Albspirit

Media/News/Publishing

Nathan Altman, 1914: PORTRAIT OF ANNA AKHMATOVA!

Panorama e letërsisë ruse do te qe e mangët po të mos sillnim diçka nga krijimtaria poetike e Anna Ahmatovës, jo vetëm se ajo është një nga poetet më të shquara moderne ruse, por sepse jeta dhe krijimtaria e saj, në kushtet e diktaturës staliniste, është tepër e ngjashme me jetën dhe krijimtarinë e disa prej shkrimtarëve më te shquar shqiptarë në kushtet e diktaturës tek ne…
Lindi më 23 Qershor 1889. Që e vogël mësoi frëngjishten. Pasi mbaroi gjimnazin vazhdoi fakultetin juridik e më vonë kurse për histori e letërsi. U martua me poetin N. S. Gumiljov me të cilin pati një djalë.
Libri i saj i parë me poezi ‘Mbrëmje’ u botua më 1912 dhe deri më 1922 botoi katër libra të tjerë me poezi. Emri i saj u bë i njohur, por erdhën vitet e turbullt të luftës dhe të revolucionit që përmbysën shumë gjëra. Më 1922, në një mbrëmje letrare, recitoi poezinë ‘Balada e vitit të ri’, e cila diku lart nuk u pëlqye dhe me vendim të Komitetit Qendror, librat e saj u hoqën nga qarkullimi.
Nuk duhet harruar se ca më parë, më 1921, me urdhër të Komitetit Qendror të Leningradit, qe pushkatuar ish burri i saj, poeti Gumiljov, me të cilin ishte ndarë.
Më 1935, pas vrasjes së Kirovit, arrestohet i biri. Ahmatova nxiton t’i shkruajë letër Stalinit. Djalin e lirojnë. Ndërkohë janë arrestuar disa miqtë e saj e ndër ta poeti Osip Mandelshtam. Ajo shkon ta shohë ku e kishin internuar dhe për pasojë, më 1938 e burgosin djalin përsëri me akuzën absurde: ‘Sepse ai mund të ishte hakmarrës potencial për të atin’. Atëherë shkroi poezinë ‘Dënimi’:
Dënimi
Dhe ranë fjalët pa ndërprerë
Posi shkëmbinj mbi kraharor.
S’ka gjë. Këtë e pres kaherë.
Do t’ia dal, ndonëse me zor.
E di që sot do të kem plot punë:
Kujtesën duhet ta vras, të harroj,
Më duhet shpirtin ta bëj gur, unë,
Dhe prapë më duhet të mësoj të jetoj.
Ç’e do se vjen e ngrohta verë.
Me fëshfëritje te dritarja josh.
Këtë me kohë e kam parandjerë:
Dit’e bukur dhe shtëpia bosh.
Por odiseja e hidhur e jetës së saj nuk do të mbaronte me kaq. Në vjeshtën e vitit 1945 pranoi në shtëpi sekretarin e parë të ambasadës angleze në B. S. Që sipas dëshmive të të birit, e bëri me porosi të një drejtuesi letrar të atëhershëm. Mirëpo, për këtë, nga vetë Stalini u quajt ‘Spiune e anglezëve’ (Çështje që u mbyll vetëm më 1954).
Përsëri u arrestua i biri dhe u dënua me 10 vjet punë të detyruar. Në po këtë vit (1945), kur recitoi poezi në Moskë, pati shumë sukses në salle aq sa u quajt si kryengritje. Për këtë shkak, më 14 gusht 1946, u përjashtua nga Bashkimi i Shkrimtarëve Sovjetikë dhe dy libra të saj, gati për botim, u ngrinë për t’u bërë karton.
Pas arrestimit të djalit dogji gjithë arkivin e saj, letërkëmbime, foto, fletore me poezi, gjithçka.
Dramën e atyre ditëve të rënda me ec e jaket nëpër dyert e burgjeve na e jep të gjallë në ciklin me poezi
Dhe kështu Anna Ahmatova mbeti e harruar për një gjysmë shekulli në atdheun e vet. Jo, jo. Nuk u harrua, se ironia e jetës është e ashpër. Emrin e saj, si shkrimtare reaksionare, e mësuan mirë nxënësit e gjimnazeve, sepse e tillë cilësohej ajo në raportin famëkeq të Zhdanovit, të cilin maturantët duhej ta mësonin përmendësh, mbasi e kishin pyetje nëpër biletat e provimeve. Vdiq më 5 mars 1966 dhe mbas tridhjetë vjetësh, më 1996 u botuan në Rusi dy vëllime me krijime poetike të saj.
****
Mua, si lumin,
Epoka e ashpër më ktheu.
Jetën ma ndërruan.
Në shtrat tjetër rrodhi ajo
Dhe unë s’i njoh brigjet e mi.
REQUIEM 1961
I
Strehe nen qiej te huaj s’kerkova
Nen flatren e huaj s’ngrita fole,
Bashke me popullin tim durova
Te isha ku, mjerisht, ai qe.
II
Qetas rrjedh i qeti Don,
Hene e verdhe hyn ne dhome.
Hyn me shapken mbi sy,
Sheh: nje hije rri aty.
Dhe kjo grua e semure
Pret pa djale e pret pa burre :
Nje ne burg,nje u mbulua,
Njerez,lutuni per mua.
III
Nuk qenkam une,nje tjeter po heq.
Une s’do te mundja.Kete mandate
Le ta mbulojne qefinet e zes,
Feneret le te sjellin… Nate.
IV
……………..
E treqinta ne radhe ti pret,
Me pako ne duar nen “Kryqe” ti rri
Dhe me lotet e tu aq te nxehte
I shkrin ngricen vitit te ri.
Plepi i burgut atje deget tund
Dhe nuk ndihet fryme,po atje
Sa jete te pafajshme marrin fund…
V
Nje vit e ca qe po kelthas,
Te pres me pergjerim,
Nen kembe xhelati te perplas,
O bir,ky tmerri im.
Gjithcka si lesh e li u prish,
Sa s’mund t’i ndash dot lehte,
Kush eshte njeri e cili bishe
Dhe ty c’denim te pret
………….
EPILOG
Tani e di si tretet nje fytyre,
Si tmerri fshihet, pergjon nen qerpike,
Si gdhenden ne faqe zhubra-mynxyre,
SI shkrin kunejform me vuajtje dhe frike,
Si floket e zeze si korbi i ke pasur,
Ne cast te thinjen ata si me hi,
Si fishek gazi ne buzen e plasur,
Si dridhen buzet me aq lemeri.
Dhe lutem,lutem per te gjithe ata
Qe tok me mua presin te dermuar
Ne zheg, ne thellim te ftohte sa s’ka
Perposhte murit te kuq te verbuar.
Please follow and like us: