Albspirit

Media/News/Publishing

Kaltërina Meka: Mozaik i jetës së rëndë në Shalë të Bajgores

Kaltërina Meka

Nexhat Halimi “Silueta e vetmisë së gurit”, roman, botoi “Fad” Prishtinë, 2020

 

Libri, një prozë e gjatë, “Silueta e vetmisë së gurit”, e NexhatHalimit, është një mozaik mjaft interesant për jetën, punë dhe universin e botës së Shalës së Bajgores. Romani përshkruan detyrën e një ekipi të një gazete të përditshme, të gazetës së vetme në botë në gjuhën shqipe “Rilindja” të Prishtinës. Ekipi i gazetarëve niset të kryej detyrën për në xeheroren e Stan Tërgut. Përveç raportit ditor për gazetën, ata do të përshkruajnë dhe lëvizjet gjatë një jave të jetës dhe frymëmarrjet, të dhembjes e të dashurisë së malësorëve të mbetur gati të shkëputur nga bota. Ecin dhiaret për te një fshat, të marrin pjesë në varrimin e një minatori, i cili humb jetën tragjikisht në minierë. Gjatë rrugës dhe në takimet me malësorë, ata mësojnë për vitet e hershëm në ketë pjesë të botës, për vrasjet, grabitjet dhe komitët e pa mëshirshme e të ashpër, të cilët më shumë dëm i sollën vetës dhe banorëve të Shalës së Bajgores sesa Serbisë, kundër të cilës dolën në mal për të luftuar pushtetin e huaj.

Libri, me gjuhë të pastër e koncize, përshkruan detajet e jetës në këto male, si dhe ikjet e tyre në mjedise më të përshtatshme për jetesë, por gjithnjë me dhembje për gurin e udhët pak të rrahura  të Shalës së Bajgores. Me të vetmen shpresë dhe me mallin që ndiejnë për udhët e vendlindjes së tyre, të bindur të kthehen një ditë nën diellin që këtu i ngroh përjetësisht, ndërsa me pa vullnet lidhin jetë larg, pa e shkruar të përditshmen e dhembjen për të. E tërë rrjedha e librit paraqet një mozaik të rëndë të jetës dhe të shkrimit për ata që e thurin të përditshmen e tyre të rëndë, në këtë hark të jetës. Është tejet interesant shkrimi Gjeli në frëngji”,për kujtimet për Isa Boletinin, për luftërat që bëri për luftërat e tij dhe përpjekjet e tyre për liri nga zgjedha turke e sidomos nga pushtetit serb…

Përkrah ritmit të punës e të jetës në xeheroren e Stan Tërgut, përkrah kujtimit dhe luftërave të përhershme për liri dhe për t’u liruar nga robëria, radhiten ngjarje tronditëse të djegies së tërësishme të familjeve shqiptare në truallin e tyre, të cilat duhet t’ua lirojnë  hapësirat kolonëve serb të sjellë nga viset e ndryshme të shkrepave të pabanueshme të Jugosllavisë… Banorët e këtushëm detyrohen ta shesin gjelin e  fundit për të mbijetuar dhe ndonjë mushkë me drurë të nxjerrin në pazar në Mitrovicë. Zbresin e ngjiten përkrah xeheroressë tyre, me kujtim në bijtë e dashur të mërguar jashtë për një kothere buke.

Ja, ta zëmë një insert:

Ritmi i ngjitjes së ashensorit e ndali gjëmën. Morëm me xehetarët e ndërrimit të parë të dilnim nga thellësia në sipërfaqen e tokës. Kush merrte frymë thellë, kush qeshte e pështynte, kush e ndiqte ndonjë zog nga ik mbi teleferikun e “Trepçës”. Mendja më përzihej me të kaluarën e hidhët e fijet e trimërisë të ndonjërit nga trimat e luftës së gjatë e të rëndë për t`u bërë të vetvetes. Më lidhej ndonjë çast dhe me horizontin e nëntë, atje në galeritë e plumbta, vetëm për 15 metra pa prekur thellësinë e punishteve me sipërfaqen e detit. Xehetarët nga ndërrimi i parë të horizontit të nëntë tashmë shpërndaheshin e atje në thellësitë e nëntokës derdhte djersët ndërrimi tjetër. `I pëlhurë e tejdukshme më vinte e më shqyhej para sysh, një tis i përhirtë derdhej e më lidhte me ecjen e Isa Boletinit rrugës së Vlorës, të afrohej te IsmailQemali, ta puthte me buzët shkrumb flamurin e pavarësisë të ngritur në shtëpinë e vogël, me çardak. Aty ta priste plaku i urtë i Pavarësisë me suitën e vet  e ky, trimi kosovar, t`i dëgjonte fjalët që nguleshin thellë në zemër nga zemra e goja e IsmailQemailit:

“I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë!” 

Piknin lot të dhembjes…Kosova mbetej e robëruar, me njerëz të varur në shtylla të telefonit buzë secilës rrugë, me gratë shtatzëna, të vrara, të prera me kamë për ta parë do të kishte lindur djalë apo vajzë, me fëmijë të uritur, të etur e në lot, e plaka e pleq të pafuqishëm,me fytyrat të ngjashme me relievin e Kosovës,mbetur në robëri,  të këputur nga rrjedha e jetës … piknin lot mes ngashërimit e ftohtësisë për pjesën e atdheut të mbetur jashtë gjakshkrimit, mes siluetës së fluturimit, në ëndërr të copëtuar shqipe… piknin lot të mallit e krenarisë, lot rrëke të padukshëm që shprehnin vite të rënda e të acarta, lot kaq të padukshëm e zemra rrihte me hov të pashkëputshëm. Me zemër të thyer ndiqja udhën malore për te Kulla e Isa Boletinit. Çera më fliste diçka e nuk e kuptoja e nuk i jepja përgjigje…

Autori ndërlidh në këtë mozaik dhe familjen e RrahmanDEDAJt, poetit më të shquar në gjithë hapësirën shqiptare,  e cila shpërngulet nga Shala e Bajgores në fshatin Penuh të Llapit, me të vetmin qëllim për të qenë më afër rrugësh dhe jetës më të mirë, por atje ballafaqohet  me shumë telashe, një njësitë i xhandarmerisë serbe, i cili u vë kusht që në shtëpinë e tyre do ta vendos një kolon  serb të ardhur nga malet e Serbisë, këtu vjen deri te përleshja. Dedajt për ta mbrojtur tokën e shtëpinë e tyre e lusin që të heq dorë nga prona e tyre, meqë ai koloni nuk heq dorë dhe fillon t`i mbjellë arat e tyre, morën vendim dhe e vrasin kolonin serb, për çfarë të gjithë burrat e familjes burgosen dhe dënohen me burg të përjetshëm, prej tyre nga burgu arrin të dalë gjallë vetëm babi i poetit RrahmanDedaj.

Ky është një përshkrim tejet tronditës, ndërsa përshkruhet dhe një sulëm i një tufe komitësh  në shtëpinë e një fshatari të varfër, me të vetmin qellim për t`ia grabitur gruan e cila ka një fëmijë të vogël. Grabitja ndodh, por fshatari përgatit dhe hakmarrjen…

Brenda librit janë radhitur dhe portrete të ndryshme njerëzish të varfër, siç janë dy malësorë, të cilët nga malet me mëngjes njëri për  ta shitur një gjel në  Mitrovicë dhe një tjetër që  merr udhë me një dag drurësh në shpinë të një mushke. Peripecitë e tyre në qytet janë tepër të mëdha, nga që nuk kanë para që asgjë të iu sjellin fëmijëve në shtëpi të cilët i presin me kokë në dritare.

Mozaikun e ngjarjet i bëjnë më interesante dhe bisedat të  botuar në gazetën “Rilindja”  me piktorin dhe poetin e vrarë nga serbët, KadriKadriun, pastaj portreti i një ndërtimtari i cili me punë krahu punon në lagjet me të bukura të Kosovës, por nuk ka lekë në xhep që t`i gëzojë fëmijët për festë.

Romani “Silueta e vetmisë së gurit”  në 280 faqe sa i ka brenda vetvetes ngërthen shumë ngjarje tronditës me të cilat gjatë ekzistencës së tyre janë ballafaquar banorët në tokën e tyre të lashtë e të robëruar gjatë kohë, që të ndriçojë e sotmja me lirinë e fituar me gjak.

Libri fillon me një prolog shumë të bukur e përfundon me epilog, ndërsa ndërmjet tyre zhvillohet tërë  ngjarja e përpjekjes së ekipit të gazetës “Rilindja” për të shkruar një reportazh, me të cilin bëhet përpjekje të radhiten inserte, pamje, gjendje dhe dhembje të atyre që lëvizin me hallet e tyre në të përditshmen e rëndë të vitit 1979, disa ditë para ndërrimit të motmoteve  si dhe arritjes së vitit të ri 1980.

Romani e prek në zemër lëvizjen dhe pakënaqësinë e atyre që e ndiejnë në zemër kohën për të cilën flitet me përkushtim, duke tërhequr paralele të ndryshme nga jeta e tyre e rëndë.

 

 

 

Please follow and like us: