Albspirit

Media/News/Publishing

Menduh Gj. Zavalani: ‘Korça’, gazeta e parë shqipe në Shqipëri me kryeshkronjës (kryeredaktor), Lytfi Zavalani

Lytfi Zavalani

Si sot 112 vite më parë, më 28 dhjetor 1908, u botua në Korçë numri i parë i gazetës “Korça”, gazeta e parë shqipe e botuar në trojet e Shqipërisë. Dalja nga shtypi e kësaj gazete nga dyshja Sami Pojani (drejtor) dhe Lytfi Zavalani (kryeshkronjës/kryeredaktor), shënon edhe fillimin e historisë së shtypit periodik në gjuhën shqipe, në trojet e Shqipërisë. Edhe pse disa gazeta në shqip ishin botuar pak vite më parë në shtete të tjera, si “Drita” në Sofje të Bullgarisë apo “Shpnesa e Shqipnis” në Ragusa (Dubrovnik) të Dalmacisë, Perandoria Osmane ndalonte botimet në gjuhën shqipe brenda territoreve të banuara nga shqiptarët dhe “Korça” është e para gazetë shqiptare në vend, që erdhi si rezultat i guximit dhe përkushtimit të dy emrave të mësipërm, pas ndryshimeve kushtetuese që solli revolucioni xhonturk (korrik 1908). Gazeta ishte e përjavshme dhe u botuan gjithësej 53 numra, deri në vitin 1910. Shkrimet janë në alfabetin e Stambollit, përpiluar nga Sami Frashëri, që bazohej në alfabetin latin dhe përmban disa shkronja greke që përfaqësojnë shkronjat e përbëra (digrafet), si sh, th, gj etj. çka e bën gazetën të lexueshme edhe sot pa shumë veshtirësi. Si një dush i ftohtë dhe ende aktual është artikulli në fillimi të faqes së parë, që flet për mungesën e idealizmit mes popullit shqiptar (duke thënë se kombe të tjera kanë mbase 50% idealistë, ndërsa tek ne as 1 e 1000) dhe për “largimin e trurit” për arsye ekonomike. Interesante dhe plot pasion është letra që vijon, e shkruar nga një vajzë tiranase, që lavdëron gazetën dhe shpreh mendimin për lëvizjen patriotike. Gazeta në foto është nr. 24 dhe mban datën 3 tetor 1909. Ajo është ruajtur nga im atë, Gjergj Zavalani, si kopja e vetme që ka mbetur në familje nga gazeta e gjyshit të vet dhe njëkohësisht stërgjyshit tim, Lytfi Zavalanit. Drejtori i gazetës, Sami Pojani, ishte 28-vjeçar kur nisi botimin e gazetës “Korça”, kurse Lytfiu, kryeredaktori ishte vetëm 25 vjeç. Pak është shkruar për Sami Pojanin, por thuajse aspak për Lytfi Zavalanin, një patriot që ka kontribuar mjaft në krijimin e Shqipërisë së pavarur. Lytfiu studioi në gjimnazin perandorak “Galatasaraj” në Stamboll dhe më pas u specializua për financë, po në Stamboll. Pas studimeve u kthye në Korçë. I ati i Lytfiut, Mehmet Zavalani, ishte pronar dhe kishte titullin bej, duke qenë faktikisht pjesë e administratës osmane. Mamaja e tij, Fatime Myteveli, ishte motra e Emine Myteveliut, mamasë së vëllezërve Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri. Sa herë shkonte në Stamboll, Mehmeti nuk linte pa vizituar djalin e tezes, Naimin, me të cilin “kishte muhabet” dhe e afronte mosha. Megjithatë, ai ishte i kujdesshëm në veprimtarinë politike dhe nuk shfaqet në vijë të parë të lëvizjes patriotike. Krejt ndryshe ishin djemtë e tij, Lytfi dhe Menduh, si dhe vëllai, Ymer Zavalani, të dalluar për shpirtin patriotik. Botimi i gazetës se parë në gjuhën shqipe në vend, në fund të dhjetorit 1908, ishte një lajm i madh që u mirëprit mjaft mirë nga populli. Patriotë, figura publike e njerëz të thjeshtë nga qytete të ndryshme të perandorisë, kanë dhuruar fonde për botimin e gazetës “Korça”. Gazeta u kthye shpejt në një zë kumbues të lëvizjes politike dhe kulturore të atyre viteve, me theks të veçantë në përdorimin dhe mësimin e gjuhës shqipe. Vëllai i Lytfiut, Menduh Zavalani, një 19-vjeçar që sa kishte mbaruar gjimnazin e Manastirit (sot Bitola, Maqedoni e Veriut), u kthye në vendlindje, Korçë dhe do të ndihmonte edhe Lytfiun me përkthime në gazetën “Korça”. Në vitin 1909, të dy bashkë përkthyen nga frëngjishtja dramën “Vilhelm Tel” të Fridrih Shillerit, e cila u shfaq nga shkolla e vashave të Korçës. Megjithatë, kundër grushti i shtetit të xhonturqve në po të njëjtin vit, solli rindryshim të politikave osmane dhe garancitë kushtetuese, të fituara vetëm një vit më parë, u anulluan dhe filloi mbyllja e shkollave shqipe dhe ndalimi i alfabetit latin. Për këtë arsye, populli i Korçës u ngrit në protestë dhe organizoi një tubim madhështor për gjuhën shqipe në 27 shkurt 1910. Sami Pojani, drejtori i gazetës “Korça” dhe Ymer Zavalani, xhaxhai i Lytfiut u arrestuan si organizatorë të tubimit nga qeveria osmane dhe u burgosën. Me botimin e nr. 53 të gazetës, mbyllet dhe historia e shkurtër e saj. Sami Pojani, drejtori i gazetës vdes një vit më vonë, në 1911, në moshën 31-vjeçare. Në po të njëjtin vit vdesin edhe babai dhe xhaxhai i Lytfiut, vëllezërit Mehmet dhe Ymer Zavalani. Lufta e nisur me penë do të vazhdonte me pushkë nga Menduhu. Çeta e bashkuar e Menduh Zavalanit dhe Spiro Bellkamenit do të çlironte formalisht qytetin e Përmetit, duke dëbuar kajmekamin osman në gusht të vitit 1912 dhe po atë muaj do të marshonte triumfuese në qytetin e Korçës, e ndjekur nga çetat e tjera patriotike dhe muzika e “Bandës së Lirisë”.

Please follow and like us: