Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Emiri: DHE VETË FATI, VARUR NË NJË GOZHDË!      

                                                                                     

 

Ngjarje e jetuar

 

Ka qenë viti ‘86. Kishin mbërritur në fazë kulminante punimet për ndërtim-montimin e uzinës së vajrave lubrifikante në Ballsh. Me teknologji rumune dhe kapacitet prodhimi tridhjetëmijë ton në vit, zgjatej në vazhdim të uzinës së përpunimit të thellë të naftës.
Punohej me ritme të larta dhe kishte marrë formë të plotë mbas një pune dy vjeçare. Objektet e saj lexoheshin në përmasat mbresëlënëse, në shtrirjen sa gjatë-gjerë në luginën e lumit ‘Gjanica’, në grykën e Aranitasit, Mallakastër. Spikatnin strukturat e larta ndërtimore dhe kullat metalike, të gjitha lidhur me estakadat e fuqishme, ngarkuar me rrjetet e panumurta të tubacioneve teknologjike. Gjithë ambienti ishte i elektrizuar. Personeli inxhiniero-teknik ishte gjatë gjithë kohës i tensionuar. Nuk mbaronin problemet që kërkonin zgjidhje. Bëhej çmos të shmangej mbivendosja e tyre, por nuk mungonin të papriturat…
U dëgjua një trokitje e lehtë, tepër e kujdesshme, që nuk i shkonte hiç për shtat zyrave të kantierit brenda territorit të uzinës. Pikërisht, kjo drojë trokitëse bëri shumë përshtypje. Nuk bënte vaki! I kthyen si me komandë kokat, kureshtarë, gjithë sa ishin në zyrën teknike. Uaaa! Paskish edhe njerëz të ‘sjellshëm’ ai kantier, ku ligjin e bënin zhurmat e larta nga puna e njëkohshme e morisë së makinerive dhe paisjeve?
– Hyyyrë! – u dëgjua e bërtitura e njerit prej inxhinierëve të ‘revoltuar’ nga kjo lloj qytetarie. U hap përgjysëm dera dhe u shfaq Gafuri, që, pa e lëshuar dorezën, i mbështetur përgjysmë tek kasa, iu drejtua inxhinierit të kontrollit teknik:
– Ka mundësi një minutë?
– Po hyr, o Gafur, ç’mendohesh?! – i foli inxhinieri, të cilit titullin ‘inxhinier’ ia kishin kthyer në ‘emër’.
– Jo! – tha, me një gjysmë buzagazi brigadieri i veshjeve zjarrduruese dhe tërhoqi derën përsëri.
– Aau! – psherëtiu inxhinieri. Ishte një vizitë e rrallë dhe kënaqësi e veçantë të prisje atë specialist me emër, një brigadier i jashtëzakonshëm, nga ata, më të rrallët, që nuk kishin nevojë për inxhinierë në objektet që u ngarkoheshin, mjaftonte t’i furnizoje rregullisht me materalet e nevojshme. Ishte ky shkaku që këtë kategori nuk e shikoje kurrë nëpër zyra, përveç rasteve kur i thërrisnin në ndonjë mbledhje. I porsathirruri la ç’kish nëpër duar dhe doli.

– Hë, Gafur, ç’kemi? Shyqyr që na erdhe një herë në zyrë, or burrë! Ç’e mirë të solli? – dhe e tërhoqi në drejtim të kafes së Sadushes, tek ndërtesa e administratës së shfrytëzimit.
– Jo! – tha brigadieri. Nuk do shkojmë për kafe, do shkojmë në objekt, tek furra. Duhet të shikojmë diçka sëbashku dhe pa e zgjatur u nis i pari. Kjo ikje pa fjalë e ndryshoi atmosferën. “Diçka jo e mirë fshihet pas kërkesës me ngutje” – mendoi inxhinieri. Çfarë mund të kish ndodhur? Veshja e të gjitha sipërfaqeve të brendshme me beton në furrën vertikale kuadratike, ku punonte brigada e tij, ishte në ditët e saj të fundit. Mundësinë e ndonjë aksidenti e përjashtoi. Po të kish ndodhur, nuk mbahej fshehur. Do të ishte marrë vesh sa hap e mbyll sytë. Kjo analizë e ngrohu disi, por heshtja dhe fytyra e shqetësuar e Gafurit ishin detyruese.
– A i mbaruat tavanoret? – pyeti, duke menduar se mund të kish lindur ndonjë e papritur në pjesën më të vështirë për realizim. Nuk ishte e lehtë të ngjiste në tavan ‘torkreti’, sikundër quhej betoni që hidhej me presion ajri nga posht-lart nën sipërfaqen xham të llamarinës, ku duhet të arrinte trashësinë dymbëdhjetë centimetra.
– Gjithçka ka përfunduar dhe betoni ka dalë shumë i pastër, por më shqetëson diçka tjetër, që dua ta bisedoj vetëm me ty. Kur të ngjitemi lart, do të ta tregoj.
Përmes shkallëve të jashtme të trupit të furrës metalike u ngjitën në krye, rreth pesëmbëdhjetë metër nga toka. Porta e rëndë metalike ishte e hapur. Hynë direkt tek skela e punës brenda furrës, por u desh të kalonin disa minuta që shikimi të ambientohej me gjysëmerrësimin e ambientit të mbyllur… Gjithçka dukej normale. Betoni zjarrdurues ishte i pastër, sipërfaqja e rrafshët pa asnjë valëzim, ngjyra gri uniforme dhe asnjë lloj plasaritje. Punë e përkryer. Inxhinieri ia nguli sytë brigadierit. Gafuri e dinte se meraku që i kish lindur atij nuk mund të dallohej me sy.
– Nuk po më pëlqen prova me gozhdë. – tha për të justifikuar ftesën e pakëndshme.
– Çfarë prove bën me gozhdë? – iu kthye inxhinieri, që e dinte mirë se në kushtet teknike të zbatimit nuk kishte dhe nuk mund të kishte provë të tillë për cilësinë e betoneve zjarrduruese. Ça dreq prove bën me atë gozhdën ti, o Gafur vëllai?
– Kot, për merakun tim unë e kontrolloj ngurtësimin e betonit me gërvishtje, apo duke e ngulur gozhdën në beton në ditët pas betonimit.
– Dhe? – nuk po i durohej inxhinierit.

– Kësaj here, dy ditë më pas, gozhda u ngul me lehtësi, krahasuar me betonimet e deritanishme. E godita si gjithmonë dhe gozhda u fut plotësisht, pa pas nevojë për rrahje të tjera. M’u tremb sqepari në dorë! Ngriva! – dhe Gafuri mori atë pozicion si e kish përjetuar.
– Pa ta përsëritim tani provën!
E nxorri gozhdën nga xhepi, si të ishte instrument laboratori, dëshmitar i gjëmës dhe mjaftoi një goditje që të hynte pa shumë vështrësi. Inxhinieri u pre. I shkuan mornica në trup. Praktika e punës që kishin diktuar të huajt në atë objekt nuk parashikonte prova para përdorimit të materialit zjarrdurues, për të cilin furnizuesi ishte vetë garant. Në kontratën e lidhur mes dy shteteve ishte përcaktuar se furnizimi me materialet teknologjike, përfshirë edhe veshjet speciale, ishte detyrë e palës rumune.
– Me kë e ke biseduar këtë problem?
– Me asnjeri! Pa e biseduar me ty, që je i ngarkuar të ndjekësh këto punime, nuk mund ta bëj muhabet me asnjë!
– Po shokët e brigadës e dinë?

– Jo! Disa që e dinë, ‘nuk e dinë’!
– Po me inxhinierin rumun, që mbikqyr punimet zjarrduruese, nuk e ke biseduar?
– Ia tregova, më gjeti me gozhdë në dorë, por nuk i dha rëndësi: “Vazhdoni”! – më tha.
– Gafur, ke bërë mirë që nuk i ke rënë kambanës. Le ta shohim me kujdes vetë dhe të krijojmë një ide më të qartë. Skelën e ndërtimit mos e zmontoni! Le të jetë në pritshmëri deri sa të vendoset se nuk do ketë nevojë për ndërhyrje. Ndërpreni përkohësisht punën me këtë lloj betoni deri në një urdhër të dytë! Brigadën mos e lerni pa punë, manovro me  procese të tjera, të mos bjerë në sy pezullimi!
– Këtë mendje kisha edhe vetë dhe mezi prita të takoheshim, ta diskutonim bashkë. Unë tani mund të rri i qetë inxhinier.
– Jo i qetë, po i prejtur! Fli rehat ti, se pa gjumë do mbetem unë! Në pamje të parë duket si gjë pa rëndësi, siç e ka konsideruar edhe inxhinieri rumun, por nuk i dihet. Duhet të zbulojmë ku fle lepuri për ngurtësimin e ngadaltë. Ti ndiqe me metodën tënde në ditët në vazhdim, se, kushedi, ndofta e rrit markën pak më vonë… Sidoqoftë, i dashur Gafur, ty të lumtë që e vlerësove atë që konsiderove jonormale dhe kjo i tejkalon kufijtë e përgjegjësisë tënde. Tani eja ta pimë atë të shkretë kafe bashkë! Rrugës sqarojmë kush e ka radhën për qerasje, se ti e di, mua, si gjirokastrit, gjithmonë më duket se nuk është radha ime, por sot, u pa puna, do ta djeg!…
Tek kafja e pleqëruan ta bisedojnë edhe me asistent-inxhinierin, specialistin e investitorit, me të cilin u ra dakord të mos e publikojnë shqetësimin para kohe, me idenë se mund të ishte hamendësim i gabuar dhe bëheshin kot gazi i botës, të qeshnin me ta i madh e i vogël. Ndërkohë inxhinierit të kontrollit teknik, kjo barrë e re po ia vriste keq kurrizin. Kur shkonte nëpër mend pasojat, rrëqethej… Dyshimi për cilësinë e materialit të betoneve speciale, ardhur me vapor në furniturën e fundit, po i shtohej. Po a mund ta ngrinin këtë shqetësim? Nuk ishte e lehtë të akuzoje palën e huaj thjesht me dyshimin e një brigadieri, mbas provës së tij me gozhdë. I përfshirë nga kjo ide, nxitoi të bëjë kontroll pamor të gjithë matrialit gjendje, por edhe pse u hapën qindra thasë cep më cep magazinës, nuk dalluan asnjë lloj ndryshimi në pamjen e jashtme. Pra nga ngjyra materiali ishte uniform. Kjo ia zbehu parashikimin, megjithatë vendosi ta qajë hallin me të zotin e mallit.
I kërkoi takim specialistit të palës së huaj, kandidat i shkencave teknike për veshjet zjarrduruese, i dyti në shtetin e vet pas profesorit, sipas prezantimit të bërë në fillim prej vetë atij.
– Ndihem i detyruar t’u bëj të ditur, se në furrën e objektit 200 ndodhemi para një dukurie që ngjall dyshime.
– Dyshime?! Ooo?! Cili është shqetësimi juaj? – përktheu Përparimi, përkthyesi i ‘Përfaqësisë të Investitorit’.
– Po ja! Nga ana jonë është konstatuar se betoni i ditëve të fundit në veshjen e brendshme të furrës 200 ka veti të ndryshme nga betoni i përdorur në furrën tjetër, ndërsa projekti juaj parashikon të njëjtën lloj veshje.
– Konkretisht, për çfarë ndryshimi e keni llafin?
– Me një mënyrë kontrolli të thjeshtë është diktuar se betoni i ri merr ngurtësim, dukshëm, më të vonuar. Kjo na shtyn të mendojmë se ky beton ka veti fiziko-mekanike të ndryshme dhe konkretisht është me karakteristika më të ulëta.
Në vend të turbullimit, në fytyrën e specialistit të huaj më tepër lexohej shprehje e shkujdesur, ndofta dhe mospërfillje, ndaj inxhinieri i merakosur vazhdoi të këmbëngulë: Juve jeni vënë në dijeni nga specialistët tanë të zbatimit në objekt dhe mund ta keni pikasur njëlloj si ne, ose para nesh, këtë ndryshim, ndaj gjykuam ta diskutojmë…
– Po, jam në dijeni të një farë kontrolli të kryer, përktheu Papi, ndërsa i porsapërkthyeri kish vënë buzën në gaz dhe me të dy duart e ngritura lart bëri shenjën e nguljes së gozhdës mbi një faqe vertikale, për të treguar se e kish bërë për të qeshur niveli ‘shkencor’ i kontrollit të palës shqiptare. Nuk përfaqëson gjë ajo provë. Betoni në furrë ka dalë mirë, ndonjë difekt i vogël nga mënyra e zbatimit, që i ul parametrat, nuk ka pse të na bëjë merak. Ju duhet të vazhdoni! – tha pa e fshehur habinë, që i kish ngjallur vendimi i vendasve për ta ndërprerë punën.
– A nuk do të ishte më mirë që ju të merrni kampione betoni direkt nga veshja e realizuar mbi faqet vertikale metalike dhe t’i analizojmë në laborator? – i tha si me lutje inxhinieri, që e dinte se ata e kishin sondën laboratorike të marrjes së kampioneve direkt nga muri.
– Po të ishte e nevojshme, sigurisht që do ta kisha bërë, por… – dhe shikimi i vendosur dhe dashamirës i tij e detyroi inxhinierin të tërhiqet, ndonëse i pabindur e i pakënaqur.
Në këtë takim nuk ndodhi ajo që priste inxhinieri. Nuk e përfshiu hiç shqetësimi palën e huaj, furnizuesin e materialit, që sëbashku, të dyja palët, të kryenin analiza e prova kontrolli dhe të siguroheshin plotësisht para se uzina të lëshohej në punë me ngarkesë. Në këndvështrimin e tij opinioni i specialistit të huaj ishte, në mos thjesht mosvëmendje, një ushtrim disi shpërfillës i autoritetit që ia siguronte pozicioni i mbikqyrësit të punimeve. Veç, në këtë mes kish diçka që nuk shkonte, një lloj kuptimi të përmbysur: Mbikqyrësi ngulte këmbë se puna ishte kryer mirë, ndërsa punëbërësi protestonte se puna e duarve të tij ishte e keqe, e dyshimtë. Kësaj i thonë: “I zoti do, tellalli s’do”! Po ky arsyetim nuk mund të qëndronte më këmbë sapo mendoje se materialin e sillte pikërisht mbikqyrësi dhe dyshimi i ndërtuesit ngrihej mbi cilësinë e mallit të tyre.
Inxhinieri doli më i menduar se sa hyri në këtë takim. Përbrenda përgjigjen e konsideroi jo serioze, aspak teknike, pa argumenta, gati-gati si një ‘hedhje hi syve’… Aludimi shkaras, se kush është fajtor, ishte i papranueshëm. Zbatimi i punimeve ishte kryer njëlloj si në furrën e mëparshme, në kushte të ngjashme dhe nga i njëjti grup ndërtuesish, nga më të mirët.
Nga ky takim iu shtua edhe një kat shqetësimit. Edhe kjo iu mungonte! Në jetën e kantierit situata bëhet dramatike sa hap e mbyll sytë. Aty nuk të zënë këmbët dhé, nuk mban ujë pilafi për diskutime akademike, nuk ka kohë për të tjerrur probleme pa fund. Duhet vendimmarrje e shpejtë dhe e saktë për gjithçka, ndryshe dilet nga loja dhe e sheh veten në stol, në stolin ku nuk të lë kush të ulesh… Ndërprerja e punës në betonimet speciale nuk ishte një fjalë goje. Në fund të pesëmbëdhjetditshit punëtorët e brigadës duhet të merrnin rrogën dhe paga nuk merrej duke dredhur zinxhirin. Vërtet nuk ishin shumë, por nuk ishin as pak. Mbi njëzet burra! Por nuk ishte problem vetëm paga, madje ajo nuk ishte e keqja më e madhe, apo pasoja më e rëndë. Ohu, sa të tjera ishin para saj! Duhej shpejtuar, duhej shpejtuar!!
Një rrugëzgjidhje për ta hequr sëpaku telashin nga vetja ishte, t’u dërgohej shkresë zyrtare, ku të dokumentohej shqetësimi i lindur dhe të sigurohej përgjigjja me shkrim prej tyre. Nëse mbas lëshimit të uzinës do të ndodhte difekti në furrë, përgjegjësia do të binte mbi ta dhe…

Ah, përgjegjësia…! Mirë përgjegjësia, po pasojat? Pastaj, çfarë përmasa mund të merrnin rrjedhojat dhe a mund ta ndjenin veten të qetë e ‘të larë’ ndërtuesit mbas tmerrit të shpërthimit thjesht me përgjigjen e të huajve në një copë letër?
Si ndërtues, inxhinieri nuk ishte në gjendje të parashikonte saktë rreziqet që do të shkaktonte avaria në uzinë, ku mazuti ishte lënda e parë, por idenë si funksiononin furrat e kishte nga uzina gjigande e përpunimit të thellë të naftës, po aty. Pamja përbrenda furrave që nga frengjitë e kontrollit kish qënë mbresëlënëse. E bukur! Tronditëse! Një flakërimë! E frikshme! Gjithë muret e brendshme marrë ngjyrën e kuqërreme, të lëpira nga flakët që lëshonin vertikalisht sprucatorë të fuqishëm nga dyshemeja dhe, pa u shkëputur nga këto imazhe, inxhinieri përfytyronte se si do fillonte dëmtimi i veshjes zjarrduruese, rrjedhojë e ngritjes së temperaturës në nivelet 600-900 gradë. Fillimisht do shkërmoqej betoni në tavan dhe më pas në muret, duke nxjerrë zbuluar para flakëve të zjarrit këmishën metalike të furrës, e cila do skuqej, zbutej dhe do shëmbej… Tubacionet gjarpëruese, montuar në faqet e mureve, brenda të cilave ndodhte procesi i ndarjes së fraksioneve të mazutit nga temperatura e lartë, do të çaheshin, shoqëruar me eksplozion, shpërthim të fuqishëm flakësh…
Teknologëve të shfrytëzimit nuk do t’u mbetej gjë tjetër në dorë, veç të ndalonin sa të mundnin më shpejt procesin teknologjik dhe të shuanin zjarret. Ama, nuk ishte një fjalë goje ndërprerja, se ndërkohë mund të ndodhte hataja, shoqëruar me dëme të konsiderushme materiale dhe jetë… më shumë se të rrezikuara! I tmerruar nga ky përfytyrim shkoi nëpër mend të konsultohej me teknologët e uzinës për kufijtë e rrezikut, por e mblodhi shpejt. Po të pyesje: “çfarë mund të ndodhë në uzinë, nëse digjet furra e objektit 200”, nuk kish nevojë të digjej hiç ajo furrë! Menjëherë ‘i interesuari’ do konsiderohej i dyshimtë dhe me shumë gjasa pjesë e ndonjë plani armiqësor, plan që edhe pse nuk i kish shkuar kurrë nëpër mend, do t’i duhej ta zbërthente ‘fije e për pe’, njëlloj sikundër do ta shpërbënin atë, fije-fije, gjatë lemerisjeve në hetuesi…
“Dreq o punë! Ç’ishte ai qëndrim aq i thatë, aspak teknik, madje shpërfillës, i shkencëtarit të huaj”? – ishte mërmëritja që i shpëtonte, pa mundur të mos bëzante. Kjo pyetje ia trazonte dhimbshëm hera-herës plagën e hapur, ndaj në morinë e punëve që kish në disa kantiere çekani në trurin e inxhinierit po godiste më fort pikërisht ‘gozhdën e Gafurit’: “Përse nuk reagon njëlloj me ne mbikqyrësi i huaj i punimeve”? Atë fajin, që ua delegoi me lezet, nuk kish samar ta mbante sipër pa rrëzuar ‘kalin’! Aq më tepër që nuk u takonte. Duhej shkarkuar! Medoemos! Po si? Eeh, ç’po bëhej i dyshimtë edhe vetë mbikqyrësi i punimeve speciale!
Atmosfera e kohës ishte e ngarkuar me idenë se Shqipëria ishte e rrethuar vetëm me armiq. Rumania konsiderohej vend revizionist, si gjithë blloku i vendeve socialiste të Europës Lindore nën ‘çatinë’ e Bashkimit Sovjetik, armikut më të madh të Shqipërisë, njëlloi si imperializmi amerikan*. E para gjë që të shkonte nëpër mend në atë kohë ishte linja e sabotimit, ndërsa dukej e pallogjikshme: “Si do sabotonin të huajt në këtë kontratë, ku vetë ishin përgjegjës për mbikqyrjen e punimeve dhe për vënien në punë të uzinës, e cila po ndërtohej sipas projektit të tyre dhe me materialet teknollogjike të sjella po nga ata”? Po, sapo të mendoje këtë, ndjeje se po i qaje hallin ‘a r m i k u u u t’!
Në grackën e logjikës e të arsyes nuk duhej të bije kurrsesi! Mendjen nuk duhej ta lije të punonte fare. Edhe po të rastiste ‘punëtor’, i zoti të mos e dëgjonte hiç atë, madje as ‘padashur’, por mbi të gjitha të mos hapte gojë! Mendja të merrte më qafë! Për shkakun e saj kishin hyrë në burg me mijëra. Burgjet qenë mbushur plot e përplot… ama, asnjë budalla brenda! Pse? Sepse më të mençurit, ‘të mençur iu thënçin!’, harxhonin kot të tyren, kur mendjen ua kish dhënë dhe ua jepte falas çdo ditë partia në pushtet. Mbaje ore personalen rezervë, qari yt, se të është bërë kësmet! Jo, ca! Ashtu, ëëëëë?! Në rreguuull, shuuumë në rregulll! Veçse, partia të ka dalë borxhit, more ‘qafir’. Në qoftë se ti nuk je i zoti ta burgosësh vetë mendjen tënde, urdhëro, futu në burg ti, i zoti dhe lere jashtë hekurave të livadhisë atë budallaçkën që ta mban me kimet kafka…”!
Inxhinieri iu kthye realitetit. Kujtoi si çaheshin para disa vitesh fortafolëset nga transmetimi i gjyqeve me sabotatorët në ekonomi, sidomos në naftë, saktësisht në prodhimin e naftës. Jehona e dënimeve të rënda deri në pushkatime, rënë mbi inxhinierë nga më të zotët, nuk ishte shuar. Nuk e patën kursyer as ministrin e industrisë, anëtarin eBbyrosë Politike të Komitetit Qendror, inxhinier i lerauruar në Sorbonë, Paris. Parti-shteti i diktaturës ua kishte frikën më të mençurve, por mjerë i mençuri që nuk kish frikë e nuk ruhej nga ajo! Veçse, çudi e madhe me të diturit. E kishin të vështirë të bënin papagallin e kafazit, donin të cicërinin në natyrë… Edhe bufi e dinte se po të të vinte gishtin Partia mund të ngjiteshe në majë, në parajsë, po mund të shkoje edhe në ferr. Se varej, kur dhe ku, në ç’vend… ta vinte gishtin ajo!
“Një minutë, ju lutem, të sqarohemi! Në ferr shkohet pasi ke ndërruar jetë, jo kur je gjallë”. “Kjo është shumë e vërtetë, por ndodh kur ka Zot”. Në Shqipëri diktatura, pasi e çpronësoi në vitin ’66, e pati internuar Zotin! Ia kish marrë edhe çelësat dhe dyert e botës së përtejme i hapte e i mbyllte sipas qejfit. Rregulloria hyjnore e Perëndisë ishe shfuqizuar, ishte konsideruar e mangët! E plotësuar nga tokësorët e rregjimit ia kalonte për nga fuqia Asaj, aq sa të çonte në ferr para se të vdisje, po-po, në ferrin e torturave, madje në ferr mund të të çonte herë pas here…
Ndërkohë propaganda buçitëse e kish bërë të vetën. Qe shtuar vrullshëm nuhatja për sabotime në popull. Çfarë nuk të dëgjonin veshët në të dy orët e udhëtimit me trenin e punëtorëve Fier – Ballsh e kthim çdo ditë! Kishin mbirë si kërpudha mbas shiut gjahtarë sabotimesh që ‘flinin me çifte në krah’, aq sa, të përgjumur, në ëndërr, arrestonin bashkëshorten në dyshek: “Ta kapa”! “Plaç se më tromakse, o i luajtur! Uaaa, të kapa, thotë, po ç’kape mo burrëzi? Të është bërë mendja armiq e sabotatorë? Edhe kush?! Po ti, o lumëmadh, edhe mua më përpara më lëshon se sa më kap…”! Ishte bërë si sport masiv zbulimi. Qe zgjuar nuhatja, nxitur nga partia që mirëpriste të ndihmohej nga populli me denoncimin e qendrimeve e veprimeve armiqësore. Dhe ‘vu letrat’!
Për inxhinierin ishte dridhëruese ideja se emri i tij mund ta ‘ndihmonte’ partinë si pjesëtar i një grupi sabotator në uzinën e vajrave lubrifikante… Ndjenja e vetëmbrojtjes, pleksur me përvojën, e shtynte të mendonte se situata tek furra 200 ngjante si një ‘hedhje guri e fshehje dore!’ nga të huajt. “Ore, mos po na i dredhin këta dhe na lënë dobiçin në derë”?!

Inxhinieri jepte e merrte me vete. Ndërsa kish pezulluar vazhdimin e punës, i duhej t’i vinte kokë muhabetit. Pezullimi nuk mund të zgjaste pa fund. Nuk bëhej shaka! Vonesa e vënies në punë të uzinës përkthehej në dëm të madh ekonomik për shtetin. E ç’bënin më shumë sabotimet? Parandalimi i sabotimit të dyshuar tek furra, po i hapte shtegun një tjetër sabotimi, atij ekonomik. Kalimi i ditëve e vinte inxhinierin mes dy zjarresh sabotimi dheee… le të zgjidhte kë të donte!…  Një nga të paktat liri zgjedhjeje në atë kohë!
Në kokën tym i bulëzonin ide mbijetese… Po sikur… ? Përshembëll, shpërndarja e përgjegjësisë mund të ishte një masë lehtësuese, por ç’e do?! Për fat të keq problemi i betoneve zjarrduruese nuk mund të bëhej objekt diskutimi me personelin teknik në ndërmarrje. Inxhinierët e ndërtimit nuk kishin njohuri për betonet speciale, zjarrduruese apo antiacide, antibazike etj. Në fakultet nuk trajtoheshin, me përjashtim të informacionit kalimtar se egzistonin edhe të tilla. Ai, vetë, po, kish patur fatin të merrte njohuri dhe përvojë gjatë ndërtimit të gjigandit petrokimik, UPTHN Ballsh, me projekt e teknologji kineze, ku u ndërtuan dhjetra furra gjigande industriale. Si përgjegjës i kontrollit teknik, kish ndjekur nga afër punimet e drejtuara nga Kristua, inxhinieri i talentuar, shoku i kursit në fakultet. Njihte gjithashtu kushtet teknike të zbatimit, sjellë nga Kina dhe pati drejtuar gjithë kontrollin laboratorik të betoneve speciale, trajtuar në të njëjtat kushte me ato të shfrytëzimit, përfshirë temperaturat deri 1200 gradë. Ishte për këtë arsye që ai nuk mund të ndihej i sigurtë. Dallonte qartë se të huajt e rinj, rumunët nuk e kishin atë nivel disipline në projekt, as në kushte teknike apo kontroll, si kinezët. Kjo e bënte inxhinierin të ishte më i ndjeshëm se shumëkush aty ndaj çdo mosnormaliteti…
Ndaj dhe Zoti nuk vonoi t’i hedhë atij ‘trutë e gomarit’! Po, po! Diti ku i hodhi, sepse në moment iu zgjua mendimi si mund të zbulonin në kushte kantieri të fshehtën, enigmën që fshihej mbas ‘shqetësimit të gozhdës’. Veç ishte një kinezëri e vërtetë! Madje kinezët, po të ishin ende në Ballsh, ku punuan gjashtë vite, do të kishin qeshur sa ta merrnin vesh këtë ide të porsa lindur, por do t’u bëhej sigurisht qejfi që një vendas synonte t’i konkuronte pikërisht në atë që i dallonte ata në gjithë botën, në ‘kinezëri’.
– Do të kontrollojmë gjithë materialin gjendje në magazinat tuaja, ardhur nga Rumania.  – i tha i vendosur inxhinieri përfaqësuesit të investitorit.
– Ne e kontrolluam një herë materialin e ardhur për beton! Nuk lamë thes pa hapur! Nuk dalluam asnjë ndryshim, bashkë i shikuam një për një! – u habit asistent-inxhinieri.
– Do t’i hapim përsëri! – këmbënguli më me forcë.
– I hapim, o inxhiner, kush ta prish ty, por kjo nuk më ngroh hiç mua. Më duket se do sorollatemi kot, do rrahim ujë në havan… – si rrallë herë Rexhepi po tregohej mosbesues nga fjala e inxhinierit. Kishin punuar së bashku vite të tëra në të njëjtin kantier. E njihnin mirë njeri-tjetrin në punë mjaft të vështira, por sidomos përkushtimi për cilësinë i kish bërë miq.
– Po, po, këmbënguli inxhinieri, të mos e marrim me mëdyshje, por me seriozitet maksimal!
– Dakord, po filloj që tani me punëtorët e magazinës. Deri nga dreka i ke të hapura të gjitha. Veç, ti e di më mirë nga unë, duhet të vish t’i shikosh, sepse nuk mund të lihen grykat hapur…
– Nuk do t’i hapni gjithë thasët! Do hapen një nga një!
– Po doemos një nga një…
– Prapë nuk u kuptuam… Ju lutem, vëmendje! Në secilin thes, që do hapet, do të merret pak material, aq sa, i gatuar me ujë, të mbushen vetëm tre kubikë të vegjël laboratori, nga ato shtatë me shtatë centimetër. Thesit do t’i vihet numur dhe do të mbyllet. Ky numur dhe data do gërvishtet mbi secilin kubik. Kubikët do trajtohen siç e dini dhe do t’i shtypim në presë: të parin pas shtatë ditësh, të dytin pas katërmbëdhjetë dhe të tretin do ta ruajmë rezervë për verifikim. Kështu do ndërtojmë një pasqyrë të saktë për cilësinë e materialit të çdo thesi.
– Të çdo theesiii?!
– Po, po, të çdo thesi! – përsëriti edhe më i vendosur inxhinieri.
– … Aaah, po! E kuptoj se ku do të dalësh. Dakord inxhinier, lene, mbaroi, u futëm në temë…
– Veçse, kësaj pune i duhet gjetur njeriu i përshtatshëm,  – nuk mbaronin kërkesat e inxhinierit.
– Pajtimin! – ‘emëroi’ në moment Rexhepi, ndërsa brigadieri tundi miratueshëm kokën.
– Cilin Pajtim?
– Çunin e Muçit, o derëbardhë! Ai është fiks, vazhdon dhe teknikumin, është në vitin e fundit.

– Plotësisht dakord! Kam besim të plotë, jo aq nga shkollimi i tij me teknikumin, se sa nga origjina. I ati, Mustafa Avdia, i ka nxjerrë kalamajtë me diplomë që në maternitet!
– Ha, ha ha! Leni këto bre inxhinier, fillove nga të tuat ti? Lene se po na zjen koka, pash nerin! Po flasim me vete rrugës…
– O Rexhep, koka atë punë ka, të zjejë, po t’i mbaja të shtruar zjarrin, të dergjet, mos e ler të digjet me çka brënda!
– Tallu ti, se në mbledhjen e organizatës së partisë po djersij unë. Apo s’përmendet edhe emri yt!
– Për mirë le të na përmendet, o Rexhep, ne prandaj po përpiqemi! – e vazhdoi rromuzin e nisur, por me tonin që mekej, i pakënaqur dhe i trembur nga citimi i emrit, një detaj kuptimplotë që iu tha si padashur në konfidencë.
– Po po, për mirë! Bile, jo për mirë, po për dekorim! Lene, pash zotin, këtë bisedë! Vazhdojmë ku e lamë, se nuk e ke keq. Ndofta arrijmë!…
– Po kjo dashka Kinën të merret për ta realizuar, – nuk iu durua Gafurit, ndërsa ndiqte i heshtur bisedën mes inxhinierit dhe përfaqësuesit të investitorit. A dini ç’domethënë të përgatiten nga tre kubikë betoni për secilin thes në këtë magazinë pa fund me qindra e qindra thasë? – dhe vuri dorën strehë mbi ballë të hidhte shikimin deri në fund të magazinës së madhe të mbuluar me mbulesa në formë ‘V’, për hapësira të mëdha.
– Lene, lene Gafur! Ti ke shumë të drejtë, por mos harro se ne ‘Kinën’ e kemi këtu! Nuk do merreni vetëm ju, ndërtuesit me këtë punë. Kemi në dispozicion gjithë teknologët e ardhshëm të kësaj uzine, vajza e djem që sot bëjnë vetëm trajnime. Le t’i aktivizojmë. Nuk na i zë njeri dorën. Shqetësimin e kemi të përbashkët. Bëhet fjalë për një problem ku përballen dy shtetet. Mjafton t’u bëhet e ditur kjo dhe do të përkushtohen të bëjnë këtë punë me mjaft përgjegjësi edhe pse nuk është detyra e tyne, – i doli zot Rexhepi situatës.

Ishte rritur ndërkaq shqetësimi edhe tek drejtuesit kryesorë të ndërmarrjes zbatuese, sikundër edhe investitorit. Kish kaluar një muaj nga pezullimi. Kjo ishte një rast i pangjarë ndonjëherë në ndërmarrje. Nuk kish burrë të pezullonte punimet në atë kohë! Sidomos ndërprerje për kohë të gjatë, pa u marrë më parë në analizë, përveç drejtorisë, doemos nga organizata e partisë dhe e trajtuar në prizmin politik, nuk mbetej shteg për subjektivizma, ndryshe… Megjithatë, e vërteta është se askush nuk e shqetësoi urdhëruesin e pezullimit. Besimi i plotë i krijuar ndaj tij ishte pesha më e rëndë për të. U kish bërë të ditur se problemi ishte mjaft serioz, nuk ishte dakord me mendimin e specialistit të huaj dhe se besonte të arrinin në një përfundim të drejtë. Kaq kish mjaftuar!
Dhjetë ditë pas fillimit të aksionit të madh të kontrollit, inxhinieri grumbullonte të dhënat e para të provave. Dita-ditës po piqej mendimi se në magazinë ndodheshin dy lloj materialesh me veti të ndryshme, njëri më i fortë, tjetri më i dobët. Njëri i ngjashëm me betonet e para, tjetri i njëjtë me betonin e dyshimtë. Inxhinieri, ndërkohë, gjithë mirësjellje mbante në korent specialistin e huaj për rezultatet pjesore të kontrollit, me idenë që ky të rivlerësonte situatën, por nuk pati asnjë reagim të ri nga ana e tij. Ai nuk po luante nga llogorja. Sipas tij ishte i njëjti material i përdorur, por ndryshonte cilësia e ekzekutimit në vepër…
Në përfundim të kontrollit, pasi u shtypën në laborator edhe kubiku katërmbëdhjetë ditor i thesit të fundit, inxhinieri me të gjithë dokumentacionin iu drejtua zyrave të përfaqësisë brenda territorit të uzinës. Përkthysi, sa e pa, iu drejtua i qeshur:
– Përsëri, inxhinier?
– O Papi, më fal! E di që të kam lodhur me këto takime të njëpasnjëshme. Ke të drejtë të mërzitesh, sa kohë nuk po i japim dot rrugë problemit. Për ty është bërë monotone, por për ne nuk është ashtu.
– Inxhinier, më vjen keq! Nuk e kam aspak atë mendim. Edhe pse nuk jam profesionist, e ndjej se ju keni të drejtë. Kam kënaqësi kur vij ndihmoj me përkthim, më përfshin edhe mua lufta juaj me argumenta për t’u mbrojtur nga një rrezik.
Përkthyesi dukej sikur mezi priste finalen. Ndofta i shkonte nëpër mend edhe luftimi trup me trup dhe i qante hallin inxhinierit, që nuk e kish peshën e nevojshme… E organizoi takimin po atë ditë dhe në orarin e fiksuar nga pala e huaj u ulën si përherë. Përshëndetjet e zakonshme të mirësjelljes u pasuan nga ligjërata e shtruar e inxhinierit: “Kërkuam këtë takim për të mbyllur diskutimet e zgjatura rreth cilësisë së materialit të betonit zjarrdurues të furrave”.

Çehrja e të huajit u çel edhe më. E mirëpriti qëllimin e takimit. Mjaft më! Ai i konsideronte të panevojshme fjalët, humbje kohe dhe e habiste kokëfortësia shqiptare, për të cilën nuk do të qe çudi të kish dëgjuar ndonjë llaf. Nëpër barsaleta, shqiptari nuk ishte treguar aspak xheloz që vendin e parë për kokëfortësi, në klasifikimin ballkanik, ta merrnin me meritë bullgarët. Ama për vendin e dytë nuk lëshonin pe shqipot! “Pas dyshimeve tona fillestare, të para dy muajve, sot jemi plotësisht të bindur se kemi të bëjmë me dy lloj materialesh të ndryshme betoni zjarrdurues, të furnizuara për të njëjtën punë nga shteti juaj”, tha inxhinieri.

Specialisti i huaj nuk i ndërhyri, por çehrja e tij ndryshoi dukshëm, pa qenë e zonja të fshehë gjendjen e tij emocionale.

“Materiali gjendje, ende i papërdorur, ndodhet tashmë në dy parti të ndara nga njera-tjetra në magazinë. Ju ftojmë të bëni edhe ju kontrollin tuaj, nëse nuk e keni bërë ndërkohë! Urdhëroni edhe dy tabelat e rezultateve të matjeve të rezistencës 7 e 14 ditore në shtypje të betonit të qindra thasëve… Kemi ruajtur të pashtypur nga një kubik betoni për të provuar në praninë tuaj, në rast dyshimi, vlerat që kemi rregjistruar”.

Përkthyesi po ruante të njëjtin intonacion me inxhinierin. Dukej sikur donte të përkthente jo vetëm fjalitë, por edhe tonin, shkallën e seriozitetit të komunikimit. E kish përfshirë tifozllëku! Ndofta, herë të tjera mund të jetë ndjerë i lënduar si shqiptar nga ndonjë reagim nënvlerësues i të huajve, të cilët në këtë kontratë ishin në pozita të epërme. Shteti ynë ishte blerës. Shteti i tyre ishte shitës i teknologjisë, pra shitës i mendjes, i një niveli mjaft më të lartë zhvillimi.
“Kërkojmë ballafaqim përfundimtar me palën tuaj brenda pak ditësh! Paraprakisht po ju bëj të ditur: Në se ju nuk do të mbrini në të njëjtin konkluzion me tonin, ne jemi të vendosur të mos lejojmë rifillimin e punës me atë material. Do kërkojmë nga ministria jonë e ndërtimit dhe ministria e industrisë, të ngarkojnë laboratorët shkencorë respektivë të kryejnë jo vetëm analizat që bëmë ne në kantier, por analiza komplekse, përfshirë ato kimiko – mineralogjike dhe çdo analizë tjetër, që do të gjykojnë autoritetet shkencore të instituteve. Këtë lloj kontrolli të thelluar ne mund ta kishim kërkuar më parë dhe do të qe kryer ndërkohë, por patëm bindje se në bashkëpunim e mirëkuptim me ju do arrinim të gjykonim saktë…”.

Vranësia që i kish mbuluar çehren dukej se nuk i përgjigjej vetpërmbajtjes së specialistit të huaj. Ai lëvizi në karrige, si për t’u mbështetur më mirë. Ndofta iu zvogëlua ndenjësja gjatë  dëgjesës.

“Lutemi ndërkohë, të na jepni përbërjen kimike të materialit të projektit për ta krahasuar me faktin”!
Kurajua për të mbrojtur interesat e cënuara nuk u mungonte thuajse gjithë drejtuesve të rrahur me vështirësi e me rreziqe në punë. Inxhinieri këtë radhë përjetonte edhe krenarinë profesionale përballë një personaliteti me gradë shkencore të një shteti mjaft më të zhvilluar se vendi i tij. Për të kish marrë fund mospërfillja e specialistit! Ndihej keq për situatën që iu krijua të huajit, veç nuk i falej gjithë ajo stërzgjatje e mosvlerësimit të një fakti që ngjallte dyshime serioze që në çastin e parë.
Përballë kësaj paraqitjeje, edhepse nuk reagoi, nuk mund ta fshihte shqetësimin që i krijoi ai konkluzion i prerë i ndërtuesve. Nga toni i inxhinierit nuk kish arsye të ndihej i fyer. Po bëhej një vit punë e përbashkët dhe ishte mjaft i kënaqur me ndërtuesit, me zbatimin cilësor të punimeve speciale dhe me raportet tepër njerëzore të shqiptarëve me të huajt. Ishte mirë-ambientuar edhe me inxhinierin, sa me seriozitetin, aq me rromuzet dhe nuk e fshihte respektin për të.
Mbikqyrësi doli ‘i betonuar’ nga takimi! Gojëkyçur, si skulpturë! Asnjë fjalë, veç datës së takimit të ardhshëm. Inxhinieri ndjente keqardhje dhe e bënte veten fajtor. Ndofta duhet të tregohej më shumë diplomatik në komunikim…
Në ballafaqimin tjetër specialisti rumun e la inxhinierin me gojë hapur, më keq se ç’kish mbetur vetë para një jave. Nuk la vend as për pyetje e as për debat.
– Nga hetimi ynë, përfshirë edhe opinionin e kolegëve tanë në Rumani, është arritur në përfundimin se, për fat të keq, na ka ndodhur një ngatërresë e rëndomtë në port, në Detin e Zi. Materiali për ju ka shkuar gabimisht në uzinën e një shteti tjetër, nga ku është reklamuar këto ditë, ndërsa materiali i saj ka ardhur këtu. Anijet e transportit kanë qenë ankoruar njera mbas tjetrës dhe dy partitë e ndryshme të betoneve ndodheshin pranë. Punë vinçjeri dhe… e keqja është se dy llojet e betoneve janë të ndryshme nga përbërja kimike, pra nuk mund të zëvendësojnë njeri-tjetrin. Materiali i ardhur këtu nuk bën për këto furra. Në kushtet e shfrytëzimit, në ambient naftor, nuk reziston. Do t’u dërgohet material tjetër nga Rumania.  Betoni i veshjes së brendshme të furrës 200 duhet të prishet sa më parë me çekiç pneumatik, duke ruajtur vetëm ganxhat inokse të salduara dhe rrjetën e çelikut”.
Kjo përgjigje bëri përshtypje të madhe. ‘Shiu’ kish kohë që kërkohej, pritej, por jo me rrufe në qiell të hapur, dhe çfarë rrufeje se, e përmbysur, nga posht lart, nga toka në qiell. Ndërtuesit, të kontrolluarit, kapën mat kontrolluesin!
Pas kësaj inxhinieri nxitoi t’u çojë llogaritjen e sasisë të betonit zjarrdurues për ribetonimin e furrës. Shqetësimi ndërkohë kish përfshirë institucionet qëndrore. Në objekt erdhi zv. ministri i ndërtimit, Leandrua, i cili thirri Inxhinierin para se të hynte në takimin zyrtar me palën e huaj për gjithë problematikën e ecurisë së kontratës, ku betoni zjarrdurues ishte njëri prej tyre.
– Inxhinier, a je i sigurtë në llogaritjen e sasisë së nevojshme të betonit shtesë?
– Po! Një kopje të llogaritjes ua kam dorëzuar edhe të huajve. Nuk patën vërejtje.
– Ata nuk patën vërejtje ngaqë nuk u ke kërkuar më shumë, por mos kemi kërkuar më pak dhe mbetet furra pa përfunduar e do na duhet të flasim përsëri me ta? Është me përgjegjësi kjo!
– Nuk bëhet fjalë, shoku Leandro! – qeshi inxhinieri. Projektin e furrës e kam bërë çarçaf. Nuk kam lënë brimë, bokaportë e kapakë kontrolli pa llogaritur një nga një dhe kam shtuar përqindjen e humbjeve të lejuara në proceset e betonimit me presion ajri, që për mendimin tim, ashtu si punojmë ne, në fund do na tepërojë material betoni.
– Domethënë je i sigurtë, se nuk do na dalë asnjë problem? – këmbënguli titullari, që e ‘vriste këpuca’ më tepër për pasojat e ndonjë pasaktësie.
– Tani, siguri absolute nuk ka, shoku Leandro, se ja, do dalë ndonjë problem i ri…
– Përshëmbëll?! – ngriti zërin i nevrikosur drejtuesi i lartë.
– Po, ja! Ç’ti bëjmë tepëricat… ? Gjynah të na shkojnë dëm!
– Ha, ha! – nuk e mbajti dot gazin i ‘Madhi’. Shumë bukur, inxhinier!
Buzagazi i titullarit ishte vlerësim i mjaftueshëm për inxhinierin, që iu qep ‘me bukë në trastë’ sqarimit të telashit sa mjegullor aq të rrezikshëm. Zëvendës ministri, me një barrë eksperiencë si inxhinier dhe drejtues, nuhaste në ajër problemet dhe zgjidhjet, por shijonte me kënaqësi edhe ‘dialektin’ e komunikimit të çiltër, sado çapraz, të  kantjerit. Ai vetë njihej si ‘prodhim’ kantjeri.
Pas deklaratës bombë të palës së huaj, që i ngjante një dorëzmi pa kushte, inxhinieri nuk po duronte dot të takonte mikun e vet, asistent-inxhinierin e investitorit. Ishte mirëkuptimi i plotë, puna e përbashkët e tyre, që e zbërtheu ngatërresën hap pas hapi dhe mbërtheu fajtorët me shpatulla për muri. E kërkoi sapo doli nga ai takim.
– Rexhep i dashur, tani e kemi hak kafen me bisht! – dhe i hodhi krahun të përfundonin tek lokali i vetëm brenda uzinës. Filxhanët dhe gotat i morrën secili në banak dhe zunë një nga tavolinat e larta, ku ‘pijetarët’ qëndronin më këmbë. Syprinat katrore me këmbë xhirafe ishin mjaft miqësore. Të vogla, i mbanin klientët mjaft afër njeri-tjetrit. Mund të bisedohej zëulët edhe vesh më vesh, madje në lokale qyteti, ku nuk të kërkonte kush llogari pse e tepëroje me të pirë,  kjo lloj tavoline lejonte të shprehej dashuria e shtuar nga rrëkëllimet edhe me të puthura, me kushtin e vetëm që të të mbanin gjunjët…
– Tani do ngrejmë shëndetin e Gafurit. Na nderoi. I lumtë! Çfarë nuhatje, çfarë merakliu, sa i përgjegjshëm… ! Si e la punën ai dhe erdhi më kërkoi, vrap, në zyrë?! I kish bërë përshtypje qerratait një dukuri, që shumëkush nuk do ta vinte re. I jashtzakonshëm! I rrallë! Ore, pa dyshimin që i lindi Gafurit, kjo hata nuk do të ishte zbuluar. Nuk kish perëndi!
– Rrofsh inxhinier! Për Gafurin, ti e di, unë e pi me fund, jo pse e kam timin (ishin të afërt, me të njëjtin mbiemër, nga Klenja e Gollobordës, Dibër).
– Shëndetin e dytë e kam për atë ‘gozhdën’, gozhdën e Gafurit!
– Ha-ha-ha! Lene ma gozhdën tani! Na ler ta pimë si njerëz këtë të shkretë! Jo, po, të pimë edhe për sqeparin…!
– Gozhdë Kavaje**, Xhepo, nuk i thonë shaka! – nuk po nginjej inxhinieri të shijonte gëzimin e shmangjes së aksidentit të frikshëm, që do të ndodhte pa diskutim. Për pak na i futën, o Xhep! A më thua dot, si do t’i shkonte filli, në se ndodhte djegja e furrës…? Gozhda e Kavajës është e bekuar. Atë ‘gozhdë’ tani le ta mbajnë ata, që, me dashje a pa dashje, ne do na kishin syrgjynosur kushediku…
– Unë do ta pi për shëndetin tënd, inxhinier. – ia preu ligjëratën, jo se nuk kishte të njëjtin mendim, por se nuk i pritej të plotësonte dëshirën për ta njomur sërish gurmazin pas atij lajmi të pakrahasueshëm as me gëzimet më të mëdha të jetës…
– Pse nxitohesh, o Xhep, prit të thërresim edhe Gafurin! Po më ngjan se pimë fshehtas pa të. Pastaj, ça shëndeti do pish për mua? Ti je vetëm një votë! Mjafton të mos jem dakord unë dhe të mbetet gota në dorë, e paçokitur…
– Me fund, me fund edhe për ty, inxhinier, se dite ta kapësh problemin nga koka. Meriton më shumë se kaq…
– Rexhep i dashur, e ke gabim! Ky problem nuk u kap nga koka, por nga bishti. Shyqyr që nuk na u këput, se do kishim mbetur me bisht në dorë e me kusure bishti surratit. Nga koka do të mund të kapej, po të kishim mundësinë të bënim që në fillim analizat kimike. Nuk do humbisnim kaq kohë, por megjithatë afatin do ta kapim.
Duke menduar se nga çfarë rreziku kishin shpëtuar, Inxhinieri, në shoqërinë e shokut të shfrytëzimit, po përjetonte gjendje të hareshme. Ishte një lloj dalldie, ngazëllim momenti, sepse shumë shpejt vendin e ‘gozhdës’ së saposhkulur për cilësinë e keqe të betonit e zuri një tjetër ‘gozhdë’, më e madhe, shumë më e madhe, për JETËN, për sigurinë e saj.
“Sa të sigurtë jemi në të vërtetë në jetë, pavarësisht hapave të kujdesshme që hedhim”?
Përgjigjja që i vinte nga thellësia, së brendshmi, nuk e qetësonte dhe ndihej si gjethe vjeshte në një realitet të çuditshëm. Ndershmëria, korrektësia, profesionalizmi, sado të larta, ecnin buzë honi, krah për krah me dënime të mundshme. Dhe duke notuar në ujëra pasigurie nuk i reshtnin pyetjet.
“A do të dilte kush të mbronte ndërtuesit e pafajshëm të kantjerit në rast aksidenti të rëndë, kur do digjej furra”? I dukej e pamundur. Ca më tepër rritej mosbesimi kur duhet t’i shtonte pasojave edhe humbje jetë njerëzish, përveç ndalimit të uzinës për mbi tre muaj, kohë e domosdohme për rindërtimin e furrës pas ardhjes së materialit të ri (llamarina, profile metalike dhe beton) nga jashtë.

I kredhur në vorbullën e pasojave të eksplozionit dhe zjarreve, mundohej të përfytyronte si do të zhvilloheshin ngjarjet.
Do arrestoheshin në moment drejtuesit teknikë të punimeve. Do njolloseshin pa faj drejtuesit kryesorë të ndërmarrjes. Ndihej fajtor para tyre. Ata ia kishin besuar atij cilësinë në atë proces delikat pune. Do t’i zhgënjente! Më pas, kur të ishin fikur zjarret dhe të ishte ftohur ambienti teknollogjik, do konstatohej në rrënojë dëmtimi i betonit zjarrdurues. Kjo do të ishte lehtësi e madhe për hetimin, “shkaku qënka cilësia e keqe e betonit! Fajtorë ndërtuesit!”, aq sa të zbehej fakti pse furrat e tjera nuk pësuan gjë. Mund t’u kërkonin mendim edhe të huajve për shkakun e difektit, po a mund të dilnin me gjoks ata të pranonin fajin dhe përgjegjësinë e tyre? Kurrë! Ata nuk patën kurajë të kërkojnë ndjesë as kur pohuan se ishte gafa e rëndë dhe e rëndomtë e tyre.
“Ore, vërtet, përse nuk kërkuan të falur fajtorët”? “E po, nënkuptohet ndjesa, sapo pranuan gabimin”! “Jo, ndjesa nuk nënkuptohet! Aspak”! “Po, kush-e-di, ndofta kjo, kërkim-ndjesa, ka ndodhur në takimin zyrtar, ku mori pjesë zëvendës-ministri, se, të lutem shumë, nuk do vijë ambasadori i atij shteti të të kërkojë ty të falur, or merhum” – po i kthente kusurin ‘tangërllëkut’ të vet. “Nuk i mjafton zotërisë tuaj, se u zbulua e vërteta tronditëse, po dashke edhe sajdisje”?! “Mor njeri, shteti me shtet le t’i mbajnë marrëdhëniet si të duan, ndërsa ai, inxhinieri, duhet të na kërkonte të falur ne ndërtuesve dhe pikë”! “Juve të ‘gozhdës’?!” “Po, neve të gozhdës! Do të ishte në nderin e tij”. “Po sedra? Të ulin ata ‘hundën’? Kështu thua ti”? “Sigurisht! Kryet lart mund të mbahen për seriozitet, për korrektesë, për nivel shkencor. Pooo, asaj kryelartësie i falem unë, ndërsa nuk kam respekt për kapadainj të asnjëlloj takëmi. Pastaj, për çfarë hunde më flet ti? Shkencën e tyre, që nuk u mungon, ata vetë e bastarduan, aq sa t’ua mundë një gozhdë”! “Dëgjo, mor djalë, – mundohej ta bindëte veten – , specialisti i betoneve është përfaqësues i një shteti të madh e të zhvilluar …”. “Ne po bisedojmë për individin, personalitetin e tij. Të jesh përfaqësues i një shteti, sado të madh apo të zhvilluar, nuk është meritë, është fat! Meritë është, sa i zoti je ta përfaqësosh me dinjitet, apo jo”?

Dhe pasi përballi në vetvete kundërshtitë e këndvështrimit që ia ofronte mosha afër dyzet vjeç dhe veçanërisht përvoja në objekte të mëdha industriale, iu kthye pyetje-përgjigjeve, që i qëndronin varur:
“A mund të ishte gjithë kjo një akt sabotimi? Vallë, do të kishte qënë i planifikuar dërgimi i një betoni të ngjashëm nga pamja, por krejt të ndryshëm nga vetitë, të tillë që të shkatërrohej pak nga pak gjatë shfrytëzimit, pikërisht pasi autorët të ishin larguar”?
“E Pamundur”!
“E pamundur, ëëë? Po a mund të ‘hahet thatë’ ajo ngatërresa në port, lënë thjesht në dorën e vinçjer-turnit një punë aq delikate me pasoja katastrofike”?
“Të lutem shumë, përse nuk e vlerësuan dyshimin tonë, por u desh të merrnin reklamim nga një shtet tjetër? Po sikur shteti tjetër të mos kish reaguar, qoftë dhe nga vonesa e tij në përdorimin e materialit? Pastaj, ai reklamimi nga shteti tjetër ishte një e vërtetë apo sajesë”?
“A mund të justifikohet indiferenca gati dymujore e specialistit të huaj, i cili bënte me faj zbatimin e kërkonte vazhdimin e punës? A mos ishte edhe ai pjesë e ‘lojës’…”?
“Edhe shkencëtari”?!
Eeh, si rrëshqitka mendja në pjerina dyshimesh! Si një ortek! Merr aq vrull, shton masë e peshë sa vetshkatërrimi, në mos pasojë shkatërrimtare, mbetet të jetë kontributi i vetëm i rrokullimës. “I duhet shmangur këtij orteku dyshimesh,  gjykonte inxhinieri , por nuk mund të mos marrësh në konsideratë se jemi dy vende armiq e nga armiku çfarë nuk pret”?! Pastaj qeshte me veten sa zgërdhihej: “Po vallë, me të tilla cic-mice luftojnë shtetet njeri-tjetrin”?
Supengritur nga këto pyetje, inxhinieri*** ndihej i pazoti  të analizonte mes labirintesh, ndaj iu kthye edhe një herë hallit të vet: “Ore lumëmadh, leri të rëndat, se nuk ke takat t’i mbash, po hap sytë të dallosh sa të sigurtë dhe sa të mbrojtur jemi ne e familjet tona nga rreziku i ndonjë kurthi, që befas ta ofron jeta”!
Ngriti kokën lart, pa qënë i bindur në se kishte Zot dhe iu fal qiellit: “Ah, jemi në dorë të fatit” – dhe psherëtiu sapo iu kujtua se në këtë rast edhe vetë fati kishte qenë varur në një gozhdë…

 

*Në vitin 1968, kur Bashkimi Sovjetik ndërhyri ushtarakisht në Çekosllovaki, vend anëtar i Traktatit të Varshavës, Shqipëria doli nga kjo aleancë e vendeve socialiste dhe i cilësoi ato ‘revizioniste’.

**Në Kavajë ishte ngritur uzina e gozhdë – bullonave, që furnizonte gjithë vendin.

*** Inxhinieri – Autori i shkrimit.

 

Inxh. Shpëtim Emiri. Nëntor 2020.

 

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: