Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Kallamata: Përtej dorëheqjes së ministrit Lleshaj

Nuk e njoh dhe nuk kam bërë asnjë përpjekje ta njoh Sandër Lleshajn. Nuk hyn fare në sferën e interesave të mia dhe, për më tepër, duhet ta pranoj që kam një paragjykim jo shumë pozitiv për këdo që pranon të marrë postin e Ministrit të Brendshëm. Megjithatë, më duket sikur ndaj tij po tregohet padrejtësi.
Lleshaj dha dorëheqjen. Vetëm për këtë duhet respektuar. Është diçka që jo çdokush e bën në Shqipëri, një veprim që ndoshta që nga viti 1944 e këtej nuk e kanë bërë vullnetarisht më shumë njerëz se sa mund të numërohen me gishtat e njërës dorë.
Institucioni i dorëheqjes, aq i domosdoshëm për demokracinë, është thuajse i panjohur në kulturën shqiptare. Prandaj mendoj se, në vend që të sulmohet egërsisht, Sandër Lleshaj duhet të përshëndetet, të përkrahet për këtë shenjë të rrallë përgjegjësie.
Kur një ministër jep dorëheqjen ai rrezikon të vihet në linjë të kundërt edhe me të vetët, duke iu shtuar këtyre kundërshtimin e opozitës që e ka pasur vazhdimisht dhe që është e natyrshme ta ketë. Prandaj dorëheqja është veprim i guximshëm. Faktikisht, Lleshaj sot po përballet me të paktën indiferentizmin e të vetëve (socialistëve) që duket se ia kanë hequr vizën dhe me klithjet jo dhe aq të qytetëruara dhe aspak fisnike të krahut tjetër, që s’merret vesh ç’kërkon.
Vërtet, ç’duhet bërë me Lleshajn tani? Ta kapim, ta burgosim, ta linçojmë, ta shpallim armik të përjetshëm?
Dhe përse? Çfarë do arrihet?
E vetmja gjë që arrihet nga gjithë kjo histeri është që ata të tjerët, ata që shpresojmë ta japin një ditë dorëheqjen duke i dhënë mundësi vendit të marrë frymë lirisht, do të vazhdojnë të mbahen edhe më fort pas karriges dhe të mos lëshojnë pè sikur nami të bëhet.
Moralisht, ne duhet të tregohemi pak më fisnikë, më zemërgjerë, më falës ndaj atij që nuk është më i pushtetshëm. Nuk them ta lavdërojmë, por të paktën të përshëndesim veprimin e dorëheqjes.
Taktikisht, politikisht, duke ua bërë sa më të lehtë zbritjen nga karrigia atyre që japin dorëheqjen, krijojmë mundësinë që shembullin e Lleshajt ta ndjekin edhe të tjerë.
Në fund të fundit, dorëheqja e Lleshajt tregon se ai nuk ka frikë, domethënë që nuk ka shumë gjëra për të cilat të ketë frikë. Ndoshta, dhe ketu nuk e ve dorën në zjarr, ai nuk është edhe aq i përlyer në baltën e korrupsionit sa të ketë frikë.
Please follow and like us: