fshi
prej nji hane rebele.

Nuk jam puth me minjte e ujnave,
peshkut krytin ia kam lan,
veshun ngjeshun e stolisun,
dallgt i shujta
tuj i përpi.
Dhe kam ndej tyj kqyr
sa bukur rrjedhin ato lumej
pa mue.

***

Atje ku bleron pisha

Koka e shatit
zgjatet drejt tokës, të madhërishmes
tokë pjellore.
Aromë gështenje, ajo kokë
i ngjan një gështenje.

Atje ku shtëpitë nguc vend zënë
si njëra tjetra, karriget në një vijë.
Larë e hekurosur rrobat
në hambar kositësi hungërin.
Symbyllur vjollcat në vëzhgim.

Atje ku secili heshtjen
derdh në barakën e zbrazët të fjalëve.
Shati nën këmbë
nëna me tabaka në dorë.
I vakët ruhet çaji.

Atje ku hapat hedh
mbi koka, anemonash fillikate pylli.
Atje ku shtëpia më pret, dhëmbë
mprehtë, ka ngrënë fëmijën e vet.
Edhe vajzat, edhe djemtë.

Please follow and like us: