Albspirit

Media/News/Publishing

Xhovalin Delia: Kur Muharrem Fejzo më sillte ndër mend Felinin…

FEJZO = FELLINI

Kur kam parë për herë të parë nga afër Muharrem Fejzon në Tiranë për një moment kam menduar se isha pranë Federico Fellinit në Itali. Kur kam parë nga afër Fellinin në Itali, kam menduar se isha me Fejzon në Shqipëri. Kur shihja Fellinin në televizion, këtu në Itali më shkonte mallin e Fejzos në Shqipëri. Kur lexova homazhin e Luan Rama për Fejzon u preka dhe qava për të dy.
Për mua, këta dy njerëz sa të thjeshtë aq titanë, sa sobrio aq bohemë, sa të heshtur aq të thellë, sa të ndryshëm po aq të ngjashëm, kanë qenë e mbeten NJË, njerëz e artistë të mëdhenj 360°.
Muharrem Fejzo ka hyrë shpejt në memorien time si EMËR, lexuar në titrat e filmava të tij. Imazhi tij ka hyrë më vonë dhe pa e ditur se i përkiste emrit MUHARREM. Emri i tij “i vjetër tradicional oriental” nuk më përputhej me imazhin e tij realmodern perëndimor. Impakti i parë me Fejzon ka qenë si me një “të JASHTËM” italian, fellinian. Dhe i tillë ka mbetur në arkivin tim, ku, bashkë me disa individë ka hyrë sikur të ishte në shtëpinë e tij, pa më pyetur mua. Këta “personazhe reale janë bërë pjesë e families time real e ma ta jam rritur e prej TYRE veç kam mësuar. Më vonë, shumë më vonë, kur ëndrra ime FILM, do të bëhej realitet (1985), kam patur nderin e kënaqësinë të ulem pranë këtij burri të mirë e mjeshtri të madh në laboratorin artistik kinematografik “Kinostudio “Shqipëria e re”.
Nuk kemi qenë miq, por e admiroja nga larg siç nxënësi admiron mjeshtrin e tij.
Muharrem Fejzo është ndër ato pak ikona të kinostudios që KRIJUAN nga hiçi filmin shqiptar. Përulem me respekt para këtyre njerëzve të lartë, të mençur, e të gjerë, që i dhanë aq shumë Shqipërisë pa marrë asgjë prej saj. Veç baltës së propagandës së shtihanëve “antikomunistë”. Faleminderit nga zemra të gjithë artisteve e artistëve shqiptarë të realizmit socialist që me artin tuaj na e pasuruat jetën e varfër e ne ëndërrimtarëve artistë na mësuat falas magjinë e artit. U jemi borxhli përjetësisht veprës tuaj të vyer.
Arti ka një emër që quhet art, e nuk ka rëndësi mbiemri, as kush e bën e si e bën. Ai që bën art ka një emër që quhet ARTIST, e çmohet për artin që ka bërë e jo nga mbiemri e biografia. Arti i realizmit socialist është periudha më ndritur në historinë e ARTIT shqiptar. Arti kinematografik, fillon në realizimin socialist që, për fat të keq ORA e filmit shqiptar aty ka mbetur, tek “arkivi i filmit”. Arsyeja nuk është se mungojnë kineastët e rinj, ëndrrat kinematografike e as pasioni shqiptar për filmin. Jo. Fatkeqësia është se ëndrrat e PASIONIN kinematografik po e abortojnë MATRAPAZËT që kanë marrë vulat e çelsat e kinematografisë shqiptare.
Shteti shqiptar postkomunist e ka rrënuar artin në përgjithësi. Jo vetëm nuk ka investuar e nuk po investon, por ka RRËNUAR E PO RRËNËNON edhe investim kolosal që pati bërë shteti komunist, “etërit e këqinj”.
Mjerë ai bir që mohon babain, e mjerë ai komb që rrënon trashëgiminë kulturore. Ashtu si bima që ka nevojë për tokën për të ngulur rrënjët ashtu edhe biri edhe kombi kanë nevojë per atin e ARTIN.
Nuk është i vetmi Muharrem Fejzo që shuhet në heshtje e në varfëri. Janë plot artistë me “A” të madhe e të vogël që janë harruar nga shteti e shoqëria shqiptare.
Kazanët mediatikë lanciojnë e proklamojmë banalen duke përbaltur me apo pa dashje të vyeren. Askush nuk ua afron mikrofonin artistëve me eksperiencë e urtësi që themeluan artin e kinematografinë shqiptare.
Kryeministri artist e bir artisti i detyrohet shumë më shumë se çdo kryemistër laik artit e artistëve shqiptarë. Mëkatin e madh që ai ka bërë me shëmbjen e TEATRIT KOMBËTAR, mund ta laj duke ringritur një teatër kombëtar MUZE, duke KTHYER NË IDENTITET E ME DINJITET kinostudion “Shqipëria e re” e duke ia besuar artin e kinematografinë njerëzve të ditur e të denjë që e duan artin e filmin. Duhet pastrojë edhe “brutalisht” këtë vend të shejtë idesh, vizionesh e idealistësh nga mazrapazë sharlatanë.
Ashtu siç me të drejtë mbron babain e tij artist, ashtu duhet të mbrojë me guxim, drejtësi e ndershmëri intelektuale artistike edhe artin e artistët e realizmit socialist e postkomunist. Jo për mëshirë, por si vlerë, si segment i historisë tonë gjysëm shekullore e SIDOMOS për ardhmërinë e artit tonë. Mjaft me barbarizma idiote e primitive antikomuniste!
T’i heqësh realizmin socialist nga historia e artit shqiptar e SIDOMOS të mohosh artin kinematografik, është njësoj sikur t’i heqësh krishtërimin artit perëndimor. Madje më keq akoma. Nëse në historinë e artit perëndimor do të mbetej ajo para Krishtit e mbas, në Shqipëri mbet pak o hiç.

Please follow and like us: